Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“Tradita shqiptare”, është një sipërmarrje artizanale, e cila prej 15 vitesh operon në treg me dizenjimin dhe qepjen e veshjeve popullore të të gjithë trevave shqiptare, si dhe të produkteve të tjera artizanale. Kryeministri Edi Rama ishte sot vizitor në këtë sipërmarrje, që si shumë të tjera nga 1 janari i këtij viti përfiton uljen e tatim-fitimit, nga 15 në 5%. 

Sipërmarrësja shprehet se puna artizanale është një potencial i vërtetë punësimi. Me lehtësitë fiskale të ofruara, si dhe rritjen e gamës së produkteve, qëllimi i saj kryesor është shtimi i numrit të punonjësve.

“Unë kam 15 vite që merrem me prodhimin e veshjes tradicionale. Teknikisht e kam studiuar vetë nga fillimi deri në fund dhe prodhoj veshje të të gjithë krahinave shqiptare. Por këtu mendova që veshjen tradicionale ta vendos edhe në shërbim të turizmit, mundësisht edhe të të trajnimit të të rinjve për të ndërtuar veshje tradicionale. Kemi shtuar edhe veshje të vjetra, edhe veshje të rindërtuara,  edhe produkte artizanale, por jo vetëm të miat, por të artizanëve nga e gjithë Shqipëria. Jam munduar që t’i prezantoj këtu, sepse duke e ditur sesa i vështirë është artizanati, duke bashkëpunuar dhe duke u mbledhur të gjithë bashkë për ta patur produktin artizanal në një prezantim kaq të mirë, në një vend kaq të mirë, besoj se do t’i rritim dhe vlerat. Vesha tradicionale nga fillimi deri në fund ka 36 procese pune. Duke qenë se vite me radhë kam parë vetë se çfarë vështirësish ka ajo, çfarë vlerash ka ajo, unë them se është një potencial shumë i madh punësimi. Dhe 70 % e produktit artizanal është fuqi punëtore. Sa më shumë ta rrisim vlerën e atij produkti, aq më shumë ka të punësuar,”- shpjegon ajo.

Sipas saj, numri i të punësuarve rrit mundësinë për të zgjeruar praninë në tregun e huaj përmes eksporteve. “Këtu kanë ardhur kërkesa edhe për veshje të huaja si ato greke, norvegjeze, apo nga Kroacia. Ka njerëz që interesohen të bashkëpunojnë. Por ka një ngërç tjetër që për të lidhur kontrata e bashkëpunimit duhet të kesh fuqi punëtore dhe fuqia punëtore zgjat mbi një vit që të nxjerrësh specialistë. Nëse ne do të kishim shumë specialiste për ndërtimin e të gjithë produkteve artizanale, atëherë do të kishim mundësinë e eksportit.”

Përsa i takon trajnimit të punonjësve, Kryeministri e siguron se kanë edhe ndihmën e qeverisë në këtë aspekt, përmes programeve të posaçme. “Ne mund të ndihmojmë me programet e trajnimit. Faktikisht ajo që bëjmë me programet e trajnimit është kjo, që t’ju japim mundësinë që, p.sh, grave me ndihmë ekonomike, të dalin nga ndihma ekonomike dhe pjesën e pagesës plus t’ju jepet juve, në kuptimin që ato ta marrin me punë, ndërkohë të trajnohen deri sa të jenë gati të marrin rrogën.”

Kryeministri thekson se ulja trefish e tatim-fitimit për bizneset me xhiro vjetore 80 deri në 140 milionë lekë do t’i japi një frymëmarrje të re aktivitetit të tyre. “Ulja trefish e taksës synon që gjithë këto biznese në këtë fashë dhe i kemi parë gjatë këtyre ditëve dhe jeni të vetëdijshëm janë biznese me një lloj përmbajtje të sofistikuar, që ndihmojnë shumë për diversifikim, inovacion, për zëra në ekonomi që janë realisht të nevojshëm, të mund të marrin frymë lirisht se taksa 15 % ishte realisht e lartë, por ishte e pamundur më parë për ta ulur. Tani na u krijua mundësia.”

Ndërkohë që sipërmarrja premton se vlerën e kursyer nga ulja e taksës do ta investojë kryesisht në shtimin e punonjësve, të cilët i vlerëson si asetin më të madh që ka. “Me uljen e taksës, atë që unë do të jepja në shtet, do të rris numrin e punonjësve. Pasuria ime më e madhe janë punonjësit. Ato janë me vlerë për mua. Ato më kushtojnë më tepër, por besoj se duke rritur numrin e punonjësve dhe bashkëpunimin me artizanët e tjerë, do të jem më e gatshme të lidh kontrata bashkëpunimi me të huaj dhe shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit.” 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.