Thumana e Re, merr formë ditë pas dite

Thumana e re po merr formë ditë pas dite me punë të pandalur, për të fshirë nga kujtesa e qytetit atë natë të tmerrshme të 26 nëntorit ku shumë qytetar humbën banesat e tyre dhe disa edhe të afërmit e tyre. Sot, Thumana është një qytet i tëri në kantier, për t’i dhënë banorëve të saj mundësinë për t’ju rikthyer jetës në një qytet që u ofron gjithçka të nevojshme për një jetesë të denjë.

Kryeministri Rama, bashkë me Behgjet Pacollin, i cili përmes fondacioni të tij do të japë kontribut në ndërtimin e njërës prej 14 godinave të banimit, ishin në Thumanë ku panë punimet, jo vetëm të infrastrukturës lidhëse të godinave të banimit, por edhe të shtëpive individuale dhe shkollave.

Kreu i qeverisë i prezantoi punën e bërë deri më tani në Thumanë. “Gjithë hapësira ku do ndërtohet është trajtuar në fillim me shtresa, sepse ishte zonë kënetore dhe kishte nevojë për konsolidim me shtresat e posatshme. Pastaj janë hapur të gjitha kanalet për të vendosur sistemet e ujësjellësit, të kanalizimeve, të energjisë e të tjerat. Pastaj ka filluar puna me banesat individuale. Ka në gjithë zonën hapësira të gjelbërta dhe një park qendror në mes”, – u shpreh Rama.

Rindërtimit i Thumanës ka hyrë tanimë në fazën e vet përfundimtare dhe në vjeshtë do të jetë realiteti i ri i një zone të goditur fort nga fatkeqësia natyrore, ndërkohë që Pacolli e përgëzoi Kryeministrin për punën e bërë deri më tani në Thumanë. “Së pari, ju përgëzoj për punën profesionale që keni bërë. Ka qenë me rëndësi që përgatitja të jetë sa më e mirë. Tani e shoh që çdo gjë është gati, rrugët janë përgatitur, ka mbetur vetëm të shtrohet asfalti kur gjithçka të mbarojë. Fjala është për një kompleks, çdo ndërtesë ka 2700 metra katrorë. Janë rreth 18 apartamente për ndërtesë me një hapësirë mesatare prej mbi 100 metra katrorë. Mund të them që këtu nuk bëhet fjalë për banim social, por për banim luksoz. Do ketë çdo shërbim publik”, – tha Pacolli, teksa shtoi se Thumana “do të jetë një qendër moderne dhe duke parë hapësirat përreth besoj që do jetë një qytet shumë i bukur në Shqipëri”.

Një zgjidhje pritet t’i jepet edhe hyrjes, e cila do bëhet një pikë qendrore nga ku do hyhet e do dilet lirisht në një lagje qyteti të ri. Procesi i rindërtimit, jo vetëm në Thumanë, por në çdo zonë të prekur nga tragjedia ka ecur me ritme të shpejta, sa 1/3 e çdo procesi tjetër normal administrativ. “Nëse një proces i zakonshëm ndodh për 30 ditë, rindërtimi ka ndodhur për 10 ditë”, – theksoi ministri Ahmetaj.

“Tragjedia është e madhe, por është dhe një mundësi për t’u ngritur më fort dhe ajo që kemi dashur të bëjmë dhe besoj po bëjmë është që njerëzve, nuk jua kthejmë dot fatkeqësisht të humburit, por kur t’i japim çelësin e shtëpisë, t’i bëjmë të ndihen jashtëzakonisht mirë, të jetojnë në një ambient më të mirë, të shkojnë në apartamente që nuk janë banesa sociale, por në rastin konkret janë mesatarisht standarde të larta dhe të ndihen realisht të respektuar dhe të të përfshirë në rrugën e zhvillimit. Natyrisht, të gjitha këtu, nënvizoi Kryeministri, sjellin një rritje të vlerës së tokës, një rritje të vlerës së pasurisë edhe të banorëve që janë rreth e rrotull.