Një vit sa më të mbarë shkollor!”
Me këtë urim, Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot, çdo fëmije dhe nxënësi në mbarë vendin, që ulet për herë të parë, ose rikthehet në shkollë.
Në nisje të ditës së parë të mësimit, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, ishte mes nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë. Kjo shkollë, e klasifikuar ndër vite me performancën dhe rezultatet më të mirë në vend, është pjesë avangardë e një transformimi rrënjësor të shkollës sonë.
120 klasa inteligjente janë çelur këtë vit në shkollat e mesme të vendit, tre nga cilat në gjimnazin “Sami Frashëri”. Kryeministri u ndal në klasën e 10-të, ku po zhvillohej lënda e matematikës dhe për herë të parë i gjithë procesi mësimor është dixhital.
“Jo rastësisht zgjodhëm shkollën “Sami Frashri”, një nga shkollat historikisht pararojë në Shqipëri, që e fillon këtë vit me tre klasa inteligjente nga 120 klasat “inteligjente” që janë çelur në gjimnazet e vendit, me objektivin që deri në çeljen e vitit të ri shkollor 2018-2019 të gjitha klasat e Shqipërisë të jenë të tilla.
Nga oborri i kësaj shkolle besoj se s’ka vend më të përshtatshëm për t’ju uruar një vit të ri të mbarë të gjithë nxënësve dhe të gjithë prindërve, që shohin me shumë dhembshuri dhe me shumë ëndrra e shpresa fëmijët e tyre,” – u shpreh Kryeministri.
“Unë shpresoj shumë, – ju drejtua nxënësve, Kryeministri, në një bisedë të lirshme me ta, – që ju të jeni një shembull i shkëlqyer për vënien në jetë të këtij programi të ri. Ju jeni të parët që filloni me klasat inteligjente. Jam i bindur jo vetëm do mësoni shumë nga kjo përvojë, por edhe mësueset që do punojnë me ju do mësojnë shumë.”
Mes nxënësve, Kryeministri takoi një ish maturant të këtij gjimnazi, tashmë student në një nga universitetet jashtë vendit. Ai u shpreh entuziast që gjen këtë risi në ish shkollën e tij. “Gëzohem që jeni këtu dhe për të gjithë mundësinë që ju i dhatë brezit tjetër, për të qenë pjesë e klasave siç janë në Japoni, SHBA dhe në Europë,” – tha i riu.
Ministrja Nikolla shpjegoi se ky vit fillon edhe me 6 kurrikula dixhitale, nga 3 të parashikuara: “Premtimi ynë ishte që të mundësonim tre kurrikula dixhitale. Kemi mundësuar 6 që këtë vit shkollor.”
Një tjetër risi transformuese e këtij viti shkollor janë tekstet shkollore me burim tre nga institucionet arsimore të cilësisë më të lartë në Europë, “Pearson”, “Cambridge” dhe “Oxford”. Një revolucion e cilësoi Kryeministri, që do të shtrihet në të gjithë ciklin shkollor në tre vitet në vijim.
“Për transformimin e të gjithë sistemit tonë arsimor është në proces një kantier i madh reformash, nga të cilat kanë filluar përfitimet e para për nxënësit. Të mos harrojmë që ky vit fillon edhe me produktet e para të një revolucioni të vërtetë që është bërë me tekstet shkollore. Fëmijët e klasës së I-rë dhe të klasës së VI-të do të kenë në dispozicion tekste nga tre burime të mirënjohura të cilësisë së librave arsimorë në Europë, “Pearson”, “Cambridge” dhe “Oxford”. Gjë që do të ndodhë edhe në tre vitet në vijim, duke plotësuar ciklin për të gjithë.”