Në Thumanë, puna në kantierin e rilindjes për banesat individuale, infrastrukturën rrugore, pallatet, shkollën, kopshtin, ambulancën, njësitë e shërbimeve publike, si edhe qendrën e re komunitare, së bashku me terrenet sportive e parqe vijon pa pushim.
Kryeministri Rama, bashkë me ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahemtaj ishin në Thumanë për të parë nga afër punimet për qytetin e ri që po ngrihet nga gërmadhat e tërmetit. “Thumana dhe Fushë-Kruja, plus të gjitha të tjerat do jenë modele komplet të reja, pa lidhje fare me çfarë është bërë 30 vjet dhe do japin një sens tjetër të mënyrës si duhet parë ndërtimi dhe si duhet parë bashkëjetesa edhe në zonat rurale”, – u shpreh Kryeministri Rama.
Në Thumanë janë 155 banesa individuale të konceptuara në stilin e vilave dhe 275 apartamente të organizuara në godina koletive, të cilat do t’i japin një hov të ri jetës në Thumanë pas goditjes që mori 26 nëntorin e vitit të kaluar. “Thumana dhe Fushë-Kruja ngjajnë shumë me njëra-tjetrēn në zhvillim. Ashtu si dhe në Fushë-Krujë, konceptimi i njësive individuale me ambientet komunitare është në harmoni të plotë. Siç më tha një qytetar sot në mëngjes për zonën, “kam merak se do vijnë do na e kërkojnë shtëpitë me 1000 euro metri katror””, – tha ministri Ahmetaj.
***
Kryeministri Rama ishte edhe në Derven të Krujës ku ndoqi punimet për shkollën dhe kopshtin “Kastrioti” që po bëhet gati, për 160 fëmijë.
Shkolla Kastrioti do të jetë gati në fund të janarit, ndërsa në gjithë vendin, në përfundim të procesit të rindërtimi, 158 shkolla të reja do të jetë gati për të pritur nxënësit dhe mësuesit, me standarde europiane.