Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Arsimi në tërësi, rritja e pagave për mësuesit, programet e reja për nxënësit, por në mënyrë të vecantë transformimi i infrastrukturës arsimore dhe rritja e cilësisë së sistemit tonë arsimor drejt  Shqipërisë 2030 në BE, – ishin në fokus të takimit të Kryeministrit Edi Rama me mësues, prindër e përfaqësues të komunitetit të njësisë nr.5 në kryeqytet, i zhvilluar në shkollën e mesme të përgjithshme “Besnik Sykja”, tërësisht e transformuar, sa i përket infrastrukturës. Në takim merrte pjesë edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit dhe shpresoj që të mos ju mungojë durimi dhe për fjalën time.

Dua ta nis nga fakti që kur hyra mu përsërit në mendje gjithë ai cikli shumë interesant i takimeve që zhvilluam bashkë me Ogertën, me mësuesit dhe me prindërit në të gjithë territorin. Ndodhi si rezultat i nevojës për të këshilluar dhe për të dëgjuar opinionin e mësuesve edhe të prindërve lidhur me TikTok, por në ndërkohë aty mundëm, unë ta paktën, të dëgjoj dhe të mësoj shumë gjëra nga ai ndërveprim.

Më vjen mirë që sot TikTok është mbyllur dhe që fëmijëve, nxënësve iu kemi siguruar një mbrojtje nga një influencë shumë negative që i qëndronte mbi kokë 24/24. Përfitoj nga rasti ta përsëris për të gjithë dhe mirë është që mësuesit t’ia thonë prindërve, por edhe nxënësve që përpjekja për të instaluar TikTok, duke përdorur të ashtuquajtura VPN të lira që gjenden në internet është shumë e rrezikshme sepse ato praktikisht e bëjnë telefonin të grabitshëm me të gjitha të dhënat që ka brenda, kështu që prindërit duhet të jenë të vëmendshëm në këtë aspekt.

Në ndërkohë, që ne kemi hyrë në një dialog me kompaninë, nëpërmjet AKSHI-t dhe Ministrisë së Arsimit dhe kemi kërkuar nga kompania që nëse do të ketë përsëri akses në Republikën e Shqipërisë duhet të na paraqesë një propozim të besueshëm dhe bindes për një numër të caktuar filtrash sigurie për fëmijët tanë.

Dhe njëkohësisht dhe një program specifik për të stimuluar mësimin, për të stimuluar mësimin e shkencës, të matematikës e kështu me radhë, gjëra që në fakt TikTok i ka në gamën e vet të shërbimeve. Patjetër edhe për pjesë të tjera të parrezikshme, ndërkohë që duhet të na garantojë që fëmijët dhe adoleshentet janë të mbrojtur nga pjesët e rrezikshme.

Kompania e ka marrë shumë seriozisht në këndvështrimin tim dhe na ka premtuar që do të na e paraqes këtë propozimi.

I kam thënë dhe i kemi thënë që në të gjitha rastet çfarë kompania do të na ofrojë do duhet të ndahet me mësuesit dhe me prindërit. Do duhet të marri edhe një miratim nga ana e tyre në kuptimin që mesuesit dhe prindërit duhet të jenë të informuar se për çfarë bëhet fjalë. Pra, cilat ndryshime do të bëhen dhe çfarë do të sjellin këto ndryshime. Kështu që shpresoj, besoj që në një kohë jo shumë të largët ata do të vijnë në Shqipëri dhe ne do të kemi mundësi pastaj që të rikthehemi përsëri tek ju dhe t’i ndajmë këto të dhëna që do marrim nga propozimi i kompanisë.

Nga ana tjetër, duke qenë se unë jam një tifoz po them, nuk e di si quhet, por faktikisht jam shumë i dhënë pas kinemasë dhe do ju sugjeroja të gjithëve ju, që jeni  këtu dhe të gjithë ata që dëgjojnë që të shikoni një film që ka dalë së fundmi që duhet “Adoleshenca” edhe do t’ju sugjeroja që ta ndani me sa më shumë të tjerë. Do ishte shumë mirë nëse ne do mund të bënim dhe shfaqje të filmit për nxënësit në të gjitha shkollat. Mund të përdorim palestrat për të bërë shfaqje të organizuara sepse është një film që ka tronditur mbarë botën edhe flet ekzaktësisht se për çfarë sfidash bëhet fjalë për ne sot edhe sesa larg jemi ne dhe kur na duket sikur në fakt jemi afër dhe sesa pak kuptojmë ne dhe kur në fakt na duket sikur kuptojmë shumë nga fëmijët tanë.

Për fat të keq jetojmë në dy universe paralele. Ata hyjnë e dalin në universin tonë, ndërsa ne nuk kemi akses në universin e tyre dhe në universin e tyre zhvillohen situata dhe zhvillohen ngjarje që ne, as nuk kemi idenë dhe për fat të keq kur diçka nga ato zhvillime aty del në mexhlis në formën e një ngjarje shumë të rëndë, ne tronditemi të gjithë.

Por, ajo që ndodh është që në fakt është çdo minutë dhe unë prandaj besoj shumë që mbyllja e TikTok nuk është se ka zgjidhur gjithë këtë problematikë, por ama ka qenë hapi i duhur dhe unë i falënderoj të gjithë mësuesit dhe prindërit, 95% e tyre na kanë inkurajuar që ta hedhim këtë hap.

Nuk ka qenë një hap i lehtë. Ne s’jemi as Amerika, as Britania, ne jemi një vend i vogël dhe TikTok është sa shumë shtete si ne të bëra bashkë, por besoj që kemi bërë gjënë e duhur dhe kemi bërë detyrën.

Nga ana tjetër po ashtu, unë besoj që mbase nuk kemi forcat që të përballemi me këtë universin paralel, ku fëmijët tanë jetojnë një pjesë të madhe të kohës së tyre dhe ku ne e kemi të pamundur që të penetrojmë, por nga ana tjetër nuk duhet të dorëzohemi dhe e vetmja rrugë që unë shoh, që ne shohim është që të ngremë në një nivel tjetër ndërveprimi mes shkollës, prindërve dhe institucioneve.

Në këtë aspekt, ne do bëjmë çmos nga ana jonë që shkolla të rrisë në mënyrë të ndjeshme fluksin e informacionit për prindërit. Jo më vetëm notat dhe mungesat, por edhe raporte të dedikuara, të individualizuara për çdo fëmijë. Nga ana tjetër do bëjmë çmos që të rrisim shumë më tepër, të zgjerojmë shumë më tepër hapësirën që e kemi krijuar, të gjithçkaje që mund t’i ofrojmë fëmijëve, nxënësve mbas mësimit, duke fuqizuar programet e sportit, duke fuqizuar programet e artit, duke fuqizuar programin e zejeve dhe duke rritur numrin e adresave, ku fëmijët mund të kenë aktivitet. Sepse një gjë është që t’i kenë vetëm në shkollë, një gjë është që të kenë hapësira të përbashkëta ku ata mund të ndërveprojnë, ku të bëhen konkurse, ku të bëhen projekte të përbashkëta, e kështu me radhë.

Jo më larg se dje, unë vizitova Qendrën Kombëtare të Fëmijëve që po merr formë këtu te njësia 5 faktikisht në kufi të parkut madh të liqenit. Është një ngrehinë e jashtëzakonshme me hapësira dhe me mundësi që nuk i kemi pasur ndonjëherë për fëmijët këtu. Nëse dikush mund të kujtojë mbrapa në kohë Pallatin e Pioniereve që ishte aty tek Kinema Mileniumi, Qendra Kombëtare që ne po ndërtojmë është disa herë më masive, me shumë më tepër hapësira. Edhe aty do të na duhet që të ndërtojmë një program intensiv dhe një program të përbashkët mes Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve të tjera. Ndërkohë, këtë do ta shtrijmë  patjetër edhe në qendrat e tjera të qarqeve, se aty ku jeta urbane është më  intensive, aty është edhe zemra e problematikave, po nga aty mund të rrezatohen pastaj të gjitha energjitë pozitive.

Sigurisht që kjo kërkon pa diskutim mësues të motivuar, mësues të mirë përgatitur, jo vetëm nga pikëpamja akademike për lëndën që japin, por mbi të gjitha nga pikëpamja psikologjike dhe pikëpamja e fuqisë fiziko-morale për të përballuar gjithë atë armatën e atyre kalamajve, që kur vijnë dhe afrohen e bëhen bashkë, nuk janë më një grup i madh fëmijësh, por janë një armatë që kanë në kokë gjëra që na tejkalojnë ne me herë në disa aspekte, edhe që janë armatë që na shohin ne si një forcë, si një forcë kundërshtare, kjo është e vërteta.

Kjo është e vërteta, vijnë edhe shohin edhe gjithë ajo që ka qenë zhvilluar më parë si një konflikt natyral mes brezash, ku maksimumi i revoltës që mund të bënte një nxënës ishte të fliste pa leje në një moment të caktuar, sot është kthyer në një konflikt të strukturuar midis gjithë trupës së edukatorëve që përpiqen të edukojnë, edhe asaj armatës që mblidhet te oborri i shkollës dhe nuk kuptohet mirë se ça kanë në mend.

Megjithatë na takon ne që të gjejmë rrugët dhe të gjejmë mënyrat për të garantuar një bashkëjetesë paqësore me atë armatë, edhe për të garantuar që, kur kalon ajo mosha kritike, ata të jenë të gatshëm ta përballojnë jetën në universin e realitetit dhe jo të ndjehen komplet të goditur për faktin se universet nuk përputhen më, e pastaj të përfundojnë nëpër drama personale, por të bëhen dhe aktorë tragjedish sociale.

Thënë kjo, patjetër që ne jemi relativisht të kënaqur që është bërë shumë për mësuesit.

Unë e kam thënë disa herë, mbase keni dëgjuar dhe ndjesë për përsëritjen, po rastësisht pashë një ditë që një grup mësuesish ishin mbledhur me forca të tjera politike, edhe lirisht flisnin ato që mendonin për qeverinë, për shtetin, për institucionet, edhe unë u ndjeva shumë mirë, sepse askush nuk merret me ata mësues, pse vajtën, pse folën, pse thanë, pse s’thanë, ça thanë, si e thanë, etj., etj, gjë që, deri jo shumë vite më parë, ka qenë realiteti, pjesë e realitetit të mësuesve dhe jo shumë vite më parë, kur kalonte këtu ndonjë karvan mitingu, mësuesit merreshin madje bashkë me nxënësit në raste të caktuara, sidomos nëpër qytetet e tjera, se ndoshta në Tiranë më ndryshe edhe mblidheshin për të brohoritur. Apo gjëja që ishte gjëja më e tmerrshme, që mësuesit nuk kishin garanci dhe siguri në vendin e punës, se mund të nesërmen mund të gdhiheshin me një copë letër që duhet të shkojnë diku tjetër, apo mësuesit që shihnin, dëgjonin, merrnin vesh, që ndërkohë që ata ishin pa punë dhe prisnin në radhë në lëndën e tyre në një shkollë pranë, e jepte dikush që nuk kishte mbaruar fare për atë lëndë dhe nuk ishin një, dy, tre, pesë, dhjetë, njëzetë, njëqind, dyqind. Ishin rreth 4500 mësues jashtë profili komplet. Të gjitha këto sot nuk imagjinohen më, jo më që të ndodhin.

Nga ana tjetër, edhe pagat, ju e dini se ju i numëroni vetë numrat që ne mund të themi, janë rritur në mënyrë të vazhdueshme. Nuk besoj se ndokush mund të thotë që po t’i thuhej përpara që të shikojë se në vitin 2024 do ta keni pagën mesatare 950 euro, nuk do të nënqeshte duke thënë ja dhe një rrenë tjetër, po fakti është që sot paga mesatare e mësuesve është 950  euro. Është shumë më shumë se ç’ka qënë, është i pak dinjitoze në vendin tonë, por nuk mjafton dhe nuk mjafton për më tepër, po të keni parasysh ato që sapo thashë. Që puna e mësuesve, vështirësia në punë e mësuesve, nuk shkon duke u ulur, shkon duke u rritur. Dhe vështirësia në punën e mësuesve nuk është një vështirësi pune fizike, që në një farë mënyre puna fizike, pavarësisht se mund të jetë e vështirë, njeriun e mban formë, po themi.

Por është një vështirësi pune psikologjike. Kështu që qëllimi, ambicia jonë dhe plani, jo ambicia, por plani ynë është që në vitet e ardhshme brenda kësaj dekade, ne pagën mesatare të mësuesve do ta çojmë në 1250 euro. Është e bëshme, është plotësisht e bëshme, nuk besoj se do të kemi problem me këtë, ndërkohë që siç foli kryetarja në detyrë e bashkisë, siç foli ministrja, pjesa tjetër e përmirësimit të vazhdueshëm të kushteve në shkolla prapë është diçka që shkon në favor të rritjes së dëshirës për të shkuar në punë dhe për të për të punuar. Se tjetër është thjesht një shkollë ku s’ka kushte, isha përpara pak ditësh në një kantier në Shkodër, në mes Shkodrës, shkolla “Ndre Mjeda”, një shkollë me goxha në fakt rezultate të mira, edhe me rezultate të mira nxënësit nëpër konkurse dhe nuk i besoja dot syve. As syve, as hundës që më sillte atë aromën e shkollave që dikur vinin vetëm era lagështi, ngrohje as harroje në një tmerr, një tmerr. Një shkollë që nuk kishte vënë dorë, besoj që ditën që ishte ndërtuar, kushedi se kur. Ka akoma realitete të tilla, por nga ana tjetër, në Tiranë, unë besoj që ne mund të jemi shumë krenarë për faktin se nuk kemi shkolla si në Europë, po kemi shkolla si shkollat më të mira në Europë.

Mund ta them këtë me plot gojën, unë kam jetuar ca vite në Paris dhe kishim më afër një shkollë, kështu 9-vjeçare, ku kishte një palestër komunitare dhe shkoja ndonjëherë të lozja basketboll. Ishte okej normal, por nuk ishte kështu si kjo, që të jemi qartë dhe nuk ishte kështu si kjo. Nuk ishte si shumë shkolla në Tiranë që janë si kjo, ose dhe pak më të mira, ose dhe pak më pak, por është një standard absolutisht shumë shumë i mirë që patjetër është standardi që duan të mbajmë edhe në shkollat e reja që po ndërtojmë.

Janë 40 shkolla të reja që po ndërtojmë, janë ndërtuar 450. Është një numër shumë i madh, po të marrësh parasysh se ça ka pasur më parë.

Por nga ana tjetër, nuk është thjesht çështja e tullave. Është shumë e rëndësishme çështja e tullave në fakt sepse e thashë, në qoftë se shkon në një vend pune, ku asgjë nuk të thotë rri është një gjë dhe në qoftë se shkon në një vend pune, ku ndjehesh mirë nga kushtet është një gjë krejt tjetër, por nga ana tjetër është dhe çështja e çfarë kemi brenda në shkollë dhe me laboratorët inteligjentë që tanimë janë shtrirë në një pjesë jo të vogël të shkollave, por që deri në fund të kësaj dekade do të jenë në të gjitha shkollat e republikës dhe do kenë akses në teknologji të gjithë fëmijët e republikës e do plotësohet ky cikël.

Sidoqoftë, deri pak a shumë 300 laboratorë janë një bazë shumë e mirë për çfarë po ndërtojmë sot për fëmijët edhe aksesi në kodim, edhe kështu me radhë.

E thashë që nuk dua t’ju mbaj më gjatë, por dua ta mbyll, duke thënë që do duhet të fokusohemi edhe më shumë, qoftë tek programi i edukimit në vazhdim të mësuesve, qoftë tek titujt dhe ato kategoritë që mësuesit kanë brenda për brenda, jo në sensin që të ndryshojë ndonjë gjë, por thjesht nga një anë ta forcojmë të gjithë sistemin në vazhdim dhe nga ana tjetër të rrisim pak, por në mënyrë të ndjeshme dhe diferencimin e pagës, në mënyrë që mësuesit që hipin në një shkallë tjetër të ndjehen vërtetë të vlerësuar dhe ata që janë nën shkallën që është më lart, të ndjehen edhe më të motivuar që të hipin në atë shkallë sepse gjithmonë figura e mësuesit ka qenë qendrore për të gjitha shoqëritë, ka pasur momente ku ka qenë më qendrore, ka pasur momente kur e ka humbur qendrën siç ka ndodhur në vitet e tranzicionit, ku mësuesit u trajtuan shumë keq për shumë e shumë arsye, por unë besoj që në kohën që jetojmë, mësuesit nuk janë thjesht të rëndësishëm siç ishin deri para kësaj kohe për gjithçka ata japin në atë profil që kanë, por mësuesit janë po aq të rëndësishëm sa ushtria dhe janë po aq të rëndësishëm për sigurinë kombëtare saç është ushtria sepse janë një trupë e cila përballjen me çka folëm pak më përpara do ta ketë gjithmonë e më të egër, jo më të egër, do ta ketë gjithmonë e më të egër, e prandaj janë një trupë që do duhet të mbështetet, do duhet të vlerësohet, do duhet të ngrihet në piedestal në proporcion me përshkallëzimin e asaj përballjeje dhe duhet të gjejmë rrugë dhe mënyra dhe kjo gjë patjetër që mund të bëhet më e lehtë nëse ne rrisim nivelin e dëgjimit ndaj gjithë trupës së mësuesve që motivimi, vlerësimi, të ndjerit në mision të mos jetë vetëm çështje kushtesh fizike në shkollë apo çështje page, por të shkojë përtej kësaj. Sesi shkon përtej kësaj, këtë duhet ta shohim dhe ta mendojmë bashkërisht.

Ne kemi disa ide, ju me siguri mund të keni disa ide të tjera, por është absolutisht themelore që investimi tek trupa e mësuesve të shkojnë paralelisht me investimin e madh që po bëjmë tek Forcat e Armatosura. Për shkaqe që ju me siguri i dini, gjithë bota, Europa po rrit investimet tek forcat e armatosura, ne i kemi rritur njëzetfish, një rritje që do ishte e paimagjinueshme më përpara dhe nëse nuk do ishte konteksti i përgjithshëm me siguri nuk do e kishim bërë, por nëse nuk rrisim dot njëzetfish investimet tek mësuesit, tek arsimi, duhet të paktën çdo vit e më shumë sesa ç’do të rriteshin natyralisht.

Ky është objektivi, ky është qëllimi, kjo është ambicia sepse në fund fare do ta mbrojmë atdheun, patjetër, por nëse e mbrojmë atdheun nga rreziqet e jashtme, gjë për të cilën ekzistojnë Forcat e Armatosura dhe brenda nesh rritet e rritet e rritet rreziku i brendshëm i shkëputjes totale nga realiteti të atyre, që sot janë fëmijë, ne faktikisht e kemi humbur betejën dhe ky është kërcënimi më i madh që i vjen gjithë shoqërive demokratike sepse në ato shoqëritë e tjera jo demokratike, aty janë të tjera rreziqe, por nuk është ky rrezik se aty nuk ka TikTok e nuk ka nga këta që futesh fshehurazi në shtëpi.

Ju faleminderit shumë për durimin dhe shumë mirënjohje për gjithçka bëni dhe shumë solidaritet për gjithçka duroni çdo ditë, thënë kjo nga një prind i rilindur, jo shumë vite më përpara.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.