Kristi Llambiri, vetëm 24 vjeç, punëson 12 veta në furrën e bukës dhe punishten e ëmbëlsirave që ka hapur 3 vite më parë, ku sot ka një xhiro vjetore prej 10 milionë lekësh të reja. Këtë fillim viti, me uljen e tatim fitimit, nga 15% në 5%, ai ka vendosur të hapë edhe një dyqan të dytë me prodhimet që mbajnë si markë dhe vetë mbiemrin e tij. Kryeministri Edi Rama vizitoi nga afër biznesin, që spikat në të gjithë lagjen, ku mësoi edhe se dyqani i ri ku Kristi ka vendosur të tregtojë prodhimet e tij do të hapet pikërisht në një nga pikat e mbyllura të basteve që prej këtij fillim viti.
“Kam aktualisht 37 lloje të ndryshme bukësh. Jam munduar t’i mësoj jashtë shtetit, Gjermani, Zvicër, vetëm kam shkuar, kam parë për eksperiencë. E ushtroj këtu aktivitetin. Është punë 24-orëshe. Tani që është bërë taksa 5% pretendoj të hap një në një eurolloto që është këtu te Selvia,” shprehet Kristi.
“Bravo! Nga gropë thithëse për lekët, në furrë buke. Perfekte! Transformim fantastik! Kjo ulje takse do ketë impakt të madh te kjo lloj fashe, pasi është fasha më interesante e biznesit, sepse është midis të voglit dhe të madhit dhe është zona ku bëhen edhe novacionet, ku bëhen gjërat më speciale se me kaq pak sipërfaqe, me kaq pak punonjës, të kesh 100 mijë dollarë xhiro nuk është gjë e vogël,” deklaroi Kryeministri.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj tha se rritja e fashës është një frymëmarrje e madhe për të gjithë biznesin e vogël, i cili lehtësisht mund të kalojë këtë vit në biznes të mesëm.
“Këto janë te ajo gama e bizneseve që përfitojnë nga ulja e taksës nga 15% në 5%. Këta bëjnë pjesë te 91%-shi i të gjithë sipërmarrjes shqiptare që përfitojnë ose 0, ose 5% dhe praktikisht këta janë pulsi i asaj ekonomisë së vogël, që përbën atë shkallën e tranzicionit nga një biznes i vogël në një biznes të mesëm,” tha Ahmetaj.
“Ambicia është ta kthesh në rrjet këtë tani, ta kthesh në markë,” shtoi Kryeministri, duke nxitur sipërmarrësin e ri që të zgjerojë më tej aktivitetin e tij.