Shqipëria turistike, me mundësi të pafundme eksplorimi, e promovuar nga të rinjtë me ide dhe kurajë sipërmarrëse, është ajo çfarë ofron “Albania Adventure”, operatori i specializuar dhe i licensuar ne organizimin e tureve me guida, (Trekking, Hiking, Kayak, Zhytje, Ski Alpinizem, Off Road), si dhe sporteve në natyrë dhe aventurave ekstreme.
Që prej vitit 2014, “Albania Adventure” e përbërë nga një grup të rinjsh, ushtron aktivitetin në turizmin e aventurës, e formalizuar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar. Ky operator ka të certifikuar 6 udhërrëfyes turistikë në kategorinë e specialiteteve të veçantë, ndër të cilët një femër, që është dhe administratore e shoqërisë. Ndërsa në total janë 40 udhërrëfyes turistikë të specialitetit të veçantë.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi ishte sot në mjediset e qendrës së këtij operatori, ku zhvilloi një bisedë me të rinjtë e punësuar aty.
Temeluesi i këtij biznesi dhe njëkohësisht i apasionuari pas sporteve ekstreme Vladimir Dedndreaj shpjegoi mënyrën sesi funksionon operatori, interesin e lartë të turistëve të huaj për Shqipërinë, duke shtuar se ulja e TVSH për turizmin nga 20 % në 6 % do të thotë shumë për biznesin e tij. “Ne kryesisht funksionojmë me website. Njerëzit na shohin, pastaj na kontaktojnë dhe pyesin se çfarë çmimi ne mund t’i japim? Për shumë nga hotelet tatimi që u ul ishte e paparë. Se tashmë japin një çmim më të lirë.”
Ndërkaq Kryeministri shpjegon se ulja e TVSH-së për shërbimin e akomodimit nga shkalla standarde prej 20% në 6%, do të nxisë formalizimin e sektorit dhe do e bëjë turizmin shqiptar më konkurrues në garën e ashpër rajonale për thithjen e turistëve. “Ishim jashtë konkurrence, sepse gjithë rajoni e ka TVSH nën 10%, ne e kishim 20%. Për çdo vend, për çdo klient, për çdo krevat 20% taksë e shtetit ishte shumë. Kjo rriste shumën e informalitetit. Tani ata kërkonin, kanë kërkuar gjithmonë 10%, ne e bëmë 6%.
6% jemi në pikën më të ulët në rajon dhe do të jetë bum i madh edhe për rritjen e klientelës, por dhe për formalizmin e hoteleve, sepse do ta kenë shumë më të thjeshtë t’i deklarojnë të ardhurat, jo të bëjnë hile.”
Për Vladimirin barometri më i mirë që mat interesin në rritje të turistëve është axhenda e aktiviteteve, e cila këtë vit është e tejmbushur. “Nëse në vitet e tjera kishim vështirësi të mbushnim axhendën, sivjet axhenda është plot,” u shpreh ai.
Lehtësi të shumta këtij biznesi i janë ofruar nga Ministria e Ekonomisë, pasi tashmë ata janë në procesin e certifikimit të guidave, i domosdoshëm për të funksionuar si një operator me cilësi të lartë dhe për të tërhequr në këtë mënyrë më shumë turistë. “Ajo që u bë fillimisht është që u nda në QKB regjistrimi midis tur operatorit dhe agjensisë. U certifikuan guidat dhe po bëhet standardizimi i hoteleve. Këto janë 3 proceset e mëdha që po kalon Shqipëria tani. Më pas vendosëm edhe një formë kreditimi të pikëve që këta marrin në një hapësirë kohore prej 2 vjetësh në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve dhe Ministrinë e Çështjeve Sociale dhe të Rinisë. Ka një udhëzim të përbashkët tani. Si mund të pikëzohemi për të qenë guida më profesioniste në të ardhmen. Është për t’u vlerësuar që numri i turistëve në Shqipëri këtë vit ka qenë një bum i paparë, 4 milion e 731 mijë turist, më shumë se 15% krahasuar me vitin e kaluar,” shpjegoi ministrja Ekonomi.
Rilindja Urbane ka rolin e saj të rëndësishëm në atraksionin turistik që ofrojnë zona me rëndësi historike deri dje të lëna në harresë totale dhe gati inekzistente.
“Ajo që është e padiskutueshme është që na ka ndihmuar shumë, e para, ndërhyrja që kemi bërë për t’i dalë në mbrojtje edhe për t’i ripërtërirë pak nga pak gjithë këto parqet e rëndësishme, qoftë natyrore, qoftë arkeologjike. Për shembull, në 24 prill ne hapim Apolloninë. Është bërë restaurimi me rreth 750 mijë euro. Pas 30 vjetësh është vënë dorë. Tani është spektakël. Ka pasur rritje 17.5% të vizitorëve. 17.5% të vizitorëve në 2016 në krahasim me 2015 nuk janë pak. Janë vizitorë që konsumojnë, flenë, kalojnë kohën në këto pika, që kanë të bëjnë të gjitha me programin e Rilindjes Urbane.”
Duke u ndalur tek turizmi malor, një perlë më vetë që ofron natyra shqiptare, Kryeministri theksoi se potencialet për të rritur të ardhurat nga turizmi në përgjithësi janë shumë të mëdha. “Gjithë cfarë këmi kemi bërë me lumin e Valbonës, me ndryshimet në Tropojë që po e kthejmë Tropojën nga një qytet i humbur atje, në një qytet mikpritës, ka sjellë rritjen intesive të investitorëve që shkojnë në Valbonë në fundjavë. Ka filluar intesivisht ndërtimi i bujtinave si dhe transformimi i shtëpive në bujtina. E njëjta gjë ndodh në Malësinë e Madhe, nga Tamara e lartë, deri në Vermosh. Me Thethin, besoj se do ketë një impakt shumë të madh. Ka qenë 1 miliardë e 200 e ca milion të ardhura vitin e kaluar vetëm nga turistët. Kemi potencial për të shkuar në 5 miliardë në vit,” u shpreh Kryeministri.