Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Thumana, qyteza e prekur më shumë prej tërmetit shkatërrimtar, është shndërruar në simbolin e bukur të solidaritetit mes shqiptarëve. Me shumë se dy vjet më parë, thirrjes së qeverisë për të bashkuar forcat në përballjen e situatës pas tërmetit, iu përgjigj edhe Fondacioni Firdeus i drejtuar nga Elvis Naçi, i cili sot në festën e Bajramit dhuron 155 shtëpi individuale të ndërtuara sipas standardeve më të larta të infrastrukturës që ofrojnë kushtet optimale për banorët e mbetur pa strehë pas tragjedisë.

Kryeministri Edi Rama iu bashkua sot gëzimit të banorëve, në lagjen e re të Thumanës, e cila tanimë po plotësohet dita-ditës si një mozaik i bukur falë një pune të gjatë e plot përkushtim që nga momenti i parë pas tragjedisë. Në përshëndetjen drejtuar banorëve, Kryeministri tha se Thumana sot përfaqëson modelin e zhvillimit të qëndrueshëm urban dhe social.

* * *

Mirëmbrëma të gjithëve!

Besoj që në këto kohë, qysh se ra ajo fatkeqësi e madhe, duhet të kem ardhur në Thumanë mbi 40 herë dhe mezi e kam pritur këtë moment kur të gjitha punët do të bëheshin bashkë dhe në fund fare, të gjitha banesat do të merrnin jetë me futjen e të gjitha familjeve në shtëpia. Për më tepër, jam thellësish ti kënaqur sot që pasi kemi çelur dyert e apartamenteve këtu pranë, në një ditë të bekuar krishtlindjesh, sot çelin dyert e shtëpive në një ditë të bekuar bajrami.

Me këtë rast dua ti uroj dhe kështu me zë, drejtpërdrejtë, të gjithë besimtarëve myslimanë që të ketë qenë një muaj i bekuar agjërimi të pranuar e që të gjithë të kenë shëndet dhe e mira i priftë në familjet e tyre dhe në jetën e tyre.

Duke qenë se jam këtu së bashku me Elvisin, i cili tanimë është një mik për mua pas na ka lidhur në një farë mënyre puna dhe kemi mundur ta njohim më nga afër njëri – tjetrin, e duke qenë se Elvisi është hoxhë, përderisa vajza që më prezantoi përmendi dhe ato fjalët e muajit që unë kam publikuar ditë pas dite në këtë muaj, dua të përfitoj nga rasti që ta nënvizoj këtu se pavarësisht se në jam i dhënë me shumë respekt ndaj feve dhe pavarësisht se nuk jam as hoxhë e as prift, nuk më vjen mirë kur shumëkush ngatërron gjëra që nuk duhen ngatërruar.

Ngatërron atë që feja është për çdonjërin individualisht, me atë që feja është për mbarë njerëzimin, pavarësisht se njerëzit ndahen në besimtarë e jo besimtarë.

Sot shkenca ka përparuar në mënyrë marramendëse por nuk e ka bërë fenë më pak të rëndësishme në jetën e njerëzve .

Sot teknologjia ka përparuar në mënyrë marramendëse por feja nuk është më pak e rëndësishme për njeriun.

Historia e njerëzimit është historia e zhvillimit,  është historia e progresit, është historia e transformimit të vazhdueshëm, por është një histori në të cilën feja e ka shoqëruar e do të vazhdojë ta shoqërojë njeriun për sa kohë do të ketë jetë në tokë, sepse shkenca nuk ka arritur e nuk do të arrijë dot të provojë asnjëherë jo se si ndodhin gjërat, por se për se ndodhin gjërat.

Nuk dua të zgjatem me këtë përsiatje për fenë por thjesht dua t’i them të gjithëve e që besojmë apo nuk besojmë në zot, kjo është një çështje krejt individuale, siç është krejt individuale edhe mënyra se si besojmë. Disa besojnë përmes institucioneve, disa kanë rrugët e tyre të besimit. Ashtu sikundër islami ka një porosi shumë të dobishme për të gjithë, pavarësisht nëse janë besues ose mosbesues. Porosinë që ven përmes lajmëtarit të Zoti dhe jo Zotit vetë, profetit Muhamed, paqja e Zoti qoftë mbi të, i cili ulet në gjunjë dhe lutet përkrah me ndjekësin e vet më të fundit. Çka do të thotë që tek ajo pjesë e jetës sonë, tek ajo pjesë e rrugës sonë, tek ajo pjesë e përjetimeve tona, kur ne e kemi të pamundur që të shpjegojmë pse-në e diçkaje që na vjen përpara, të diçkaje që na ndodh, të diçkaje që na sfidon, aty fillon një komunikim me dikë brenda nesh që është përtej nesh e për këtë arsye, të gjithëve do tu thoja që nuk k gjë m ë të rëndësishme se sa respekti i besimit të tjetrit e nuk ka gjë më të dëmshme për secilin prej nesh se sa përbuzja për besimin e të tjerëve rreth nesh e në këtë ditë të bekuar, mua më vjen jashtëzakonisht mirë që jam këtu bashkë me Elvisin, bashkë me të gjithë ata që janë pjesë e këtij kontributi të jashtëzakonshëm , përmes fondacionit Firdeus e më vjen po ashtu jashtëzakonisht mirë që jemi këtu për të kremtuar një përpjekje të përbashkët ku të gjithë bënë atë që mundën e të gjithë dhanë aq sa mundën por në fund të ditës, siç thuhej edhe në filmin këtu në fillim fare, i përgatitur me shumë kujdes në çdo tullë në këtë lagje, ka një emër dhe një mbiemër të dikujt që është i panjohur, të dikujt që nuk ka kaluar kurrë nga Thumana, të dikujt që mbase kurrë nuk do kalojë nga Thumana, dikujt që mbase asnjëherë nuk do ti  dihet emri, por ka dhënë një copëz nga vetja në mënyrë që familje të tëra, gjyshër, gjyshe, nipër, mbesa, prindër, të mund të kenë një strehë.

Sot unë dua që përveç se të falënderoj ata që kanë dhënë përmes fondacionit për të ndërtuar këto 155 Elvis, se i hëngre 5, the 150, por edhe kjo harresë tregon në fakt që ti e mendon atë që thua dhe thua atë që mendon, kështu që kur thua që nuk jemi këtu për tu vetëlëvduar, në fakt e mendon se po të ishte për tu lëvduar do thoje 160, por në fakt janë 155.

Dua të falënderoj nga zemra edhe të gjithë ata që punuan këtu. Të gjithë ata punëtorë, të gjithë ata teknikë ndërtimi, të gjithë ata inxhinierë, të gjithë ata shoferë dhe kini parasysh që për rindërtimin  jo vetëm në Thumanë por në gjithë zonat e prekura janë angazhuar 27 mijë vetë. 400 kompani që nga kompanitë më të vogla, studiot e arkitektë apo të inxhinierëve deri tek kompanitë më të mëdha të rindërtimit, janë përfshirë në këtë përpjekje të madhe.

Sigurisht që asgjë nuk është e përsosur, sigurisht që çdo gjë mund të bëhet edhe më shpejtë edhe më mirë, patjetër, por besoj që të gjithë këtu e kanë një të njohur, në mos një të afërm apo një fqinj në Itali dhe sot në Itali, që është një vend i madh, që është një ndër 7 fuqitë më të mëdha ekonomike të botës, ka prej 10, 12 apo 15 vitesh familje që presin ende për tu kthyer në shtëpi pas tërmeteve që kanë rënë atje. Ndërsa këtu në Shqipërinë e vogël, me mundësi më të pakta por me një përpjekje shumë të madhe ne ia kemi dalë që ti kthejmë në shtëpi familjet në një kohë rekord.

Nëse Elvisi nuk deshi t’u kthente përgjigje atyre që në mënyrë të përsëritur akuzuan këtu se ikën lekët e shtëpive, u tretën paratë e donatorëve, u avulluan miliardat që u mblodh nga bota, unë, me thënë të drejtën, nuk i lë dot pa iu dhënë përgjigje, por një përgjigje të thjeshtë, për t’iu thënë që veprat nuk fillojnë kur shikojnë eskavatorët, por veprat fillojnë kur fillon puna për studimin, pastaj për projektin, pastaj vazhdon puna për kontratat dhe pastaj vijmë tek realizimi.

Kur ne e kemi nisur punën këtu, na është dashur, në radhë të parë, të forcojmë të gjithë bazamentin sepse i gjithë terreni këtu ishte një terren që kishte nevojë të forcohej dhe u desh një punë ekstra për këtë. Pastaj, vazhduam me gjithë projektin e infrastrukturës dhe me gjithë transformimin e infrastrukturës për të ardhur tek terreni gati që të fillonin pallatet dhe shtëpitë. Kështu që, çdo punë do kohën e vet dhe ja ku janë të gjitha kontributet, flasin vetë.

Së bashku, ne realizuam atë që, për hir të vërtetës, nuk e kemi gjetur në asnjë rast rindërtimi në vendet që kemi parë për të marrë eksperiencë, që jo vetëm t’u ndërtojmë shtëpitë, por tua japim të gjithëve falas, pa i detyruar të paguajnë asnjë qindarkë, qoftë edhe përmes një kredie të butë, siç ndodh në Itali, siç ndodh në Turqi, siç ndodh dhe në vende të tjera që kanë tërmete, apo në Greqi, ku shtëpi krejtësisht falas nuk të jep njeri. Ndërkohë, të gjitha shtëpitë, edhe këtu në Thumanë, qoftë ato që ka ndërtuar qeveria, qoftë ato që ka ndërtuar fondacioni, qoftë edhe ato që ka ndërtuar Behgjet Pacolli këtu, janë falas, janë prona juaj, t’i gëzoni, t’i trashëgoni dhe bëni çfarë të doni me to.

Këtu ku jemi ne, pas çmontimit të kësaj tende, do ndërtohet edhe një park dhe ndërkohë, bashkë me bashkinë do vazhdojmë edhe disa punë të tjera që kanë mbetur, qoftë për njësinë administrative që siç e keni parë po merr formë dhe brenda 1-2 muajsh do jetë e përfunduar, qoftë për qendrën shëndetësore dhe qoftë dhe për një park lodrash për fëmijët.

Realisht, Thumana sot është një model zhvillimi të qëndrueshëm urban dhe social dhe realisht, sot mund të thuhet me plot gojën që shumë e shumë lagje të vendit tonë do kishin shumë dëshirë të ishin kështu si Thumana, si Thumana që në momentin e tragjedisë ishte si një vendngjarje e një skene nga ferri.

Ndërkohë, sot është vendi i rilindjes në kuptimin më të vërtetë të fjalës, i rilindjes për të gjithë pa dallim, edhe për ata që votojnë majtas, edhe për ata që votojnë djathtas, dhe për ata që falen dhe për ata që nuk falen, për ata që falin dhe për ara që nuk të falin. Është për të gjithë dhe sigurisht, demokratëve që nuk janë të paktë këtu në Thumanë. Të më falë Elvisi, por unë nuk i heq dot nga fjalimi këto. I uroj t’i gëzojnë shtëpitë njësoj si të tjerët, i kanë falas dhe të mos i heqin bravat njëri-tjetrit por të respektojnë njëri-tjetrin sepse në fund të ditës, pavarësisht se çfarë bëjnë partitë, pavarësisht se nga shkojnë e nga vijnë qeveritë, mbetet njerëzillëku, mbetet komuniteti dhe mbetet mirësia që i detyrohemi njëri-tjetrit si njerëz.

Në mbyllje, e fillova me Bajramin dhe dua ta mbyll me një fjalë të profetit Mohamed, paqja e Zotit qoftë mbi të, i cili thoshte “Edhe nëse në ditën e qametit gjendesh me një filiz në dorë, mos ik pa e mbjellë”. Ju lutem shumë, ju takon juve që këto kopshte që presin të mbillen, që presin të lulëzojnë, t’i mbillni dhe t’i lulëzoni, që këto pemë që presin të rriten, të kujdeseni për to dhe t’i shtoni, që këtë Thumanë që sot ka një hapësirë fantastike për t’u bërë një nga vendet më të gjelbra të banuara të Shqipërisë, ta bëni një nga vendet më të gjelbra të banuara të Shqipërisë.

Jua kam thënë kur kemi ardhur në krye të herës se do ta bëjmë Thumanën që nuk do ta njihni. Ja ku është këtu dhe sigurisht që ju tani e njihni, por askush që nuk e ka parë nuk do ta njohë dot. Ju kam thënë dhe diçka tjetër dhe po jua përsëris, “Nëse ju do ta mirëmbani dhe do ta hijeshoni duke bërë çmos që ta ruani këtë rregull dhe këtë bukuri dhe ta pasuroni me të mbjella, ta pasuroni me gjelbërim, ai liqeni që është pak më lart, do jetë arsyeja pse Thumana do bëhet edhe një destinacion turistik. Mund të duket sot si e pamundur, por të jeni të sigurt që në pak vite, shumëkush do dojë ta kalojë fundjavën këtu në Thumanë, siç ndodhi, jo shumë larg që këtu me Belshin, nga ana tjetër, pranë me Elbasanin që ishte njësoj si Thumana, me një liqen dhe e mbushur me plehra, me karakatina, e mbushur me zemërim dhe me dëshpërim nga ku njerëzit donin vetëm të iknin dhe sot, në fundjavë nuk ka vend në Belsh sepse gjithmonë e më shumë vizitorë shkojnë atje për të kaluar fundjavën dhe kështu krijohet një ekonomi e vogël lolale dhe kështu rritet dhe një ekonomi familjare.

Zoti qoftë me ju dhe me ne të gjithë! Shëndet, mirësi, solidaritet!

Rroftë Thumana! Rrofshin përgjithmonë kujtimet e atyre që nuk e jetuan dot këtë transformim dhe humbën jetën në atë natë tragjike!

Rrofshin sa malet, në radhë të parë, gjyshërit dhe gjyshet e Thumanës!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.