Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Unaza Pogradec – deri në lidhjen e saj me aksin nacional në Qafe Plloçë shndërrohet së shpejti në një infrastrukturë moderne, falë nisjes së punimeve për rikonstruksionin e saj, investim i qeverisë prej afro 9 milionë dollarë. Fillimi i rrugës me gjatësi rreth 8 km nis në hyrje të Pogradecit nga Tirana, vazhdon në gjurmën ekzistuese të Unazës së Madhe të qytetit. Në afërsi të fshatit  Zervaske, ajo bashkohet me rrugën e re që është në ndërtim, Qukës-Plloçë,  sipas një gjurme krejt të re që eliminon kthesat e Qafës se Plloçës. Projekti parashikon zgjerimin e rrugës deri në 10 metra, ndërtimin e veprave të artit, ndërtimin e trotuareve në zonat e banuara dhe të gjithë elementet e një rrugë të standardeve europiane.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, inspektuan ecurinë e punimeve në zbatim të këtij projekti. Gjendjen shumë të keqe të rrugës e kanë vuajtur në radhë të parë banorët. “Ne kemi vite që e vuajmë. Na mbyti tymi,” – u shpreh një prej tyre, duke shprehur kështu edhe shqetësimin e përbashkët të të gjithë banorëve.

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci shprehet se modernizimi i kësaj infrastrukture ishte domosdoshmëri jo vetëm për komunitetin,  por edhe biznesin, duke qenë se ajo kalon përgjatë zonës industriale. “Është 8 kilometra e gjatë. Investimi është gati 9 milion dollarë dhe ka dy segmente kryesore. Segmenti i parë është pjesa e unazës së Pogradecit që by-passon gjithë trafikun, 9 metra e gjerë dhe shkon me 2 dhe 3 korsi, me rrugë dhe ndriçim të gjithë pjesës së banuar. Ndërsa segmenti i dytë lehtëson shumë trafikun nga dalja e Pogradecit deri në Qafë Plloçë, e cila e lidh me rrugën e re që po bëhet, Qafë Plloçë – Qukës. E gjitha është me biznese dhe jashtëzakonisht e dëmtuar. Ka nevojë dhe ka një pritshmëri shumë të lartë të gjithë popullatës së kësaj zone që është dhe industriale e zhvilluar, është dhe njëkohësisht e banuar. Në një vit e gjysmë e kemi gati për ta shfrytëzuar,” – shpjegon Beci.

Ndërsa, Kryeministri siguron se ndërtimi i saj do të përmbushë standardet bashkëkohore të infrastrukturës, duke lehtësuar edhe më shumë komunikimin mes qyteteve. “Siç e thoni dhe ju vetë, ka 30 vjet që është copë-copë dhe faktikisht ju këtu sikur jeni 100 vjet larg Pogradecit, kështu që është e rëndësishme që kjo filloi. Për ne ka qënë prioritet që në fillim. Problemi është që gjërat duan pak kohë . Tani ka filluar. Për 18 muaj do të mbarojë  do të jetë me të gjitha standardet.”

Unaza e qytetit deri në Qafë – Plloçë do t’i japë frymëmarrje trafikut veçanërisht të rënduar në disa periudha të vitit që përkojnë me sezonet e pushimeve, verore dhe dimërore, ku janë të shumë vizitorët, vendas e të huaj, që frekuentojnë Pogradecin, Korçën, Dardhën e Voskopojën. Projekti do të trajtojë edhe nga ana urbane një zonë krejtësisht kaotike dhe të degraduar.

Por Kryeministri nuk mundi t’u largohej qytetarëve, pa dëgjuar më parë, siç u shprehën ata, një falenderim.

“Atë që bëre ti pardje, se ka bërë as Perëndia,” – u shpreh një prej tyre, në një bisedë të shkurtër me Kryeministrin:

– Je i kënaqur?

– Shumë i kënaqur!

– Të jesh ti i kënaqur, se ti je në zemrën e PS-së, nga ata që i keni dhënë nisje punës e zemrës së PS-së.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.