Transformim urban historik nga rrënojat e tragjedisë së 26 nëntorit

“Kombinati”, një prej zonave më të prekura në Tiranë nga tërmeti i 26 nëntorit, shumë shpejt do të transformohet në një prej poleve më atraktive të kryeqytetit.

Kryeministri Edi Rama, sëbashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantuan projektit e zonës zhvillimore të “Kombinatit”, i cili do të vendosë një standard të ri në zhvillimin urban të qendrave të reja policentrike.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projektit të zonës zhvillimore të KombinArt:

Përshëndetje të gjithëve!

Përshëndetje Marco Casamontit në distancë!

Sot, jemi mbledhur këtu për një projekt shumë ambicioz. Më shumë sesa një projekt rindërtimi, është një vizion për Tiranën e gjeneratës tjetër, ashtu sikundër, besoj, tërësia e projekteve që tanimë kanë filluar të zbatohen, ose janë pranë fillimit të zbatimit, është një vizion për jetën komunitare dhe për cilësinë e jetës së familjes në kushtet kur një fatkeqësi e madhe krijoi një boshllëk të madh, por patjetër edhe një mundësi të madhe.

Gjithmonë, kriza është edhe mundësi. Për ata që kanë pasionin dhe mbi të gjitha vullnetin për të rezistuar, transformimi i krizave në mundësi është një rrugë e vetme. Por padyshim, krizat mund të mbeten edhe fillesat e vatrave të një zixhiri të këqijash nëse ato nuk adresohen ashtu si duhet.

Unë besoj që deri tani ne kemi të dhënat e mjaftueshme për të thënë me bindje se krizën e madhe të 26 nënorit të shkuar po e kthejmë në një mundësi të madhe transformimi për ato komunitete dhe ato familje që u prekën rëndë duke humbur shtëpitë e tyre, por edhe për vetë zonat brenda të cilave dëmet ndodhën, për Tiranën, për Durrësin, për Kurbinin, për Kavajën për Vorën, për Krujën, Fushë-Krujën, Lezhën dhe deri në Mirditë.

Nëse shohim projektet që sot kemi në dorë, padiskutim që realizimi i tyre do të sjellë transformime të rëndësishme dhe do të çojë përpara me shpejtësi dhe me një dinamikë të re një proces shërimi urban në shumë zona, të cilat përndryshe do të mbeteshin të tilla për kushedi sa kohë dhe këtu marr Laçin, një qytet i ndërtuar rishtaz, dihet historia e zonës së prodhimit që u krijua aty pas çlirimit në kohën e diktaturës dhe që faktikisht pas çlirimit tjetër, atij nga diktatura, mbeti një zonë e cila thjesht përjetoi një degradim të vazhdueshëm dhe një largim të vazhdueshëm prej saj pasi humbi, u tret ajo qendër graviteti që mbante lidhur me mijëra njerëz në një pikë të rëndësishme të prodhimit të asaj kohe.

Sot, ne, jemi gati për të nisur punën dhe për t’i dhënë asaj zone një impuls të ri, duke pasur parasysh edhe faktin që ajo zonë ka një fat, ka bekim për shkak të pikës së pelegrinazhit gjithëkombëtar të Shna Ndoit, ku kalojnë ccdo vit mbi 1 milion vizitorë. Por këta mbi 1 milionë vizitorë që kalojnë ccdo vit në të gjthë ato javët e ritit të pelegrinazhit nuk ndalen kurrë në Laç. Thesht parkojnë, ngjiten në kodër, kryejnë ritualin dhe largohen, sepse nuk ka asnjë mundësi sot për t’u ndalur në Laç. Ndërkohë që me ndërhyrjen e re që do të ndodhë, jo vetëm do sistemohen ato familje që humbën shtëpitë, jo vetëm që do krijohen të tjera kushte jetese për fëmijët e për të rejat dhe të rinjtë që kreyjnë arsimin parauniversitar në atë qytet të vogël, por shoqëruar dhe me ndërhyrjen përmirësuese të infrastrukturës drejt Shna Ndoit, aty me siguri do të krijohen kushtet për t’i mbajtur vizitorët më gjatë. Kjo do të sjellë më shumë ekonomi, sepse do të sjellë më shumë konsumatorë, do të sjellë më shumë tregti, do të sjellë më shumë punësim, pra do të sjellë shumë më tepër arsye qoftë për të shkuar, por edhe qoftë për të jetuar në atë qytet, ashtu sikundër e njëjta gjë mund të thuhet sado e çuditshme të duket për Thumanën.

Thumana, që ishte epiqendra e tragjedisë, aty ku tërmeti goditi më fort se kudo tjetër, faktikisht ishte një pikë krejtësisht e izoluar dhe një zonë mbijetese për inercinë e të qenit prej atij vendi, por jo një zonë zgjedhjeje për njerëzit që lindin dhe rriten në atë vend. Ama, me ndërhyrjen e re dhe me gjithë atë pyll dhe me liqenin pranë, Thumana padiskutim mund të kthehet në një tjetër pikë të rrugës së atraksioneve që lidhin vizitorin vendas dhe të huaj me Krujën, apo edhe me Laçin. Dhe, kështu me radhë në të gjitha zonat e prekura ne kemi një mundësi të madhe të bëjmë një transformim historik, por sigurisht duke filluar, në radhë të parë, nga sistemimi i atyre që humbën shtëpitë, të cilët padiskutim do të hyjnë të gjithë, pa përjashtim në shtëpi të reja dhe më të mira, më të bukura, shumë më të forta dhe mbi të gjitha rrethuar jo nga xhungla ndërtimesh kuturu si deri dje në Thumanë, apo nga ngrehina të rrënuara në shumë vite si në Kombinat, por brenda një sistemi urban jetese dhe bashkëjetese krejt të ri.

Padiskutim që në ndërkohën që ne bëjmë gjithçka që të ecim sa më shpejt me tërë këtë volum të madh dhe sfidues pune për rindëritmin, çdo ditë është e gjatë për ata që janë pa shtëpi. Ne prej disa ditësh po përjetojmë rritjen e temperaturave dhe sinqerisht nuk ka ditë që unë të mos mendoj që në ndërkohë që në shtëpitë tona është rritur temperatura ka familje që vazhdojnë në çadra, ka familje që pavarësisht se janë shumë më mirë se në çadër, nuk janë në shtëpinë e tyre, vazhdojnë në shtëpi me qera dhe mezi presin të kthehen në një shtëpi që quhet shtëpia e tyre. Mirëkuptoj stresin, mirëkuptoj dhe padurimin, mirëkuptoj nganjëherë dhe acarimin e shumëkujt që s’është fare as në kategorinë e parë dhe as në kategorinë e dytë, por ka vendbanimim e tij në “Facebook” dhe aty ngre zërin për të drejtat e popullit që po vuan.

Mirëpo ajo që duhet kuptuar është se, për të shkuar deri tek shtëpia e ndërtuar është një proces i tërë, në rast se dhe ky është rasti, ne duam që të dalim shumë më mirë, shumë më të fortë sesa ishim në të gjithë ato territore kur goditi tërmeti.

Është një proces i tërë planifikimi që lidhet me shumë yçkla që kanë të bëjnë me territorin, që kanë të bëjnë jo thjesht me pronën ku ne kemi në çdo zonë nevojë të bëjmë edhe shpronësimet përkatëse të cilat po bëhen dhe kërkojnë edhe ato kohën e tyre, kanë dhe ato procedurën e tyre, por lidhet dhe me vetë gjeologjinë. Fjala vjen, në Thumanë, ne, bazuar në studimin gjeologjik na duhet të bëjmë një ndërhyrje e cila është më komplekse, për shkak se është një zonë me një përmbajtje që kërkon përforcim, nuk ka asnjë problem për t’u bërë, me terrenin mbi të cilin do ndërtohet pasi në të shkuarën e vetë ka qenë kënetore. Po kështu, në Spitallë, në Durrës ku është edhe aty një masiv i madh për t’u ndërtuar. Është një zonë ish kënetore e cila kërkon të gjitha ndërhyrjet e nevojshme për të qenë një terren solid, mbi të cilin do të ndërtojmë.

Paralelisht me projektimin, janë proceset e garave, të cilat, në një pjesë janë mbyllur, në një pjesë janë në proces, në një pjesë tjetër do të hapen, siç është Kombinati që nuk është akoma në garë. Më vjen shumë mirë, që, nga garat e deritanishme ka shumë kompani të cilat janë të përfshira dhe të cilat do të marrin punë, do të angazhojnë njerëz, do të luajnë një rol të rëndësishëm në të gjithë zinxhirin ekonomik të vendit dhe pastaj janë projektet e zbatimit që kërkojnë dhe ato kohën e tyre dhe ajo që unë mund të them është që, përtej faktit se koha e solli që të goditemi dy herë në një kohë shumë të shkurtër, – të goditemi nga tërmeti, të goditemi dhe nga Covid-i, – gjë që frenoi për një periudhë kohe aktivitetin e shumë njerëzve dhe e ndërpreu edhe zinxhirin e procesit, duke bërë që të shtyhen garat, por, nga ana tjetër, hapi edhe një tjetër boshllëk të madh në raport me aftësitë financuese të të gjithë këtij plani masiv. Ne bëmë çmos dhe besoj se i’u gjendëm pranë me dinjitet, – asnjëherë nuk është mjaft, – por sidoqoftë me dinjitet, të gjithë atyre që kishin nevojë të mos ndiheshin vetëm në periudhën kur Covid-i i la pa punë dhe sot numërojmë afro çerek milionë shqiptarë të cilët janë dëmtuar drejtpërdrejtë në kushtet kur ndërkohë janë mijëra shqiptarë që presin shtëpi të reja.

Ne nuk jemi Gjermania, nuk jemi as Franca, Amerika jo e jo. Ne kemi aftësi financiare të kufizuara, por, nga ana tjetër, besoj që, brenda kufijve të mundësive tona kemi bërë atë që askush nuk ka provuar në të shkuarën se mund ta bëjë.

Kemi pasur fatkeqësi shumë më të vogla, përmbytje, të cilat kanë qenë të rënda për ata që i kanë përjetuar, por që nuk janë të krahasueshme me goditjet nga tërmeti. Fakti është që kemi gjetur kur kemi ardhur në qeveri borxhet ndaj njerëzve që vuajtën përmbytje pas përmbytjesh dhe nuk morën kokërr leku nga ata të cilët sot pretendojnë që t’u japin shqiptarëve një lugë floriri, mjafton që shqiptarët ta hanë tekun edhe t’u thonë, “pa hë njëherë, t’ju vëmë në provë a do na e jepni lugën” dhe pastaj të mbeten me bishtin e lugës në gojë.

Në këtë panoramë të përgjithshme besoj që, pa dashur të krahasohemi me të tjerë më pare, këtu, mund ta bëjmë krahasimin me vende të tjera shumë më të mëdha, shumë më të forta se ne. Sot ka jo një, dy e tre, shumë familje në Italinë fqinje që prej 15 vjetësh, prej 12 vjetësh, prej 10 vjetësh janë akoma në kabina dhe presin rindërtimin pas tërmeteve të njëpasnjëshme që i kanë goditur. Ka sigurisht në Italinë fqinje shembuj fantastik suksesi si në Friuli ku, pikërisht për shkak të goditjes së tërmetit u krijuan kushtet dhe u shfrytëzuan mundësitë e një transformimi shumë të rëndësishëm urban, social dhe ekonomik, gjë që duam e do ta bëjmë me siguri dhe ne, por ka dhe zona të tjera ku njerëzit janë ende nëpër kabina. Ashtu sikundër, sot që flasim, ka në shumë vende shumë më të zhvilluara njerëz që akoma nuk kanë marrë një cent nga shumat e angazhuara për t’i mbështetur, akoma sot që flasim. Do t’i marrin patjetër, por proceset janë të tejzgjatura.

Duke u kthyer tek Kombinati, mendoj që ky projekt tregon shumë për atë që ne duam të bëjmë dhe i jam falenderues padiskutim Markos, siç i jam falenderues edhe Stefano Boerit, apo edhe Mario Cucinella-s, për projektin e Spitallës, sepse këto janë projekte vërtetë masive, janë masive dhe për qytete të mëdha të Europës, janë ndërhyrje realisht masive dhe shumë të ndërlikuara, të cilat na japin mundësi të akomodojmë njerëzit që janë pa shtëpi, por na japin mundësi të akomodojmë institucionet e dëmtuara, që, faktikisht, janë një numër jo i vogël dhe që kanë nevojë për të hyrë në infrastrukturë të re, na japin mundësi të zgjerojmë këndvështrimin mbi dy qytetet më të mëdha të Shqipërisë: Tiranën dhe Durrësin, duke krijuar pole të reja, duke krijuar pika të reja referimi, jo thjesht një Kombinat për banorët e vet, por një Kombinat që është destinacion edhe për jetën e natës, që është destinacion dhe për shumë aktivitete të tjera, që është destinacion dhe për turistët, falë gjithë atyre ndërhyrjeve të parashikuara, që i përkasin, sigurisht vizionit të Shqipërisë 2030, nuk i përkasin thjesht dhe vetëm harkut kohor të një viti, apo diçka më shumë që do të na duhet për të akomoduar njerëzit.

Ne do ta fillojmë nga njerëzit dhe faktikisht shumë shpejt, çështje javësh, do të fillojmë ndërtimin e shtëpive të para individuale në shumë zona, jo thjesht aty ku po bëhet infrastruktura, sepse janë zona të reja, me shtëpi të qendërzuara, si në Fushë Krujë, apo në Thumanë, apo në Bubq, apo në Vaqarr, apo në disa pika të tjera në Tiranë e jashtë Tiranës, por dhe ato shtëpi që janë të pikëzuara në territor në trojet ku është rrënuar shtëpia e vjetër. Ndërkohë që, për sa na takon, të gjitha shkollat e rrënuara në zonën jashtë Tiranës kanë filluar të rindërtohen, së shpejti fillon rindërtimi edhe brenda Bashkisë së Tiranës. Një numër i konsiderueshëm i shkollave do të hapin dyert në 26 nëntor me komplet kushte të reja, standarde të reja, gjithçka që faktikisht u ka munguar në vite e mbase do t’u mungonte dhe për shumë vite të tjera në rast se “tërmeti” nuk do të na kishte kujtuar dhe kapur për krahësh për të na vendosur përpara sfidën e fëmijëve të Bubqit, apo fëmijëve të Ishmit, apo fëmijëve të zonave përreth Tiranës, apo përreth Durrësit dhe qendrave të tjera urbane.

Unë e di që durimi është një mall që është shumë i vështirë për t’u gjetur në atdheun tonë, për 1001 arsye. I mirëkuptoj të gjithë njerëzit që duan më shumë e më shumë dhe e duan tani, sepse, sidoqoftë 30 vjet janë shumë, por nga ana tjetër, nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse të punojmë pa pushim. Ne nuk po rrimë asnjë ditë, asnjë natë, po bëjmë gjithçka që mundemi, po të mundeshim më shumë nuk do e linim asgjë pa bërë, por sidoqoftë duhet durim dhe me siguri më shpejt se vonë, të gjitha këto që sot janë pamje mbresëlënëse, por në 3D, të kthehen në realitet. Këtë e kam posaçërisht për shumë miq në faqen time në “Facebook”, që, zëre se po e lexoj tani, që, “me këto 3D-të të merrni në qafë…”, por e vërteta është që të gjitha 3D-të që ne ekspozojmë janë pjesë e projekteve, sepse një shtëpi, një rrugë, një urë, një shkollë, një spital, çfarëdoqoftë që ndërtojmë nuk fillon në momentin kur hapen themelet, fillon në momentin kur e ëndërrojmë me sy hapur, pastaj ulemi dhe e konceptojmë, pastaj fillojmë të sigurojmë financimin, pastaj bëjmë zbatimin e projektit, pastaj projekti shkon në një garë, pastaj nënshkruajmë një kontratë dhe pastaj shkojmë më territor ku fillojmë ta ndërtojmë realisht.

Nëse ka një gjë themelore ndër shumë që na dallon ne nga ata që para nesh pretenduan se bënë shumë, por në fakt i lanë të tëra rrugëve dhe jo vetëm rrugët, por të gjitha rrugëve, është pikërisht se ne i japim kohën e duhur konceptimit dhe projektimit dhe nuk futemi në kantier sikur jemi një hordhi ndërtuesish pa leje që nisen dhe pushtojnë tokat e të tjerëve për të filluar ndërtimin e shtëpisë së tyre.

I falet njerëzve, i falet familjeve ajo që ka ndodhur me Shqipërinë e viteve ’90 edhe më pas për një strehë, por nuk i falet një qeverie, nuk i falet një shteti të sillet si ndërtues pa leje thjesht për të rendur kryeministri, apo për të rendur anëtarët e shpurës së tij me daulle për të inauguruar rrugë nga të katër anët edhe për t’i lënë të tëra rrugëve, me projekte që, jo do të ngelnin në klasë çdonjërin që i ka hedhur ato viza, por do kishin mbushur burgjet në vende të tjera për krime kundër mjedisit, për krime kundër shtetit, për krime kundër njerëzimit nganjëherë për nga shëmtia dhe nga dëmi që sjellin në territor.

Shumë faleminderit edhe një herë Markos!

Shumë faleminderit të gjithëve për punën dhe shpresoj që të mos humbasim asnjë minutë në proces! Sa më shpejt të fillojmë t’i japim jetë këtyre kantiereve të mëdha! Sepse, ne jemi atdheu i Shën Thomait, po nuk prekëm nuk besojmë, kështu që i mirëkuptoj të gjithë ata që pa i prekur vetë nga afër shtëpitë, vazhdojnë mendojnë që këto janë vizatime, mashtrime, filmime dhe argëtime.

Faleminderit!