Fjala e Kryeministri Edi Rama në inaugurimin e hotelit me 5 yje në Golem, Durrës:
Më vjen shumë mirë që më jepet mundësia të jem këtu sot bashkë me ju, për të përgëzuar investitorët kurajozë të kësaj dallëndysheje të parë, si një hotel me 5 yje të të gjitha standardeve ndërkombëtare, në bregdetin e Golemit, por njëkohësisht edhe për të inkurajuar të tjerët që të ecin sa më shpejt në këtë rrugë, ku shembulli i këtij hoteli flet vetë, qoftë për nga interesi i turistëve, – sepse sikundër edhe u informova është i prenotuar përgjatë gjithë sezonit, – qoftë për nga vlera e shtuar që sjell në ekonominë e vetë investitorëve, por dhe në ekonominë lokale edhe kombëtare, qoftë për nga punësimi që sjell, – mbi 200 të punësuar në një vend, që në metra katrorë është sidoqoftë një vend i vogël, – flasin vetë për arsyen pse ne jemi nxitur që të shkojmë drejt një legjislacioni shumë mbështetës për investimet në hotelet me 4 dhe me 5 yje, të cilat sjellin vlerë të shtuar, sjellin shumë më tepër punësim dhe patjetër transformojnë edhe imazhin e vendit në sytë e të gjithë tyre që vijnë drejt Shqipërisë.
Ne po hyjmë në një sezon turistik që ka disa veçori. Këto, qoftë për nga pikëpamja e interesit të shtuar për Shqipërinë, që dita-ditës por shndërrohet, nga një destinacion i panjohur dhe i pazbuluar, në një pikë referimi gjithmonë e më tërheqëse për turistët e huaj, qoftë në aspektin e organizmit që ne kemi bërë, që duke nxjerrë mësime nga vitet e shkuara dhe duke parë dhe eksperiencat e mira dhe praktikat e mira të fqinjëve apo më gjerë, krijon mundësinë që gjatë këtij sezoni të ketë shumë risi; si nga aspekti i sigurisë, si nga aspekti i shërbimeve publike për turistët, si nga aspekti i mundësive për më shumë argëtim, duke u përpjekur ta shtrijmë hapësirën e zhvillimit të pushimeve përtej hotelit dhe bregut të detit dhe restorantit, në pika të tjera referimi, siç janë festat e traditës për të cilat foli ministri, siç janë zonat e trashëgimisë kulturore, siç janë aktivitetet artistike apo sportive.
Natyrisht që kjo është sprova e parë në këtë drejtim dhe me siguri do kemi shumë për të kuptuar dhe për të mësuar për sezonin e ardhshëm, por është edhe hapja e një kapitulli të ri, në aspektin e organizimit tërësor dhe të bashkëveprimit mes qeverisë dhe sipërmarrjes për të garantuar një sezon sa më tërheqës, sa më të pastër, sa më të sigurtë dhe sa më argëtues për të gjithë ata që zgjedhin Shqipërinë si vendpushimin e tyre të vitit.
Nga ana tjetër, siç e tha dhe parafolësi, – dhe unë ju përgëzoj për këtë investim dhe jam i bindur që do të jetë një krenari për ju që e keni ndërmarrë me kurajë natyrisht, sepse është e lehtë të ndërtosh hotelin e 100, por nuk është aspak e lehtë të marrësh përsipër të ndërtosh hotelin e parë të këtyre standardeve në një bregdet si bregdeti i Durrësit, – ne sot jemi në kushtet e një regjimi krejt të ri për sa i përket taksave për hotelet në tërësi, pra për të gjitha hotelet, sepse kemi ulur në mënyrë të konsiderueshme tatimin mbi vlerën e shtuar, nga standardi 20%, në vetëm 6% . Faktikisht kemi ardhur në nivelin më të ulët në rajon, qoftë për sa i përket stimulimit të ndërtimit të hoteleve të tjera, duke garantuar një 10 vjeçar të përjashtuar nga tatimi i fitimit, me një TVSH vetëm 6%. Shumëkush e konsideron këtë një favor për industrinë e luksit, por në fakt, kjo industri e luksit është dhe industria që sjell më shumë vlerë të shtuar në ekonomi. Është industria që sjell më shumë të ardhura për ekonominë kombëtare dhe që sjell më shumë punësim dhe vende pune të paguara shumë më mirë. Pra nuk është një favor për luksin dhe për ata që kanë mundësi ta shijojnë pushimin në një hotel me 4 apo 5 yje, por është një stimul i fortë për ekonominë kombëtare.
Sëbashku me ministrin e Turizmit ne po shohim në vazhdimësi rritjen e interesit nga ana e investitorëve, qoftë shqiptarë, qoftë të huaj, për t’u përfshirë në këtë nismë të qeverisë për të stimuluar një injeksion të rëndësishëm në ekonomi, përmes investimeve nw hotel me 4 dhe me 5 yje dhe jam i bindur se ky është i pari, por të tjerë do ta ndjekin shumë shpejt. Ashtu sikundër, jam i bindur se shumë shpejt do të shohim në Tiranë, do të shohim në bregdetin e Durrësit, do të shohim përgjatë të gjithë bregdetit tonë, por edhe në të tjera qytete, zhvillimin e strukturave me emra të mirënjohur ndërkombëtarisht me brande që janë në top listën globale të turizmit.
Nga ana tjetër, besoj se, përveç injektimit të rëndësishëm në ekonomi që do të sjellin këto investime do të mund të kemi një rritje të konsiderueshme të punësimit. Për këtë arsye, ne kemi ndërmend të garantojmë dhe një masë tjetër për të siguruar që e gjithë përpjekja që bëjnë sipërmarrjet në këto nivele të larta investimesh për të trajnuar dhe për të pasur burime njerëzore cilësore të mos shkojë dëm dhe të krijohet mundësia përmes mbështetjes së shtetit që këto burime njerëzore të jenë në dispozicion, pra të mos ndodhë që trajnohen, mirëpaguhen dhe pastaj largohen me mbarimin e sezonit.
Kjo do të jetë një masë për të marrë pjesë në kontributet e sigurimeve shoqërore, pra për të çliruar një pjesë të barrës të kompanive në raport me këta punonjës të kualifikuar, ndërkohë që paralelisht ne po punojmë që të nxisim edhe fillimin e një zinxhiri investimesh në agroturizëm.
Besojmë shumë që, paralelisht me zhvillimin e investimeve për hotelet me 4-5 yje, zhvillimi i investimeve në agroturizëm do të sjellë shumë impakt në ekonominë e turizmit, në ekonominë rurale dhe në ekonominë e shumë familjeve në fshat që për momentin ndjehen pa një perspektivë të qartë zhvillimi.
Në të gjitha zonat ku bukuria është e mahnitshme, por izolimi është i fortë dhe ku terreni, aksesi në treg, nuk e mundësojnë pjesëmarrjen e individëve, apo të familjeve në zhvillimin e një bujqësie intensive, është plotësisht e mundur që të krijohet një rrugë tërësisht e re produktive dhe fitimprurëse përmes agroturizmit.
Shumë familje e kanë të pamundur që atë që prodhojnë në zona disi më të largëta ta tregtojnë, ose tregtimi i asaj që prodhojnë është me një kosto aq të lartë sa është thjesht e vetëm mbijetesë. Por është plotësisht e mundur që në vend se këto familje të kërkojnë rrugën për të dalë drejt tregut, në rrugën që i ndan nga tregu, të vijnë turistët tek ata. Ne kemi parë disa shembuj kuptimplotë që janë sot në punë në disa zona të vendit dhe duam t’i shumëfishojmë.
Për këtë arsye, edhe paketa për mbështetjen e agroturizmit, duke ulur tatimin mbi vlerën e shtuan në vetëm 6%, duke ulur tatimin mbi fitimin në vetëm 5% dhe duke financuar projekte bashkërisht, pra me kontributin e drejtpërdrejtë të shtetit përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, është një bazë që të gjithë ata që janë të interesuar të mendojnë dhe të punojnë për të pasur projekte për të cilat ne mund të japim mbështetjen tonë, por është njëkohësisht edhe një bazë për sipërmarrësit më të mëdhenj që të kthejnë sytë nga vendlindja e tyre, që të kthejnë sytë nga bukuritë e këtij vendi në zonat rurale dhe të marrin pjesë në këtë iniciativë.
Iniciativa nuk do të jetë e pakufishme. Pra, të gjithë këto lehtësira do të jenë të garantuara në harkun e vetëm 3 viteve dhe pas 3 vitesh kushdo tjetër që do të investojë në agroturizëm, – me siguri do të ketë shumë të tjerë, – nuk do të ketë më këto lehtësira, kështu që unë do t’iu bëja apel të gjithëve që të nxitojnë dhe të përfitojnë nga këto lehtësira.
Së fundi, për ta mbyllur, besoj që klasifikimi i strukturave akomoduese, rritja e numrit të shtretërve, regjistrimi i të gjithë pjesëve të rrjetit të akomodimit familjar, dhoma, apartamente, shtëpi dhe ndërtimi i këtyre strukturave pastaj me vlerë të shtuar shumë të lartë do të na japin mundësi që, në harkun e këtij mandati qeverisës, ne, realisht, jo vetëm të kemi çelur, por edhe të kemi bërë një progres të konsiderueshëm në një fazë të re të ekonomisë tonë dhe të turizmit në Shqipëri.
Nuk diskutohet që, turizmi është një nga motorët më të fuqishëm të ekonomisë tonë, por me një potencial të jashtëzakonshëm për shumë më tepër dhe jam i bindur që bilanci i të gjithë kësaj pune të madhe përgatitore, por edhe konkrete që ka filluar tani hap pas hapi, në terren do të jetë një bilanc shumë pozitiv që do të na japë mundësi të shikojmë me shumë më tepër optimizëm të ardhmen në funksion të ekonomisë, në funksion të punësimit dhe në funksion të rritjes së cilësisë së burimeve njerëzore, që do të shoqërohet, padiskutim dhe me rritje të pagës reale për të gjithë ata që kontribuojnë në këtë industri, që do të bëhet gjithmonë e më sofistikuar, do të ketë nevojë gjithmonë e më shumë elementë shtesë, sepse vijmë nga një periudhë turizmi bazik dhe ndërkohë jemi në një botë me konkurrencë të jashtëzakonshme.
Sot për sot, shumëkush vjen në Shqipëri për të zbuluar një destinacion të panjohur, por sfida jonë është që sa më shumë nga ata që vijnë, të rikthehen.
Jam i bindur që jemi në rrugë të mbarë për të bërë të mundur rikthimin e tyre.
Shumë faleminderit!