Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fondacioni “Karlspreis”, i lidhur me çmimin prestigjioz ndërkombëtar “Karlspreis – Karli i Madh” (International Charlemagne Prize of Aachen), një nga nderimet më të larta europiane për më shumë se shtatë dekada, mblodhi në Tiranë laureatë të këtij çmimi së bashku me liderë të rinj, në një dialog ndërbrezor dhe të thelluar mbi të ardhmen e Europës.

Në këtë event të nivelit të lartë “NextGEN Voices for Europe (Zërat e gjeneratës së re për Evropën) të orientuar drejt të rinjve dhe bashkëpunimit europian,  Kryeministri Edi Rama sëbashku me dy laureatët e çmimit “Karlspreis”, Z. Martin Shulz, ish-President i Parlamentit Evropian dhe Znj. Veronika Tsepkalo, pjesë aktive e opozitës bjelloruse, Dr. Jürgen Linden, kryetar i bordit drejtues i “International Charlemagne Prize” përshëndetën fituesit e Çmimit të Rinisë Karlspreis, si dhe të rinjtë shqiptarë, duke vënë theksin tek roli i rinisë në të ardhmen e kontinentit.

***

– Si folës i fundit, është mikpritësi i aktivitetit. Kam të njëjtën pyetje apo të ngjashme gjeo-politike, por duke qenë se jemi te tema e aktivizmit rinor, e duke qenë pikërisht në këtë ndërtesë e duke pasur parasysh auditorin që është kryesisht i përbërë nga organizata botërore nga mbarë bota, do doja t’ju pyesja Kryeministër, ju vetë keni qenë aktivist politik pjesë e lëvizjes rinore për t’i sjellë ndryshim këtij vendi, e siç e përmendi zonja Tsepkalo, kjo ishte 35 vjet më parë. Ky ka qenë realiteti në këtë cep të Europës. Si e shihni realitetin e rinisë në këtë anë të Ballkanit në këtë kohë dhe si mund të përballemi me sfidën më të gjerë gjeo-politike?

Kryeministrit Edi Rama:  Faleminderit! Së pari, më lini të falënderoj nga zemra Jurgen nga “Karlspreis” që pranoi organizimin e kësaj nisme të përbashkët që unë e konsideroj diçka të lindur e cila nuk besoj do jetë vetëm një herë, por mund ta çojmë dhe më tej dhe pse jo të krijojmë një çmim për të rinjtë europianë se të rinjtë e pjekur i keni në Gjermani, por këtu çmimi për të rinjtë europianë mund të jetë diçka e mirë. Sigurisht qeveria shqiptare do të ishte e lumtur të punonte me ju së bashku dhe që vitin tjetër të organizonte, të jepte çmimin për europianët e rinj, për të cilët besoj që i keni të gjitha mjetet për të organizuar një komitet që të bëjë zgjedhjen e duhur.

E di që Gjermania nuk është në pozitë mjaft të mirë financiarisht kështu që mund të ndihmojmë ne. Kështu që mund ta bëjmë së bashku.

Së dyti, dua të falënderoj Martin për ardhjen këtu. Ai sot kryeson fondacionin “Friedrich Ebert” fondacioni më i madh dhe më me emër politik në botë dhe jam i sigurt që do të mund ta kuptoni sesa shumë ftesa i vijnë, por fakti që zgjodhi të vinte sot këtu na nderon dhe jam shumë i lumtur që patëm mundësi të ri angazhoheshim në një diskutim që e kemi nisur shumë kohë më parë.

Kemi doktor Linden, por dhe zotin von den Linden që është një mik i vjetër i këtij vendi dhe i popullit shqiptar qysh prej fillimit të rrugëtimit të tij pas rënies së komunizmit. Dhe është një politikan holandez i cili arrin të lundroje mjaft mirë midis të qenit holandez dhe europian që është mbresëlënëse.

Jam i sigurte që do të jetë vërtetë një dhuratë e madhe për të rinjtë që të dëgjojnë çka për të thënë dhe mendimet e tij. Ai do të ndajë po kështu dhe mbresat tij për Shqipërinë, për rrugëtimin e saj dhe kjo do të jetë dhe më interesante.

Nuk do ta falënderoj zonjën që gjendet këtu sepse ajo dhe bashkëshorti i saj janë tashmë pjesë e komunitetit tonë. Janë tashmë qytetarë të këtij vendi dhe ne jemi shumë krenar dhe të privilegjuar që kemi këta dy njerëz të guximshëm midis nesh dhe që kemi mundësi t’i dëgjojmë dhe të mësojmë prej tyre. Kjo është pjesa imë si mikpritës.

Nuk e harrova ambasadorin gjerman që gjendet këtu gjithmonë me interes për të dëgjuar se çfarë kanë të thonë gjermanët që vizitojnë këtë vend dhe të raportojë pastaj në Berlin saktësisht për atë çka është thënë këtu. Më parë se të vinim këtu po flisnim me Martinin dhe me miqtë tanë për një vend tjetër që është mjaft i mirë për të raportuar.

Për të ardhur tek pyetja tani nuk dua të marr shumë prej kohës suaj duke ju kthyer 35 vjet a pak më tepër më parë kur isha po aq i ri sa të pranishmit në auditor dhe u përfshiva në lëvizjen për të ndryshuar dhe për të kërkuar një tjetër mënyrë jete, për të kërkuar lirinë, por ajo çfarë dua të them është se nuk jam i lumtur kur shoh të rinj që nuk e kuptojnë sa e rëndësishme është politika e që besojnë se duke e skartuar politikën si diçka të pistë, diçka larg tyre, diçka me të cilën nuk duan të kenë aspak të bëjnë në fakt mendojnë se i ikin asaj por nuk i ikin dot. Politika të ndjek pas gjatë gjithë kohës. Është një iluzion të besosh që nëse rri jashtë sot nuk do të prekesh prej saj. Përkundrazi, sa më shumë të rrinë njerëzit jashtë saj aq më të mëdha janë shanset për tu prekur negativisht prej saj sepse ajo ka të bëjë me pjesëmarrjen, nuk ka të bëjë me profesionin. Nuk ka të bëjë me faktin e të qenit një politikan, apo të hysh në zgjedhje apo të lesh punën apo pasionet e tua. Ka të bëjë me angazhimin si qytetar. Të angazhohesh si dikush që kujdeset për të drejtat e tij apo të saj së pari dhe mbi të gjitha për liritë e tyre.

Dhe pse jam kaq i fiksuar për ta çuar Shqipërinë në BE? Saktësisht për këtë arsye. Derisa ne të shkojmë në BE ka gjëra të cilat nuk do të jenë të sigurta, të garantuara dhe të pakthyeshme. Dhe këto janë gjërat më të rëndësishme.

Ndaj kur më pyesin “Ç’plan B keni ? Ç’plan B ka Shqipëria”, i them që nuk ka plan B përkundrejt lirive individuale dhe nëqoftëse doni të negocioni lirinë tyre atëherë hiqni dorë, mos u bëni pjesë e BE, por në rast se nuk doni ti negocioni këto liri individuale duhet të jeni pjesë e BE. Së dyti, nuk ka plan B përkundrejt shtetit të së drejtës dhe te qenit të barabartë përballë ligjit. Dhe serish nëse doni ta negocioni këtë, atëherë mund të zgjidhni një tjetër drejtim. Mund t’ju ofrojnë vodka, mund t’ju ofrojnë havjar e shumë gjëra të tilla, por hiqeni nga mendja shtetin e së drejtës dhe barazinë përpara ligjit, që garantohet vetëm nëse je pjesë e BE.

Së fundi, por jo nga rëndësia. Të gjitha të drejtat që vijnë me lirinë sepse liria është njëra anë e medaljes, ana tjetër janë të drejtat, mund të garantohen duke qenë pjesë e BE. Dhe dua gjithmonë t’ju kujtoj Afganistanin apo Irakun apo vende të tjera në të cilat njerëzit kanë pasur mundësinë për ta shndërruar vendin e tyre në një demokraci funksionale dhe nuk funksionoi. Dhe unë them që nuk do funksionojë kurrë nëqoftëse nuk ke BE si pikën tënde të horizontit, nuk mund të funksionojë sepse nuk ka të bëjë vetëm me atë që do por dhe me mënyrën sesi mund ta arrish. E po kështu, edhe sa mbështetje ke në mënyrën sesi mësohesh për ta bërë këtë gjë. Sot po zhvillojmë këtë diskutim të jashtëzakonshëm të drejtësisë që shkon pas apo ndjek figurat e profilit të lartë. Nuk është e përsosur. Ka mjaft disavantazhe por është hera e parë në histori që kemi njerëz politikisht të fuqishëm të cilët shkojnë përpara një prokurori e gjyqtari të pavarur. Kurrë nuk ka ndodhur, qysh nga 1912, nga pavarësia jonë e deri pak vite më parë kur finalizuam Reformën në Drejtësi, me ndihmën e Bashkimit Europian. Kurrë nuk kishim parë një ministër apo një individ të profilit të lartë lidhur me pushtetin politik të çohej përpara gjykatës e jo më të dënohej.

Tashmë po i shohim këto gjëra dhe pa BE-në, harrojeni. Harrojeni!

E ka edhe më shumë, më shumë se kaq për të thënë për Bashkimin Europian në këtë drejtim. Sigurisht nuk jemi naivë, por jemi mjaft idealistë ende për Bashkimin Europian, jemi aq idealistë sa dashuria e dikujt për martesën përpara se sa ta provojë, por përvoja më thotë se nuk ka plan B përkundrejt martesës, e kam provuar dhe mu desh të rimartohesha. Kështu që pak a shumë kjo është qasja ime për këtë dhe kur vjen fjala për atë çka po ndodh, besoj që Europa gjendet në një moment ku bëhet a zhbëhet në kuptimin e shkuarjes në një nivel tjetër. Pra, nuk është thjesht diçka që kërkon përshtatje, por një ndryshim thelbësor, të thellë, nuk është një moment për të këmbëngulur në mënyrë kokfortë në inercinë e asaj çka ekzistonte deri 3 muaj më parë. Ka të bëjë me një panoramë tërësore të asaj çfarë duhet të ndryshojë.

Historia ka pasur momente ku Amerika, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europa kanë pasur përplasjet e tyre, momentet e tyre të keqkuptimit apo të konfliktit, politikisht e kam fjalën. Në Amerikë pasur gjithmonë nga ata që kanë menduar që është gjithmonë më mirë që Amerika të dalë nga Europa, pra të tërhiqet prej saj dhe po kështu në Europë ka pasur nga ata që kanë menduar që Europa duhet të ketë identitetin e vet dhe të harrojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka qenë gjithmonë diçka që në fund ka mbizotëruar. Ideja që siç e ka thënë Kissinger “Amerika pa Europën është një ishull ndërsa Europa pa Amerikën është një gadishull”.

Për ta përmbyllur, do thosha që për mua, së pari, jam në një pozitë shumë të rehatshme sepse nuk jam gjerman dhe nuk më duhet të gjej zgjidhje për botën. Jam një kryeministër i një vendi më të vogël pavarësisht se jam më i gjatë Friedrich Merz. Është Friedrich Merz që duhet të marrë vendime prej të gjati. E di që në qoftë se unë e kam gabim askush nuk do të dëmtohet por në qoftë se Merz do ta ketë gabim, në qoftë se udhëheqësit e Europës do ta kenë gabim të gjithë ne do të dëmtohemi dhe Martin përpara se të vinim këtu dhe më korrigjo nëse të citoj gabim: “Vendimet e këqija të një udhëheqësi sot paguhen në kosto nga brezi i ardhshëm”. Pra, ajo çfarë shohim sot nuk është asgjë krahasuar me atë çfarë vjen.

Mesa kuptoj unë bëhet fjalë për një pamje 360 gradë të situatës, nuk është thjesht diçka që lidhet me forcimin ushtarak, nuk është thjesht fjala  për të hyrë në një garë se kush është më i fortë ushtarakisht sepse kur dëgjoj gjëra të tilla, për shembull, “Le të shkurtojmë fondet për arsimin dhe të prodhojmë më shumë armë” tmerrohem sepse ne, shpresoj, nuk po kërkojmë të krijojmë një ushtri të madhe barbarësh e gjysmë analfabetësh, kërkojmë diçka krejt ndryshe. Kësisoj na duhet që të jemi shumë të guximshëm dhe të përpiqemi ta shohim gjithçka në tërësi. Po, është domosdoshmëri të forcohemi ushtarakisht por diplomacia, çelja e korridoreve të reja të dialogut apo të qenit më pak vetë-referent kur flasim me të tjerë jashtë nesh dhe të jemi më të vendosur për mënyrën tonë të jetesës. Në fund të ditës, ne kështu duam të jetojmë, nuk duam të tjerët të vendosim sesi duhet të jetojmë ne, ne duam të jetojmë kështu por nuk duhet tu themi të tjerëve që kjo është mënyra e vetme për të jetuar sepse në të kundër do të gjendemi në situata ku do të ishte e vështirë për t’ju përgjigjur një pyetjeje dhe kam një pyetje që më tmerron. “Europa ka më pak miq sot sesa përpara agresionit rus” dhe kjo është diçka që duhet kuptuar, diçka mbi të cilën duhet reflektuar pse ka ndodhur kjo ndërkohë që nuk ka aspak dyshim që Europa u ngrit për gjënë e duhur, duke qëndruar krah Ukrainës. Kjo nuk ka aspak dyshim por pse ka më pak miq? Nuk po flasim për Rusinë, po flasim për miq të cilët nuk janë në këtë pjesë të botës.

Është shumë komplekse, është shumë e ndërlikuar, por ndoshta Zoti i shpëtoi jetën Donald Trump jo vetëm për ta bërë Amerikën të madhe përsëri, por për të zgjuar përfundimisht Europën dhe për t’i dhënë asaj mundësinë të kuptojë që nuk mund të vazhdojë sikur bota të ishte njësoj sepse nuk është njësoj.

***

-E di që e kemi tejkaluar kohën nga sa ishte menduar, e di dhe që kryeministri ka angazhime të tjera. Zoti kryeministër, keni ndonjë mesazh të fundit për auditorin kryesisht që të ketë të bëjë me arsimin. Çfarë mund të bëjë më shumë BE për të forcuar dhe fuqizuar kapitalin njerëzor?

Kryeministri Edi Rama: Nuk mendoj se kam një mesazh të fundit, por ndoshta edhe më shumë gjëra për të thënë sepse në veçanti kur flasim për këtë lloj teme në këtë moment në të cilin po jetojmë, gjë që e bën edhes më të ndërlikuar çështjen dhe siç e tha dhe Martini, pra e bën edhe të rëndësishme që në këtë konference t’i japim përgjigje një pyetjeje nga të gjitha këndvështrimet e saj. Por ajo që dëshiroj të shtoj pasi dëgjova edhe çfarë u tha nga parafolësit është që edhe për brezin e ri, por madje veçanërisht për brezin e ri, Bashkimi Europian është përgjigja shumë më shume sesa gjithçka tjetër jashtë Bashkimit Europian dhe nuk dua që t’ju sjell shembuj të dhimbshëm, por ja të shikojmë Britaninë e Madhe pas “Brexit”. Si shkojnë gjerat për të rinjtë atje ose të shikojmë për shembull sesi ky iluzioni i Britanisë që ka më shumë para, më shumë instrumente, më shumë fuqi duke qenë jashtë BE, se si është shkatërruar është thyer dhe ka thyer shumë rrjete të ndryshme, shumë mure force që ishin ndërtuar brenda për brenda BE. Pra, unë mendoj se BE ka shumë gjëra për të cilat mund të kritikohet dhe jo sepse është projekti i gabuar, por sepse projekti nuk është i përfunduar.

Përgjigja është për të bërë disa përshtatje ose për të trajtuar ato dobësi të BE dhe përgjigja është më shumë Europë jo më pak Europë. Pra, ti do të trajtosh një gjë që nuk po ecën mirë në BE ? Atëherë të thellohesh dyfish në BE. Unë kështu e kuptoj. Kjo është qasja. Dhe nga këndvështrimi ynë, nga kjo pjesë e Europës, në thelb në zemër të Europës ne ende mund të jemi esëll për të parë se sa shumë gjëra mund të kesh kur je brenda BE por pastaj ajo që ndodh është që ti humbet vlerësimin për të sepse i merr për të mirëqena dhe gjithnjë do më shumë, por të duash më shumë nuk është e njëjta gjë. Është e rëndësishme të mos humbasim vlerësimin për ato garanci që BE u ka dhënë të gjitha vendeve të veta, ja të marrim për shembull Gjermaninë.

Gjermania ka qenë modeli ynë, shembulli ynë për një kohë shumë të gjatë. Ka qenë kampion le të themi por në rast se e heqim Gjermaninë nga Bashkimi Europian dhe do të shikonim se çfarë do të projektonte ajo dhe çfarë do të bënte Gjermania pa tregun e mrekullueshëm të BE do të flisnim për diçka tërësisht tjetër. Ose fakti që çdo e dhënë, çdo studim, çdo fakt që ne shikojmë për Poloninë, për Republikën Çeke apo për vende të tjera që po ecin kaq mirë tani në krahasim me të shkuarën tregon që ky ishte efekti i BE.

Prandaj pavarësisht ankesave, dhimbjeve të kokës, burokracisë neurotike, në fund të fundit ajo për të cilën bëhet fjalë është një themel shumë, shumë i fortë. Unë nuk besoj që ka diçka më vizionare, më të sofistikuar ne formë të mrekullueshme që mund të jetë krijuar ndonjëherë në mendjen e ndokujt në historinë e njerëzimit sesa vet Bashkimi Europian. Kjo është mënyra sesi e shoh unë. Ndoshta meqenëse folëm që po plakemi unë mendoj që sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë i ndërgjegjshëm jam për çfarë mund të humbasim në rast se dobësohet Bashkimi Europian dhe se çfarë tragjedie do të ishte në rast se do zhdukej BE. Do ishte sikur ta linim, të dilnim vet nga historia me këmbët tona.

Faleminderit!

 

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.