Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama pas inspektimit të digës së Ujëmbledhësit të Bovillës:

Përshëndetje të gjithëve!

Më vjen mirë që jemi sot këtu! Kërkoj ndjesën e të gjithëve për ta nisur jo me ujin, por me maskat, për t’u kujtuar të gjithëve që është shumë e rëndësishme që maska të vendoset në mjedise të mbyllura, për të mbrojtur veten, për të mbrojtur të tjerët. Po ashtu është shumë e rëndësishme që secili të mos e humbasë vëmendjen nga numrat që e shikoni, ishte e pritshme, po rriten, por ndërkohë, ajo që është fare e qartë është që me kushtet e reja të krijuara ose do mësohemi të bashkëjetojmë me këtë armik të padukshëm që e kemi mes nesh, ose do biem viktima të budallallëkut tonë. Luftën me budallallëkun duhet ta bëjë secili. Qeveria, shteti ka bërë, bën dhe do të bëjë maksimumin, por në luftën me budallallëkun është individi, secili prej nesh që duhet të japë kontributin e tij, nëse s’do të bjerë viktimë e budallallëkut. Një shprehje që e kam mësuar në këtë periudhë thotë, virusi nuk ka këmbë, por përdor budallallëkun.

Atëherë, këtu u thanë të gjitha, por besoj që edhe Belinda, edhe Erioni janë dakord me mua, që në këtë foltore i kemi zënë një pjesë të vendit dy njerëzve që janë sot, këu, të pranishëm dhe që unë dua t’i falenderoj në mënyrë të posaçme. Njëri është ambasadori i Italisë, të cilin dua ta falenderoj jo se në vendin tonë ne e kemi zakon që ndonjëherë t’i tejfalenderojmë ambasadorët, por sepse Italia është e lidhur si me shumë gjëra të tjera, edhe me këtë projekt.

Në fakt ka qenë falë mbështetjes së qeverisë italiane, shumë e shumë vite më parë tashmë, menjëherë pas rënies së sistemit komunist dhe fillimit të shfaqjes së problemeve me ujin, si rezultat i ndryshimeve të menjëhershme, bombastike demografike që rritën në mënyrë eksponenciale, muaj pas muaji dhe vit pas viti, numrin e konsumatorëve e kërkesën për ujë dhe një kompani italiane që ka vendosur gurin e parë në këtë projekt që, siç e shihni, ka zgjatur thuajse 30 vjet. Kompania italiane, kam pasur nderin ta njoh dhe vetë pronarin e saj, një puliez që, nëse nuk do fliste italisht, por thjesht do shfaqej fizikisht, do ishte një vlonjat tipik dhe do t’i isha mirënjohës amasadorit nëse do i çonte mirënjohjen dhe falenderimet tona, sepse vendosi një gur të parë, por edhe një standard.

Më pas gjërat rrodhën ashtu siç rrodhën. Nuk dua të bëj këtu historinë, por fakti është që në vitin 2013 numëroheshin në nivel kombëtar, në zonat urbane që janë dhe zonat e mbipopulluara si rezultat i ndryshimeve demografike që fola, 7 orë ujë furnizim në ditë. Jo 700 vjet më parë, as 70 vjet më parë, por fiks 7 vjet më parë në zonat urbane, Shqipëria kishte mundësi furnizimi mesatar 7 orë ujë në ditë.

Ne e nisëm të përpjetën e përballjes me këtë problem të madh me të njëjtin shqetësim dhe me të njëjtën trashëgimi të rënduar, njësoj si me rrugët. Por me rrugët jemi mësuar të flasim më shumë, sepse për rrugët është bërë më shumë propagandë, është sajuar, trilluar, gënjyer dhe fabrikuar më shumë dhe natyrisht, për rrugët janë bërë më shumë tendera në të shkuarën, janë prerë më shumë shirita, kanë rrahur më shumë daulle, por e njëjta gjë për ujësjellësin.

Kur ne kemi bërë, pasi erdhëm në qeveri, analizën e situatës së ujit në Shqipëri kemi zbuluar që nga viti 1992 në vitin 2013 janë hartuar 28 strategji kombëtare të furnizimit me ujë të popullit dhe janë miratuar 70 e kusur dokumente strategjikë kombëtarë, për të mos folur këtu për shumat marramendëse që janë harxhuar. Ku kanë shkuar dhe si kanë rrjedhur e pikuar për të mos çuar në destinacion ujin e parashikuar, kjo nuk është një temë e sotme.

Njeriu tjetër që unë dua të falenderoj publikisht lidhet pikërisht me vetë ndryshimin e madh që kemi bërë qysh prej jo më shumë sesa 18 muajsh, sepse në filim të vitit 2019, ne kishim rritur me 4 orë mesataren e furnizimit me ujë. Jo pak, sepse në fund të fundit, çdo orë më shumë me ujë nuk është pak, por jo shumë dhe falë një tjetër të vogli që sot drejton të gjithë sektorin në Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës, Alqit, ne sot jemi në kushtet kur po investojmë në 55 zona urbane, nga 7 zona që deri në vitin 2013 numëroheshin si zona plotësisht të furnizuara me ujë. Faktikisht në këto 55 zona urbane mbeten jashtë listës vetëm 7 të tjera, pra, ne shkojmë në 62 zona urbane të Shqipërisë që do furnizohen me ujë 24 orë deri në shtator të vitit të ardhshëm. Prandaj një falenderim i posaçëm për Alqin dhe mirënjohje padyshim për të gjithë punën e bërë nga gjithë ju që jeni të pranishëm, por, padisktuim, drejtorit të Ujësjellësit të Tiranës, Belindës dhe Erionit.

Natyrisht që ne nuk kemi pasur dhe nuk kemi mundësi përtej kufizimeve tona dhe përtej dobësive tona që të mund t’i tregojmë të gjitha ato që bëjmë, por e vërteta është që sot kemi në Shqipëri 55 kantiere të mëdha, që do transformojnë jetën e qindra-mijëra banorëve në raport me furnizimin me ujë dhe do të mbyllin në të gjitha zonat urbane të vendit, përjashtuar 7 siç thashë, një plagë shumë të madhe. Ashtu sikundër ne sot jemi në kushtet kur së bashku me Bashkinë e Tiranës mund të nisim projektin e filtrimit të ujërave të zeza, një projekt i nisur shumë kohë më parë si ky, por edhe ky i mbetur jo rrugëve, se rrugët mbetën rrugëve, ujin e mori lumi, ndërsa ujërat e zeza mbetën të pafiltruara në llumin e keqqeverisjes për shumë e shumë vite. Kjo krijoi probleme të mëdha me projektin, krijoi probleme të mëdha me financimin, krijoi probleme të mëdha me partnerin, në rastin konkret, qeverinë japoneze. Mendoni vetëm që Marrëveshjen me qeverinë japoneze për filtrimin e ujërave të zeza të të gjithë Tiranës e ka bërë Bashkia e Tiranës kur unë isha kryetar bashkie dhe Bashkim Fino ishte ministër, që do të thotë që ka kaluar shumë kohë.

Ka një kohë të gjatë të humbur në të gjitha drejtimet, të cilën, ne e kemi trashëguar si barrë për shkak se tjetër është të ndërtosh gjithçka nga e para, tjetër është të ndërtosh pasi më parë të duhet të rregullosh çka të tjerët kanë ndërtuar së prapthi. Është komplet gjë tjetër.

Rëndësi ka që sot ne mund t’u themi qytetarëve të Tiranës, të cilët me shumë të drejtë kanë akumuluar mërzi, inat për shkak të ujit në zona të ndryshme, sidomos në kohën e verës, që nga sot, në të gjitha pikat e Tiranës ku deri dje ishte problem fakti që Tirana nuk merrte 24 orë ujë, do të ketë 24 orë ujë.

Dikush mund të thotë, pse jemi sot këtu dhe pse po celebrojmë këtë moment, përderisa në fakt, vetëm 62% e gjithë Bashkisë Tiranë do të ketë ujë 24 orë. Sepse ky 62% është dyfishim, në raport me një situatë të trashëguar në Bashkinë e Tiranës, ku u deshën 4 vjet gjumë për t’i nxjerrë nga shishet të tërë djajtë dhe praktikisht për t’i rrëgjuar të gjitha punët e nisura. E nëse ka pasur në Shqipëri, një kompani apo një institucion të rrëgjuar që mund ta fitojë, – ka pasur dhe të tjerë -ose të paktën të jetë në 5 kandidatët për të fituar çmimin e fatkeqësisë jo natyrore, si rezultat i keqqeverisjes së atyre që i dini kush janë, atëherë me siguri, ujësjellësi i Tiranës do të ishte ndër 5 kandidatët. Një ndërmarrje e degraduar në një strehë indulgjencash partiake, e degraduar në një federatë çetash me çelës anglez në dorë, që ofronin dituri elementare hidraulike për të bërë lidhje të paligjshme, për t’i mundësuar vjedhjen e ujit, domethënë të ndërmarrjes, një ndërmarrje me një faturim skandaloz dhe që as nuk mund të mendohej se do të vinte në pikën ku jo vetëm arrin të nxjerrë shpenzimet e veta, por është një nga arsyet pse Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e qeverisë merr edhe mbështetje financiare nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kjo mund të duket pak dhe mbase është pak, krahasuar me si ne duam që të jenë gjërat dhe si do t’i bëjmë gjërat, por është jashtëzakonisht shumë me si ishin gjërat. Natyrisht, populli thotë nuk dua të di si ke qenë, dua të di si je, por është shumë e rëndësishme që njerëzit të mos harrojnë si kemi qenë, për të gjykuar si jemi e për të kuptuar që “si” dhe “pse” mund të bëhemi më mirë. Nëse harrojmë nga vijmë, humbim drejtimin se për ku duam të shkojmë.

Në aspektin e kësaj fushe, mua më vjen jashtëzakonisht mirë të shtoj edhe një element tjetër. Patjetër mbetet 38% e Tiranës ende për t’u furnizuar 24 orë, por jo vetëm në atë 38%, por edhe në këtë pjesë që sot merr ujë 24 orë, mesatarja e deridjeshme e furnizimit ishte 5 deri në 7 orë në ditë. Sot, mesatarja e furnizimit është 16 orë, që nuk do të thotë që duhet t’i ndalojë ata që ndërkohë i shoh duke më sharë në Facebook, se mund të mos ta kenë 16 orë furnizimin në një pikë apo në një tjetër. Flas për mesataren që është 16 orë e nuk është pak. Është shumë në raport me ku ishim, por është mjaftueshëm edhe në raport me besimin që meritojmë për të vazhduar së bashku të bëjmë gjërat, me ndihmën e Zotit, edhe më mirë dhe në ndërveprim me njëri-tjetrin, akoma shumë më mirë.

Bëhet fjalë për një investim që nuk është thjesht çështja se është i rëndësishëm nga pikëpamja financiare, por është shumë i rëndësishëm nga pikëpamja projektuale teknike dhe e realizimit. Nuk ka qenë një punë e lehtë dhe edhe për këtë meritojnë të falenderohen të gjithë ata që kanë kontribuuar në ndërtimin e kësaj vepre, sepse është një vepër madhore, me kuptimin më të vërtetë të fjalës. Që nga marrja e ujit nga liqeni matanë maleve, deri në këtë platformë në të cilën gjendet një rezervuar ose një grumbullues i një sasie uji, që deri dje as nuk mund të mendohej se mund të mblidhej e mund të çohej menjëherë, duke qendruar në funksion 24 orë dhe deri tek shtrirja pandërprerje e furnizmit, që nga Yzberishti në Kodër Kamëz, në Bathore, në Institut, në Kashar, në Selitë, te Liqeni i Thatë është realisht për t’u ndjerë mirë, sikundër është për t’u ndjerë mirë edhe fakti që në këto zona janë 250 mijë banorë që përfitojnë nga ky investim, duke filluar nga sot. Për 250 mijë banorë, – sigurisht, Tirana është shumë më e madhe se 250 mijë banorë, jam i vetëdijshëm për këtë, – nga sot ka ujë 24 orë dhe 24 orë ujë edhe për 10.000 studentë dhe për të gjithë ata që janë, – sot nuk janë, por shpresojmë se gjërat do të ndryshojnë dhe do të bëhen më mirë e patjetër më mirë do bëhen, – do të jenë në konvikte.

Shumë faleminderit të gjithë atyre që ndihmuan, punuan dhe bënë të mundur që ne të vijmë këtu, sot, me një lehtësim të madh. Realisht nuk ka qenë asnjëherë një ndjenjë e mirë që të ndesheshim me njerëzit që ende nuk kishin furnizim normal me ujë as tek “Myslym Shyri”, apo as tek “Muhamed Gjollesha”, në rrugën ku unë kam lindur dhe jam rritur, e jo më pastaj në zona të tjera. E me këtë rast u them të gjithë të tjerëve që nuk hyjnë në këtë grup të madh banorësh, që të jenë të bindur që shumë shpejt, uji do të bëhet 24 orë edhe për ta. U them të gjithëve në të gjithë këto 55 zona, që shumë shpejt, uji do të bëhet 24 orë edhe për ta, që nga Malësia e Madhe, deri poshtë në Gjirokastër.

Pamja është shumë tërheqëse e mund të rrija më gjatë, por besoj që me këto fjalë mund ta mbyllim këtë ceremoni dhe nuk do mërziteni po t’ju kujtoj përsëri që, kur të hyni në mjedise të mbyllura, vendosni maskën, përveç shtëpisë ku shihni e bëni vetë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.