Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministri Edi Rama në tryezën për luftën kundër informalitetit në sistemin shëndetësor:

Përshëndetje të gjithëve!

 

Nuk mund të shmangnim në këto ditë të fillimit të operacionit kundër informalitetit këtë takim, pasi besoj se ky operacion do të kishte një moral shumë të cunguar, nëse do të kërkonim formalizimin e biznesit të vogël, përveçse e të gjithë zinxhirit të aktivitetit ekonomik dhe tregtar që e ka zanafillën tek distributorët e mëdhenj, duke kërkuar formalizimin edhe të një dyqani frutash-zarzavatesh, pa kërkuar formalizimin në shërbimin privat shëndetësor, pa kërkuar formalizimin në shërbimin dentar në Republikën e Shqipërisë.

Jam shumë i bindur që nuk është e lehtë, për ne, jo për ju. Por jemi të bindur që është plotësisht e mundur, prandaj besojmë që ky operacion ka si domosdoshmëri edhe komunikimin e vazhdueshëm, intensiv dhe me durim, me të gjithë aktorët më treg, përpara se të gjenden përballë ligjit. Është shumë e rëndësishme që paralelisht me domosdoshmërinë për të forcuar çdo ditë rendin ligjor në ekonomi, të forcojmë vetëdijen se më mirë të paguash atë që të takon, sesa të detyrohesh të paguash shumë më tepër për shkak të kapjes në veprimtari të paligjshme.

Në vetëm gjashtë ditët e para të operacionit, ne kemi marrë të dhëna drithëruese për nivelin real të informalitetit, por dhe shumë inkurajuese, për faktin se potenciali është i jashtëzakonshëm, që të gjithë të marrin atë që i takon dhe secili të fitojë sipas asaj që bën, por të gjithë të marrin mbrapsht, atë që ju takon si qytetarë, nga shteti që duhet të administrojë në funksion të qytetarëve dhe komuniteteve, të ardhurat që i takojnë.

Në vetëm gjashtë ditë, nga data 1 deri më 6 shtator 2015, krahasuar me 1 deri 6 shtator 2014, kuponët kanë shkuar nga 3.9 milionë, në 6.2 milionë dhe vlera e tatueshme ka shkuar nga 68 milionë dollarë, në 82 milionë dollarë. E pa diskutim është vetëm simptoma më e parë e një transformimi organik, që do të na çojë në shifra shumë herë më të pakrahasueshme me njëra tjetrën, në raportet pas operacionit dhe para operacionit.

Marr parasysh faktin që në shëndetësi dhe sidomos në vendet në zhvillim, të gjitha studimet dhe raportet tregojnë që shpenzimet për barnat rriten. Në raportin e fundit për përdorimin botëror të barnave, barnat janë rritur nga 194 miliardë dollarë në 2011, në 375 miliardë dollarë në 2016. Pjesë e kësaj tendence, sigurisht është dhe Shqipëria.

Lufta kundër informalitetit në shëndetësi nuk është luks, por një domosdoshmëri për të bërë të mundur që falë kontributeve që secili i detyrohet shtetit, shteti të investojë shumë më tepër, pasi të ketë shumë më tepër mundësi në shërbimin shëndetësor.

Ky operacion nuk është një luftë ndaj biznesit. As një shtypje e biznesit të vogël, sikundër mund edhe të duket në pamje të parë, përveçse të komentohet në mënyrë të qëllimshme për së prapthi. Është një operacion që synon të bëjë atë që bëhet në çdo vend normal demokratik dhe në një shtet serioz, që çfarë, secili paguan si individ, ta marrë mbrapsht si qytetar. Çfarë individi nxjerr nga xhepi për qëllimet e konsumit, ta marrë mbrapsht në pjesën që i takon si qytetar për qëllimet e komunitetit dhe të cilësisë së jetës jashtë mureve të shtëpisë, për të cilën përgjegjës është shteti.

Shteti nuk mundet që të jetë në lartësinë e përgjegjësisë së tij, në qoftë se arka e shtetit vidhet përditë e përditë, duke devijuar paratë që i takojnë individëve si qytetarë, në kanalet e hajdutërisë, siç i thonë shqip, apo informalitetit.

Nga ana tjetër, deformimi i tregut, tregtimi në kanale të pasigurta të barnave dhe materialeve mjekësore është edhe më shumë sesa hajdutëri. Është krim! Ashtu sikundër është dhe më shumë sesa mungesë përgjegjësie në raport me shtetin, ruajtja e barnave dhe materialeve mjekësore në kushte të papërshtatshme. Kjo mungesë standardesh ka një kosto ekstra, përveçse një kosto financiare. Dhe për këtë, besoj, biem të gjithë dakord.

Prandaj dhe synimi ka qenë qysh ditën e parë dhe vazhdon të jetë që nga fillimi i çdo dite, rritja e transparencës në marrëdhënien mes ofruesve të shërbimit dhe njerëzve në nevojë për shërbimin mjekësor. Kjo marrëdhënie shërbimi është edhe ekonomike. Qoftë fatura, qoftë kuponi tatimor, janë elementë thelbësorë të kësaj marrëdhënieje për të garantuar standarde. Është e gjitha një pamje, pjesët e së cilës nuk mund të qëndrojnë të shkëputura nga njëra-tjetra. Nëse kuponi tatimor përdoret gjerësisht në farmacitë e vendit, s’mund ta themi për shërbimet dentare, s’mund ta themi të njëjtën gjë për ekzaminimet laboratorike apo imazherike.

Jemi të bindur që lufta kundër informalitetit do të sjellë barna dhe materiale mjekësorë më të sigurta, qoftë për nga origjina, qoftë për nga procedurat e vendosjes në treg, qoftë për nga zinxhiri i shpërndarjes, sepse paralelisht me kërkesën për zbatimin e detyrimeve nga të gjithë, ne do të angazhohemi me të gjitha forcat, për të penguar ata që e deformojnë tregun në rrugët e konkurrencës së pandershme, të dëmtojnë ata që i nënshtrohen kuadrit ligjor në sferën e aktivitetit të tyre.

Unë jam i bindur që informaliteti nuk është vepër ekskluzive e aktorëve të tregut. Zinxhiri i informalitetit nuk fillon dhe mbaron vetëm përmes hallkave të një malli që prodhohet, importohet, shpërndahet dhe në fund shitet. Pjesë jetike e këtij zinxhiri janë inspektorët. Janë bashkëpunëtorë aktivë në mbajtjen lidhur të zinxhirit të hajdutërisë. Për këtë arsye, në paketën ligjore kundër informalitetit, që do të kalojë në Kuvend në javët e ardhshme, ndëshkimi për të gjithë ata inspektorë, të cilët fshehin aktivitetin ekonomik apo tregtar që kanë për qëllim të kontrollojnë, apo bashkëpunojnë për të njëjtin qëllim, në funksion të marrjes së ryshfetit, do të ndëshkohen me heqje lirie. Do të ndëshkohen me heqje lirie jo kur të kapen me para në dorë, por kur zona e veprimtarisë së tyre të gjendet e kontaminuar nga ky bashkëpunim.

Unë mund ta kuptoj një shitës në një fshat të largët që shet pa kupon, por nuk mund të kuptoj dot një dyqan apo farmaci që nuk jep kupon në mes të qytetit. Ka vetëm një mundësi, që inspektori përkatës të jetë në librin e pagave të pronarit të farmacisë. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër!

Ashtu sikundër nuk ka asnjë mundësi që në mes të Tiranës, në mes të Vlorës, në mes të Shkodrës, në mes të qyteteve, skllavëria e punës në të zezë të vazhdojë të jetë kaq e pranishme. Duke e konsideruar skllavërinë e punës së zezë një krim, se është krim, paketa e re ligjore ka vetëm një përcaktim, për çdo rast kur në një kompani apo në një aktivitet ekonomik-tregtar zbulohet një skllav, një vajzë, një djalë, një burrë, një grua, që mbahet i lidhur për fyti, që nuk ekziston, por që si një hije punon edhe jashtë orarit, për të marrë një copë bukë. Heqje lirie, për skllavopronarin! Pronarë skllevërish që bëjnë biznes në Shqipëri mund të ketë, por ama do të jenë vetëm ata, të cilët do të kenë një kurajo aq të madhe, sa që për të pasur skllevër ta bëjnë hallall edhe heqjen e lirisë. Është e patolerueshme dhe është e domosdoshme që në këtë operacion, për këto arsye, edhe ata që bëjnë biznes në rrugë ligjore, edhe ata që konsumojnë, që blejnë, edhe inspektorët të jenë bashkë dhe pa as më të voglin dyshim, secili të bëjë detyrën e vet, duke bashkëpunuar që gjithë ushqyesit e këtij kanceri të identifikohen.

Ne po përgatisim edhe një masë tjetër, për të incentivuar denoncimin e çdo skllavi. Ne do të japim honorar, me garancinë e ruajtjes së anonimitetit, për çdo skllav që do të denoncojë skllavopronarin e tij. Ashtu sikundër do të vazhdojmë të inkurajojmë qytetarët, në shembullin e disa qytetarëve që tanimë e kanë bërë këtë gjë, që kur nuk u jepet kupon tatimor, të refuzojnë të paguajnë dhe të denoncojnë abuzuesit. Tek ai kuponi tatimor janë të gjitha mundësitë e pashfrytëzuara për të pasur më shumë çerdhe, më shumë kopshte, më shumë shkolla, më shumë spitale, më shumë shërbime, më shumë infrastrukturë, sepse tek ai kupon tatimor gjendet një sasi parash që i takon shtetit, pra, që i takon çdo qytetari dhe që kush nuk e merr, ia ka falur pronarit.

Unë besoj që informaliteti nuk është vetëm kaq, kur vjen fjala në sferën tuaj. Ashtu sikundër vërejmë një rezultat shumë domethënës tek ecuria e evidentimit të pullave të kontrollit të barnave, që ka sjellë një transformim të të dhënave në raport me më parë. Nëse në 2013-n u emetuan 41 milionë pulla, në 2014-n, kjo shifër u rrit me rreth 8% dhe në shtatë muajt e parë të këtij viti, 15%.

Pra, sasia e parasë që qarkullon jashtë kanaleve formale dhe në gjithë kanalet e hajdutërisë kolektive, t’ia hedhim njëri-tjetrit, është shumë e madhe. Është një sasi parash që nuk shkon për mirëqenien, në fakt, të asnjë fëmije të këtij vendi, as të fëmijëve të atyre që me këto para kanë një jetë më të mirë, sepse harrojnë një gjë, që fëmijëve ia sigurojnë vërtet një jetë më të mirë brenda mureve të shtëpisë, por u lënë jashtë mureve të shtëpisë, një hapësirë të përbashkët pa cilësinë e duhur dhe jo vetëm pa cilësinë e duhur, por me kontrast të madh me cilësinë e jetës që kanë brenda shtëpisë. E kjo çon, – fakt i njohur botërisht, – në nivelin shumë të lartë të traumave psikologjike të fëmijëve të të pasurve në një vend të varfër, në nivelin shumë të lartë të atyre që normalisht konsiderohen fëmijë shumë të mirëedukuar, për shkak të kushteve, që i jepen të gjitha atyre veseve që asnjë lloj prindi nuk do donte t’i kishte brenda mureve të shtëpisë, të mishëruar tek fëmija e vet.

Është një dritëshkurtësi fatale dhe primitive që të mos kuptojmë dhe mos të kuptohet kjo nga ata që kanë më shumë mundësi dhe ata që kanë më shumë mundësi dhe që fitojmë shumë më tepër se të tjerët, të duan të fitojnë edhe atë që i takon të tjerëve, realisht, duke harruar që krijojnë një kontrast shumë të madh midis çfarë kanë brenda shtëpisë për fëmijët e tyre dhe çfarë kanë fëmijët e tyre kur dalin jashtë mureve të shtëpisë. Ndërkohë që, ajo që është jashtë mureve të shtëpisë është pjesa e përbashkët, ku sa më shumë të rritet cilësia e jetës, aq më shumë ekuilibrohet perceptimi i çdo fëmije për jetën, për shoqërinë dhe për botën.

Dua të shtoj po ashtu se gjendja që ne trashëguam në këtë sektor ishte ajo që ishte. Ju e dini më mirë se unë, por që realisht ishte një gjendje lufte, e mirëfilltë, në të gjitha aspektet. Gjendje lufte, me plagë të dukshme dhe të padukshme më shumë se në asnjë sektor tjetër, përjashtuar arsimin. Plagë të dukshme dhe të padukshme në trupin dhe mendjen e njerëzve. Dhe shumë korrupsion. Korrupsion i jashtëzakonshëm!

Askush nuk pretendon dot që në dy vjet, gjithçka është përmbysur. Përkundrazi, besoj që kemi shumë ende për të bërë në luftën kundër korrupsionit në të gjithë hallkat e sistemit të shërbimit shëndetësor, por pa asnjë dyshim, ne kemi vendosmërinë e plotë për ta bërë këtë. Fakti që ne jemi një qeveri që nuk bën asnjë dallim, që nga niveli më i lartë e deri tek niveli më i ulët, kur është fjala për të goditur shfaqjet e korrupsionit dhe që ka vullnetin e plotë për të goditur korrupsionin brenda vetes, është një garanci për qytetarët. Është një garanci edhe që të gjitha ata që bëjnë biznes në këtë vend, sipas rregullave e duan rregulla loje, kanë tek qeveria jonë një aleat shumë të fortë.

Po ashtu, fshehja e të ardhurave nga biznesi, fshehja e të ardhurave nga rroga duhet të jenë vepër penale. Kemi kompani të cilat kanë edhe 100, edhe më shumë se 100 punonjës të regjistruar me 220 mijë lekë. Kujt mendojnë se do vazhdojnë t’ia hedhin?! Me kë mendojnë se do vazhdojnë të tallen?! Me ata që mbajnë në punë dhe u thonë 220 mijë në dritë dhe të tjerat në hije, për të mos paguar asnjë kontribut! Është fshehje e të ardhurave, që do të ndiqet penalisht. Për këtë arsye, edhe në këtë aspekt, ne do ta incentivojmë denoncimin e çdo punonjësi që do të thotë të vërtetën dhe do t’i ruhet anonimiteti. Nuk ka rrugë tjetër. Këtë nuk e bëjmë as për të hyrë në Europë, siç tha ministri, as për të rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit, por në radhë të parë sepse, po nuk bëmë këtë nuk kemi bërë asgjë për fëmijët tanë.

Po nuk bëmë sot, një shtet që të funksionojë në mbrojtje të çdo konsumatori dhe në partneritet me çdokënd që hyn në rrugën e sipërmarrjes me idetë, me vullnetin dhe me punën e tij dhe bën sukses, ne do të humbasim edhe 25 vjet të tjera. Inercia e 25 viteve do të vazhdojë edhe 25 të tjera. Për këtë arsye është e domosdoshme që të kemi mirëkuptimin më të madh me ndaj njëri-tjetrit, mes qeverisë, biznesit, shoqërisë, të kemi mirëkuptimin më të madh, sepse është një betejë shumë e përbashkët.

Unë e di që çdo njeri që merret me politikë e ka në majë të gjuhës “bashkë”, “të gjithë bashkë”, “së bashku”, “do jemi bashkë”, “vetëm bashkë”, por kjo është realisht shumë e përbashkët, sepse çdokush ka në dorë të bëjë konkretisht diçka, jo thjesht të votojë, por ka në dorë që sa herë të duhet të marrë kuponin, të marrë kuponin. E nëse e bëjmë të gjithë këtë, Shqipëria merr një forcë krejtësisht të re; njësoj si një trup ku bëhet një transfuzion i plotë i gjakut.

Nuk po zgjatem me masat e tjera, thjesht dy shifrat e fundit; Kush nuk jep kupon i detyrohet shtetit 5 milionë lekë. Ndërsa kush gjendet me inventare të parregullta, me magazina, me tonelata mallrash të paregjistruara, 100 milionë lekë. Sepse burimi i gjithë kësaj të keqe janë të mëdhenjtë, janë ata që shpërndajnë, që tregtojnë me shumicë, por ama ata që shesin nuk janë të vegjël që ne duam t’i shtypim, por janë pika fundore e një zinxhiri dhe nëse aty ku shitet, nuk merret kuponi, i gjithë zinxhiri e ka devijuar paranë nga rruga për në arkën e shtetit, në rrugën për në xhepin e pronarit.

Ne nuk kemi pse habitemi për penalitetet e larta. Penalitetet e larta janë për ata që shkelin. U bë një debat i madh për semaforin e kuq se pse është kaq e lartë gjoba, u bë një debat shumë i madh për duhanpirjen, pse është kaq i lartë penaliteti. Por mos e shkel semaforin, mos pi cigare në lokal dhe nuk e ke këtë problem, për çfarë shqetësohesh? Shikojini efektet.

Jam i bindur që këto efekte do t’i kemi edhe këtu. Kam shkuar për fushatën e fundit elektorale edhe në pika në mes të pyllit, buzë rrugës, duke shkuar nga një bashki në një bashki në veri dhe kam ndaluar për një kafe. Asnjë që pinte duhan. Jam i bindur që ata njerëz atje nuk kishin frikë nga inspektorët që janë këtu. Se sa të arrijnë inspektorët atje, Shqipëria do të jetë në Bashkimin Europian. Por vetëdija se në qoftë se ndodh, është një kosto shumë e lartë, funksionon. Kam pyetur një pronar të një kafeje të vogël atje dhe me tha “e di që s’do vijnë ndonjëherë, por nuk kam pse luaj me këtë zjarr se, në qoftë se vijnë, unë duhet të paguaj fitimet e gjashtë muajve. E për çfarë? Se njëri do të pijë cigare.” Nuk kemi pse të jemi aspak tolerantë, kur është fjala për një hajdutëri, siç është të vjedhësh shtetin, të vjedhësh tjetrin.

Jam i bindur që edhe bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë, me përfaqësitë tuaja, urdhra ose shoqata është shumë i rëndësishëm, për të kuptuar sesi mund ta qasim informalitetin në disa pika që duket shumë e vështirë, klinikat dentare, për shembull, në një apartament. Por jam i bindur që ndërkohë ka plot njerëz që nuk do të shmangen nga ky detyrim.

Edhe diçka tjetër lidhur me kasën fiskale. Kasa fiskale ka qenë një problem shumë i madh për shumë njerëz, edhe ndër ju që mund ta keni, shumë e shtrenjtë, me një shifër mirëmbajtjeje të lartë dhe me një tjetër shifër shumë më të lartë për atë që ata e quajnë zgjerimi i memories. Pra, në qoftë se rritet volumi i transaksioneve, truri i kasës nuk mban më dhe i duhet shtuar një pjesë e trurit.

Ne besojmë shumë që kjo situatë është e patolerueshme. Ju e dini mirë që kasat janë vendosur si praktikë, nga pikëpamja financiare, para sesa ne të vinim në qeveri. Ne e kemi kontestuar mënyrën sesi është bërë gjithë ai proces, siç e mbani mend. Ajo që është më e keqja është që përveç çmimeve shumë të kripura ka dhe shumë probleme të tjera; Mungesë trajnimesh që e kanë detyrim kompanitë t’i bëjnë, mungesë funksionimi të transferimit të të dhënave në kohë reale.

Për këto arsye, duke pasur parasysh dhe faktin që ata që vrapojnë sot të regjistrohen janë kryesisht biznes i vogël, por duke pasur parasysh edhe faktin që rritja e numrit të kasave do të jetë e lartë, ne i kemi imponuar kompanive një ulje drastike të çmimit. Për të gjithë ata që do të porosisin kasë fiskale nga nesër e mbrapa, kasa nga 330 euro që kushton aktualisht do të jetë 279 euro. Çmimi absolutisht më i ulët në Europë dhe në rajon, për shkak se ndërkohë edhe mundësia për shitje është edhe më e lartë.

Po ashtu kemi bërë një ulje drastike edhe të shërbimit për zgjerimin e memories dhe uljen në një përqindje të caktuar të shërbimeve të tjera si mirëmbajtja e kasës ose një sërë shërbimesh të tjera.

Këto të gjitha janë të vlefshme për të gjithë ata që do ta porosisin kasën nga nesër e tutje. Besoj që është një lehtësim i konsiderueshëm, duke marrë parasysh që çmimet ekzistuese ishin shumë të larta, sidomos për kategori të caktuara. Nuk dua të gënjej, nuk pata parasysh dentistët kur luftuam për të ulur çmimin, edhe pse ata dentistë që tani do të blejnë kasën, do e blejnë më lirë se shitësit e fruta-perimeve poshtë pallatit, por me fat është kjo punë. Kështu që mos i bini me shqelm fatit tuaj, blini kasën, filloni jepni kuponët që të mos ju duhen pastaj, shpenzime të mëdha për marrë avokatë.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.