Nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, Kryeministri Edi Rama uron të gjithë studentët në universitetet shqiptare për Vitin e ri Akademik 2017-2018. Fjala e Kryeministrit në UBT, me rastin e çeljes së Vitit të ri Akademik:
Përshëndetje të gjithëve!
Zgjodhëm ta uronim fillimin e këtij viti të ri universitar për të gjithë studentët dhe studentet e vendit, këtu në këtë Universitet dhe jo rastësisht. Dëshirojmë që në këtë Universitet, ne të vazhdojmë t’i hapim udhë një procesi transformimi, jo vetëm fizik i të gjithë infrastrukturës së universitetit, por transformim themelor në mënyrën e të jetuarit të këtij Universiteti në raport me jetën përtej mureve. Duke dëshiruar që ta shembim murin që e ndan universitetin nga jeta reale, nga fusha për të cilën të gjithë ju këtu keni ardhur të merrni mësime, në mënyrë që të përfitojmë reciprokisht në një proces bashkëpunimi dhe ndërveprimi mes qeverisë dhe universitetit.
Përpara se të hynim në këtë sallë, së bashku me rektorin dhe disa pedagogë vizituam kantierin e hapur në territorin e universiteti. Dëshiroj t’ju them që, pavarësisht se rektori dhe pedagogët janë shumë të kënaqur, unë jam shumë i pakënaqur, sepse besoj se ka ende jashtëzakonisht shumë për të bërë në këtë aspekt. Ata natyrisht janë të kënaqur për aq sa mundësitë kanë qenë, por ne do të krijojmë mundësi të reja. Bindja ime është që territori i këtij universiteti duhet të jetë modeli më i shkëlqyer i një hapësire ku mësohet për të gjithë elementët e kësaj fushe dhe duhet të jetë një oaz i mrekullueshëm, ku natyra, njeriu dhe e gjithë infrastruktura e ndërtuar të jenë në harmoni të plotë, sëbashku. Këto fjalë mund të tingëllojnë si utopi, por unë ju siguroj që studentët që janë sot në vitin e parë do ta shikojnë deri në fund të rrugëtimit të tyre në këtë universitet, që këto fjalë do transformohen në realitet.
Përpara një viti, ne ishim këtu dhe nuk arrija dot t’u besoja syve se çfarë katrahure dhe çfarë hataje ishte kjo hapësirë! Me një ndërhyrje të parë është krijuar një bazë për të vendosur pak rregull dhe për të marrë pak frymë, por ka ende shumë për të bërë. Rektori foli për disa shpronësime, që janë të domosdoshme dhe ne do t’i bëjmë një orë e më parë, sepse këtu nuk duhet të ketë asnjë aktivitet që nuk është në harmoni të plotë me aktivitetin universitar dhe me jetën e shëndetshme studentore.
Këtu nuk mund të ketë më shumë makina se njerëz, edhe pse njerëz ka sa të duash. Këtu nuk mund të jenë makinat që vendosin se kush kalon i pari rrugën. Këtu nuk mund të ketë më shumë kafene se aula dhe klasa. Sot ka më pak, sepse kemi shembur një pjesë të konsiderueshme, por përsëri ka ende disa struktura që ose duhet të shemben, ose duhet t’i kthehen universitetit. Këtu nuk mund të jetë një udhëkryq ku kalojnë edhe studentët, edhe pedagogët, edhe banorët e bashkë me banorët, edhe kafshët shtëpiake. Këtu duhet të ketë vetëm studentë, pedagogë dhe të ftuar prej tyre. Askush nuk mund të hyjë e të dalë këtu, sikur është në një udhëkryq pa rend dhe pa asnjë qetësi.
Nga ana tjetër, jo vetëm sa i takon infrastrukturës fizike, por edhe kushteve të punës së pedagogëve dhe studentëve, sa iu takon laboratorëve dhe teknologjisë së lartë, këtu ka shumë për të bërë dhe ne do t’ju qëndrojmë shumë pranë. Unë do vazhdoj të jem në komunikim me rektorin dhe me pedagogët, por janë të mirëpritur dhe studentët, nëse kanë ide dhe projekte për si mund t’i bëjmë më mirë dhe më shpejt gjërat, në mënyrë që këtë territor ta kthejmë në një oaz ku të bëhen këtu, më parë, gjërat, që pastaj duhet të merren dhe duhet të bëhen në jetën përtej mureve të universitetit.
Ka qenë një kohë, – pedagogët më me eksperiencë besoj e mbajnë mend shumë mirë, – kur ky universitet prodhonte, shiste, pavarësisht se ato që fitonte ia merrnin të tjerët, por ishte një bazë eksperimentale prodhimi dhe shitjeje. Jo vetëm kaq, por prej këtyre merreshin të gjithë rezultatet dhe arritjet e eksperimenteve dhe implementoheshin në jetën e përditshme të bujqve, të fermerëve, të kooperativave etj.. Sot nuk ndodh diçka e tillë dhe është kjo pikërisht ajo që ne duhet të ndryshojmë.
Universiteti Bujqësor i ka të gjitha mundësitë që të bëhet një bazë prodhuese dhe të gjithë potencialet që të bëhet konsulenti më i rëndësishëm strategjik i qeverisë. Ne nuk kemi pse harxhojmë para nga buxheti i shtetit, për të blerë konsulenca në treg. Ne konsulencat mund t’i blejmë këtu. Studentët më të mirë, së bashku me pedagogët mund të angazhohen lehtësisht për t’i dhënë këto konsuelnca dhe sigurisht, për të marrë edhe atë që iu takon nga pikëpamja e shpërblimit financiar. Kjo është jo vetëm e mundshme, por është e domosdoshme. Së bashku, ne do ta bëjmë këtë.
Në këtë territor është vendi i duhur për të hapur rrugë e për të shkuar shumë më larg, sesa çfarë e tashmja na mundëson, për të pasur një vizion të guximshëm, por dhe guximin për t’i shkuar pas atij vizioni. Për t’i shkuar pas e për të bërë të gjitha ato eksperimente, por edhe të gjithë ato hapa, që nuk janë eksperimentalë, sepse i kanë bërë të tjerët para nesh gjetkë, në mënyrë që në këtë territor të kemi një oaz të mrekullueshëm të natyrës së kultivuar nga dora e njeriut dhe një shembull frymëzues për të gjithë ata që merren me bujqësi, me blegtori e me të gjitha fushat apo nënfushat e saj, kaq jetike për ekonominë e vendit, kaq jetike për jetën e njeriut.
Një nga arsyet, pse vajzat dhe djemtë janë skeptikë për të ardhur në këtë universitet, është vetë gjendja fizike dhe situata e hapësirës këtu. Ne këto duhet t’i ndryshojmë dhe do t’i ndryshojmë së bashku, me shpejtësi. Fatkeqësisht janë humbur shumë vite, megjithatë asnjëherë nuk është vonë për të luftuar, për të fituar kohën e humbur. Ne do të mirëpresim çdo projekt dhe çdo kërkesë, edhe të studentëve të universitetit. Studentët më të mirë këtu, por edhe të tjerët nuk kanë pse të presin 5 vjet, që pastaj të shikojnë se çfarë do bëjnë. Mund të fillojnë që tani të bëjnë gjëra konkrete dhe punë konkrete. Mund të jenë që tani, krahas mësimit, edhe pranë fermave, edhe pranë fermerëve, në bashkëpunim me ne, për të krijuar një sinergji mes politikëbërjes, përfituesve të drejtpërdrejtë nga financimet dhe akademisë, dijes shkencore.
Kam shumë besim se gjithçka po them, rezonon me dëshirat tuaja. Natyrisht, nga e thëna në të bërë është gjithmonë në mes një det i tërë, por deti që kemi në mes, midis atyre që dëshirojmë të bëjmë dhe situatës ku jemi në këtë universitet, më besoni, është plotësisht i kapërcyeshëm. Me vizion, kurajo e mbi të gjitha, me durim e vullnet të madh për punë, duke i ndarë detyrat, kush do bëjë çfarë, – natyrisht, shembjet e godinave s’jua kërkoj juve, se i ka qeveria, – do t’i bëjmë të gjitha, ashtu siç duhet. Do ta transformojmë këtë territor në një model, jo vetëm për universitetet e vendit tonë, por më besoni, edhe për universitetet në rajon. Këtu ka hapësirë, këtu ka njerëz që dinë dhe këtu ka vullnet të përbashkët. Çfarë na duhet më shumë se kaq! Asgjë tjetër, mjafton që secili prej nesh të bëjë detyrën e tij.
Sot është dita për të mos i bërë të ndihen keq të tjerët, se nuk është dita e fillimit thjesht të mësimit në këtë universitet, por në të gjitha universitetet e Shqipërisë. Unë dua të përfitoj nga rasti, që nga këtu t’i uroj vërtetë çdo të mirë dhe sukses, pedagogëve e studentëve në të gjitha universitetet. Jam i bindur se, edhe pse jemi vetëm në fillime, kapitulli i ri i Reformës në Arsim ka filluar dhe në vazhdimësi do të japë rezultate dhe produkte konkrete, siç është edhe produkti për të cilin po flasim, transformimi rrënjësor i këtij universiteti në një qendër ekselence, në funksion jo vetëm të krijimit të specialistëve për nesër, por të ekonomisë, të bujqësisë dhe të zhvillimit rural në Shqipëri sot, të transformimit të jetës dhe transformimit të rrugës së mirëqenies për ata që jetojnë në fshat sot, falë dijes.
Një ndër shumë miqtë e rrjetit social pyeste: si ka mundësi që ne jemi kaq të pasur, siç e themi vetë, nga pikëpamja e të gjitha aspekteve që nuk kanë të bëjnë me ne, por kanë të bëjnë me pozicionin ku jemi, me klimën, me burimet tona natyrore, me pasuritë tona mbitokësore dhe përsëri jemi një vend i varfër. Sepse vendet nuk i dallon ajo që kanë, por ajo që dinë. Mund të kesh shumë dhe mund të jesh i varfër, sepse nuk di. Mund të mos kesh fare dhe mund të jesh i pasur, sepse di. Mjafton të vendosim në një tabelë krahasuese, ato që ka ky vend me ato që ka Izraeli, për të kuptuar se në thelb, vendet dallohen nga ajo që dinë, jo nga ajo që kanë. Po ashtu vlen edhe komunitetet e krijuara nga një interes, apo nga një qëllim, siç është edhe komuniteti juaj këtu, apo një komunitet studentësh në një fakultet. Nëse do të investohemi më shumë, për të ditur më shumë dhe mbi të gjitha, nëse do të besojmë më shumë tek ajo që dimë, patjetër që do bëjmë shumë më tepër dhe duke bërë shumë më tepër, do kemi shumë më tepër. Për këtë arsye, ne besojmë shumë se marrëdhënia më e afërt me universitetin në tërësi dhe me këtë universitet në veçanti, përsa i përket sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural, do të na sjellë më shumë të ardhura në tërësi, edhe më shumë të ardhura për fshatin.
Është e pabesueshme sot, që kaq shumë vajza e djem kalojnë nga ky universitet dhe mosha mesatare e ekspertëve që shërbejnë në sektor është tejet e lartë. Ne duam ta fillojmë nga këtu dhe bashkë me ju, duke ftuar pedagogët dhe studentët që të krijojnë grupet e tyre të punës, të punojmë së bashku, për të mësuar nga njëri-tjetri, për të pasur studentë që janë shumë më të gatshëm nesër, të hyjnë në rrugën e tregut, jo thjesht me çfarë kanë parë apo lexuar, por edhe çfarë kanë prekur me dorë në jetën reale. E sigurisht të bëhen të zotët e vetes, jo vetëm për të zëvendësuar ata që janë në rrugën e pensionit në administratën shtetërore, por për t’u bërë të suksesshëm në punën me tokën, në punën me fermerët, në punën pranë qendrave ku prodhohet, përpunohet, shitet. Sepse, pavarësisht se sektori është ende i prapambetur, është 20% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar të vendit. Nuk është e vështirë ta parafytyrosh sa mund të jetë, nëse më shumë dije, më shumë ndërveprim njerëzor dhe më shumë punë e durim investohet në sektor.
Më vjen shumë mirë, që ky vit provoi se Reforma në Arsim është jo vetëm e duhura, por i ka dhënë zgjidhje një prej problemeve më të rënda që kemi pasur për 20 e kusur vite. Problemit të pamundësisë për të marrë në rrugën e hyrjes në universitet, atë që të takon sipas meritës. Deri dje ka qenë e pamundur të imagjinohej dhe jo më të mendohej se mund të ndodhte që çdo vajzë e çdo djalë që synojnë të hyjnë në universitet të gjejë në rrugën e hyrjes në universitet, vendin që i takon bazuar tek ajo që di, që shprehet në mesataren e viteve të shkollës së mesme dhe në rezultatin e Maturës Shtetërore. Ne, sot kemi arritur që secili dhe secila të jenë në vendin e tyre dhe që djali apo vajza e asnjërit prej atyre që sot janë ulur në radhë të parë të mos mund ta parakalojë djalin apo vajzën e një çobani në majë të malit, nëse fëmija i çobanit është me rezultate më të mira. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe një bazë e shkëlqyer për të vazhduar më tutje, sepse ju të gjithë jeni këtu në bazë të meritës tuaj, në bazë të asaj që keni investuar në shkollën e mese dhe tani nuk ju mbetet gjë tjetër, veçse të vazhdoni të investoni për të marrë më tutje atë që meritoni. Për ta merituar atë që dëshironi, ne do bëjmë çmos që ju të keni kushte më të mira.
Unë ju siguroj që sot është hera e dytë, por nuk është e fundit që unë vij këtu. Do të rikthehem përsëri, për të parë sesi do vazhdojmë ta transformojmë të gjithë hapësirën e këtij universiteti, ta bëjmë vërtetë një qendër ekselence dhe një oaz ku të tjerët do të kenë vërtet dëshirë të vijnë për ta vizituar, si një nga pikat më të bukura të kryeqytetit tonë.
Shumë faleminderit të gjithëve!
Suksese në vitin e ri akademik që fillon dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, me qeverinë tonë, me përfitim reciprok. Ne duam nga ju dijet. Ju do merrni nga ne, paratë për atë që do na mësoni.
Shumë faleminderit!