Pas inspektimit të punimeve në HEC-in e Banjës, Kryeministri Edi Rama vizitoi një fidanishte në qytetin e Cërrikut. Fidanishtja, me sipërfaqe 10 mijë m2 dhe kapacitet rritjeje gjysmë milioni fidanë, është investim i qeverisë së Turqisë, me vlerë rreth 400 mijë euro.
Ndërsa nënvizoi rëndësinë e këtyre investimeve për mjedisin, Kryeministri Rama kërkoi nga ministri Koka që projekte të tilla të shtrihen në të gjithë vendin.
“I gjithë ky qark, – u shpreh Kryeministri – me siguri, do të ketë një përfitim shumë të madh nga kjo fidanishte. Ndërkohë që përsëritja e saj në qarqe të tjera do të krijojë një rrjet të tërë, për të garantuar që ne të ripërtërijmë në mënyrë të qëndrueshme, për 10-vjeçarin e ardhshëm, gjithë pyjet dhe gjithë sipërfaqet që kanë nevojë për rehabilitim, por edhe gjithë sistemin mbrojtjes ndaj erozionit, që na bën kërdinë pas gjithë këtyre dëmtimeve që kanë ndodhur në gjithë këto vite.”
Në këtë vizitë, Kryeministri shoqërohej nga ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini.
Më pas, ata u ndalën në Krastë të Elbasanit, e cila njihet si mushkëria e këtij qyteti, ku ka nisur pyllëzimi me fidanë të rinj. Një nismë e Ministrisë së Mjedisit, të cilës i janë bashkuar edhe shumë të rinj. Ministri Koka bëri të ditur se Ministria e Mjedisit “ka akorduar 18 milionë lekë për të rehabilituar rreth 20 hektarë të degraduar këto vitet e fundit”.
Kryeministri Rama, së bashku me Ministrin e Mjedisit dhe Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, në mënyrë simbolike mbollën disa fidanë.
Kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini e vlerësoi projektin shumë të rëndësishëm për Elbasanin, jo vetëm se “Krasta është mushkëria e qytetit, por vazhdimi i pyllëzimit i jep edhe më shumë gjallëri”.
Kryeministri Rama vlerësoi se vizioni i qeverisë është i qartë për një ndryshim rrënjësor të mjedisit. Kultivimi i fidanëve, i mbështetur nga Fondi për Zhvillim i Qeverisë Turke, që do të prodhojë gjysmë milioni fidanë, pyllëzimi dhe landfilli për përpunimin e mbetjeve janë tre nga drejtimet ku do të përqendrohet qeveria për përmirësimin e mjedisit.
“Fidanishtja e re; fusha e re e përpunimit të mbetjeve, që është kaq shumë e kërkuar me dekada dhe që do të fillojmë nga puna, për ta transformuar në një landfill dhe për t’i dhënë fund helmimit të përnatshëm të qytetit; projekti i pyllëzimit këtu në këtë zonë dhe pastaj që do të shtrihet kudo ku do të na duhet të fillojmë ripërtëritjen e pyjeve, përbëjnë një pamje komplekse, besoj, të shprehjes së vullnetit tonë për t’i kthyer gjithë këtij qarku, por edhe gjithë Shqipërisë, sepse projekte të tilla kemi në të gjithë Shqipërinë, shpresën e humbur se mjedisi do të rehabilitohet, se mjedisi do të jetë në shërbim të njerëzve, se mjedisi do të jetë burim shëndeti dhe jo burim sëmundjesh,” – u shpreh Kryeministri në një bisedë me ministrin e Mjedisit, Kryetarin e Bashkisë dhe të rinjtë që i janë bashkuar nismës, me bindjen se “4 vitet e ardhshme do të jenë hedhja e themeleve shumë të forta për një transformim rrënjësor të sistemit tonë të pyjeve, të sistemit tonë të mjedisit dhe të sistemit tonë të përpunimit të mbetjeve.”
Gjatë qëndrimit në Elbasan, Kryeministri Edi Rama vizitoi edhe stadiumin e qytetit, i përcaktuar për të pritur ndeshjet e Kombëtares Shqiptare, deri në përfundim të stadiumit në Tiranë.
Kryeministri vërejti me keqardhje infrastrukturën jo të mirë të tij, ndërsa premtoi akordimin e një fondi për kthimin në një stadium me standarte.
“Qeveria do të rindërtojë stadiumin. Këtu do të luhen ndeshjet e Skuadrës sonë Kombëtare, deri kur të jetë ndërtuar stadiumi i Tiranës. Ne do marrim përsipër, në bashkëpunim me Federatën, ta transformojmë këtë stadium ashtu siç duhet,” përfundoi Kryeministri Rama.