Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet për lagjen e re në Vaqarr, aty ku fondacioni Fundjavë Ndryshe po e ndërton nga e para këtë lagje për familjet e prekura nga tërmeti.

“Jemi në fazën e fundit, njëkohësisht ka vazhduar edhe mobilimi i të gjithë shtëpive. Me përfundimin e këtij procesi, në total është projektuar nga Fundjava që të jenë 50 shtëpi, koordinuar me Ministrinë e Rindërtimit”.

Bashkë me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, ministrin e Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj dhe me kryetarin e Fondacionit Fundjavë Ndryshe, Kryeministri lëvizi përgjatë kantierit të lagjes së re ku përveç shtëpive individuale do të ndërtohen edhe objekte arsimore, një qendër komunitare dhe hapësira të dedikuar për aktivitete sociale dhe rekreative.

“Janë 20 shtëpi të përfunduara. Ndërkohë kemi përfunduar gjithë infrastrukturën dhe do hedhim asfaltin. Kemi bërë kanalizimet për ujësjellësin, ujërat e zeza dhe ujërat e bardha. Është prishur dhe Pallati i Kulturës që do bëhet qendër komunitare”, – u shpreh Veliaj.

“Fundjava Ndryshe ka 50 shtëpi në gjithë territorin, jo vetëm në Tiranë, të koordinuar në vazhdimësi me ne edhe për listën e qytetarëve që përfitojnë në mënyrë që të mos kemi dyfish shpërblim për qytetarët, por dhe të vendosen modelet dhe shtëpitë aty ku duhen”, – tha ministri Ahmetaj.

Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë deri më tani në këtë lagje të re, teksa shtoi se  blloku i ri i banesave sjell edhe një dimension të ri cilësor të jetës komunitare. “Përbën shumë ndryshim  mes një blloku dhe shtëpive individuale një këtu e një aty është i dukshëm. Kjo krijon komunitet, krijon jetë sociale”.

Ndërkohë që mobilet e para po hyjnë në shtëpitë e reja, puna do të vijojë me rindërtimin e shkollës së re ku pas përfundimit të vitit arsimor do të zbrazet shkolla për t’i mundësuar fillimin e punimeve për shkollën e re.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.