Një tjetër lagje, pjesë e Programit të Rindërtimit, po ngrihet në Vaqarr për familjet, të cilat humbën shtëpitë e tyre nga tërmeti i nëntorit të kaluar. Në bashkëpunim me fondacionin Fundjavë Ndryshe, 20 banesa të reja po formojnë një tjetër lagje model, me shtëpi më të mëdha, më të forta e më të bukura se ato që u shkatërruan natën tragjike të tërmetit.
Kantierin e kësaj lagjeje të re, që është hapur prej 40 ditësh, e vizitoi Kryeministri Rama, bashkë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj dhe kreun e fondacionit Fundjavë Ndryshe, Arbër Hajdari. “Ne do fillojmë me pjesën tjetër të lagjes”, – u shpreh kryebashkiaku Veliaj, ndërsa shtoi se “do bëhet edhe qendra e re administrative dhe do jetë realisht një qendër model fshati. Këtu del nga shtëpia, në njërën anë ke shkollën, në anën tjetër ke kopshtin, ke qendrën shëndetësore”.
Vetëm në ndërtimin e 20 shtëpive në këtë lagje janë punësuar 55 vetë, ndërkohë që në rang vendi nga Programi i Rindërtimit janë hapur 27 mijë vende pune. “Njëri në Facebook thoshte, gjithë këto ndërtime, kush i bën këto, kur nuk ka punë? I bën Ndragheta, i thashë. Ndërkohë janë 27 mijë punëtorë, 7 mijë vende pune të krijuara vetëm nga rindërtimi për të gjitha kompanitë shqiptare”, – nënvizoi Kryeministri.
Arbër Hajdari, drejtues i fondacionit Fundjavw Ndryshe, që po investon dhurimet e qytetarëve për familjet e prekura nga tërmeti, në 20 shtëpi të reja thotë se “ky ishte një premtim që kemi dhënë që ditën e parë që jemi ulur në tryezë dhe besoj që është një premtim i mbajtur”.
“Sot, kompanitë kur garojnë kanë probleme me kapacitetin e punëtorëve dhe të inxhinierëve, sepse praktikisht janë të gjithë të angazhuar. Janë 175 kompani, plus këto që po bën FSHZH-ja me Bashkinë e Tiranës, do shkojë gati 200 kompani të angazhuara në procesin e rindërtimit, projektim, infrastrukturë, njësi individuale, shkolla dhe pallate”, – tha ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ahmetaj.