Restaurimi i godinës qendrore të Universitetit të Arteve është në fazën përfundimtare të restaurimit, në kuadër të paktit për Universiteti. Godina qendrore, një objekt i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore garanton tashmë kushte optimale për studentët dhe pedagogët.
Pavarësisht vështirësive të shkaktuara prej pandemisë botërore, restaurimi ka përfunduar brenda afateve të parashikuara. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës Elva Margariti panë nga afër transformimin e godinës, e cila nuk kishte kaluar asnjëherë në një proces të plotë restaurimi. “Përmirësimi i akustikes ndihet jo vetëm në salla, por dhe në ambientet e përbashkëta”, – tha Margariti.
Godina ka pësuar një transformim rrënjësor të tavaneve, ndriçimit, gjithë sistemit mekanik dhe elektrik. “Këtu kemi vendosur projektin që ju prezantua dhe studentëve për Paktin e Universitetit. Në fakt është një punë e realizuar nga studentët e Fakultetit të Arkitekturës, në bashkëpunim me studentët arkitekturës së Universitetit të Genoa. Kanë bërë një studim të të gjithë zonës, jo vetëm të universitetit. Kjo tashmë ka hyrë në fazën e studimit të fizibilitetit të marrëveshjes që kemi bërë për të gjithë hapësirat universitare, jo vetëm për Universitetin e Arteve, por dhe për Qytetin Studenti dhe Akademinë e Rendit”, – u shpreh ministrja Margariti.
Kastriot Çaushi, Rektor i Universitetit të Arteve, u shpreh se në dimër, në këtë godinë mund të hyje vetëm me shall për shkak të kushteve të këqija të saj.
Lidhur me investimin e madh për kampusin, Kryeministri nënvizoi se “të enjten bëmë një mbledhje për investimin e madh që do bëjmë për kampusin dhe tek investimi kemi kampusin lart, pra, gjithë konviktet, zonën e konvikteve, kemi Akademinë e Policisë dhe Akademinë e Arteve. Kemi këto të trjea dhe brenda, ne duam ta bëjmë komplet investimin dhe për atë gjysmë elipsin, po themi dhe për sallën. Brenda vjeshtës besoj do ta fillojmë si investim”. Ndërsa ministrja Margatiti shtoi për këtë projekt se “ideja është që aksi ri i Universitetit që lidhet me stadiumin të krijohet një shesh i madh për aktivitetet. Ky projekt parashikon përveç sallës të vjetër dhe dy salla moderne”.