Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Mbi 11 mijë biznese në të gjithë vendin, nga 1 janari i këtij viti përfitojnë ulje të tatim fitimit nga 15% në vetëm 5%, si rezultat i rritjes së xhiros vjetore nga 8 milionë lekë në 14 milionë lekë. Një lehtësi të tillë nga fillimi i këtij viti e ka përfituar edhe Ziad Brika, i cili tre vite më parë ka hapur një punishte druri në Paskuqan. Kryeministri Edi Rama vizitoi ambientet e këtij biznesi, që ka njohur një rritje në një kohë të shkurtër, por edhe më tepër premton të ndryshojë këtë vit me uljen trefish të tatimit mbi fitimin.

“Ky biznes është hapur në vitin 2016. Dëshira ime për punimin e drurit ka nisur që herët, që fëmijë, nga një i afërmi im që ka punuar në Greqi. E vodha si zanat dhe me anë të ndihmës familjare krijova këtë tani po punoj mirë. Çdo vit kemi pasur rritje, sepse xhiro është tregues i qartë. Xhiroja, vitin e parë kur e kam hapur në 2016-ën ka qenë rreth 2 milionë lekë të reja. Ka vazhduar në 5 milionë vitet pasardhëse. Tani jam aktualisht tek gati 9 milionë lekë. Tani, me uljen e tatim fitimit nga 15% në 5%, automatikisht i bie që unë, paguaja 13.5 milionë lekë tatim, me këtë ulje ulet rreth 9 milionë dhe paguaj rreth 4.5 milionë. Këto lekë, sigurisht do shkojnë në të mirë të punës, mblidhen në arkën tonë,” shprehet Ziadi.

Kryeministri Rama nënvizoi se Shqipëria është i vetmi vend në rajon ku 91% e bizneseve nuk paguajnë më shumë se 5% taksa, gjë e cila, sipas tij, do të stimulojë jo vetëm investimet e brendshme, por edhe hapjen e më shumë vendeve të punës, si dhe rritjen e pagave.

“Janë rreth 11 mijë e diçka më shumë biznese që përfitojnë nga ulja e kësaj takse trefish dhe shkojmë në 91% të bizneseve shqiptare që kanë vetëm 5% taksë, që është një gjë që nuk e ka asnjë vend i rajonit, por që e bëjmë sepse duam të stimulojmë punësimin, duam të stimulojmë këto investimet e brendshme për të marrë një makineri më shumë, për të shtuar një linjë, për të marrë një mjedis më shumë dhe të stimulojmë dhe rritjen e pagave,” u shpreh Kryeministri Rama.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.