Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Procesi i vaksinimit, i cili po kryehet aktualisht për kategorinë e mjekëve dhe infermierëve në frontin e parë të luftës kundër COVID-19, është i sigurt në vijueshmërinë e tij, falë  negociimit me kompanitë prodhuese. Kryeministri Rama u shpreh optimist se nga pikëpamja e kapaciteteve në doza nuk do të ketë mungesa.  “Sa i përket vaksinës, ju besoj se po e ndiqni çfarë po ndodh në Europë me vaksinën dhe me vështirësitë e mëdha që po kanë vendet për të garantuar furnizimin sipas kushteve të vendosura më parë. Ky është pretendimi i tyre për shkak se kompania Pfizer ka bërë  një frenim të prodhimit me argumentin që i duhet pak kohë për të financuar investimin në rritje të kapacitetit të prodhimit, sepse raporti i prodhimit me kërkesën është jashtëzakonisht i zhdrejtë dhe është e kuptueshme se gjithë planeti do vaksinë dhe është një kompani që e prodhon atë. Megjithatë, në radhë të parë më vjen mirë që ja dolëm të dalim nga rrethimi ku u gjendëm pa dëshirën dhe jo për fajin tonë, sëbashku me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor që u lanë jashtë skemës së shpërndarjes së vaksinave nga ana e BE-së dhe arritëm të kemi një kontratë me Pfizer-in të drejtëpërdrejtë në rrugë bilaterale, pa pritur që të vijnë vaksinat nga platforma e COVAX, për të cilën kemi parapaguar qysh nga viti i kaluar 4 milionë e ca dollarë dhe e cila nuk dihet dhe askush nuk e di, edhe pse thonë që do fillojë në shkurt, – se kur do fillojë.

Kemi  një kontratë me Pfizer-in për 500 mijë doza e rinovueshme. Do të duheshin të kishin ardhur 10 mijë e diçka doza të para në fund të janarit, për shkak se as ne, nuk bëjmë përjashtim, e përgjithshme dhe njësoj si me të tjerët, Pfizer-i bëri një spostim në kohë, nuk i patëm në kohë vaksinat. Por më vjen mirë t’u them dhe nuk besoj se nxjerr ndonjë sekret apo prish punë, – se kemi marrë konfirmimin që do të fillojë furnizimi nga Pfizer-i ditën e hënë. Shpresoj që të mos marrim një njoftim tjetër, por mesa duket është një konfirmim, sepse i ka të gjitha të dhënat. Do të fillojë me  një sasi më të vogël  se ajo e premtuara, por sasitë do të vijnë duke u rritur shpejt. Në ndërkohë jemi afër dozës së dytë për ata që e kanë marrë dhe besoj që padiskutim në momentin që fillon furnizimi do të kemi mundësi që ta shtrijmë për ju në radhë të parë, për mjekët dhe inferemirët. Nga ana tjetër, nuk është vetëm Pfizer-i. Nuk e kemi lënë vetëm në dotë të Pfizer-it gjithë planin tonë të vaksinimit dhe kemi negociata të avancuara me Astra Zeneca dhe jemi jo larg finalizimit të një kontrate me AstraZeneca-n.

Ndërkohë që janë disa vaksina të tjera që janë rrugës për të dalë. Kemi filluar kontaktet paraprake për të zënë radhën, si të thuash, sepse këtu është një luftë e paimagjinueshme dhe është si të thuash, një përplasje e paimagjinueshme interesash, ashtu sikundër prapaskenash, lojërash, për të arritur për të gjetur shtegun për të qenë më afër vaksinës. Unë jam shumë optimist që nga pikëpamja e kapaciteteve, si doza nuk do të kemi mungesa. Planin e kemi me tre skenarë. Skenari i parë është që vaksinimin ta kryejmë për 14 muaj. Ministrja e Shëndetsisë ka punuar me stafin intensivisht për të gjithë programin e trajnimit të njerëzve që do të merren me vaksinimin, sepse është një vaksinim specifik. Nuk është si të gjitha vaksinat e gripit që bëhen nga të gjithë. Do pak informim dhe trainim nga ana e vaksinuesve. Skenari tjetër është 18 muaj, ndërsa tjetri është 22 apo 24 muaj. Unë jam optimist që ne do të jemi në rrugën e duhur edhe në këtë aspekt”, – u shpreh Kryeministri gjatë takimit me qytetarët në Korçë, duke iu përgjigjur njëkohësiht interesimit të mjekëve të qytetit, lidhur me këtë çështje.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.