Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Rruga “Pavarësia” në Durrës i është nënshtruar një projekti transformues, të standardeve të larta të infrastrukturës, për rikualifikimin e hapësirave në të dyja anët e saj, si dhe sistemimin e rrugëve dalëse në plazh, i shtrirë në dy lote.

Përmes këtij projekti do të bëhet zgjatja dhe ripërcaktimi i hapësirës publike të lagjes. Gjithashtu do të mundësohet reduktimi i trafikut të rënduar, si dhe do të realizohet transformimi i rrugës në një aks të gjelbër, duke reduktuar ndjeshëm ndotjen e mjedisit, për shkak të pluhurave, nxehtësisë, zhurmave, etj. Ky projekt synon ndër të tjera ndërtimin e një hapësire të pasur me vlera urbane, duke u bërë kështu sa më tërheqëse për pushuesit vendas e te huaj. Në projekt parashikohet që seksioni i rrugës të jetë asimetrik dhe të kater korsite reduktohen ne dy të tilla, nëpërmjet dy rotondave. Ne kete lot jane perfshire dy zona.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako inspektoi në terren punimet për zbatimin e këtij projekti, të cilit i mbeten shumë pak nga përfundimi i plotë i tij.

Kryetari i Bashkisë Dako, duke shpjeguar projektin, tha se tanimë rruga do t’i dedikohet vetëm zonës së plazhit, duke e lehtësuar ndjeshëm aksesin në këtë zonë. “Rruga autostradë nuk është më. Është kthyer në një rrugë urbane. Trafiku do të jetë i limituar. Kamionë nuk do ketë më fare në lëvizje, por edhe ata që shkojnë për në Jug nuk do kalojnë më nga kjo rrugë, por do t’i bien nga autostrada. Kjo do të jetë një rrugë me destinacion vetëm për zonën  e plazhit. Ndërkohë paralelisht me këtë rrugë, ne kemi bërë një rrugë tjetër, sërish financim i qeverisë, i FZhR-së, mbyllje kanali dhe ndërtimi i asaj rruge, e cila e lehtëson shumë trafikun për zonën e banuar. Dy korsi ruhen për lëvizjen, kemi dhe nga të dy krahët parkim.”

Ndërsa vlerësoi projektin, Kryeministri Rama tha se këto rrugë janë të domosdoshme me trafik të limituar, duke i dhënë përparësi këmbësorëve. “Këto rrugë janë të domosdoshme kështu me trafik të limituar në këto zona ku ka turizëm dhe ka intensitet, pavarësisht se njerëzit nuk e kuptojnë dhe thonë duhet bërë rruga më e gjerë. Por në fakt, kjo është një zonë ku do t’i jepet prevalencë njeriut dhe kush merr përsipër  të vijë me makinë ose të përdorë makinën, duheta llogarisë që është mbas njeriut. Nuk vjen makina para dhe njeriu mbrapa.”

Për Kryeministrin Rama ky transformim është i rëndësishëm pasi lehtëson komunikimin, duke ulur ndjeshëm rrezikshmërinë për aksidente. ”Është transformim i madh, pasi i jep një hapësirë të ndërmjetme që e lidh gjithë komunitetin me të dyja anët e rrugës, me një hapësirë komunikimi. Nuk është thjesht një lumë në mes, me makina, që duhen kapërcyer për të kaluar nga ana tjetër, por ka goxha hapësirë për njerëzit.”

Një përgëzim për punën e bërë, kryeministri Edi Rama e ka marrë nga një vizitor nga Tetova, i cili e frekuenton prej vitesh Durrësin. “Gëzohem ju uroj për punën që keni bërë është shumë më mirë. Çdo vit është mirë e më mirë.”

* * *

Pishina publike e qytetit të Durrësit, një kompleks i mirëfilltë sportiv tashmë është në funksion të plotë. Kjo qendër multifunksionale me ambiente çlodhëse dhe argëtuese, pas rikonstruksionit të saj është vënë në shërbim të të gjitha moshave. Gjatë verës janë 150 notarë të federuar që e frekuentojnë. Ndërsa në dimër pishina frekuentohet nga 20 notarë të ekipit durrsak “Teuta”.

Kryeministri Edi Rama ishte në Durrës, ku pa nga afër këtë pishinë, si dhe u takua me të rinj notarë dhe trajnerin e tyre, të cilët shprehën kënaqësinë që tashmë mund të stërviteshin në kushte optimale.

Në bisedë me ta, kryeministri tha se ndërtimi i pishinave olimpike do të shtrihet edhe në qytete të tjera. Së bashku me të rinjtë, ndodhej në ambientet e qendrës edhe ish rekordmeni i mirënjohur i notit Meriban Kadiu, i cili iu drejtua kryeministrit me fjalët: “Ke vizionin më të bukur, ke qënë zemra e rinisë durrsake.”

Kryeministri vijoi bisedën me të rinjtë notarë, mes të cilëve rekordmenë në disiplina të ndryshme të këtij sporti, në vend. Ai u interesua për arritjet e tyre dhe inkurajoi që rekordet e shënuara të kalonin kufijtë e Shqipërisë.

“Ky është kampion i të rinjve të dhe të rriturve dhe gjithë pjesa tjetër janë rekordmenë.” tregoi trajneri për një nga të rinjtë, i cili mbante rekordin në garën e 800 metrave.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.