Transformohet rrënjësisht Teatri i Operas dhe Baletit

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës Elva Margariti inspektuan sot ambientet e reja Teatrit të Operas dhe Baletit. Hapësira, e transformuar rrënjësisht jo vetëm brenda TOB-it, por edhe rreth tij, i ofron artistëve e publikut një ambient të denjë për talentin dhe pasionin e tyre për artin e muzikën.
Të gjithë hapësirat e krijuara apo rikuperuara do të vihen së shpejti në dispozicion të publikut. “Ideja e këtyre hapësirave është të ketë gjithmonë një komunikim me sheshin “Skënderbej“ dhe me vizionin tonë, ky komunikim duhet të vazhdojë e të depërtojë më tej, deri në sheshin e pasëm të Teatrit të Operas, pra, ideja e një vazhdimi të një tjetër hapësirë publike”, – u shpreh ministrja Margariti.
Ndërkohë biblioteka e Teatrit të Operas e të Baletit do të jetë në dispozicion të artistëve, por dhe studentëve dhe kërkuesve të tjerë që do duan të aksesojnë materialet e arkivit të bibliotekës së TOB-it.
“Kemi rikuperuar në të gjitha krahët e sallës shumë vende të reja. Është studiuar pjesa e akustikës që i përshtatet dhe për të shtuar performancën. Kemi bërë disa ndryshime me pjesën e ndriçimit, për ta bërë të duket dhe më me hapësirë. E gjitha është e bërë me dorë”, – thotë ministrja Margariti.
Pavarësisht vështirësive të kësaj periudhe për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, puna, u shpreh ministrja Margariti, ka vazhduar. “Ritmi nuk ka ndalur asnjëherë. Të gjithë kanë punuar duke respektuar distancat. Personat që kanë punuar në asnjë moment nuk u stepën, por u përshtatën shumë shpejt”.
Një risi e këtyre ambienteve të reja është edhe shtimi i kapaciteteve të gropës së orkestrës, e cila tashmë mund të mbajë 90 orkestrantë. “Njëkohësisht është bërë dhe zgjidhja e problemit akustik të lidhjes me skenën dhe me auditorët. Kemi disa nivele të gropës së orkestrës në varësi të kërkesave që do kenë drejtuesit”, – sqaroi arkitekti, ndërsa theksoi se “kur kemi bërë prezantimin në fillim kemi thënë që e gjithë ambicia do ishte fokusuar tek akustika. Nëse thoshim që të ishte ndër më të mirat e Ballkanit, tani, me provat që kemi arritur, jemi të bindur që ka një kualitet të jashtëzakonshëm e me zor presim të vijë audienca e ta vërtetojë”.
Pas disa viteve të humbura mes pluhurit dhe lagështirës, tashmë godina ikonë e kryeqytetit i rikthehet me shkëlqimin e munguar artistëve dhe publikut. “Është e pabesueshme! Prandaj kur jua thua, thonë na e kanë me hile, se po nuk e pe e po nuk e preke vetë, nuk e beson”, – tha Kryeministri Rama.