Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Thumana e Rilindur, e cila po vijon të rimëkëmbet nga ditë në ditë, falë Programit të Rindërtimit, mikpriti sot një feste sportive, ku u zhvillua edhe një konferencë mbi sportin si motor i zhvillimit.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Thumanë, ku përshëndeti Konferencën si pjesëmarrës në panelin e parë “Sporti në funksion të shëndetit, edukimit dhe zhvillimit”.

* * *

Shumë faleminderit për këtë aktivitet! Nuk besoj se do ta imagjinonte dot njeri në ato ditët e tmerrshme kur Thumana ishte epiqendra e goditjes së tërmetit që, në jo shumë vite më pas, ne do mblidheshim këtu me kaq shumë kampionë të sotëm dhe të djeshëm dhe me praninë e gjithë federatave të sportit për të shfrytëzuar infrastrukturën e një mjedisi nga më të mirët në Shqipëri, për sa i përket mjediseve sportive komunitare dhe në këtë godinë të shërbimeve ndaj komunitetit që është një model i ri që e ka Thumana, por nuk e kanë qytete e tjera shumë më të mëdha.

E faktikisht, kjo sot është realitet.

Tani unë dëgjova shumë falënderime në adresën time dhe nuk dua ta bëj këtu modestin, por dua të them se ky projekt në tërësi i rindërtimit, por në veçanti i Thumanës, meqë jemi këtu në Thumanë do të kishte qenë absolutisht i pamundur pa të tjerë që u angazhuan në diskutime. Arturi ndoshta nga emocionet më ngatërroi edhe fjalën që unë në fakt thashë, unë nuk i thashë “s’dua diskutime”, unë i thashë diçka tjetër, por kuptohet e kishte mendjen të më lavdëronte me shpejtësi, kështu që nuk ia vari shumë se çfarë tha, por thelbi ishte ai.

Me të vërtetë që ishte një sfidë më vete Thumana, edhe për faktin se kur erdhëm këtu në Thumanë në ato momente kemi qenë bashkë.

Natyrisht, goditja ishte shumë e madhe, njerëzit natyrisht akoma të lemerisur se çfarë iu kishin parë sytë, ishte bërë një kamp i improvizuar me shpejtësi, me çadra tek fusha e futbollit. Edhe mosbesimi ishte total, nuk diskutohet. Mosbesimi ishte total dhe t’iu thoshe atyre që: shiko se do t’i bëjmë të gjitha, do t’i bëjmë më mirë”, ishte si t’ju thoje “mirë të gjitha, por tani hajde dëgjoni dhe disa rrena”. Dhe një ndër gjërat që iu thashë atyre që diskutuam atë natë ishin, se dikush kishte një merak për fushën. I thashë do bëjmë më shumë fusha. “Eh, po po!” Edhe u bënë gjërat, por u bënë për hir të së vërtetës sepse u bashkuan shumë forca. Unë nuk mund të rri pa e përmendur Fondacionin “Shqiptarët për shqiptarët” se është edhe Iliri këtu, Ilir Hoxholli që i ka ndenjur mbi kokë projektit për realizimin e shtëpive individuale aty.

Kemi qenë vazhdimisht në kontakt, kemi qarë shpesh edhe hallet sepse nganjëherë njerëzit bëhen të vështirë, është e mirëkuptueshme. Kur filluan gjërat të ndërtoheshin, filluan edhe sherret midis familjeve. Ka ndodhur dhe ndonjë ndarje e familjes për të fituar ndonjë shtëpi më shumë, gjëra që ndodhin sepse programi ishte dhe një program strehimi social, ku familjeve që ishin me disa kurora dhe kishin humbur një shtëpi, iu jepej shtëpi për çdo kurorë. Por në fund, rezultati ishte vërtetë i kënaqshëm për njerëzit, por nuk është i kënaqshëm për ne, për mua të paktën sepse tani problemi është si ta mbajmë gjallë dhe si ta kthejmë në një traditë këtë që po bëjmë sot.

Si ta bëjmë gjithë këtë kompleks, një kompleks që jetohet në mënyrë të vazhdueshme, që përdoret për aktivitetin sportive, jo vetëm nga fëmijët këtu, në mënyrë spontane, por në mënyrë më të organizuar edhe nga të tjerë dhe dua ta falënderoj Fidelin që e bëri të mundur gjithë këtë ardhje këtu të të gjithëve ju. Sepse është e rëndësishme që ta shikoni vetë nga afër  dhe pastaj është më e lehtë për të menduar ccfarë mund të bëni. Nga ana tjetër, këtu është edhe shefja e zyrës e Kombeve të Bashkuara.

Zyra e Kombeve të Bashkuara ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në gjithë Programin e Rindërtimit sepse ka kanalizuar fondin e BE-së për shkollat se flasim për sportin, por këtu kemi shkollat nga më të mirat e Shqipërisë edhe sa herë vijnë këtë zonë, nuk ka qenë këtu ka qenë në Bubq më duket ai drejtori që tha “deri dje tha, s’kishim një banjë në shkollë, tani kemi më shumë banjo në shkollë seç ka gjithë fshati”. Kështu që, janë bërë me standarde optimale.

Prandaj, dua ta falënderoj dhe shefen e zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe ekipin e saj.

Dua të falënderoj dhe Presidentin e Komitetit Olimpik të Maqedonisë së Veriut që është këtu me ne. Fideli kishte harruar t’i linte përkthyes se Fideli ka idenë se kur flet ai e kuptojnë në të gjitha gjuhët. (Dhe ishte e bukur se Fideli fliste, ai tundte kokën. Miratonte do gjë që thoshte Fideli. Megjithatë tani ia vuri qeveria përkthyesin në dispozicion). Thënë të gjithë këto për mos t’ju marrë më shumë kohë, unë dua të them që kemi vendosur gurin  e themelit të lëvizjes sportive në shkolla. Patjetër që kemi humbur jashtëzakonisht shumë kohë. Është humbur shumë kohë më parë, por është humbur dhe më pas për hir të së vërtetës. Nuk dua t’ia lë të gjithën të tjerëve përpara sepse kemi krijuar një hendek shumë të madh midis moshave, në raport me edukimin fizik dhe me sportin. Dhe ne e dimë shumë mirë të gjithë, që lëvizja sportive në shkolla nuk është një lëvizje, për ata të cilët do bëhen sportistë, është për shumë më tepër arsye sesa kaq, por është edhe baza për të nxjerrë pastaj talentet nga vende ku nëse nuk e kanë mundësinë të stërviten, nuk mund të evidentohen. Megjithatë ky gur i parë themeli është vënë. Përsëri vitin e ardhshëm ne i kemi vënë Komitetit Olimpik një tjetër mbështetje financiare për lëvizjen sportive në shkolla, në mënyrë që tani të përballemi  me sfidën që kjo të mos jetë një ngjarje, por të jetë një traditë. Dhe sigurisht që nuk mjafton të fokusohemi tek lojërat me dorë për vajzat dhe për djemtë, flas për volejbollin dhe për basketbollin, por duhet të kërkojmë zgjerimin e disiplinave dhe të përfshijmë edhe federatat e tjera. Natyrisht që nuk mund të kemi ekip peshëngritje në ccdo shkollë ose ekip ping-pong në çdo shkollë, por fare mirë mund të bëjmë atë që Bora ka organizuar për artin dhe për zejen që në një pikë më të afërt të 4-5 shkollave është një ekip i caktuar, në një pikë tjetër një ekip tjetër, e kështu me radhë. Dhe të rrisim hapësirat dhe të rrisim mundësitë për fëmijët që sipas prirjes së tyre të angazhohen në sa më shumë disiplina sportive. Kjo është besoj pjesë e objektivave në vijim.

Së treti, është me shumë rëndësi që ta konsolidojmë, por dhe ta rrisim cilësisht në aspektin e organizimit atë që nisëm me kampionatet e shkollave, që dha rezultate shumë të mirë nga pikëpamja e energjizimit dhe e krijimit të një lidhjeje në kohën pas shkollë, jo vetëm për nxënësit që luajnë, por edhe për nxënësit e tjerë, por jo vetëm për nxënësit, por edhe për prindërit.

Së katërti, është e domosdoshme që të vazhdojmë dhe do vazhdojmë me zgjerimin e infrastrukturës. Kemi sot në Shqipëri shumë palestra, nuk kishim pothuajse fare. Por duhen akoma dhe tanimë është bërë normë që nuk ka shkolla të reja që ndërtohen pa pasur të gjitha mjediset sportive përfshirë palestrën e mbyllur.

Më tej, është pa diskutim e rëndësishme që të fillojmë të krijojmë një kategori tjetër të atyre që janë më të talentuarit, më të dëshiruarit për të bërë pak më shumë stërvitje dhe për t’u angazhuar pak më shumë siç kanë qenë dikur klasat sportive. Dhe duke qenë që të gjithë këtu janë përfaqësues të Komitetit Olimpik, të Federatave të Komitetit Olimpik, dua t’ju siguroj që jemi shumë të dëshiruar dhe shumë të angazhuar që të rrisim dhe mbështetjen  për Federatat përtej lëvizjes sportive në shkolla. Por, lëvizja sportive në shkolla është realisht një prioritet kryesor për ne. Është një prioritet kryesor për ne për 1001 arsye që nuk do t’ju marr kohë për t’i numëruar dhe që nuk kanë të bëjnë si thashë më parë me planin për të nxjerre sportistë nga të katërta anët por kanë të bëjnë me të gjitha ato aspekte të tjera që sporti është unikal. Është i pazëvendësueshëm, nuk e bën asnjë aktivitet tjetër në jetën e përbashkët të njerëzve atë që sporti bën për sensin e skuadrës, për ndjenjën  e përkatësisë ndaj një qëllimi për luftën për një qëllim të përbashkët, për vetëdijesimin e rëndësisë së shëndetit fizik e për të tjera.

Nuk dua ta zgjatem më shumë. Ju falënderoj shumë edhe një herë për gjithë kontributin që jepni. Besoj çdo njeriu i falet të ketë ato fiksimet e veta, kështu që, do ma falni mua fiksimin se dua ta përshëndes Gaz Cacin personalisht që është këtu. Se për ata të rinjtë që duartrokasin jam i sigurt që duartrokasin meqë përmenda unë një emër po dua t’ju them që kanë humbur diçka në jetë që s’kanë pasur mundësi të shohin Gaz Cacin duke luajtur basketboll në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.

Shumë faleminderit të gjithëve!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.