Merr fund pritja dhjetravjeçare e fshatrave të Mirasit në Devoll për ujë të pishëm pa ndërprerje drastike të përditshme. Janë 1200 familje të 9 fshatrave që tashmë do të kenë uji shumë cilësor 24 orë në çezmën e tyre. “Është shtruar 56 kilometra linjë e re e ujësjellësit të cilësisë më të lartë. Ajo që është e rëndësishme është cilësia e ujit oligomineral, që do ta kenë 24 orë banorët”, – shpjegon drejtori i FSHZH-së, Dritan Agolli, gjatë inspektimit që bëri Kryeministri Rama.
Ndërkohë vazhdon puna me projektin për 5 fshatrat e tjerë, për të përmbushur objektivin e 24 orëve ujë në çdo shtëpi të kësaj njësie administrative. “Do të fillojë edhe projekti për 5 fshatra të tjerë dhe në këtë mënyrë, e gjithë njësia administrative e Mirasit do të ketë 24 orë ujë të pijshëm”, – bën me dije deputeti i qarkut Niko Peleshi, ndërsa shton se “u dëgjua edhe zëri i komunitetit për të mos marrë ujë nga një burim që ne e kemi futur tek zonat e mbrojtura, një ujëvarë shumë interesante dhe u gjetën alternativa të tjera. Kështu që edhe pasuria natyrore është ruajtur, edhe është garantuar ujë i bollshëm për ujësjellësin e ri.”