Një tjetër infrastrukturë e rëndësishme sportive që do të transformohet falë një projekti dinjitoz, për të cilin garojnë disa prej studiove ndërkombëtare nga më prestigjiozet, – është stadiumi “Selman Stërmasi” në kryeqytet.
Sot po zhvillohet faza finale e Garës Ndërkombëtare për Projekt-Ide Arkitekturore për rilindjen e tij, ku 5 skuadrat finaliste po prezantojnë përpara Jurisë, konceptet arkitektonike për një Stadium krejtësisht të ri sipas standardeve të UEFA-s, kategoria IV, i cili do ta kthejë atë zonë në një qendër të re të Tiranës.
Skuadrat konkurruese janë: OMA + RH DHV + LOLA Landscape Architects + Albanian Investment; Construction sh.p.k + Diagonal Projektim & Zbatim sh.p.k ”; “Far Frohn & Rojas + sbp-schlaich-bergermann-partner + TOPOTEK I + Transsolar; Klimaengineering + Adrian Paci + Progeen sh.p.k”; “Foster & Partners + Artech Studio sh.p.k + Artech Group + Bolv Oil”; “ZAHA HADID Architects + AGIKONS sh.p.k”; “Office KGDVS + l’AUC + Baukuh + ARQUITECTURA-G + Yelloë Office + Ne Arkitektët + Matilde; Cassani + Bollinger & Grohmann + ALES Construction”.
Në nisje të prezantimit të projekteve nga skuadrat pjesëmarrëse përshëndeti Kryeministri Edi Rama:
Shumë faleminderit të gjithëve për praninë dhe në radhë të parë, shumë faleminderit studiove që janë këtu me skuadrat e tyre për këtë garë, një tjetër garë e organizuar nga Korporata Shqiptare e Investimeve për një tjetër zhvillim me shumë rëndësi në disa aspekte në kryeqytet dhe patjetër shumë faleminderit dhe anëtarëve të jurisë ndërkombëtare, në mënyrë të posaçme miqve që dashamirësisht janë bërë pjesë e jurisë, Lorena, Manda dhe Floriani, së bashku me Mikelin që janë katër arkitektë të mirënjohur, të cilët njëkohësisht punojnë edhe me projekte në Tiranë, 3 prej tyre ndërkohë që Lorena shpresoj që do të punojë së shpejti.
Më vjen shumë mirë, po ashtu, që pas tre stadiumeve të reja dhe me këtë rast dua t’i jap një përgjigje interesimit të shumëkujt që pyet “Çfarë po bëhet me ato tre stadiume” të cilat janë në proces tani pasi janë përzgjedhur fituesit, janë bërë projektet e zbatimit dhe AIC ka shpallur garën për zhvilluesit, kështu që të gjithë janë të ftuar t’i shikojnë të treja këto mundësi zhvillimi, stadiumi dhe në fakt nuk janë stadiume ekzaktësisht, por janë qendra të reja urbane, në Durrës, në Vlorë dhe në Korçë. Tani i vjen radha stadiumit “Selman Stermasi” edhe ky sipas kërkesës së bërë për studiot është në fakt një tjetër bërthamë për një qendër të re urbane që jam i bindur, duke pasur parasysh edhe konkurrentët, do jemi në kushtet kur do të kemi mundësi të bëjmë një zgjedhje shumë të mirë. Ashtu sikundër, dua të përmend këtu edhe disa proces të tjera të filluara, procesi për ndërtimin e qendrës së re administrative pranë stadiumit “Selman Stërmasi” që do të akomodojë 18 institucione, procesi për ndërtimin e godinës së re të Kadastrës të domosdoshme për shumë arsye që janë të lidhura me konsolidimin e gjithë procesit të punës së Kadastrës, Biblioteka e re Kombëtare, një konkurs që do të shpallet së shpejti përsa i përket zhvillimit privat në funksion të investimeve për Bibliotekën e re Kombëtare, ndërkohë që punohet dhe është në kantier Akademia e re e Futbollit, Akademia e Manchester City në Durrës, së shpejti do të fillojmë akademinë e Raffa Nadal po në Durrës dhe Agjencia është në diskutime me NBA për Akademinë e NBA po në Durrës ku duam të krijojmë një destinacion akademish sportive.
Në fund, së shpejti po ashtu dhe e them këtë sepse e di që këtu ka jo pak përfaqësues të kompanive, por edhe për të tjerët që ta dëgjojnë, AIC do të shpallë dhe proceset për ndërtimin e një sistemi të ri parkimesh në kryeqytet dhe në bregdet, një sistem i ri parkimesh, ku ne do të përfshijmë të gjithë arkitektët ndërkombëtarë që janë pjesë tanimë e përditshmërisë sonë dhe që janë një rrjet i jashtëzakonshëm me të cilët do të organizojmë edhe Festivalin e Arkitekturës në Tiranë, Festivalin Ndërkombëtar në fillim të qershorit, por duke folur për parkimet qëllimi është që t’i përgjigjemi një sfide të madhe të këtij zhvillimi që është nevoja për shumë më tepër parkime dhe për një sistem shumë më të pranueshëm të qarkullimit, që ndërkohë ka filluar të japë shenja vështirësie të dukshme.
Kështu që, duke përmendur të gjitha këto dhe pa dashur t’ju marr kohë pjesës më të rëndësishme për të cilën të gjithë ju keni ardhur, ju falënderoj edhe njëherë për këtë prani të madhe dhe jam shumë i kënaqur që kemi arritur që këtu në Shqipëri, në Tiranë, të organizojmë evenimente të këtyre përmasave që celebrojnë krijimtarinë, celebrojnë arkitekturën, celebrojnë zhvillimin dhe ndërkohë janë në sytë e publikut të gjerë edhe përmes mediave që bëjnë transmetimin e tyre live.
Shumë faleminderit edhe njëherë anëtarëve të jurisë dhe suksese të gjitha studiove.