Vaksinimi masiv vijon në të gjithë territorin e Shqipërisë

Vaksinimi masiv vijon me intensitet në të gjithë territorin e Shqipërisë ku nga nisja e procesit janë vaksinuar 250 mijë qytetarë. Nga Vlora, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ndoqi nga afër ecurinë e procesit në qendrën e përqendruar të vaksinimit. Deri më tani janë më shumë se 26 mijë vaksinime të kryera në të gjithë Qarkun dhe rreth 21 mijë vetëm në Bashkinë Vlorë.

Ministrja Manastirliu theksoi se fushata e vaksinimit po vijon me intensitet dhe nga dita e hënë ulet fasha e vaksinimeve në grupmoshën +60, ndërsa pritet të vijnë dhe 7020 doza të tjera të vaksinës Pfizer dhe 100 mijë vaksina të tjera nga Sinovac.