Poliçani do të furnizohet me ujë të pijshëm në 24 orë. Investimi prej 80 milionë lekë për ndërtimin e rrjetit shpërndarës të furnizimit me ujë të qytetit, si dhe rikonstruksionin e stacionit të pompimit dhe linjës së dërgimit, e mundëson këtë. Që prej vitit 1966, që përkon edhe me datën e ndërtimit të ujësjellësit, në rrjet nuk ishte bërë asnjë ndërhyrje, duke shkaktuar për vite të tëra pakënaqësi tek qytetarët për furnizimin e çrregullt me ujë të pijshëm dhe jashtë standardeve.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Poliçanit Adriatik Zotaj, ishte në kantierin e hapur për ndërtimin e ujësjellësit, i cili do të furnizojë me ujë 10 mijë qytetarët e Poliçanit, por edhe të fshatrave.
Kryetari i Bashkisë Adriatik Zotkaj u shpreh se ujësjellësi ka qenë një prej kërkesave kryesore të banorëve, e cila tani ka marrë zgjidhje përfundimtare. “Që nga viti 1966 kur është ndërtuar qyteti, sëbashku me ujësjellësin e Poliçanit, nuk ka patur investim. Me një investim prej 80 milionë lekësh të reja ne do të bëjmë të mundur furnizimin e 10 mijë banorëve, duke e zgjidhur përfundimisht këtë problem, duke e furnizuar me ujë 24 orë, duke e përmirësuar cilësinë e shërbimit, por duke nxjerrë edhe ujësjellësat nga humbja. Rreth këtij segmenti prej 10 km marrin ujë edhe të gjithë fshatrat që janë ngjitur me Beratin. Me këtë investim, ne mbyllim të gjithë gangrenën e madhe që ka qenë edhe kërkesa kryesore për sa i përket investimeve në qytetin e Poliçanit. Falë këtij premtimi të përmbushur u bë e mundur që qytetarët tanë të kenë ujë 24 orë,” – u shpreh Zotkaj.
Me ujësjellësin e ri marrin zgjidhje edhe disa problematika të tjera, siç është ajo e menaxhimit të sistemit dhe garantimi i cilësisë së ujit të pijshëm. “Përves pjesës që ky investim zgjidh njëherë e mirë çështjen e ujit, është edhe çështja e mirëmenaxhimit. Ne po ndërtojmë stacionin e pompimit, nga pompa të vjetra të viteve ‘60-të po vëmë pompa të reja. Me këtë investim, ne pothuajse 1/3 e energjisë elektrike do të mbetet, ndërsa 2/3 i kursejmë. Një tjetër gjë është edhe sistemi i klorifikimit të ujit që rregullon cilësinë e ujit. Nëpërmjet këtij sistemi automatik klorifikimi do të kemi një cilësi më të mirë uji dhe gjithashtu do të vihen matëse tek pjesa e depove, në mënyrë që menaxhimi të jetë edhe më i thjeshtë,”- shpjegoi zëvendësministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Hantin Bonati.