Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“Bashkimi i prodhuesve shqiptarë” është shoqata më e re e krijuar për të përfaqësuar, mbrojtur dhe përmirësuar interesin e përbashkët të prodhuesve shqiptarë që operojnë në vend.

Kryeministri Edi Rama i ftuar në ceremoninë e organizuar me këtë rast, e vlerësoi këtë nisëm si një moment të ri maturie të sipërmarrjes prodhuese, e cila i vjen në ndihmë, jo vetëm sipërmarrësve të angazhuar në këtë bashkim, por dhe vetë punës së qeverisë dhe agjencive shtetërore, të përfshira në procesin e nxitjes së prodhimit vendas.

Kryeministri shprehu gatishmërinë e tij dhe të qeverisë për të ndërvepruar ngushtësisht me shoqatën, përmes krijimit të urave të kontaktit, si mënyra më e mirë për të mbështetur dhe nxitur prodhimin shqiptar. “Nga eksperienca ime në detyrë kam mundur të çmoj vlerën e kontakteve të vazhdueshme me përfaqësues të sipërmarrjes, qoftë të organizuar përmes dhomave, qoftë përmes shoqatave, qoftë edhe në kontakte të drejtpërdrejta sepse janë kontakte nga të cilat mëson shumë dhe kupton shumë. E më lejoni të them se ajo që kam kuptuar më mirë se gjithçka tjetër është se sa shumë kohë mund të fitojmë se bashku për  të mirën e sipërmarrjes dhe për përmirësimin e cilësisë së qeverisjes, nëse krijojmë ura kontakti të vazhdueshëm dhe ndërveprojmë për të çuar përpara proceset e reformave, transformimet e legjislacionit në funksion të lehtësimit sa më shumë të barrës së sipërmarrjes prej peshës së burokracisë dhe prej peshës së një kohe ë nuk ka qënë, aq e gjatë sa për të pasur sipërmarrje të strukturuara më së miri.” – u shpreh kryeministri.

“Bashkimi i prodhuesve shqiptarë” është organizim vullnetar, i themeluar dhe krijuar si një organizatë jo-fitimprurëse.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.