Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama dhe përshëndetja online e Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, në kantierin e ndërtimit të zonës 1 të lagjes së re në Laç, financim i qeverisë turke:

Kryeministri Edi Rama: Mirë se erdhët!
Hoşgeldiniz!

Sot jemi këtu, për të dëshmuar solidaritetin e jashtëzakonshëm që Republika e Turqisë dhe Presidenti Erdogan kanë shprehur që në momentet e para pas fatkeqësisë së madhe të 26 nëntorit të shkuar dhe po ashtu , edhe fjalën e mbajtur të Presidentit dhe të miqve tanë turq, për të nisur nga puna e për ta rilindur zemrën e qytetit të vogël të Laçit me një lagje të re, e cila është e ndarë në dy zona. Njëra zonë, që është dhe zona më e madhe në këtë krah, e cila po ndërtohet nga themelet falë kësaj mbështetjeje dhe zona tjetër, në krahun tjetër që ka nisur me infrastrukturën e do të ndërtohet nga qeveria e Shqipërisë. Por është një lagje, një lagje simbol e duarve të shtrënguara të miqësisë dhe të solidaritetit, e cila do të jetë këtu për kohë që vijnë si dëshmi e kësaj marrdhënieje krejt të veçantë mes dy popujve, dy vendeve dhe dy qeverive tona.

Kujtoj këtu se Turqia ishte pjesë e rrjetit të vendeve mike që jo vetëm u shprehën me fjalë që në momentet e para, por angazhuan menjëherë forca njerëzore dhe burime materiale, për të qenë të pranishëm, kur ende jetë njerëzore kërcënoheshin nga gërmadhat. Kam pasur privilegjin që t’i takoj forcat turke të kërkim-shpëtimit e të shikoj nga afër përkushtimin dhe vetëmohimin me të cilin djemtë e ardhur nga Turqia, për herë të parë në Shqipëri, shpëtuan jetë shqiptare, duke mos lejuar që gërmadhat t’i merrnin me vete. Më pas, Presidenti Erdogan më ka ftuar të jem i pranishëm në vendin mik në një event të madh, në të cilin ka apeluar për solidaritet dhe ka lajmëruar gatishmërinë për ndërtimin e 500 apartamenteve. E menjëherë, së bashku me një tjetër mik të mirë, që e kemi njohur dhe e kemi pasur mundësinë ta vlerësojmë në këto ditë të vështira, ministrin Mehmet Kurum, ne kemi filluar punën, duke u mbështetur tek eksperienca e madhe e agjencisë turke TOKI, duke vënë në komunikim arkitektët, projektuesit.

Më vjen shumë mirë të them që ky projekt, nuk është thjesht një projekt me pallate, me 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, parkime, qendër tregtare e kështu me radhë, por është dhe një projekt që vjen si shprehje respekti për territorin, një projekt që vjen me parametra urbanë miqësorë me territorin dhe një projekt që merr në konsideratë dhe elementë tradicionalë, të përkthyer natyrisht në një arkitekturë bashkëkohore. Edhe për këtë ndjeshmëri dua të falënderoj ministrin në radhë të parë, sepse ka qenë kyç në nxitjen në këtë rrugë të projektit, për të mos pasur thjesht një lagje me pallate të reja, pa asnjë lloj identiteti që mund t’i gjesh kudo në të gjithë lagjet e botës.

Kjo është e rëndësishme, siç është e rëndësishme dhe dua ta theksoj, por në këtë rast, për këtë qytet, për këtë komunitet, besoj se përsëritja nuk është e mërzitshme, që duke ndërtuar këtë lagje të re, ne arritëm të sistemojmë më në fund përroin e vjetër, që ishte një gangrenë në këtë qytet dhe që me rrëmbimin e tij të herë pas hershëm përmbyste në mënyrë sistematike qytetin, dëmtonte në mënyrë sistematike tregtarët e vegjël, banorët dhe praktikisht e bënte në mënyrë sistematike të pajetueshme këtë qytet të vogël.

E vërteta është që ka qenë këmbëngulja epike e kryetares së bashkisë, pastaj edhe kërkesa jonë dhe gatishmëria e ministrit dhe e inxhinierëve me të cilët kemi bashkëpunuar që, pavarësisht se projekti këtu ishte nisur pa e konsideruar nevojën për sistemimin e përroit, ky sistemim të integrohej së bashku me kantierin e projektit. Dua t’i falënderoj në mënyrë të posaçme miqtë tanë për këtë fleksibilitet, pasi kjo natyrisht ka kërkuar një punë ekstra. Më vjen shumë mirë që ndërtimi i kësaj lagjeje të re, i kësaj zemre të re të Laçit do të sjellë me vete dhe një garanci të madhe për mospërmbytjen më asnjëherë të këtij qyteti. Diçka që mund të duket jo fort e rëndësishme kur e dëgjon, por që ka qenë realisht dhe është jetike për këtë komunitet.

Nga ana tjetër më vjen mirë të them këtu, sot, se në ndërkohë, ne kemi vijuar punën për rrjetin e shkollave, të cilat do të rilindin nga fillimi, pasi shkollat e vjetar praktikisht nuk ekzistojnë më. Ka përfunduar shkolla e Gjormit e në ndërkohë janë në proces nisjeje 9 objekte të tjera arsimore.

Nga ana tjetër, nis edhe puna për banesat individuale dhe është në proces edhe puna për meremetimet dhe përforcimet e 180 pallateve për 1500 familje me grantet sipas niveleve të dëmit, të dhëna nga qeveria shqiptare.

Siç e thamë, këtu do ndërtohen 524 apartamente në këtë anë, 200 apartamente të tjera në anën tjetër. Do të kemi një qendër të re, pasi, përveç apartamenteve dhe njësive tregtarë do të ndërtohet godina e re e bashkisë, një nevojë e kahershme, por tanimë e kthyer në imperative pas tërmetit. Do të ndërtohet një tjetër shkollë e re këtu pranë, kopshti, çerdhja. Do të ndërtohet spitali i ri, diku më tutje. Puna edhe për spitalin është në proces, pasi të gjitha procedurat janë përfunduar, kontrata është gati dhe faktikisht do të kemi një pamje krejt të re.

Ndërkohë me kryetaren e bashkisë po punojmë për transformimin e të gjithë rrugës që shkon drejt vendit të shenjtë të Shna Ndout, gjë që me siguri i shërben rritjes së mëtejshëm të gatishmërisë së këtij qyteti për të mikpritur njerëzit e shumtë që vijnë në periudhën e pelegrinazhit. Ajo që unë kam thënë që në krye të herës ka qenë se ky qytet, ata njerëz që janë me shifra marramendëse në ato javë të pelegrinazhit të Shna Ndo thjeshtë t’i shihte të kalonin, të ngjiteshin e të iknin, sepse nuk ofronte asnjë mundësi për të qëndruar, për të kaluar edhe një natë, ndërkohë që me këtë rindërtim, qyteti do të bëhet mikpritës. Me gjithë hapësirat e reja që krijohen, qyteti do të ketë mundësinë që mikpritjen ta ofrojë në funksion të ekonomisë së vetë lokale.

Dua t’i shpreh një falënderim të veçantë kompanisë dhe posaçërisht, drejtuesit të punimeve këtu, me të cilin jam takuar në mënyrë sistematike, dhe i cili i rri punës mbi kokë pa pushim, ndërkohë që kryetarja e bashkisë është shumë e lumtur që puna këtu nuk ndalet. Është një punë pa orar dhe i jep një energji të madhe pozitive gjithë qytetit, pasi është si të thuash rimarrja e ritmit të tik-takeve të zemrës së qytetit. Dua t’i falënderoj të gjithë ata punëtorë, të cilët realisht po bëjnë një punë fantastike.

Ndërkohë që është mbresëlënës kantieri. Ne e kemi ndjekur që në momentin e parë dhe fatkeqësisht, për arsye objektive të lidhura me pandeminë dhe të lidhura dhe me fatkeqësitë natyrore që ranë mbi Turqinë, një tërmet e dy tërmete, ministri nuk e ka patur të mundur të vijë dhe kjo ceremoni nuk ka mundur të ndodhë në momentin e parë, por është realisht një kantier që nga pikëpamja inxhinierie është mbresëlënës dhe nga pikëpamja e cilësisë së realizimit të projektit është mbresëlënës. E për këtë, realisht i shpreh një falënderim të madh kompanisë, inxhinierëve, punëtorëve dhe në mënyrë të veçantë, drejtuesit të kompanisë me të cilin jemi bërë dhe miq dhe kam realisht kënaqësi ta konsideroj një mik të mirë, që është shprehja kuptimplotë këtu, përditë, e asaj miqësie që na ka sjellë deri sot, në këtë ceremoni.

Ministër, realisht faleminderit, sinqerisht mirënjohje! Jam i bindur që kjo që po bëjmë është më shumë sesa një grup i konsiderueshëm banesash. Është më shumë sesa një përgjigje atypëratyshme, në një kohë kaq të vështirë për vendin tonë dhe për popullin tonë, është shprehja kuptimplotë e një vullneti dhe një dëshire për ta fuqizuar dhe për ta ushqyer me akte konkrete solidariteti dhe bashkëpunimi këtë miqësi, për të cilën ne jemi realisht krenarë.

Faleminderit edhe për mundimin për të ardhur deri këtu. Unë e di shumë mirë që ju keni një punë që ka një barrë të madhe, aq më tepër që duhet të adresoni dhe plagë të hapura sëfundmi. Me këtë rast, meqë nuk jemi takuar personalisht, dua dhe unë të shpreh ngushëllime për të gjithë ata familjarë që kanë humbur të dashurit e tyre nga tërmetet që goditën sëfundi Turqinë. Po e mbyll me një anekdotë të jetuar. Kur tërmeti goditi Turqinë, kam pasur disa njerëz që më shkruanin se kjo do të kishte pasoja për projektin dhe se kjo do të bënte që Turqia të mos e kishte më vëmendjen tek ky projekt, pasi kishte fatkeqësinë e vetë për të adresuar. Unë i kam thënë që kjo nuk ndodh asnjëherë, sepse në raport me fatkeqësinë, në raport me nevojën, në raport me marrëdhëniet mes popujve tanë, funksionon siç thotë Kemal Ataturku, i cili shprehet se: “Bota është një organizëm, pjesë e të cilët janë të gjitha kombet e të gjitha kombet, duke qenë pjesë e të njëjtit organizëm, duhet të ndërveprojnë me njëri-tjetrin, pikërisht kur ky organizëm ka nevojë.“

Shumë faleminderit!

*Përshëndetja e Presidentit Recep Tayyip Erdogan: I nderuar miku im!
Të nderuar ministra, të nderuar vëllezërit e mi të çmuar të qytetit të Laçit,
Zonja dhe zotërinj!

Ju përshëndes juve me ndjenjat më të sinqerta dhe më të përzëmërta.

Me rastin e kësaj ceremonie kuptimplotë, ndjej një kënaqësi të madhe që jam me ju dhe nëpërmjet jush, përshëndes të gjithë Shqipërinë dhe të gjithë vëllezërit shqiptarë.
Shqipëria është miku dhe partneri i afërt i Turqisë në Ballkan.

Ne e shohim gëzimin e popullit shqiptar si gëzimin tonë dhe pikëllimin e tij si pikëllimin tonë. Pas tërmeteve që ndodhën në 21 shtator dhe 26 nëntor, i mobilizuam menjëherë mundësitë tona. Pas tërmetit të shtatorit, nëpërmjet Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave, kemi dërguar 4 kamionë me ndihma humanitare. Pas tërmetit të 26 nëntorit, krahas ndihmave, ne ofruam dhe vendosëm të ndërtojmë shtëpi për vëllezërit tanë shqiptarë. Pavarësisht pandemisë COVID-19, nënshkruam në korrik Protokollin e Memorandumit dhe në gusht filluam punimet.

Sot po realizojmë ceremoninë e hedhjes së themeleve për këto banesa, të cilat do të shndërrohen në një strehë të ngrohtë për vëllëzërit tanë shqiptarë. Po realizojmë këtë ceremoni me pjesëmarrjen edhe të ministrit tonë të Mjedisit dhe Urbanizimit dhe shpresoj që ky projekt, që përfshin 522 banesa dhe që do të kushtojë afërsisht 42 milionë euro, të jetë i dobishëm.

Këto shtëpi do të shërbejnë si një shenjë e re e miqësisë Turqi-Shqipëri. Shpresoj që për një fazë të shkurtër dhe faza e parë të mbarojë sa më shpejt dhe që t’i dorëzojmë sa më shpejt vëllëzërve tanë që kanë humbur banesat e tyre nga tërmeti.

Me këtë rast, edhe njëherë për vëllezërit tanë që humbën jetën nga tërmeti, shpresoj mëshirën e Zotit për ta. Familjarëve dhe të afërmve të tyre u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta. E lus Zotin që të na mbrojë nga të gjitha llojet e fatkeqësive dhe katastrofave natyrore, si dhe nga sëmundjet epidemike.

Po ashtu, përshëndes Kryeminstrin Edi Rama. E ndoqa me vëmëndje fjalën e tij dhe personalisht dua ta falenderoj për kontributin që ka dhënë dhe shpresojmë që pasojat e kësaj fatkeqësie t’i kalojmë sa më shpejt. Do sigurohemi që të prekurit të kenë një jetë më të qetë dhe më të sigurtë.

Edhe njëherë, uroj që shtëpitë e ndërtuara nga ne për banorët e Laçit dhe vëllezërit tanë shqiptarë të jenë të dobishme. Uroj që në këto shtëpi të jetoni në paqe dhe me shëndet për një jetë të tërë, së bashku me familjet dhe të dashurit tuaj!

Duke ju uruar Vitin e Ri, dua t’ju përshëndes miqësisht dhe t’ju uroj shëndet!

Ta gëzosh miku im me vlerë, Edi.

Miku im Kurum, bashkë me firmën ndërtuese Albayrak ta ndërtoni sa më shpejt këtë projekt. Duhet ta mbarojmë. I nderuar Kurum në çfarë faze jemi?

Ministri Kurum: Deri tani, i nderuar President, ka mbaruar 10% të ndërtimit. Do Zoti, në gusht të vitit të ardhshëm, siç keni thënë dhe ju, siç keni premtuar dhe siç keni udhëzuar, do t’i mbarojmë njësitë e banimit dhe do t’ua dorëzojmë vëllezërve tanë shqiptarë.

Presidenti Erdogan: Kur thua gusht, për cilin gusht e ke fjalën?

Ministri Kurum: Gushti i vitit 2021.

Presidenti Erdogan: I nderuar Albayrak, në gusht të vitit 2021 do përfundojmë këtu, apo jo? Edi, bëhet fjalë për gusht 2021. Ta gëzoni!

*Përkthim simultan

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.