Fjala e Kryeministri Edi Rama në seancën e sotme plenare:
Nuk mund të isha kurrë më dakord se sa me parafolësin, sepse është ekzaktësisht siç tha. Dola këtu, thjesht për t’ju kujtuar atyre që kanë pak memorie, ose që ia dalin të mbajnë mend sado pak nga gjithë zhurma e këtij kazani të madh këtu, se çfarë thoshte parafolësi bashkë me të tjerë këtu, vetëm disa javë më parë, kur ne thonim pikërisht këtë: Mos i panikoni në mënyrë krejt artificiale maturantët, mos nxisni ankthe të panevojshme tek prindërit sepse ata të cilët pas raundit të parë menduan se erdhi fundi i botës, në fakt, duhet ta dinin dhe nuk duhet të pengoheshin ta merrnin informacionin siç është që nuk bëhej fjalë të mbeteshin jashtë procesit.
Ekzaktësisht këtë gjë kemi nënvizuar gjatë gjithë kohës. Kuotat e vëna në dispozicion nga universitetet publike do të jenë deri në fund në dispozicion dhe do të plotësohen, me përjashtim të atyre rasteve kur vetë maturantët do të refuzojnë, nëse, teorike kjo.
Ajo që ka ndodhur e që po ndodh është pikërisht kjo. Me një ndryshim shumë të madh, e tani siç ju paralajmërova herën e kaluar, dhe atëherë ishte Jozefina që doli këtu duke qarë me fotografinë e një vajze, që – po të lajmëroj Jozefinë, “e ka fitue” tani shkollën, – po ju paralajmëroj prapë. Mos u nxitoni! Sepse vetëm pas pak ditësh, do të shikoni çfarë ndryshimi thelbësor ka ndodhur dhe çfarë cilësie është garantuar në gjithë këtë proces, pikërisht për shkak të raundeve, të dy raundeve dhe të filtrit që bëhet automatikisht nga sistemi, duke bërë të mundur diçka që deri dje ishte utopi. Që të gjithë ata, të cilët rreshtohen në çdo listë për të filluar jetën universitare, rreshtohen sipas meritës së tyre. Sipas rezultateve të tyre, nga më i miri, një pas një.
Dakord! Ka një shtyrje disa ditore për një arsye shumë të thjeshtë objektive. E ndoshta kjo që sot është një arsye shumë e thjeshtë objektive, vitin e ardhshëm do të adresohet duke e kondensuar procesin, dhe duke lënë më pak kohë për ankimimet, sepse u la shumë kohë këtë herë, sepse ishte hera e parë që testohej sistemi. Sistemi u verifikua në të gjitha rastet e ankimimeve të ishte i saktë. Jo vetëm sepse numri i ankimimeve ishte shumë i ulët, në raport me zhurmën e madhe të kazanit, por edhe për çdo ankimim, përgjigja e sistemit automatike ishte që sistemi ka funksionuar. Që do të thotë se procesi i ankimimeve që u la qëllimisht më i gjatë për të marrë çdo masë në rast se sistemi nuk do të ishte perfekt, nga pikëpamja kompjuterike flas, nuk është më i nevojshëm të shtrihet kështu siç është shtrirë këtë vit.
Kështu që vitin tjetër, ekzaktësisht në datën që fillon shkolla, gjithçka do jetë mbyllur. Këtë herë ka një shfazim disa ditor. E në këtë shfazim disa ditor, ndërkohë, çfarë po ndodh? Të gjitha ato që përmende mbas një jave nuk do jenë ashtu. Do shikosh vetë, do dalësh këtu prapë. Janë të lira. Është e vërtetë! Pra është vërtetimi se sa shumë gënjyet deri dje, kur ju thonit “ikët, mbaruat, mori fund, etj”.
E dyta, do të vërtetohet dhe diçka tjetër, me mbarimin e regjistrimeve, që ata të cilët nuk do kenë plotësuar kuotat, do jenë privatët. Pra do bjeri në tokë, siç ju bien ju zakonisht gjithë hardhitë me rrush gënjeshtrash që mbillni këtu, edhe pretendimi që gjithë ky sistem është ndërtuar që njerëzit të shkojnë tek privatët. Do ta shikoni! Universitetet publike do t’i plotësojnë kuotat e tyre, privatët jo. E ne nuk do hapim rrugë për të bërë një proces, nga ato proceset me të cilat i mësuat ju njerëzit 20 e ca vjet. Procesi do mbarojë, shkolla do fillojë e nuk ka më histori. Se ju jeni njerëz interesantë shumë. Dilni këtu e flisni se ka akoma disa ditë për të plotësuar gjithë kuotat. Ndërkohë, kur qeverisnit ju, fillonin fakultetet me 70 veta, e në janar shkonin 150 veta. Ju kishit një proces permanent regjistrimi. E stresi që i shkakton ky sistem maturantëve, është stresi i konkurrencës. Është stresi i sistemit politik që ne e zgjodhëm 25 vjet përpara po që ju nuk e ndërtuat kurrë. Sepse me Kushtetutë bëmë shtet demokratik, në realitet ju bëtë anarki pa shtet dhe i kthyet universitetet në hapësira të tej mbushura me të reja e të rinj, të cilëve juve ju dhatë iluzionin e një të tashmeje të sigurt, duke ju grabitur të ardhmen dhe rehatuat veten në kolltuk, që mos merreshit me ata të cilët mbeteshin pa shkollë, por duke u thënë, “shkoni atje, e 5 vjet juve mendoni se do bëheni juristë dhe ekonomistë, ne po shohim punët tona se nuk merremi me ju.” E ky sistem, në këtë vit është në vitin e parë të zbatimit të tij. Do bëhet çdo vit edhe më shumë stresues. Do bëhet çdo vit edhe më konkurrues. Do bëhet çdo vit edhe më i vështirë. Nuk do bëhet më i lehtë. Është me qëllim kjo, sepse juve ju shqetëson stresi i ngelësave. Ne na shqetëson e ardhmja e fituesve, e atyre që, që kur hynë në shkollë, ëndërrojnë të bëhen të suksesshëm.
Ne kemi ngritur një sistem për suksesin. Ju ngritët një sistem për ngelësat dhe kështu jemi dhe të ndarë këtu. Një palë që punon për suksesin, një palë tjetër që qan hallin e ngelësave, ju jeni partia e ngelësave. Nuk keni lidhje ju fare me sistemin që normalisht duhet ta përfaqësonit ju të parët, ju Partia Demokratike e Shqipërisë, e dalë nga klithma e brendshme: E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Juve njerëzve ju dhatë iluzionin e Europës, duke iu krijuar shtigje të paimagjinueshme, që nga ndërtimet në Lanë ku Saliu tha ky është lumi që lidh Shqipërinë me Zvicrën dhe në skarpatet e Lanës do bëjmë Zvicrën, tek piramidat me Suden dhe me Vehbiun e Saliun, edhe tek sistemi universitar. Të njëjtën gjë, e njëjta filozofi. Ndërkohë që filozofia jonë është krejt tjetër dhe ne e themi hapur, po, sistemi i hyrjes në universitet nuk kalon nga kioska e dajës dhe diplomat nuk janë qoftet e dajës. Mbaruam, daja është te SHQUPI tani, nuk jep dot më qofte dhe nuk shpërndan dot më indulgjenca për të gjithë ata që medemek ju i mbroni. Brenda datës 27 që është lënë si afat fundor gjithçka do të jetë e mbyllur dhe të gjithë ata që ju besuan ju, ju besuan ju në fillim sepse përputhet stresin e tyre me nevojën tuaj të pangushëllueshme për njerëz të dëshpëruar dhe ju doni që sa më shumë njerëz të dëshpëruar, aq më mirë për ju. Sot, të gjithë ata, të cilët janë të regjistruar mbas raundit të parë, por edhe ata të raundit të dytë dhe këta që po regjistrohen çdo ditë kuptojnë shumë qartë që pse ju nuk duheni dëgjuar.
Po të marr unë telefonin dhe t’ju lexoj ju mesazhe të atyre që kanë hyrë në universitet, pikërisht pasi menduan se nuk kishin asnjë shans, pasi ju dëgjuan juve, – duhet të rrimë deri nesër këtu. Prisni – ose mos prisni s’ka rëndësi, -por brenda datës 27 e gjithë kjo turbullirë e madhe që ju krijuat do të jetë tërësisht e fashitur dhe pastaj do keni punë me ne për të gjitha të vërtetat e cilësisë, fakultet për fakultet.
Do t’ju tregojmë për shembull si ishte cilësia në listën fituese të juridikut kur qeverisnit ju dhe si është cilësia sot, duke u nisur nga rezultatet e maturantëve. Do t’ju tregojmë si ishte cilësia e ekonomikut kur qeverisnit ju dhe si është sot, falë këtij sistemi, si përziheshin tek ju edhe ai me dhjeta edhe ai me 4.1 dhe si uleshin në të njëjtën bankë. Sot nuk ka më kështu.
Sot gjithë lista e studentëve në çdo auditor është listë e krijuar, jo nga partia as nga fisi, as nga leku, as nga shansi qorr, se ishit në fakt qeveria e shanseve qorre ju, por e krijuar vetëm nga rezultati dhe vetëm nga rezultati.
S’ keni asnjë fakt, zero, asnjë fakt ku të tregoni, ja ku e ke, këtu në këtë fakultet është përzier ai që e meriton me atë që nuk e meriton. Rezultatet? Po normal se juve s’ka shifër dhe s’ka statistikë që ju bën të ndërroni mendim.
Flamur, ti detyrën e ke të tundesh mbi kanabis, nuk ke lidhje ti me sistemin universitar, kështu që ti vazhdo tundu Flamur, valvit mbi kanabis. Me sistemin universitar s’ke lidhje ti. Meqë ma the se nuk ishe prezent, po të them, ata të cilët do mbeten me kuota të paplotësuara do jenë pikërisht privatë kështu që Flamur valëvitu mbi kanabis, mos u merr me çështje të tjera se as nuk t’i kanë ngarkuar dhe as nuk i mban dot ti në kurriz. Flamur, tundu mbi kanabis dhe e vetmja gjë që mund të besh është që kuotat e universiteteve përktheji ne tonelata kanabis dhe vazhdo punën, të hash dhe ti përsheshin tënd se përshesh i madh. Kujdes se po ju shtohen njerëzit që do hanë përsheshin tuaj, kështu që luftoni fort të meriton lugën e Saliut se nuk ka lugë për të gjithë ai.
* * *
Replikë me deputeten Jozefina Topalli:
Jozefinë, the çfarë nuk the, por s’të kuptova çfarë the. Aq më tepër s’jam i sigurt që ti e di se çfarë deshe me thënë. Unë fola për fakte, siç fola dhe herës tjetër kur dole këtu me atë fotografinë edhe konkurrove me Tinka Kurtin se me atë je konkurrente tani, – se në PD iku kjo punë, e mori Luli,- dhe në konkurrencën me Tinkën e kam pranuar që je rrotë më rrotë.
Jozefinë, të fola për fakte, të thashë herën e kaluar po gënjen, po abuzon me një njeri fotografinë e së cilës në atë rast, e nxore këtu dhe bëre atë kantilenën tënde të zakonshme dhe nuk deshe të dish deri në fund që po gënjen. Çfarë thash unë sot? Unë isha 100 % dakord me Luçianon. Luçiano çdo javë ka fjalimin e vet për arsimin dhe sipas javës thotë atë që duhet të thotë, jo atë që është për të thënë, por atë që duhet të thotë. Edhe sot Luçiano doli dhe tha: Ja kuotat e lira. Ekzaktësisht atë që i kemi thënë ne që ditën e parë: mos dëgjoni Jozefinën, mos dëgjoni Luçianon, mos dëgjoni PD-në sepse pas raundit të parë do të ketë një raund të dytë. Mbas raundit të dytë do të ketë vetë sistemi një vijë të kuqe që automatikisht do të ulet duke përfshirë sipas të meritës, sipas rezultateve të gjithë ata që e meritojnë të jenë në universitet. Universitetet publike,- thamë ne – kanë këtë numër kuotash dhe ky numër kuotash do të plotësohet. Ta kam thënë Jozefinë edhe herë tjetër. Ti je një nga figurat e pakta këtu që ke një autoritet global edhe flet në mënyrë globale, “Roma, Milano, Vjena”, herës tjetër e kishe me Pekinin. Normal ke bërë diplomaci parlamentare edhe je kryetarja e parlamentit pas Luftës së Dytë Botërore në Europë që ke miljet më të shumta. E jam i bindur se në qoftë se i ke marrë ato milje, ti do të udhëtosh falas gjithë jetën tani. Të thash, tani thua Milano, Roma…Të pyes pak, po në Tiranën tënde dhe të Saliut kur fillonte universiteti? Mund të ma kujtosh pak. Ma thuaj kur fillonte universiteti në Tiranën dhe në Shkodrën “tane”? Bëji një telefon Saliut dhe thuaj të të thotë që fillonte ekzaktësisht në një njëjtën kohë. Sot, universiteti fillon në të njëjtën kohë, por historia e regjistrimeve nuk vazhdon deri në janar. Por në kohën “tane” regjistrimet vazhdonin deri në fund të janarit dhe ju keni realizuar tejkalime normash jashtë çdo lloj imagjinate. E keni filluar me fakultete me 70 vetë dhe keni përfunduar në janar me 140 vetë Jozefinë. A e kupton ndryshimin? E në vend se të dalësh këtu e të më tregosh se sa e shqetësuar je nga fjalori im, ndërkohë që ke kapur një nivel që unë nuk di ta ketë kapur ndonjë kolege e jotja kur kostumit të tjetrit i ke thënë “zhele”. Unë të përmenda vetëm dy fjalë dhe ti përsëris prapë: “kazan” dhe “përshesh”. Ku janë këto fjalë kaq të papërballueshme për ndjeshmërinë e timpanit të veshit tënd? Për më tepër pastaj më vjen shumë keq, por nuk je ngritur këtu dhe të thuash pse po e them, kur unë fjalën “përshesh” ia kam thënë kryetarit të grupit parlamentar të partisë tënde dhe ai në heshtje e ka pranuar që ha përshesh.
Tani në qoftë se ju hani përshesh dhe doni që t’ju quhet antipastë te SHQUP-i para se të vini këtu, ju ashtu quheni, por fjalën “përshesh” ta fusni tek fjalët që iu shqetësojnë, kjo më duket e padrejtë. Është e padrejtë Jozefinë, më beso. E të thashë dhe një që është fakt, jepini forca se po iu shtohen ata që duan të hanë te përsheshi juaj. Kështu që mos u shqetëso se Vjena, Parisi, Roma, etj, që përmende ti dhe që ti e di më mirë se sa të gjithë ne tjerët se kur iu fillojnë shkollat, kur i nisin e i presin avionët, nuk kanë lidhje fare me temën që ne flasim.
Universiteti në kohën tënde, në qeverinë tënde ka filluar në të njëjtën kohë. Tani unë po tërhiqem në vendin tim se këtu ka tjerë që duan të hanë përshesh.
* * *
Tani, po e marr nga mbrapa, nga Flamuri. Flamur, përpara dy javësh, u çua Saliu, – e çove ti në fakt Saliun se ti je ai i terrenit, – dhe bëtë këtu një maskaradë që një shkollë e tërë ishte helmuar nga një tym. Ministri e ftoi ish kryeministrin dhe ish mjekun që të pritej ekspertiza mjekësore. Ish kryeministri dhe ish mjeku tha: “po,do ta presim ekspertizën mjekësore, sepse unë kam shumë respekt për ata mjekë.”
Por informacioni që keni marrë, domethënë që ka marrë Flamuri, thotë kështu e ashtu.
Çfarë dëgjuan dhe çfarë duhet të mendonin të gjithë ata që kanë akoma nge dhe nerva ta ndjekin këtë parlament, kur dëgjuan që një shkollë e tërë u helmua nga tymi i kanabisit që ishte mbledhur tek oborri shkollës. Sigurisht që do mendonin, “o Zot, në çfarë shkollash që i çojmë ne fëmijët!” Por ja që ekspertiza mjekësore, për të cilën vetë ish mjeku dhe ish kryeministri tha, – “po do ta presim sepse për mjekët kam shumë respekt”, – thotë tërësisht atë që u tha këtu nga ministri, në bazë të informacioneve të para.
Prandaj, meqë Jozefina këtu i qau hallin shumë atyre që abuzohen në ndjenjat, në ndjeshmërinë e tyre, në emocionet, në psikikën e tyre për shkak të atyre që thuhen këtu, unë nuk e di se çfarë mund të bëni ju më shumë duke abuzuar çdo të enjte e duke thënë këtu gjëra që janë jo gënjeshtra, por janë shpifje dhe fabrikime kolosale. Arsyeja pse unë dal këtu, nuk është që t’ju bind ju ose t’ju kundërshtoj ju. Se t’ju kundërshtosh ju është kohë e humbur.
Arsyeja pse unë dal këtu është që t’ju vë ju dhe ne përpara njerëzve. E njerëzit janë ata që gjykojnë dhe ata vendosin. Problemi është se sa herë njerëzit janë thirrur për të vendosur, u lodhën duke ju “zhdëpur”, me vota. E ju prapë nuk hiqni dorë. Ju vazhdoni me idenë që shpif – shpif se diçka do mbetet. Me idenë që t’jua nximë jetën sa më shumë këtij populli me thagma, me alarmin e fundit të botës dhe të shohim çfarë do korrim.
Jeni një prezencë këtu që e thoni vetë sa herë merrni fjalën, që ju, po nuk pati një fatkeqësi nuk dini çfarë të thoni. Ju shyqyr që ndodh një fatkeqësi, shyqyr që ndodh një aksident, shyqyr që ndodh diçka e kësaj natyre, që ju vetë të merrni frymë e të vini këtu e të shkarkoheni. Këta jeni ju! Kjo është alternativa juaj! U bëra tre vjet në këtë parlament, nuk mbaj mend një herë një nga ju që të jetë çuar e të ketë thënë, “kjo është keq, ja si duhet bërë”. Vetëm sjellës të fatkeqësisë. Megjithatë kjo është zgjedhja juaj, për mua nuk ka problem. Zgjedhja juaj, vazhdoni kështu, qershori po vjen, e Jozefinë, nuk duhet ta kishte thënë atë që më the. Nuk duhet ta kishe thënë e di pse? Se të kam dëgjuar sa herë, – atëherë nga televizori se nuk isha këtu, – kur i thoje grupit të Partisë Socialiste, “vazhdoni, vazhdoni, por këtë, domethënë Saliun, këtu do ta keni deri në vitin 2024”. Bëre gabim të madh, se ty nuk të dalin këto parashikime Jozefinë. E kur parashikon ti që unë nuk do jem këtu, i bie që këtu do më kesh prapë.
Tani meqë deshe shifra, se më kujton gjithmonë atë shprehjen, “fanatiku jo vetëm nuk ndryshon mendje, por nuk ndryshon as argumente”. Unë të flas me fakte, ti vazhdon kantilenën. I do shifrat Jozefinë? Janë 22.000 aplikantë në sistemin e universitetit publik. (Kush e ktheu?! Presidenti?! Presidenti ka bërë detyrën e tij patriotike në emër të Partisë Demokratike, kjo dihet). Ne flasim këtu për regjistrimet. Është 22.000 numri i aplikantëve, e tani që po flasim, janë 15.022 të regjistruar, që sot janë në auditorë.
Pra, auditorët jo vetëm që nuk janë bosh, por janë 15.022 të regjistruar që nuk duhet t’ia dinë për nder as partisë, as kushëririt, as xhepit të babait, as shansit qorr. 19.165 janë të regjistruar sot në publik dhe në privat. 15.022 në publik dhe 4 143 në privat. Unë as nuk e kam fshehur ndonjëherë, dhe e kam thënë dhe e përsëris me zë të lartë, dhe është turp për ju, Partia Demokratike, e djathta popullore europiane, që kur thoni privat, e thoni me të njëjtën neveri siç thoshte Saliu kur ishte sekretar partie, “kulak”.
Njësoj jeni, thjesht ka ndryshuar “kulaku” me “privatin” si terminologji. Ndërkohë që për ne, si në program, si në reformë, nuk ka asnjë dallim. Janë universitete të kësaj republike që financohen nga shteti ose nga privati. Mirëpo ka një ndryshim të madh sot sistemi i universiteteve private, nga i juaji. Sepse kur ne themi nuk mund të bësh shkollë të lartë me mesatare 6 e poshtë, kjo vlen edhe për privatët. Pra nuk mund të hapin derën e të thonë, “nxirri lekët, futu e nuk ka rëndësi fare, jo mesatarja, por nuk ka rëndësi a ke shkollë të mesme”.
Në sistemin tuaj ishte që “mund të bëhesh me universitet edhe po s’pate shkollë të mesme”.
Janë sot duke u regjistruar çdo ditë ata që janë në radhë sipas meritës me vijën e kuqe, qoftë tek publiku, qoftë tek privati. Ju thoni që ky sistem është bërë që të mos futen dot te publiku dhe të shkojnë te privati. Unë ju them që në fund të këtij procesi do të ngelen shumë më tepër kuota bosh tek privati, sesa tek publiku. Për arsye se ndryshe nga çfarë kujtoni ju, shqiptarët janë të mençur dhe maturantët s’mund t’i trajtoni si budallenj. Ata, jo vetëm që s’kanë dëgjuar fare broçkullat tuaja, por kanë aplikuar në një numër shumë më të madh tek publiku dhe nuk kanë kërkuar tek privati në një numër të atillë që do i mundësonte universitetet private të plotësonin gjithë kuotat e tyre.
Ne nuk kemi ndërmend të hapim shteg për hir të plotësimit të kuotave, duke cenuar cilësinë dhe sa për publik apo privat, po ua them prapë, sipas jush, prindërit që paguajnë taksa për ta mbajtur në këmbë këtë shtet dhe çojnë fëmijët tek privati duhet të jenë qytetarë të dorës së dytë. Sipas jush, ata që shkojnë te privatët nuk janë fëmijët e barabartë të kësaj Republike, ata janë të njerkut, privat, ndërsa këta te publiku janë të nënës Shqipëri.
Kjo është një strapallë, kur thoshte avokati juaj, që nuk e gjen dot, as në qiell, as në tokë e jo më të gjesh te një parti që i thotë vetes e djathtë europiane.
Është habi për mua se si mund të ketë prindër që shkollojnë fëmijët e tyre në universitete private dhe ju votojnë ju, se kuptoj dot si mund të ketë. Ju jeni armiq te deklaruar të universiteteve private dhe çudia e madhe që nuk është çudi fare, që u bëtë armiq kur ato u mbyllën si ndërmarrje fitimprurëse që ndanin paratë me ju, se nuk jetonin atje vetë. Se nuk ka asnjë arsyetim tjetër të mundshëm, – as për persona me inteligjencë relative që keni pasur ju në qeverisje, – që të pranojë universitete private, si ato që latë ju pas, që përvëluan mijëra e mijëra nxënës dhe studentë në vite dhe shkatërruan ëndrrat, – nxënës sepse ishin nxënës përpara se t’i merrnit ju dhe ti fusnit nëpër ato “Vitrinat” – dhe prindërit shkatërruan investimet me atë arsimin tuaj privat.
Ndërkohë që ne e kthejmë arsimin privat në një shërbim publik të standardizuar dhe të monitoruar në bazë të ligjit, në mënyrë të barabartë me arsimin shtetëror, domethënë me universitete publike, – ju bëheni armiq të privatëve, pse?! Për arsyen e thjeshtë sepse ata nuk janë më pjesë, ose ju nuk jeni më pjesë në atë thes mëkatesh në kurriz të, nuk e di sesa mijë studentëve dhe mijëra e mijëra familjeve.
Kujtoni se po na kompleksoni apo se po kapni ndonjë lepur të madh në ferrë duke na thënë ne, që ju mbështesni universitetet private. Ne mbështesim çdo universitet privat që zbaton ligjin dhe plotëson standardet dhe monitorojmë çdo të tillë, duke i detyruar që të mos bëjnë politikë sipas xhepit, por të bëjnë shërbim publik sipas meritës. Janë dy botë këto dhe – nuk ka asnjë çudi që këtu sa herë takohemi, – as kanë lidhje me njëra-tjetrën dhe duhet tani të përplasemi çdo te enjte këtu, për gjëra që Europa dhe bota i kanë zgjidhur para shekujsh.
Unë i them të gjithë prindërve duke përfituar nga mundësia që na dha Flamuri që studentët e rinj të regjistruar me sistemin e ri, janë të parët studentë mbas 25 vjetësh që hyjnë në auditorë falë meritës së tyre dhe falë investimeve të prindërve të tyre.
Kjo është garancia më e madhe se universiteti është kthyer nga merita dhe vit pas viti do të thellojë konkurrencën në funksion të meritës. Nëse këtë vit, 6 ishte kufiri maksimal, ky kufi do vazhdojë të rritet, duke i thënë nxënësve dhe prindërve një gjë krejt të kundërt nga ajo që i thatë ju. Ju i thatë: “E vetmja rrugë është universiteti, e vetmja mënyrë për të jetuar është të keni një diplomë juristi. Ndërkohë që ne ua kemi thënë përpara, atëherë kur nuk ishim në qeveri, ua themi dhe sot që jemi ne qeveri që “jo”, njëra rrugë është universiteti, rruga tjetër është arsimi profesional, që në këtë vend të ketë njerëz, të cilët me zanatin e tyre, jo vetëm mund të sigurojnë një punë të ndershme, por mund të bëjnë biznes të vogël, mund të bëhen dhe sipërmarrës të mëdhenj. E do të shikoni efektin e kësaj reforme që në vend që njerëzit të turren e t’i hedhin paratë për të hapur universitete private, do s’postojnë investimet e tyre gjithmonë e më shumë drejt kolegjeve profesionale, të cilat janë e vetmja rrugë që Shqipëria të bëhet një vend me një krah të kualifikuar pune në nivelin e një vendi që synon të ketë sa më shumë investime të huaja.
Tani unë e di që ju do çoheni këtu do vazhdoni me hashashin. Zonjë, nga të gjitha studimet rreth drogës kanë dalë shumë përfundime, ka dalë dhe një përfundim tjetër, që kush flet shumë e për lumë për drogën fillon e toksikohet. Bëni kujdes se po hyni në një proces toksikimi dhe do t’ju bëhet kaq e zakonshme fjala “hashash” sa ndonjë ditë do thoni: Ta ndezim ndonjë këtu te SHQUP se na duket bota pak më e bukur. Bëni kujdes!