Fjala e Kryeministrit Edi Rama në shpalljen e garës ndërkombëtare për projektin inxhinierik të Tunelit të Llogarasë:
Më vjen shumë mirë që jemi përsëri këtu për një tjetër projekt me rëndësi strategjike, që është Tuneli i Llogarasë. Një vepër e imagjinuar dhe e përfolur me dekada të tëra, e premtuar rëndom në çdo fushatë elektorale pas rënies së komunizmit dhe asnjëherë e materializuar për 1001 arsye.
Edhe ne jemi zotuar që ta ndërtojmë Tunelin e Llogarasë. Sot jemi në fillim të kurorëzimit të procesit që do të çojë në mbajtjen e këtij zotimi.
Bëhet fjalë për një zonë që ka një rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik, por edhe për imazhin e Shqipërisë në botë. Një zone, ku interesi është i gjithanshëm, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për një natyrë të mrekullueshme dhe për një klimë të mrekullueshme, në kushtet e sezonit turistik të verës, por bëhet fjalë dhe për një zonë me histori, me trashëgimi kulturore dhe me shumëçka tjetër që sot e gjithë ditën mbetet një thesar i pazbuluar.
Bëhet fjalë për një zonë që gjendet në librin e Jul Cezarit, ku ai shkruan se në mesditën e 5 janarit, kishte zbarkuar midis shkëmbinjve Akrokeraun dhe vendeve të rrezikshme në vendin që quhej Paleste, pra në Palasë.
E them me shumë krenari që ne sot jemi gati të materializojmë këtë projekt, i cili do të krijojë një akses krejt tjetër drejt zonës. Natyrisht, do të shërbejë si një katalizator shumë i fuqishëm i zhvillimit të turizmit në të gjithë rivierën joniane.
E kemi parë dhe përjetuar shumë herë nga kontaktet tona me investitorët e huaj, shumë të interesuar për të investuar në turizëm, sidomos pasi ne krijuam një paketë ligjore agresive, pikërisht për të tërhequr investitorët e huaj, se në fund, biseda gjithmonë mbyllet me distancën mes vendit ku synohet të bëhet një investim dhe aeroportit më të afërt. Përtej faktit që aeroporti i afërt me zonën do të ndërtohet, Aeroporti i Vlorës, përtej faktit që një tjetër aeroport shumë herë i përfolur edhe ai do të ndërtohet, ai i Sarandës, – kyçi mbetet Llogaraja, për shkak se distanca zgjatet dhe jo vetëm zgjatet si kohë, por zgjatet dhe si vështirësi për hir të së vërtetës, në segmentin që e njohim të gjithë që gjarpëron për të kapërcyer malet e Llogarasë.
Janë bërë të gjitha analizat. Është bërë një punë mbresëlënëse nga ministrja dhe nga stafi i saj teknik për të matur të gjithë parametrat e nevojshëm, që lidhen dhe me fizibilitetin e këtij projekti. Janë eksploruar dhe ezauruar dhe rrugët e mundshme të realizimit të projektit me investime të huaja apo partneritet publik – privat dhe është rënë në fund në konkluzionin se rruga më e mire është që ky projekt të udhëhiqet dhe të çohet deri në fund nga vetë qeveria e të financohet nga buxheti i shtetit.
Projekti, siç e tha ministrja, do të detajohet imtësisht në një proces që do të jetë i hapur, ndërkombëtar, ku do të përzgjidhet sigurisht një kompani e huaj me eksperiencë në këtë fushë dhe pastaj përsëri, do të hidhet në një garë ndërkombëtare për të siguruar realizimin e tij sa më mirë. Por e rëndësishme është e para.
E dyta është më pak e rëndësishme, sepse ne kemi kompani vendase që kanë të gjitha kapacitetet, tanimë kanë dhe eksperiencën, për të ndërtuar vepra komplekse dhe natyrisht edhe Tunelin e Llogarasë.
Ajo që është e rëndësishme është që të kemi në dorë një projekt serioz, të detajuar dhe me të gjitha standardet, për të mos u gjendur, siç u gjendëm në mandatin e parë të qeverisjes kur jo vetëm i gjetëm të gjitha rrugët të lëna rrugëve, por vazhdimi dhe përfundimi i rrugëve që i gjetëm rrugëve, lidhej gjithmonë me projekte skandaloze, gjë që na ka humbur shumë kohë, gjë që i ka kushtuar shumëfish publikut dhe buxhetit të shtetit, gjë që na ka detyruar t’i rikthehemi vetë projekteve.
Është një koleksion i mirëfilltë dokumentacioni, që unë dëshiroj që të kthehet në një album dhe e kam diskutuar këtë edhe me ministren, për se si nuk duhen bërë punët. Një album që duhet të jetë në arkivin e të gjithë autoriteteve që merren me infrastrukturën e që duhet t’i shërbejë çdo qeverie në të ardhmen për të mësuar se si nuk bëhen punët, se si nuk shpenzohen paratë publike në veprat e infrastrukturës, se si del shumë herë më shtrenjtë e shumë herë më gjatë rruga e shkurtër kur thotë populli.
Në atë album, në atë koleksion dokumentacionesh të paimagjinueshme, ka shembuj që do të meritonin medalje për festivale komedish, ku njëri nga më epikët është shembulli i një ure, projektit të rrugës Qukës – Qafë Plloçë, ku diferenca mes njërës anë dhe anës tjetër të urës që duhet të lidhë dy rrëpira, ishte 17 metra. Pra, nëse do të realizohej siç ishte projektuar, do të ishte ura e parë në historinë e planetit që do t’i ngjante një strukture të akuaparqeve ku kush vinte nga lart duhet të rrëshqiste për poshtë e kush ishte poshtë, për t’u ngjitur lart do ta kishte të pamundur t’ia dilte deri në fund. Do të ishte sprova më e madhe për të vënë në dyshim të gjitha reklamat për Mercedesin, Audin, Volksvagenin, që ne i shohim, Citroenin, e mbase të vetmet makina që do t’ia dilnin deri lart do të ishin Gazi Sovjetik dhe Gazi Kinez, por që sot konsiderohen specie të zhdukura.
Dua të nënvizoj se Tuneli i Llogarasë është pjesë e një mozaiku, e një vizioni strategjik zhvillimi dhe një zinxhiri projektesh që janë ndërtuar në bazë të një vizioni, jo hajde të hapim një rrugë këtu, hajde të shtrojmë një rrugë atje, hajde të hedhim çakull andej, hajde të marrim vota këtej, hajde të bëjmë një kthesë atje se aty janë ca tanët. Hajde të devijojmë nga ana tjetër se mos prishim shtëpitë e ca të tanëve e kështu me radhë. E, ky mozaik, ka brenda të gjithë elementët e një tërësie që po merr formë hap pas hapi. Që nga Aeroporti i Vlorës që është qendra e gravitetit të këtij vizioni strategjik, tek zhvillimi vijës bregdetare të qytetit të Vlorës që sot po shtrihet në një segment të dytë e së shpejti fillon një segment të tretë, që kapërcen atë pikën ndarëse mes qytetit siç e njohim dhe pjesës tjetër, duke shkuar deri në Rradhimë, me një gjurmë rruge, e cila do të marrë një formë të re në një pjesë të saj, për të krijuar një vazhdimësi të Lungomares në një pjesë tjetër dhe për ta kthyer gjithë pellgun e mrekullueshëm natyror të Rradhimës, në një hapësirë zhvillimi të qëndrueshëm dhe për të sjellë sens në ecurinë e mëtejshëm të investimeve në atë zonë ku për fat të keq është ndërtuar keq dhe është ndërtuar pa një vizion të tërësishëm vit pas viti.
Vijmë tek segmenti që faktikisht lidh këtë aks që thashë me Tunelin, që është rruga Orikum-Dukat dhe pastaj më pas me investimet e bëra në fshatrat e bregut që do vazhdojnë patjetër edhe më tej, investimet e bëra në zonat ku ka aktivitet turistik pranë bregut që do vazhdojnë dhe më tej. Po punohet për planin e zhvillimit në disa segmente, duke filluar nga një projekt që do urbanizojë e do qetësojë nga pikëpamja urbane gjithë bregun e Orikumit me një shëtitore dhe me një aks lëvizjeje të standardeve siç dimë t’i bëjmë ne, deri poshtë në Borsh dhe ndërkohë që aktualisht po punohet në shëtitoren e Sarandës dhe më tutje do të vazhdojmë me realizimin e projektit që po bëhet aktualisht për Ksamilin, duke krijuar një lidhje tërësore të të gjithë kësaj zone.
Nuk dua të lë pa përmendur Bypassin e Vlorës, ku faktikisht ka nisur asfaltimi pas një historie dhe një odiseje të pafundme edhe aty për shkak të projektit. Një projekt që kalonte në varreza dhe që nënkuptonte që rruga e zhvillimit të kalonte mbi trupat e të vdekurve. Faktikisht kur të shkonin për të nderuar në ndonjë ditë përkujtimore apo për të kujtuar të dashurit e tyre, familjarët duhet të niseshin sipas atij projekti me një karvan fuoristradash dhe të ndalonin në atë pikë të autostradës ku prezumohej se nën asfalt ishte varri i të dashurit të tyre. E them këtë për t’ju thënë që, për të spostuar një aks rruge të projektuar, të kontratuar nga varrezat në një shteg tjetër është një histori e tërë që lidhet pastaj me ridizenjimin, me shpronësime edhe kështu me radhë.
Me Bypassin e Fierit që, tanimë është edhe ajo një odise edhe ajo e përfunduar dhe me projektin e ri që është xhevahiri më i madh i kurorës së gjithë këtyre projekteve të njëpasnjëshme që do të fillojnë të investohen, korridori adriatiko-jonian nga Miloti në Fier, duke kaluar përmes Thumanës dhe Rrogozhinës dhe më tutje, duke u lidhur me Shëngjin-Velipojën për të kaluar nga ana më panoramike e bregut Adriatik drejt Malit të Zi, – besoj që kryejmë një kapërcim epokal për Shqipërinë turistike dhe për ekonominë e gjithë këtyre territoreve. Flasim për punësim në turizëm dhe me të drejtë flasim, por mjafton një shifër e dhënë edhe nga ministrja që Tuneli rrit me11 mijë numrin e vendeve të punës, për të kuptuar se sa i rëndësishëm është aksesi infrastrukturor për të krijuar edhe vendet e punës, jo vetëm për të krijuar kushte për një lëvizje më të shpejtë e më të sigurt.
Në fund fare është siguria. Të gjitha këto vepra janë krejt ndryshe të ndërtuara nga rrugët e lëna rrugëve, sepse janë vepra të ndërtuara mbi standarde komplet të tjera sigurie. Kemi pasur një dështim të dhimbshëm lidhur me një investim të rëndësishëm, i huaj, që duhet të kishte ndodhur direkt në zonën e rivierës joniane dhe pika më e fortë e refuzimit të investitorit ishte rrëpira e Llogarasë. Në rrëpirën e Llogarasë gjyshi im fitonte gara me makina me këta shoferët e konsullatave, por ajo është një rrëpirë e bërë për shoferë që duan të provojnë sa të gjatë e kanë jetën, jo për turistë që vijnë për t’u qetësuar dhe për të ushqyer me energji pozitive veten dhe jetën e tyre.
Dua t’ju them në radhë të parë të gjithë qytetarëve të zonës, të Vlorës dhe të gjithë qarkut të Vlorës, nga Vlora deri në Sarandë dhe pastaj qytetarëve të të gjithë Shqipërisë se ka shumë ende për të bërë, padiskutim, për Vlorën për bregdetin jonian, por mjafton të kthejmë pak kokën mbrapa për të kujtuar se ndërkohë që sot flasim për vepra të komplikuara nga pikëpamja inxhinierike dhe nga pikëpamja financiare, dje dhe jo dje para 100 vjetësh, por dje, përpara 5-6 vjetësh, në Vlorë hyhej fshehurazi, dmth një qytet që konsiderohej me të drejtë portë hyrëse në Shqipëri dhe ku kanë hyrë e kanë dalë figura të historisë, duke filluar që ng Jul Cezari, ishte një qytet ku hyhej fshehurazi, dmth në një kthesë ku realisht futeshe në psikozën e ilegalitetit dhe duhet të kapërceje gropa në terr dhe pastaj duhet të merrje frymë i qetësuar që dole gjallë kur shikoje drita.
Sot jemi në një situatë krejt tjetër!
Sot Vlora dhe ajo zonë është bërë një atraksion shumë më i madh.
Sot fshatrat e braktisur të jugut po rijetëzohen dhe shumë shpejt do të jenë resorte të mirëfillta të një turizmi të nivelit të lartë si rezultat i trasformimit që ka ndodhur dhe i bukurisë e hijeshisë që i’u është rikthyer. Gjithë ky korridor që po ndërtohet hap pas hapi, do të bëjë që shumë vizitorë, shumë turistë, në radhë të parë turistët nga Kosova, të cilët jo më kot dhe jo rastësisht kanë në familjet e tyre shumë vajza me emrin Vlora do ta kenë shumë më të lehtë ta mendojnë se përveç destinacionit të menjëhershëm, që është bregdeti i Adriatikut, ka dhe një destinacion tjetër që është bregdeti i Jonit. Por, në kushtet e një infrastrukture si kjo që kemi pasur dhe kemi trashëguar, i bie që të sakrifikosh dy ditë rrugë për të bërë pushime për të ardhur nga Prishtina, për të shkuar në bregdetin jonian e për t’u kthyer në Prishtinë dhe dy ditë për të marrë veten. Pra, të vish për pushime dhe të të duhet një ditë pasi ke ardhur për të marrë veten dhe të kthehesh nga pushimet dhe të të duket sikur ke dalë nga një ring boksi dhe të të duhet dhe një ditë tjetër për të marrë veten.
Faleminderit shumë!