Thumana është rilindur në këtë prag festash. Dy vite pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, lagja e re model e ringritur mbi gërmadha, do të strehojë 278 familje në shtëpi të reja, komode dhe të sigurta si asnjëherë më parë.
Kryeministri Rama ishte sot në Thumanë, ku në një atmosferë festive familjeve përfituese iu dorëzuan çelsat e banesave të reja, për të nisur njëherazi edhe një kapitull të ri në jetën e tyre.
“Nga një Thumanë që ishte krateri i zymtë i një tërmeti shkatërrimtar, sot ëhstë shëmbëlltyrë e një rilindjeje në kuptimin e plotë të fjalës.” – u shpreh kryeministri Rama në përshëndetjen drejtuar banorëve.
* * *
Në rradhë të parë, më lejoni që të falënderoj me mirënjohje arqipeshkvin e sapodërguar nga Ati i Shenjtë, për të sjellë fjalën e Zotit mes besimtarëve, këtu në vendin tonë, e posaçërisht dua që t’i them se uroj që bekimi që ai i bëri atij ulliri, i cili është mbjellë lart në platformën e depos së vjetër të dikurshme të ujit, të jetë një bekim për jetë, për të gjithë banorët që sot pjesë-pjesë, fillojnë të kthehen në shtëpi, në një Thumanë që ishte krateri i zymtë i një tërmeti shkatërrimtar, ku këtu bëri numrin më të madh të viktimave, e që sot është shëmbëlltyrë e një rilindjeje në kuptimin e plotë të fjalës.
U jam mirënjohës po ashtu edhe të gjithë atyre që punuan, të gjithë punëtorëve, të gjithë inxhinierëve, të gjithë arkitektëve, Fondit Shqiptar të Zhvillimit që me një përkushtim të jashtëzakonshëm e me një profesionalizëm për t’u admiruar, ka çuar përpara një proces aspak të lehtë, për mundësimin e kësaj pamjeje që pa asnjë diskutim dy vjet më parë mes lotëve të asaj tragjedie, askush nuk do ta kishte besuar dot se do të ishte Thumana e dy vjetëve më pas.
Po ashtu i jam mirënjohës edhe atyre që na u bashkuan në këtë përpjekje, që nga Behgjet Pacolli, i cili ka lënë gjurmën e mirësisë dhe të solidaritetit të tij në një prej këtyre godinave dhe tek fondacioni Shqiptarët për Shqiptarët, me Elvis Naçin, që kanë lënë gjurmën e tyre përgjithmonë këtu, të solidaritetit me njerëzit, në banesat individuale, pranë këtij kompleksi që u ndërtua për të prekurit nga ajo fatkeqësi e madhe, me mbështetjen dhe financimin e plotë të qeverisë shqiptare.
Pra është një bashkim forcash, është një bashkim energjish, që jam shumë krenar që e kemi udhëhequr vendosmërisht, por dhe me këto rezultate që shohim, në një kohë aspak të lehtë, jo vetëm për shkak të plagëve të mëdha, të cilat duan kohën e tyre për t’u kuruar e për t’u shëruar pas asaj që na ndodhi dy vjet më parë, por edhe për shkak të një plage tjetër të madhe që u hap papritur në rrugën e rindërtimit, siç ishte pandemia që vazhdon sot e gjithë ditën, qëndron si një re e zymtë mbi kokat tona.
Ja ku jemi këtu dhe jam shumë krenar për faktin që këta fëmijë, këto nëna, gjyshe, baballarë dhe gjyshër, sot me grupin e parë të familjeve do të hyjnë në shtëpitë e tyre dhe që deri për vitin e ri, të gjitha familjet, të cilat do të banojnë në këtë kompleks godinash, do të bëjnë gëzuar vitin e ri me njëri-tjetrin në një shtëpi të re, në një shtëpi që nuk ka asnjë lidhje me shtëpinë që humbën dy vjet më parë. Në një shtëpi shumë më të bukur, në një shtëpi shumë më të fortë, në një shtëpi shumë më komode, në një shtëpi që është pjesë e një kompleksi që krijon komunitet, me gjithë këto kate të para shërbimesh, qofshin shërbime private, qofshin dhe shërbime publike. Në hapësira ku sëbashku me bashkinë e Krujës ne do të krijojmë shumë më tepër mundësi, që as nuk mendoheshin përpara tërmetit dot se mund të krijoheshin këtu, për fëmijët e këtij komuniteti.
E pra, transformimi i kësaj depoje të vjetër uji që ishte një karakatinë që qëndronte si gogol mbi kokat e njerëzve, në atë qytezë që u godit aq fort nga tërmeti e që nuk i rezistoi dot goditjes për shkak të banesave dhe të godinave krejtësisht të amortizuara, krejtësisht të papërshtatshme dhe që sot kthehet në një përmendore të kujtesës për ata që humbën jetën, por edhe të shpresës në të ardhmen që nuk vdes kurrë e që ripërtërihet nga përpjekja e njerëzve, përbën mendoj unë dhe besoj unë, një arsye shumë të fortë për të besuar tek e ardhmja dhe i ngjan sipas meje, të gjithë transformimit që po përpiqemi të sjellim për Shqipërinë, të cilën jo shumë larg në vite e gjetëm pikërisht si ajo depo e vjetër uji dhe po e transformojmë hap pas hapi përmes shumë e shumë vështirësive, pengesave, momenteve të vështira, por pa asnjë diskutim duke hedhur vijimisht hapa përpara.
Nga ana tjetër, jam shumë i lehtësuar që vajzat dhe djemtë adoleshentë të Thumanës zhvillojnë sot mësim në një shkollë tërësisht të rindërtuar, me standarde optimale dhe aty pranë bashkë me ta janë dhe fëmijët e vegjël që kanë kopshtin e tyre dhe ndërkohë i gjithë komuniteti ka në dispozicion një infrastrukturë, që është një infrastrukturë model për çdo lagje dhe kjo lagje do të ishte pa asnjë diskutim një lagje e shumë dëshiruar edhe në Tiranë, me kaq shumë hapësira publike ndërmjet godinave, me rrugë që qarkullojnë mjetet dhe njerëzit, brenda për brenda kompleksit, me lirshmëri, me gjelbërimin që sapo ka filluar të lindë, por që në vite do të shtohet e do të pasurohet me kurora pemësh, që do të hijezojnë territoret e ndërmjetme, me gjithë këtë kompleks sportiv në mes të kësaj qyteze që është tamam një lagje e mrekullueshme e vetë kryeqytetit dhe patjetër edhe me shumë akoma, me një kënd të madh lodrash për fëmijë që e kemi menduar dhe për të cilin po punojmë bashkërisht me bashkinë e Krujës, në mënyrë që përveç hapësirës sportive për moshat pak më të rritura, të kemi dhe një hapësirë të veçantë, një kënd lodrash shembullor për fëmijët ku dhe gjyshërit e gjyshet mund të jenë lirisht me njëri-tjetrin, duke shoqëruar nipërit dhe mbesat e tyre.
Ky është një moment i bukur edhe për të folur pak më shumë për të ardhmen. Më kujtohet në ato ditë të vështira, këtu kishte vetëm dëshpërim, lot, pesimizëm dhe mosbesim të madh dhe kur unë kam thënë atëherë se ne do ta rindërtojmë Thumanën shumë më të bukur se sa ishte, shumëkush më ka përqeshur, shumëkush më ka mallkuar, shumëkush tjetër as ka menduar dy herë përpara se të thotë, “kështu e kanë të gjithë këta politikanë, e kështu do e bëj dhe ky, erdhi këtu, na takon, del në televizor e do na harrojë”. Por nuk e di, se nuk e kam numëruar se sa herë kam ardhur vetë personalisht këtu që nga dita që ra fatkeqësia e deri më sot e në ndërkohë, gjatë gjithë këtyre rrugëtimeve kam thënë që kjo lagje, kjo qytezë do të bëhet një destinacion turistik sepse pranë këtij kompleksi banesash e pranë gjithë kësaj zone banimi që përfshinë dhe gjithë banesat individuale që do fillojnë edhe ato të hapin dyert në vijim, siç na ka informuar Fondacioni “Shqiptarët për Shqiptarët”, është një liqen fantastik e është një natyrë, e cila me ndihmën e Zotit e me dorën tonë, do t’i vihet në dispozicion pikërisht këtij komuniteti si një vlerë e shtuar përmes krijimit të pikave të shërbimeve për ata që do të vijnë për të kaluar fundjavën apo për të kaluar një pasdite këtu nga Tirana apo nga qytetet përreth më të mëdha.
Tani mund të duket pak si çudi, por është shumë më pak çudi besoj se sa çudia që dukej kur ne premtonim rindërtimin e plotë, por pas disa vitesh edhe kjo nuk do jetë më një çudi, do jetë një fakt. Do jetë një fakt që do ta prekin vetë të gjithë banorët e të gjithë ata që me vizion e me guxim, do të fillojnë të mendojnë se si ato shtëpitë e tjera, ato shtëpitë e vjetra më tutje të fillojnë t’i kthejnë në pika për të shërbyer për vizitorët dhe pse jo për t’i mbajtur ata këtu një fundjavë të tërë.
Nga ana tjetër, Thumana është pjesë vetvetiu për shkak të pozicionit të saj, e një hapësire ku do të shtrihet një vepër e madhe e kësaj dekade që do të fillojë së shpejti, brenda këtij mandati, shpresoj dhe uroj që të ndodhë në nisje të vitit 2023 maksimalisht, që është Korridori blu. E gjithë autostrada e re që do të kalojë nga Murriqani, do të zbresë në Milot, do të vijë në Thumanë dhe do të shkojë në Kashar, në Rrogozhinë e deri në Fier, për t’u lidhur më tutje me autostradën që çon në Vlorë e me bypass-in e Vlorës për të vazhduar më tej.
Është një vepër e domosdoshme duke pasur parasysh që rruga aktuale që shfrytëzohet nga Shkodra në Lezhë dhe më poshtë deri në Tiranë, nuk mban më. Është me gjithë riparimet, me gjithë mirëmbajtjen shumë më të mirë se më parë, me gjithë investimet që janë bërë, një aks që nuk e përballon dot më, gjithë fluksin e madh që derdhet mbi të dhe për këtë arsye është e domosdoshme që të ndërtohet autostrada e re që do të jetë vepra më e madhe e infrastrukturës rrugore kombëtare, e ndërtuar në Republikën e Shqipërisë dhe do të prekë si e tillë gjithë vendin, duke impaktuar jetën ekonomike të vendit, por patjetër duke qenë një favor i madh sidomos për vendbanimet përfshirë dhe Thumanë që janë kaq pranë saj.
E për të mos ju marrë kohë duke u zgjatur, dua t’i rikthehem rindërtimit, sepse sot ne kemi një bilanc vërtetë pozitiv me rindërtimin, po të kemi parasysh të gjitha vështirësitë, po të kemi parasysh të gjitha përpjekjet që duheshin bërë për të organizuar gjithë financimin ku qeveria shqiptare ka marrë përsipër barrën më të madhe dhe e them këtë për të gjithë ata që mendojnë se çfarë shohin, është vepër e bërë me fondet e partnerëve ndërkombëtarë, ndërkohë që është e bërë me fondet e qeverisë shqiptare në pjesën më të madhe dhe patjetër edhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë që kanë marrë përsipër disa nga pjesët, por pjesa më e madhe është financim i qeverisë së Shqipërisë dhe unë jam shumë krenar për këtë, por përtej financimit, përpjekjet për të stabilizuar të gjithë situatën me pronën, për të zgjidhur të gjitha llojet e konflikteve të pronësisë sepse shumë nga godinat e shembura apo të dëmtuara kishin probleme pronësie, por edhe për të zgjidhur probleme te strehimit, jo vetëm për ata që ishin nën një kulm, por edhe për shumë kurorat në një kulm të vetëm, pra nuk kemi ndërtuar vetëm për të njëjtën përbërie të familjes në një kulm, por kudo ku ka pasur dy kurora apo tre kurora në një kulm, përgjigja jonë ka qenë dy apo tre shtëpi, që do të thotë që shumë nga ata që janë përfitues të rindërtimit, dalin nga ky kalvar vështirësish me 2-3 apo me edhe më shumë shtëpi, në ndonjë rast, në bazë të kurorave. Ndërkohë që nuk ka të krahasuar nga pikëpamja e cilësisë shtëpia e tyre e humbur me shtëpitë që marrin, por edhe përtej kësaj, afrimi i shumë familjeve pranë qendrave të banuara pasi humbën shtëpi që ishin shumë larg, krijimi i komuniteteve si këtu duke ju dhënë mundësinë familjeve që kanë banuar më larg se sa kjo rreze që të afrohen, por pa jua marrë pronën, aty ku e kishin, ndërkohë që aty nuk kanë më shtëpinë, pasi shtëpia është rrëzuar apo është dëmtuar, por kanë tokën, të cilën do të vazhdojnë ta shfrytëzojnë e përtej kësaj, e gjitha kjo pa rënduar asnjë lek as sot e as kurrë mbi të gjithë ju që jeni këtu e mbi të gjitha familjet që do të marrin shtëpitë.
Pra, shtëpitë janë të gjitha falas siç nuk ndodh në asnjë vend tjetër.
Të gjitha rindërtimet pas tërmeteve pasohen me marrëveshje mes shtetit dhe të prekurve ku sigurisht, shteti u jep mundësinë që ata të marrin shtëpinë e të mos jenë të ngarkuar rëndë nga pikëpamja financiare, por gjithsesi u kërkon të paguajnë me një kredi shumë të butë, por sidoqoftë një kredi, për vite e vite të tëra, ndërkohë që të gjitha familjet shqiptare që do të kthehen në shtëpi, do të marrin çelësin, do të marrin titullin e pronës e do të gëzojnë shtëpitë e tyre pa paguar as sot e as nesër asnjë qindarkë.
Kuptohet, duhet të bëni kujdes për bravat se nuk i dihet, por në rastin më të keq edhe sikur gjërat të ndryshojnë në vitet e ardhshme, do ndryshoni ngjyrën e bravës, ndonjë gjë tjetër nuk mund t’ju bëjnë dot, as t’jua marrin shtëpinë, as t’ju vënë interesa kredie mbi shpinë e asgjë.
Ndërkohë dua t’u them të gjithë atyre që sot nuk janë në shtëpi e që edhe këtë vit të ri do ta kalojnë në shtëpitë me qera dhe janë përgjithësisht banorë të Durrësit e banorë të Tiranës, përgjithësisht, edhe pse ka akoma tek-tuk nëpër zonat e tjera shtëpi individuale për t’u ndërtuar për të cilat ne kemi dhënë grantet, që duhet të bëjnë edhe pak durim sepse nëse shohin sot Thumanën dhe e shikojnë me zili, nuk duhet të harrojnë që për ta, po ndërtohet një lagje shumë më e madhe, për shkak të numrit të banorëve. Kështu që nëse sot jemi në Thumanë e Valiasin e bëmë më parë, kjo vjen si rezultat se ishte një bllok më i vogël e nëse më pas do të bëjmë Kombinatin dhe 5 Majin, kjo sepse janë blloqe shumë më të mëdha që kanë një problematikë më komplekse.
Të gjithë atyre që thonë që “u vonuat”, u them që Italia është shumë afër. Të gjithë e kanë mundësinë që ta gjejnë një shok, një mik, një fqinj, një kushëri në Itali, nëse vetë nuk u ka rënë rasti të shkojnë dhe ta pyesin, sa vite kanë në Itali, fuqia e pestë ekonomike e botës, që presin nëpër kabina shtëpinë pas tërmetesh që kanë rënë përpara 10 vitesh, 12 vitesh apo 15 vitesh.
Nuk dua të bëj krahasime dhe të dal e të them sa të zotë jemi ne, por dua të them këtë; Nëse në vende të tjera kanë marrë shumë më tepër kohë, këtu, një nga arsyet pse Rindërtimi po ndodh me kaq shpejtësi, është se nuk ka një ditë, më besoni për këtë, një ditë të vetme, që nga dita që ra tërmeti, që Rindërtimi të mos jetë pjesë e punës së përditshme dhe që unë personalisht, së bashku me zëvendëskryeministrin e të tjerët të mos adresojmë problematikat e Rindërtimit, duke i ndjekur të gjitha një për një, që nga zonat ku ndërtojmë komunitete si ky, deri tek shtëpitë individuale, tek familjet tek e tek.
Për këtë, nuk kërkoj asgjë tjetër vetëm durim, durimin e atyre që duhet të presin edhe pak.
Ne do bëjmë çmos që viti i ardhshëm të jetë viti që i mbyll përfundimisht të gjitha plagët e tërmetit dhe që kudo ku ishte një plagë, të ketë një shëmbëlltyre të rilindur një lagje të rilindur, një qytezë të vogël të rilindur, një pallat, një bllok pallatesh të rilindur, një shtëpi të rilindur dhe që asnjë familje e vetme të mos jetë më në pritje, por të gjitha familjet që u dëmtuan t’i gëzohen realizimit të shpresës, që nuk vdes asnjëherë, që pak nga pak është ngritur dhe është forcuar nga puna pas asaj tragjedie, që u duk jo vetëm sikur mori jetë njerëzish e krijoi aq shumë plagë, por sikur vrau edhe vetë shpresën.
Ne, me lutjen që asnjëherë të mos harrohen ata që nuk janë më për shkaqet e tërmetit, me ripërtëritjen e ngushëllimeve më të ndjera për të gjithë familjarët e tyre, me urimin që kujtimi i tyre të jetë i përjetshëm dhe jeta e të gjithë atyre që kanë lënë pas të jetë e gjatë dhe e shëndetshme dhe urimin sot për të gjithë ju dhe ata që na ndjekin, pavarësisht besimeve apo pavarësisht si mund të jenë krejt ateistë, gëzuar Krishtlindjet dhe besoj se është një ogur më vete që rilindja e Thumanës dhe ndezja e dritave sot do të pasohen nga drita të tjera e të tjera gjatë ditëve, është shëmbëlltyra më e bukur e kremtimit të një vigjiljeje Krishtlindjeje.
Krishtlindje të tilla paçim gjithmonë, me gjithmonë e më shumë drita dhe çdo vit pruftë mundësi të reja për të gjithë shqiptarët pa dallim, për të gjithë moshat pa dallim, për të gjitha gjyshet e gjyshërit, nënat dhe baballarë, motra dhe vëllezër të një gjuhe, të një gjaku dhe të shëndetshme qofshin të gjitha familjet tuaja dhe të shëndetshme qofshin të gjitha familjet e shqiptarëve!
Zoti e bekoftë Thumanën!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!