Bazuar në ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, neni 31, pika 1, gërma “ç” dhe pika 2, si dhe në zbatim të Kreut II, të Vendimit nr. 118, datë 5.3.2014 të Këshillit të Ministrave “Për procedurat e emërimit, rekrutimit, menaxhimit dhe përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues dhe të Anëtarëve të TND-së”, i ndryshuar, njoftojmë thirrjen mbi shprehjen e interesit për 2 pozicione të lira, Anëtar i Komisionit Kombëtar të Përzgjedhjes për Trupën e Nivelit të Lartë Drejtues (TND), të cilët përzgjidhen prej Këshillit të Ministrave me një mandat 5-vjeçar.
Komisioni Kombëtar i Përzgjedhjes për Trupën e Nivelit të Lartë Drejtues (TND) është person juridik publik i përhershëm, i përbërë prej 9 anëtarësh, i cili ka në kompetencë rekrutimin e Anëtarëve të TND-së në administratën shtetërore, vlerësimin e performancës së tyre gjatë ushtimit të detyrave, dhënien e masave disiplinore në ngarkim të Anëtarëve të TND-së, etj.
1. Kriteret që duhet të plotësojnë personat e interesuar
Personat e interesuar për Anëtar të Komisionit Kombëtar të Përzgjedhjes për Trupën e Nivelit të Lartë Drejtues (TND), duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
- Të kenë përfunduar arsimin e lartë;
- Të kenë punuar për jo më pak se 5 (pesë) vjet në funksione publike në nivele drejtuese, ose të kenë qenë pjesë e personelit akademik të arsimit të lartë, apo Akademisë së Shkencave, ose të kenë titull/gradë shkencore;
- Të mos kenë masë disiplinore në fuqi;
- Të mos kenë qenë anëtarë të partive politike për 3 (tre) vitet pararendëse nga data e kandidimit;
- Të mos jenë/kenë qenë të dënuar penalisht me vendim gjyqësor të formës së prerë;
- Të mos jenë larguar nga shërbimi civil me masë disiplinore.
2. Afati dhe mënyra e dorëzimit të dokumentacionit
Personat që do të shprehin vullnetin për të kandiduar, duhet të depozitojnë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, pranë Kryeministrisë dokumentacionin në origjinal, ose të njësuar me origjinalin, si më poshtë:
- Kërkesë mbi shprehjen e interesit për t`u bërë anëtar i Komisionit Kombëtar të Përzgjedhjes për Trupën e Nivelit të Lartë Drejtues;
- Diplomë të shkollës së lartë (për ata që kanë përfunduar studimet jashtë shtetit edhe njëhsimi i lëshuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë);
- Jetëshkrim (CV-në);
- Vërtetim nga vendi aktual i punës ose ai i mëparshëm, ku të përcaktohet vjetërsia në punë dhe fakti nëse ka apo jo masa disipliore në fuqi (për vjetërsinë në punë duhet edhe libreza e punës);
- Vërtetim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që nuk ka kandiduar në zgjedhje të përgjithshme ose vendore nën siglën e ndonjë partie politike, në zgjedhjet që përfshijnë periudhën e 3 (tre) viteve të fundit;
- Dëshmi penaliteti;
- Deklaratë personale që nuk ka qenë anëtar i partive politike për 3 (tre) vitet e fundit;
- Deklaratë personale që nuk ka lidhje nepotike apo konflikt interesi me Anëtarët e TND-së;
- Çdo dokumentacion tjetër shtesë, si tituj/gradë akademike, artikuj shkencorë, botime, etj.