Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama e zhvendosi sot, ditën e punës, në qarkun e Kukësit.

Ditën e nisi me një vizitë në spitalin rajonal të Kukësit, ku së fundmi janë kryer investime të rëndësishme në infrastrukturën spitalore, në teknologji dhe pajisje ekzaminuese. Qytetarët e Kukësit përfitojnë tashmë kujdes shëndetësor më të mirë, falë kapaciteteve të përmirësuara pas instalimit të pajisjeve të reja, ku përfshihen EKG-ja, Monitorët, Aspiratorët dhe ECHO zemre në urgjencën e spitalit rajonal, si dhe falë shërbimit të telemjekësisë. Instalimi i telemjekësisë, mundëson konsulta më të specializuara në kohë reale nga ekipet mjekësore të QSUT-së, çka ofron edhe një mundësi për edukimin e mjekëve në distancë. Po ashtu, në këtë spital është shtuar edhe një shërbim i ri falas, ai i mamografisë.

Përmirësimet teknologjike do të sjellin rritje të cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve. Sipas Kryeministrit, qytetarët e Kukësit, të Tropojës dhe zonave përreth këtej e tutje do të mund ta marrin shërbimin e nevojshëm në vend, pa iu dashur t’i drejtohen Tiranës.

“Kujdesi shëndetësor për qytetarët e Kukësit, nëpërmjet telemjekësisë, lehtëson shumë pacientët dhe familjet, sepse janë 70% të rasteve që deri dje do të shkonin në Tiranë, sot falë këtij shërbimi, përgjigjen që do ta merrnin në Tiranë e marrin drejtpërdrejtë këtu.”

Një nga çështjet më të mprehta që mori zgjidhjen më të parë nga qeveria, për Kryeministrin, është furnizimi me barna i spitaleve, që tashmë mund të konsiderohet një detyrë e kryer.

“Jemi në kushte të përmirësuara, duke filluar që nga furnizimi me barna që, siç edhe ju e dini më mirë sepse keni përditë këtë punë, është sot i garantuar, ndryshe nga çka ndodhte deri 18 muaj më parë. Për më tepër, unë jam shumë, shumë i inkurajuar nga fakti që për të njëjtën sasi barnash që janë vendosur në treg nga 2013-ta dhe deri sot, ne kemi kursyer 70 milionë dollarë. Duke ulur çmimin ashtu siç jemi zotuar, por edhe duke bërë që jo vetëm të përfitojnë ata që i blejnë këto barna, por edhe ne të kemi një sasi shumë të konsiderueshme parash për fondin e rimbursimit të barnave dhe për të furnizuar spitalet. Kemi shlyer 40 milionë dollarë të prapambetura, që ishin borxhe të të gjithë sistemit të spitaleve dhe që çuan në atë bllokimin e tmerrshme të 2013-ës, kur furnitorët nuk pranonin më të jepnin ilaçe për shkak se kishin nevojë për të marrë mbrapsht paratë.”

Investimet në spitale do të vazhdojnë edhe në sallat kirurgjikale.

32 milionë euro të tjerë do të investohen në gjysmën e dytë të vitit për fuqizimin e sistemit spitalor. Edhe në shëndetësi kthesa ka filluar dhe jemi në drejtimin e duhur, nënvizoi Kryeministri, jo vetëm sa i përket transformimit të sistemit, por dhe të mbështetjes së punonjësve të këtij sektori.

“Jemi në drejtimin e duhur. Nga 13.478 infermiere, infermierë dhe punonjës teknikë janë paguar 4 milionë dollarë më pak taksa dhe janë 4 milionë dollarë që janë shpërndarë në buxhetet familjare të kësaj kategorie, që është kategoria që ka përfituar drejtpërdrejtë dhe me të drejtë më shumë nga taksimi i ndershëm. Ashtu sikundër, 3.234 mjekë kanë paguar 620 mijë dollarë më pak taksa, sepse edhe për ta ka pasur një ulje të taksimit të pagës.”

Të gjitha këto, nënvizoi Kryeministri, janë një arsye për të besuar se puna që filloi me ndaljen e kësaj hemorragjie të tmerrshme që kishte sistemi do të transformojë thellësisht sistemim shëndetësor në vend.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.