Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

“Unë e kam pritur me dëshirë të posaçme këtë mbrëmje. Të gjithë ne ju kemi pritur të gjithëve Ju, me padurimin e një nevoje të hershme për t’u bërë bashkë me mendje dhe me zemër, që të bëjmë gjithçka për t’i dhënë fund agonisë së shërbimit tonë shëndetësor.

Pres prej jush, presim prej jush, prej të gjithë atyre, që njësoj si ju, kanë bërë sukses nëpër botë, si mjekë gjithmonë shqiptarë, që të na ndihmoni. E kemi me gjithë zemër qëllimin e madh të ndërtimit të një Shërbimi Kombëtar Shëndetësor të denjë, për të drejtën e çdo njeriu të këtij vendi që të shërbehet me dinjitet kur ka nevojë për mjekun.

Jam i bindur se suksesi juaj është një shëmbëlltyrë e suksesit që mund ta ketë pse jo dhe vetë Shqipëria, në një të ardhme që unë nuk e shoh aspak të largët, për sa ne, Qeveria e Shqipërisë, së bashku me ju, me të gjithë ata si ju, shqiptarë të suksesshëm të fushës, do të arrijmë të bëhemi një trup i vetëm në bashkëpunimin për këtë qëllim kaq madhor. Bashkëpunim që më duket si i ndarë në dy kantiere të mëdha; – Atë  brenda Shqipërisë me aktorë të ndryshëm politikë dhe socialë , qendrorë dhe vendorë dhe -Atë  jashtë vendit, me aktorë shqiptarë dhe të huaj, individë, grupe dhe organizata.

Në fakt, jemi përballë një shumëllojshmërie mbresëlënëse aktorësh dhe përsa i përket shqiptarëve jashtë vendit, të cilët janë pjesë e një pasurie të pamat të një vendi si i yni me përmasa shumë të vogla, por me një histori shumë të gjerë dhe të gjatë emigrimi.

Histori sakrificash që individët arritën vetë t’i kthejnë në histori suksesi. Si historitë e secilit prej jush dhe të gjithë atyre që sot nuk mundën të mbërrijnë këtu, megjithëse dëshirën e shprehur e kishin shumë të madhe, që të  na nderonin me pjesëmarrjen në këtë takim. I cili, pa asnjë dyshim, nuk ka se si të jetë i fundit, duke iu përgjigjur një thirrje në nevojë për mbështetje në një sektor kur rrënimi institucional është ndoshta më i prekshmi, por edhe më prekësi për njeriun.

Posaçërisht shëndetësia, ku ne duhet t’i përgjigjemi sfidës që na ka vënë përballë një gjendje e tashme e patolerueshme, e cila është emergjente, e pa harruar në çdo hap se çfarëdo që bëjmë sot, influencon atë që do të kemi nesër.

Çelësi, besojmë shumë, i suksesit të vështirë në këtë fushë, në funksion të të ardhmes është bashkëpunimi, që nuk lidhet thjesht me vullnetin politik, por që për ne është politika. Politika e ndërlidhjes së fateve në sukses, duke mbështetur, inkurajuar dhe koordinuar pjesëmarrjen, që siç e tregon prania juaj sot këtu, nuk mungon sa herë që kërkohet me sinqeritet dhe gjithherë që kërkohet për të bërë një punë të mirë. Ashtu siç nuk ka munguar as gatishmëria dhe sakrifica e njerëzve si ju, kur qeveria ka ditur të tregojë seriozitet.

Nuk ka dyshim që të lësh punën dhe të marrësh rrugën për të ardhur këtu, të angazhohesh për të bërë diçka që gjërat këtu të ndryshojnë, është një sakrificë në vetvete sa materiale aq dhe shpirtërore. Por jam i bindur se nga ana tjetër, mirënjohja ndaj kësaj sakrifice, ndoshta më e vogla gjë që mund të jepet, por që është në fakt më e madhja gjë për të cilën ju dhe çdokush si ju do të kishte nevojë, është në të njëjtën kohë edhe shprehja më imediate e asaj që ne të gjithë këtu kemi për ju.

Ju u larguat sepse vendi nuk ju ofronte mundësitë e duhura. Padyshim ajo çfarë keni arritur aty ku keni shkuar, nuk është aspak lehtësisht e mundshme. Por, në anën tjetër, fakti që ju e keni arritur është një shembull shumë frymëzues për atë që shqiptarët mund të arrijnë edhe së bashku dhe që Shqipëria mund të arrijë si një e vetme.

Nuk ka dyshim se këtu flasim për fushën më të vështirë dhe për një sistem si ai shëndetësor që ka nevojë në çdo organ të tij, sepse është një sistem që ka nevojë për një kurë të fortë dhe në të njëjtën kohë është një sistem që çdo ditë duhet të kurojë njerëzit. Një sistem ku sot kemi të bëjmë me një tumor të madh dhe shumë agresiv, si ai i korrupsionit që e mban peng të ardhmen e Shqipërisë, por në veçanti të ardhmen e këtij sistemi.

Ne besojmë në dy terapi të mundshme ne betejën me këtë sëmundje;

Autonomia dhe Transparenca.

Autonomia spitalore, ne mendojmë se është njëra prej kurave që mund t’i kthejë spitalet në ndërmarrje njerëzish, me pjesëmarrjen direkte të trupës mjekësore dhe të personelit shëndetësor. Sigurisht, një aspekt i autonomisë është edhe decentralizmi që parashikon autonomi në administrimin e shërbimeve shëndetësore. Një lloj organizmi spitalor dhe i shërbimeve që të mund të krijojë hapësira për bashkëpunime inovative, siç unë besoj se është bashkëpunimi mes nesh; kontribute dhe pjesëmarrje me të gjerë të protagonistëve dhe aktorëve në sektorë të tjerë dhe mjekëve shqiptarë me karrierë të konsoliduar jashtë vendit, por dhe studentëve tanë të mjekësisë, apo jashtë vendit, të cilët në fund të ditës, jo vetëm nuk janë pak, por është dhe vështirë të numërohen se sa shumë janë.

Në çdo hap të këtij procesi transformimi të menaxhimit të spitaleve, shërbimeve shëndetësore dhe të gjithë sistemit shëndetësor në vend, nuk ka dyshim se rritja e vazhdueshme e transparencës është një kusht për të pasur sukses dhe një kurë me patjetër e domosdoshme.

Ndaj duam të sigurojmë transparencën, veçanërisht për sa i përket planifikimeve, por dhe për sa i përket akreditimit fillestar dhe atij periodik të spitaleve publike; udhëheqjes profesionale të shërbimeve spitalore; marrëdhënies me ofruesit jopublik të shërbimit shëndetësor dhe kontrollit të tyre; menaxhimit dhe kontrollit të barnave, si dhe monitorimit dhe vlerësimit me metoda moderne të sistemit shëndetësor në tërësi.

Sigurisht që, për ju që i dëgjoni këto, jo vetëm që nuk ka asgjë të re, por mbase ka shumë më tepër se kaq për të shtuar, ashtu sikundër ka shumë për të diskutuar edhe mbi këto nocione. Por është e sigurt, në këndvështrimin tonë se përfshirja juaj dhe përparësia që duhet t’i japim rritjes së rolit të profesionistëve të shëndetësisë janë me siguri një domosdoshmëri që kurat të funksionojnë.

Sot ju e dini më mirë se sa unë, e dini më mirë se sa ne sepse shumica nga ju, rrugëtimin në drejtim të suksesit e kanë nisur nga këtu, që ajo që ka ngelur nga koncepti spital në spitalet publike shqiptare, është vetëm një dorë mjekësh, që janë “jetimët” shqiptarë të Hipokratit, të cilët as e kanë braktisur misionin human dhe as janë braktisur akoma nga pasioni, që kur ishin të rinj i ka çuar drejt bluzës së bardhë. Një pasion për njeriun dhe vendin, që jam i bindur e ndajnë me ju sot, kur bashkë me ta, ju jeni shprehja më e qartë e një shoqërie që ruan idealizmin, përkushtimin dhe besimin në një të nesërme ndryshe për këtë vend. Një e nesërme, suksesi i të cilës, kurrsesi nuk mund të jetë i garantuar, nëse nuk shërojmë sëmundjen më të rëndë të Shqipërisë, që është sëmundja e sistemit tonë shëndetësor, të cilin e mbajnë ende në këmbë, themelet e hapura me përkushtim profesional, por dhe atdhetar nga etërit e mjekësisë shqiptare.

Ju dini më shumë për ta, por me siguri të gjithë bashkë e dimë se pjesa më e madhe e tyre kishin mundësi të mos vinin fare në Shqipëri dhe ta bënin karrierën e tyre gjetkë. Aty ku studiuan, aty ku u shquan dhe aty ku me siguri kuptuan se mund të bëheshin mjekë të dorës së parë, por ata preferuan të vijnë dhe ta ndërtojnë karrierën e tyre këtu. Duke provuar në fakt se mjekësia, në radhën më të parë dhe në pikën më të fundit, përpara se të jetë aparatura dhe teknika, është mision dhe pasion human dhe duke bërë mrekullira për atë kohë, që sot duken si iluzione. Ashtu sikundër, sot, duket si një realitet poshtërues për çdo shqiptar krahasimi mes spitaleve që kemi dhe atyre strukturave shumë modeste, por shumë të pastra dhe shumë të vlefshme të kohëve kur lindi edhe në Shqipëri shërbimi shëndetësor, falë etërve themelues të sistemit shëndetësor shqiptar.

E janë në fakt arritjet e tyre në atë kohë, mrekullira që më bëjnë mua të besoj sot se sado e komplikuar të jetë puna jonë, nuk është më e vështirë se ç’ishte puna e tyre atëherë, apo se ç’është ajo e shumë profesorëve të mjekësisë në këtë vend, të cilët janë pika të mbetura referimi për të mos u dorëzuar edhe për ata të rinj, që mes asaj turmës se çoroditur që hyn dhe del në universitet, e jetojnë mjekësinë më shumë sesa një zanat. Kur arsimimi mjekësor dhe kërkimi shkencor nëse i referohemi funksionit të tij, në një sistem shëndetësor modern,  është një organ që është gati  tërësisht jo funksional, si sot në Shqipëri, për shkak të tumorit të sistemit të shëndetësisë, të zhvilluar për njëmijë e një arsye, në një formë shumë agresive, me shqetësimin vetëm për një mbijetesë dhe jo për zhvillim, me siguri ka dy rrugë;  Ose të mbyllësh sytë dhe të jetosh inercinë, duke e mbajtur të sëmurin në gjendje vegjetative; Ose të hapësh sytë dhe bashkë me të tjerë të synosh, atë që ne synojmë dhe atë për të cilën me  siguri edhe ju jeni këtu sot, ngritjen e të sëmurit në këmbë.

Pikërisht këtë duam; Të krijojmë një dinamikë të re, duke mundësuar autonominë profesionale dhe përfshirjen në qeverisjen dhe në mbarëvajtjen klinike të njerëzve të profesionit, për të rivitalizuar këtë organ kyç për kapacitetin e sistemit shëndetësor.

Unë besoj se, kontributi juaj do të jetë vital, për ristrukturimin e tij dhe me siguri për të vendosur një standard të ri në edukimin e mjekë ve të rinj, ndërkohë që përpiqemi që hap pas hapi të ndryshojmë standardet edhe në  të përditshmen e mjekësisë së sotme në Shqipëri.

Jam i bindur se kontributi juaj do të jetë vital, për të forcuar kapacitetin e sistemit në kërkimin shëndetësor, duke vendosur prioritete kërkimore dhe konsoliduar standarde, që e mundësojnë kërkimin cilësor. ‘Përditësimi i njohurive’, ju e dini më mirë se unë, siç e thoshte një mjek shqiptar me karrierë jashtë vendit, ‘është baza e profesionit mjekësor’. Jam i bindur se do të jetë një nga aspektet pozitive të kontributit tuaj, që ka të bëjë me cilësinë dhe përkushtimin e atyre që besojmë se nesër mund të jetën protagonistë  të sistemi shëndetësor shqiptar, por padyshim edhe me konsolidimin dhe perspektivat e reja në studimet shëndetësore, me disiplina jo të lidhura drejtpërdrejt me mjekësinë. Politikat shëndetësore nuk mund të kenë sukses nëse nuk janë të informuara mirë, në të gjitha këto aspekte, ashtu siç nuk mund të jenë të painformuar mbi zhvillimet teknologjike në fushën e shëndetit. Ne duhet të arrijmë të gjejmë rrugën. Kjo besoj duhet të jetë një nga temat e bashkëpunimit dhe të dialogut tonë, që kërkimi mbi shëndetësinë të prodhojë politika dhe politikbërja të jetë e hapur, ndaj orientimit që vjen pikërisht nga kërkimi, sepse ju e dini edhe këtë më mirë se unë, që komunikimi ndërdisiplinor është tejet i rëndësishëm jo vetëm për mjekësinë, por sigurisht dhe për politikat.

Politikat që kanë të bëjnë me sistemin shëndetësor janë të vendosura në tërësinë e një qasje të shërbimeve sociale për një shoqëri me të barabartë dhe të drejtë, ku shërbimet nuk mund të jenë  sipas të ardhurave, por duhet të jenë sipas nevoja.  Në kuadër të kësaj qasjeje  përsa i përket shëndetësisë, një synim shumë i rëndësishëm i yni, me të cilin ju besoj se jeni njohur tashmë është, Sistemi Shëndetësor Universal, për të siguruar një shërbim shëndetësor, që mund t’u ofrohet të gjithëve, ndërsa financohet nga sistemi i taksimit të përgjithshëm.

A mund të kërkosh apo të shpresosh më shumë, për Shqipërinë në kushtet në të cilat gjendet sot sistemi shëndetësor?!  Por jo vetëm sistemi shëndetësor!

Fan Noli thoshte një fjalë, që unë e kam shumë përzemër, – “e vërteta është se e kemi pakëz si pisk punën, por ne shqiptarët e kemi shpresën të madhe”. Ashtu edhe tani për piskun, por edhe për shpresën. Gjithsesi këtë herë, ato ndoshta edhe paradoksalisht nuk janë krah për krah, sepse shpresa e madhe sot mbështetet në mundësi dhe në asete të mëdha, siç mbi të gjitha është kapitali njerëzor shumë i zhvilluar i këtij vendi, edhe pse jo i gjithi, por ndoshta në një pjesë të madhe ndodhet jashtë këtij vendi. Mendoj se e ndani me mua bindjen që, Shqipëria nuk ka pasur një periudhë  tjetër me kapital njerëzor më të zhvilluar dhe më te gatshëm për të kontribuar në ndryshime rrënjësor, që për shkak të arritjeve të shumë njerëzve si ju- dhe ndërkohë, sot jemi bashkë dhe mund të themi për shkak të njerëzve si vetë ju,- duket shumë i  mundshëm. Rrjedhimisht, nuk ka pse, sëmundjet kronike të shtetit tonë, të mos jenë plotësisht të shërueshme dhe objektivat që ne kemi, të mos jenë plotësisht të arritshme, por nuk duhet të lejojmë përsëritjen e gabimeve të së shkuarës. Gabime patjetër do të bëjmë,  jeta pa gabime ndoshta është shumë e mërzitshme, por në ka gjë më të mërzitshme dhe më të dëmshme, sesa gabimet e vjetra. Njëri nga gabimet e vjetra, që nuk duhet përsëritur, është mosrealizmi i një dialogu të gjerë dhe real, jo i një komunikimi formal siç mund të mbetet ky mes nesh, në rast se nuk ka një vazhdim, me aktorë  dhe me protagonistë  si ju, pa lënë asnjë moment pa dëgjuar dhe të pa përfshirë, zërin dhe mendjen e njerëzve tanë të suksesshëm jashtë vendit. Por, përkundrazi duke u përpjekur bashkërisht, që të gjejmë rrugët sesi mund të koordinojmë dëshirën për një Shqipëri më të mirë me pasionin e secilit, që të japë një kontribut që Shqipëria mund të bë het me mirë. Dua të përsëris, që Shqipëria sot vuan nga shumë sëmundje kronike,  por janë sëmundje plotësisht të shërueshme nëse për objektiva plotësisht të arritshëm ne ndërtojmë sëbashku një rrugë të ndryshme, të re, nga ajo që i ka bërë të pamundura objektivat e arritshme dhe kronike, sëmundjet me të cilat, sot vazhdojmë të bashkëjetojmë.

Ju me siguri na ndihmoni me shumë se çdo sy dhe veshë, sado i vëmendshëm këtu, për të analizuar kushtet tona me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm. Për ta kuptuar në kompleksitetin e vet gjendjen e  sistemit shëndetësor, por dhe për të vënë në vendin e vet, çdo pjesë të një mozaiku që është sot, si ato lodrat e fëmijëve me kuba, i shpërndarë dhe ku përpjekjet për t’i bërë kubat bashkë dhe për të krijuar një figurë, përgjithësisht, kanë krijuar shtrembërime të mëdha.  Nuk kam asnjë qëllim dhe nuk kemi asnjë qëllim që të harrojmë,  apo mohojmë arritjet. Ka nisma private, në sektorin e shërbimit shëndetësor, që sot i ofrojnë qytetarëve shërbime cilësore, për hir të së vërtetës. Por, në të njëjtën kohë, janë nisma që nuk janë të integruara në një sistem koherent, i cili është detyra jonë dhe që duhet të kristalizohet, duke besuar tek dialogu dhe tek cilësia e një debati të gjerë, në të cilin eksperienca që sillni ju, nga vendet ku punoni është jo vetëm e vlefshme, por është e pazëvendësueshme. Për të tretën herë po e përsëris, sëmundjet kronike të shtetit tonë janë plotësisht të shërueshme edhe objektivat janë plotësisht të arritshme, veçanërisht nëse ne, Qeveria, e jetësojmë, siç nuk është bërë më parë, politikën e bashkëpunimit, e cila përsa i përket atij kantierit të madh jashtë vendit përfshin shumë njerëz si ju, që thonë jemi gati të bëjmë! Por çfarë mund të bëjmë ?! Që në fakt, janë, apo jeni, mishërimi më kuptimplotë dhe njëkohësisht më i respektueshëm i asaj shprehje së famshme që thoshte Presidenti Kenedi, – “mos pyet se çfarë vendi mund të bëjë për ty, po çfarë mund të bësh ti për vendin tënd”.

Unë besoj që  ardhja juaj këtu  është një  fakt, një pyetje që na drejtohet ne, që më drejtohet mua, Ministrit të Shëndetësisë , çfarë mund të bëni ju për këtë vend. Ë shtë një pyetje që na mbingarkon me përgjegjësi,  pasi ju kemi ngritur nga çdo anë dhe ju kemi sjellë deri këtu dhe me siguri nuk e kemi bërë, as për të pasur një sfond mjekësh të shkëlqyer të Diasporës së Re Shqiptare, ku të mbajmë fjalime dhe as për të ngrënë me ju një darkë, që sidoqoftë është e rëndësishme, por nuk është kryesorja.

Përgjigja juaj ndaj ftesës sonë është një fakt obligimi më i madh për ne. Obligimi më i madh për ne, për të bërë gjithçka, që ju ta bëni atë që mund të bëni për këtë vend edhe duke jetuar në çdo njërin prej vendeve që, në fakt nuk e keni zgjedhur, por ju ka zgjedhur dhe për të na ndihmuar që edhe Shqipëria edhe sistemi shëndetësor shqiptar të behet një vend ku mund të zgjedhësh, por edhe ku  të jetë nder të zgjidhesh.

Sot jam veçanërisht i emocionuar dhe sigurisht kur këtë fjalë e thotë një njeri që merret me politikë, nuk jeni të detyruar ta besoni, por unë kam nevojë t’jua them.

Jam shumë i emocionuar që ju jeni këtu para meje dhe siç nuk ndodh shpesh, e kam të vështirë të gjej të gjitha fjalët për t’ju thënë, sesa shumë e meritoni gjithë respektin tonë sot. Nga lartësia e një përvoje relativisht të shkurtër, si një shqiptar që e di se çfarë do të thotë të jesh jashtë vendit, të jesh larg vendit, të marrësh kënaqësitë profesionale në një vend tjetër, e kam shumë të qartë se çfarë është ajo që ju ka shtyrë që të vini  këtu. Tani, nuk e kam të qartë se çfarë është ajo që duhet të bëjmë ne, që ju të vini prapë këtu. Besoj që ju do të na ndihmoni që ta kuptojmë shumë mirë këtë gjë dhe po ashtu jam i bindur që do na ndihmoni, që jo vetëm ta kuptojmë, por edhe ta bëjmë të mundur që ju të vini e  të vini përsëri, jo vetëm për të dhënë atë që keni për të dhënë, por edhe për të marrë kënaqësinë e rezultateve që ajo që ju do të jepni bashkë me ne që do t’ju dëgjojmë dhe ndjekim me vëmendje në këshillat tuaja, do t’ju japë me siguri në një të ardhme që unë e shpresoj shumë që të mos jetë shumë e largët.

Edhe njëherë faleminderit! Këtu, mbaron pjesa formale, por në fakt fillon libri i një historie që unë dëshiroj shumë ta shkruajmë sëbashku dhe për të vazhduar pjesën tjetër të mbrëmjes duke diskutuar lirisht dhe duke dëgjuar lirisht njëri-tjetrin me dëshirën, që ju të mirëkuptoni se unë i mbarova fjalët e mia dhe në pjesën tjetër të mbrëmjes do të jeni vetëm ju që do të flisni dhe unë do të dëgjoj dhe do të mundohem të mësoj sa më shumë për këtë takim të parë, në mënyrë që kur të  vini herën tjetër, ju të kuptoni që përveçse një ish-pedagog, unë jam edhe një nxënës shumë i mirë.

Faleminderit!”

*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me Profesionistët Shqiptarë që ushtrojnë profesionin e Mjekut në vende të ndryshme të botës.

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.