Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Ujëmbledhësi i Tapizës është në ndër 700 projektet e realizuara në bazë të masterplanit Kombëtar të Ujitjes, që tashmë kanë dyfishuar tokën e punueshme në Shqipëri. Ky rezervuar, ku nuk ishte vënë dorë që nga ndërtimi i tij dekada më parë, është një nga veprat më të rëndësishme të sistemit të vaditjes, sepse garanton vaditje të 2500 hektarëve tokë.

Sot, uji shkon në plot sipërfaqe të mbetura djerrë nga thatësira dhe duke ndikuar në rritjen e ndjeshme të prodhimit bujqësor.

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi ishin në digën këtij rezervuar për të parë efikasitetin e kësaj vepre. “Diga për shkak të amortizimit para disa vitesh pothuajse u shkatërrua fare dhe u detyruam që të zbrazej gjithë rezervuari dhe të përforcohej që të mos përmbyste zonën. Vepra do te jetë në kapacitet edhe për sezonin e shirave dhe krijon një ekuilibër shumë të mirë të gjithë pjesës së garantimit të vaditjes së tokave. Ka qenë një vepër shumë e rëndësishëm dhe besoj që kemi bërë një ndërhyrje me rëndësi, jo vetëm për të garantuar vaditjen, por dhe mospërmbytjen”, – u shpreh ministri i Bujqësisë.

Kryeministri Rama e cilësoi këtë ujëmbledhës si një bombë me sahat, e cila mund të përmbyste zonën përreth.  “Kemi mbi 700 projekte vaditje që kanë krijuar një kapitet ujëmbledhës dhe ujë shpërndarës me impakt mijëra e mijëra hektarë tokë që deri dje nuk punoheshin për shkak të mungesës së ujit dhe tani kanë ujë në mënyrë të vazhdueshme”, – u shpreh Kryeministri, teksa shtoi se falë programit të vaditjes ka ndodhur një transformim i jashtëzakonshëm që lidhet me impaktin në prodhimin bujqësor dhe në eksporte.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.