Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin për thellimin e reformës në energji dhe lehtësimin e mëtejshëm të detyrimeve të konsumatorëve:

Përshëndetje të gjithëve!

Me lejoni t’ ju them që në fillim se rezultatet në sektorin energjetik, unë nuk i shoh si arsye për të qenë të kënaqur, por si një motivim për të bërë shumë më tepër.

Nuk ka vend për të qenë të kënaqur. Nëse i shikojmë shifrat dhe faktet e ndryshimeve në raport me nga ku u nisëm, patjetër që është bërë një punë kolosale dhe janë vendosur themelet e një shteti që funksionon për njeriun e zakonshëm. Por, nëse i matim rezultatet me xhepin tuaj, me arkën e familjes së zakonshme, me ambiciet, dëshirat, shpresat e prindërve për fëmijët e tyre, atëherë jemi shumë larg. Prandaj duhet të punojmë ditë-natë me kokën ulur përpara jush.

Duke iu kthyer kamatëvonesave, ju të gjithë e mbani mend që, kur nisi kjo reformë, kundërshtarët e reformës nga të katër anët vunë kujën, “falni kamatëvonesat”. Nëse ne do të kishim falur kamatëvonesat që në momentin e parë, reforma do të kishte dështuar dhe ne do të kishim dështuar në një nga aspektet më të rëndësishme të projektit tonë për të bërë shtet. Kjo sepse nuk do të lidhej lehtësimi i vazhdueshëm i konsumatorëve të energjisë me korrektesën e tyre ndaj shtetit që duam të bëjmë. Shtetit që duam të bëjmë jo për vete, por për fëmijët tanë. Jo për ne qeveritarët, se, nëse do shikonim në mënyrë cinike interesin tonë, ashtu siç e kanë parë paraardhësit tanë në 20 e ca vjet, më mirë pa shtet, sesa me shtet! Kur ka shtet, shteti i vë kufirin te thana, në radhë të parë, atyre që ushtrojnë pushtet dhe iu krijon mundësi të barabarta në raport me ligjin atyre që janë pa pushtet.

Sot, ne kemi 453 000 konsumatorë që kanë aktmarrëveshje me shtetin dhe që janë në një marrëdhënie reciprociteti me kompaninë. Konsumatorët që kanë nënshkruar aktmarrëveshje i përgjigjen kompanisë sipas detyrimeve të tyre dhe kompania ua kthen dhe do t’ua kthejë vijimësisht, duke ua lehtësuar barrën e së shkuarës, që është barrë e përbashkët. Nuk është thjeshtë barra e njerëzve që kishin miliona për të paguar, por edhe barra e një pushteti që kupton se ato para të papaguara vinin edhe si rezultat i mungesës së shtetit dhe i qeverive që i shkelnin syrin njerëzve për vota, duke iu thënë “mos e paguaj, më jep votën”. Në fund e dërrmuan dhe e kalbën shtetin shqiptar.

Natyrisht, nëse do të shohim plagët që ka ende Shqipëria, nëse do numërojmë plagët që kanë sot familjet shqiptare, nuk ka diskutim që çka mbetet për të kuruar dhe për të shëruar është shumë më tepër se çfarë është kuruar dhe çfarë është shëruar. Por s’ka njeri të arsyeshëm, besoj unë, që i kërkon një qeverie që në tre vjet e pak të bëjë natën-ditë, në kuptimin e plagëve të hapura dhe të thelluara në 25 vjet.

Ju jeni dëshmitarë të zerimit të kamatëvonesave për të gjithë pensionistët kryefamiljarë, për të gjithë konsumatorët që kanë vazhduar të jenë korrektë me shtetin dhe që nuk e bënë këtë gjë që ditën e parë, kur u ofrua aktmarrëveshja. Ata që e bënë në fillim, përfituan që në fillim dhe përfituan pak më shumë. Ata që e bënë më pas, përfituan më pak sesa ta kishin bërë në fillim, por tanimë janë të lehtësuar që kamatëvonesat dhe lehtësimi do vazhdojë.

Të jeni të bindur se ne jemi shumë të vetëdijshëm edhe për atë barrën që përmendi këtu një zonjë. Është shumë e rëndë, pavarësisht se është më e lehtë seç ishte. Të jeni e sigurt që ajo do të lehtësohet më tutje. Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse mundësitë do të jenë më të mëdha. Kjo nuk është çështje dëshirash. Nëse ka një njeri në Shqipëri që do donte t’i rriste pensionet më tepër, t’i rriste rrogat më tepër, t’i zeronte të gjitha detyrimet e të shkuarës që sot, jam unë. Por, nga ana tjetër, kjo lidhet me mundësitë. Sa më shumë të jemi të gjithë, sipas peshës, seriozë me shtetin, aq më shumë shteti do të ketë mundësinë të jetë i vëmendshëm dhe social.

Nuk mund të ketë shtet social se duhen vota. Nuk ndërtohet shteti social, duke mbajtur fjalime kundër çdo reforme dhe duke iu rrotulluar thikën në plagë më të varfërve dhe atyre që kanë më pak, duke iu thënë se “faji pse ju jeni në këtë gjendje është i atyre që sot drejtojnë”. “Po të isha unë”, – thotë X-i apo Y-i, – “ju do ishit ohu ku…”

Në fakt, X-i, Y-i dhe Z-a nuk kanë asgjë në dorë, prandaj edhe premtojnë çfarë të munden. Duan thjesht të marrin disa vota dhe të sigurojnë rrogën e tyre, të sigurojnë karrigen e tyre në parlament dhe të sigurojnë se mund të vazhdojnë të bëjnë punët e tyre, por jo punën tuaj. Punën tuaj dhe punën e të gjithë atyre që sot kanë nevojë për shumë më tepër, e bëjmë vetëm ne. Sepse jemi këtu! Sepse kemi një histori! Sepse kemi një libër të shkruar në 25 vjet!

Pse nuk e bënë më përpara? Këtu ishin! Të gjithë ata që flasin sot dhe ju tregojnë sesa shumë po vuani, sa dhimbje e halle keni, sa të varfër jeni e sa e sa kështu e ashtu…, jo vetëm që ishin këtu, por e kanë pasur mundësinë të tregonin me vepra sesa shumë e vrasin mendjen për ju dhe sesa shumë bëjnë për ju. Por nuk e bënë!

Kompania ka bërë një progres shumë të madh, por është ende larg së përmbushuri detyrimin e plotë ndaj atyre që tanimë paguajnë. Unë marr shumë mesazhe nga njerëz që thonë “na the paguani, ku është shërbimi? Pse më ndërpriten dritat? Pse më vjen një faturë  e padrejtë?”

Kanë shumë të drejtë. Por duhet edhe të kuptohet që gjithë lehtësimi vjen nga kontributet. Deri dje, atyre që pagunin, iu merrej dyfish. Iu merrej për energjinë, iu merrej edhe nga taksat. Në vend të bëheshin shkolla, spitale, rrugë e të tjera, 150 milion dollarë shkonin për të mbushur gropën që hapej  e thellohej çdo vit, nga vjedhja dhe nga humbjet në një rrjet. Një rrjet të shpërndarjes së energjisë elektrike, që e gjetëm në mbi 80% të tij në moshën e elektrifikimit. Qëkur u vunë shtyllat e elektrifikimit të Shqipërisë, nuk u zëvendësuan më.

Ka pasur ndërprerje, patjetër. Por këtë vit, megjithëse ishte një vit i jashtëzakonshëm nga pikëpamja e klimës, nga pikëpamja statistikore-sasiore, kanë qenë ndërprerjet më të pakta në 26 vjet. Ky nuk është ngushëllim për ata që iu ndërpritet energjia. Në zonat e thella ka ende shumë probleme, sepse rrjeti është komplet i amortizuar. Mjafton një erë të përmbysë një shtyllë. Duhet shkuar, duhet riparuar etj., por janë orë të tëra që shkojnë.

Nga ana tjetër, leximi i faturave mbetet akoma problematik. Por kush mund të thotë sot, se nuk është një ndryshim themelor që nuk ka më aforfe! Kush mund të thotë sot, se nuk është një ndryshim themelor që në 99% të rasteve, fatura është korrekte!

Vërtet njerëzve që janë jashtë, vazhdojnë iu vijnë fatura, ndërkohë që shtëpia është e mbyllur, por sepse akoma sistemi nuk është i plotë. Për të ndërtuar një shtëpi pa leje, duhen vite. Po për të ndërtuar një shtet, që u kthye në një territor ku kush ishte kurajoz për të mos respektuar ligjin, përfitonte dhe kush e respektonte ligjin, shkelej me këmbë? Mjaftojnë tre vjet e pak? Nuk ka si të mjaftojnë. Por ky nuk është justifikim.

Unë jam shumë i interesuar, vazhdimisht, për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimit. Tani ka filluar projekti i leximit kompjuterik të faturave në Tiranë, por kjo është e lidhur edhe me regjistrimin e popullsisë. Një shtet që nuk di sa njerëz ka dhe se ku i ka, çfarë shteti është! 25 vjet, shteti shqiptar nuk numëroi dot kurrë shqiptarët!  Kjo bën që të mos të jesh në gjendje të japësh shërbime cilësore për të gjithë aty ku janë. Kjo bën që t’ia çosh faturën dikujt, edhe kur ai s’është më aty, etj..

Brenda vitit, leximi i faturës do të jetë kudo, jo më siç i duan sytë dhe siç ia kërkon xhepi një lexuesi që kërkon para e në bazë të ryshfetit,  bën faturën, por siç e lexon kompjuteri. Po punohet edhe për të vendosur një mesatare të konsumit të të gjithëve dhe leximi të bëhet jo më çdo muaj, por 4 herë në vit. Që do të thotë një lehtësim shumë i madh dhe nga ana tjetër, një tjetër goditje e fortë e sistemit të ri që po ndërtohet ndaj korrupsionit.

Në bazë të leximit do bëhet pastaj balancimi. Nëse mesatarja që ti ke paguar në një rast është më e lartë sesa ke konsumuar, ato para do të të ulen nga fatura e ardhshme. Nëse është më shumë, do të të rriten në faturën e ardhshme. Por e gjitha do jetë me kompjuter, jo me sy.

Është shumë e rëndësishme që të kuptohet se në këtë rrugë do të jemi në gjendje të vazhdojmë të lehtësojmë ata që janë më në nevojë. Do jemi në gjendje të vazhdojmë të lehtësojmë të gjithë ata që kanë detyrime të së kaluarës. Do jemi në gjendje të shkojmë drejt përmbushjes së një objektivi, uljen e TVSH-së së energjisë. Por kjo kërkon që ta kemi të gjithë sistemin të ndërtuar, të kontrolluar dhe të kontrollueshëm, jo vetëm prej nesh, por edhe nga qytetarët.

Ne sot kemi ardhur në kushtet kur borxhin e kemi vënë në kontroll dhe kemi filluar ta ulim, ndërkohë që rrogat i rrisim, pensionet i rrisim, investimet i rrisim. Në vitin 2013, ne ishim në buzë të humnerës. Në shtator kur morëm qeverinë, rrezikonim në nëntor-dhjetor të mos paguanim dot rrogat dhe pensionet. Sepse shkon e lidhet laku në fyt me politikën “shkelja syrin njërit, mos e paguaj energjinë”, “shkelja syrin tjetrit, mos i paguaj taksat”, “lëri këtu të na vjedhin, sepse këta na japin votat”, “lëri ata atje t’i fusin kontrabandë mallrat, se ata na financojnë fushatën” etj.. Atëherë ku t’i gjejmë paratë, t’i marrim borxh?! Është njësoj sikur një familje t’i thotë vetvetes se nuk ’kemi pse shkojmë në punë sot dhe njëri shkon luan bixhoz, tjetri bën xhiro, tjetri pi birra, kryefamiljari vazhdon merr borxh tek komshinjtë. Vjen një ditë që shtëpia bie. Kështu ishte Shqipëria që trashëguam.

Sot jemi në kushtet kur jemi angazhuar në një Program të ri Kombëtar “Një miliardë” investime për infrastrukturë rrugore, infrastrukturë shkollore, infrastrukturë shëndetësore.

Kur flitet për pensionistët, nuk duhet harruar kurrë që për pensionistët, pensioni është shumë i rëndësishëm, por e ardhmja e nipave dhe mbesave është si drita e syve të tyre. Sa më shumë të bëjmë për nipat e për mbesat, aq më shumë kemi bërë për gjyshërit dhe gjyshet. Sa më shumë ne të jemi seriozë me ju dhe ju me ne, në raportin e detyrimeve, aq më shumë Shqipëria e nipave dhe mbesave tuaj do të jetë Shqipëria që meritonit ju për jetën e vështirë dhe punën e palodhur të shumë dekadave, por që për njëmijenjë arsye, nuk ndodhi.

Nëse ne do të vazhdonim me historinë që trashëguam dhe nëse Shqipëria do të vazhdonte me politikanët që iu tregojnë shqiptarëve ato që ju vijnë si të ëmbla në vesh dhe refuzojnë ilaçin e hidhur të të vërtetës, edhe nipat dhe mbesat tuaja do të detyrohen të jetojnë si për fat të keq keni jetuar ju në gjithë këto vite.

Programi do të bëjë që ne të investojmë fuqimisht, sepse nuk kemi nevojë më të çojmë paratë e taksave për të kompensuar vjedhjet.  Nuk kemi nevojë më t’i çojmë paratë e kontributeve tuaja, për të mbuluar plagët e thella dhe për të kuruar kancerin me aspirina, por kemi gjithë mundësitë që t’i adresojmë gjërat në funksion të përmirësimit rrënjësor të jetës në vitet që vijnë, duke vazhduar të bëjmë shtet. Vetëm kështu gjërat do të vijnë duke u përmirësuar realisht.

Edhe vetë Reforma në Drejtësi nuk është për ne, në kuptimin në interesin tonë. Është për ju!

Drejtësia e re nuk na duhet thjesht për disa pushtetarë të korruptuar që duhet të marrin ndëshkim, por na duhet në radhë të parë, për çdo qytetar që te dera e gjykatës duhet të marrë drejtësinë që i takon dhe jo të hajë çekiçin kokës nga gjykatësi, sepse nuk kishte para të paguante për drejtësinë. Ndërkohë që dikush tjetër ia bleu përmes gjykatësit drejtësinë. Është një reformë themelore që shkon në funksion të të bërit shtet dhe që kalon përmes Vettingut.

Vettingu nuk është as për mua, as për ambasadorin amerikan, as për Prokurorin e Përgjithshëm, as për një “X” apo për një “Y” tjetër. Vettingu është për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që, më në fund, të çlirohen nga kthetrat e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar, që i morën frymën këtij populli, 25 vjet.

Miqtë e mi, unë dëgjova shumë falenderime këtu. Në fakt, kujt nuk i pëlqejnë fjalët e mira dhe falenderimet. Por e vërteta është se nuk keni asnjë arsye të më falënderoni mua. Duhet të jeni të vetëdijshëm se, nëse po bëhen disa gjëra që nuk u bënë në 25 vjet, këto vijnë si rezultat i vendimit sovran të shumicës së popullit, që na dha ne mandatin për të bërë këto reforma të thella, të dhimbshme. Janë operacione që kanë dhimbje, kanë kosto, por që janë të domosdoshme.

Nga ana tjetër, vijnë edhe si rezultat i një fakti të thjeshtë që këto reforma kanë vizion. Ky vizion buron nga domosdoshmëria e brendshme e kësaj shoqërie, prej kaq shumë vitesh, për t’iu dhënë fëmijëve një atdhe që i ka rrënjët te mirëqenia dhe jo thjesht te toka. Unë ju siguroj se më shumë do të bëjmë.

Në 1 mars ju do të merrni pension më të lartë. Ata që kontribuojnë për shtetin do të marrin pension më të lartë. Kjo do të ndikojë edhe tek ata që punojnë në privat. Ashtu sikundër, kjo do të lidhet me vazhdimin e vendosur të kërkesës që, nëse ne i kërkojmë një pensionisti apo një punonjësi të thjeshtë, korrektesë në pagesën e detyrimeve, ata që fitojnë më shumë në këtë vend, sipërmarrësit e mëdhenj, – që janë përfituesit më të mëdhenj edhe nga puna e tyre, por edhe nga oportunitetet e këtij vendi, – të paguajnë deri në qindarkën e fundit detyrimet e tyre.

Jemi duke zhvilluar një fazë të re të operacionit tonë kundër informalitetit.

Nuk do të falim asnjë qindarkë që ju takon juve, i takon fëmijëve tanë, të shkojë në xhepat e atyre që janë më të pasur si rezultat i evazionit, i shmangies së taksave dhe informalitetit.

Përpara Vitit të Ri, pensionistet morën 60 mijë lekë. Kjo ishte shprehje e vetëdijes se, pavarësisht se kemi dashur e jemi përpjekur të bëjmë maksimumin për ta, sado të bëjmë ne, nuk lahemi dot, -nuk lahet dot ky shtet e jo ne, – nuk arrijmë të përmbushim nevojat, ashtu siç pensionistët meritojnë. Por duke iu dhënë 60 mijë lekë, si asnjëherë tjetër më parë, ka një rëndësi themelore të kuptohet si fryt i kësaj përpjekjeje. Duke bërë shtet, bëjmë më shumë ekonomi dhe secili merr më shumë pjesë në rritjen e kësaj ekonomie. Unë nuk dua që ai shpërblim i fundvitit të shkojë duke u ulur. Unë dua që të mbetet po aq dhe që të mbetet po aq, na duhet të vazhdojmë të jemi seriozë, korrektë në çdo detyrim.

Mesazhi, për të gjithë ata që kanë detyrime të prapambetura nga e shkuara për kompaninë dhe që po vazhdojnë me korrektesë të paguajnë detyrimet, është se më herët se vonë, ne do të vazhdojmë t’i lehtësojmë. Gjithnjë e më pak do të shkojë duke mbetur barra e së shkuarës, për shkak të lehtësimeve.

Shumë faleminderit!

 

* * *

 

Thellimi i reformës në energji dhe lehtësimi i mëtejshëm i konsumatorëve më në nevojë u diskutua sot në një takim me drejtues të institucioneve të sektorin energjetik, ekspertë të fushës dhe qytetarë, i organizuar nga Ministria e Energjetikës, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Rezultatet e deritanishme të reformës në energji dhe thellimi i saj mundëson vijimin e lehtësimeve të detyrimeve të konsumatorëve, por edhe rritjen e investimeve për modernizimin e rrjetit të shpërndarjes e të shërbimit ndaj klientit. Të pranishëm në takim, qytetarët dëshmuam përvojat personale në marrëdhëniet e reja me OSHEE-në, çka ju ka mundësuar të përmbushin detyrimin e tyre ligjor ndaj kompanisë dhe nga tjetër  të lehtësohen në barrën e tyre të detyrimeve të prapambetura ndër vite.

Bashkim  Koci, pensionit nga njësia bashkiake nr. 1 ka akumuluar detyrime ndaj OSHEE, 8 milionë 700 mijë lekë [të vjetra]. “Tani nga zerimi fitoj 50% dhe do t’i qëndroj gjithmonë korrekt shtetit.”

Ramazan Sita është një tjetër konsumator nga Paskuqani, i cili i përket grupit social të personave me aftësi të kuafizuara, ka përfituar nga lehtësitë e ofruara nga OSHEE 7 milionë lekë. “Ne jemi të kënaqur dhe aktmarrëveshjen e kemi zbatuar sipas lidhjes që kemi bërë me kompaninë.”

6.5 milionë lekë [të vjetra] ka përfituar falë lehtësive që ofron marrëveshja me OSHEE edhe Zenel Tresa, pensionist. “Isha debitor me OSHEE dhe bëmë një marrëveshje dhe kështu u falën 6 milionë e gjysmë lekë. Do të jemi abonentë të rregullt përgjithmonë, se tani vjen era shtet.”

“Unë isha debitore ndaj shtetit 9 milionë e gjysmë lekë. Me faljen që bëri qeveria, unë bëra heqjen e kamatës 4 milionë e gjysmë dhe përfitova 12 mijë lekë aktmarrëveshjen,” – është historia e Flora Bizgjonit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.