Vaqarr, Tiranë, Blloku i ri rezidencial hap dyert për banorët

Blloku i parë rezidencial në Vaqarr të Tiranës, vepër e Programit të Rindërtimit, iu dorëzua sot, familjeve të mbetura pa strehë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Dy vite më pas, pikërisht në nëntor, panorama që shpalos zona është tërësisht ndryshe. Shtëpi dhe shkolla të reja, infrastrukturë moderne, standarde bashkohore, të gjitha falë Programit të Rindërtimit, që po e kthen sfidën e tërmetit, në mundësi transformimi rrënjësor për zonat dëmtuara rëndë.

Blloku i shtëpive të përfunduara është pjesë e projektit të një lagjeje moderne, që do të ketë së shpejti shkollën 9-vjeçare, shkollën e mesme, qendrën shëndetësore, si dhe shërbimet administrative, duke krijuar një hapësirë kushtesh krejt të reja për të gjithë.

Realizimi i plotë i këtij projekti do të mundësohet nga buxheti i shtetit dhe kontributi i “Fundjava Ndryshe” drejtuar nga Arbër Hajdari.

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e dorëzimit të bllokut të ri të banesave, në Vaqarr:

 

Mirëmbrëma të gjithëve! Është kënaqësi që këtë fazë tjetër të këtij procesi rindërtimi, që është faza e dorëzimit të blloqeve të banimit, ta fillojmë këtu në Vaqar, me këtë bllok të vogël, por shumë domethënës, por mbi të gjitha, të ndërtuar me dashuri të madhe, përkushtim dhe cilësi maksimale.

Në radhë të parë, dua të falenderoj nga zemra Arbrin, jo vetëm për atë, që ai bën, por edhe për bashkëpunimin, për gatishmërinë që t’i bashkojmë forcat, në mënyrë që të arrinim të vinim në funksion një plan, ku përveç ndërtimit të shtëpive, të realizohej projekti, ideja e një lagje të re, e cila nuk ka vetëm strehën për familjet që sot do hyjnë në këto shtëpi, por ka pranë shkollën 9-vjecare, shkollën e mesme, ka pranë qendrën shëndetësore, ka pranë shërbimet administrative, duke krijuar një hapësirë kushtesh krejt të reja për të gjithë ata që në 26 nëntorin e vetëm 2 viteve më parë mbetën pa çati mbi kokë, humbën gjithçka dhe sot, jo vetëm kthehen në shtëpi, por kthehen në shtëpi shumë më të mira se ato që humbën dhe kanë sot më shumë sesa ç’ kishin kur i goditi ajo tragjedi e madhe.

Mua më vjen jashtëzakonisht mirë kur shoh që gjithë kjo përpjekje po ndryshon cilësisht jetën e 33 mijë familjeve. Janë 33 mijë familje në të gjithë hapësirën ku ka goditur tërmeti i 26 nëntorit të dy viteve më parë, që ose e kanë humbur plotësisht shtëpinë ose shtëpinë e kanë parë të dëmtohet në nivele të ndryshme dëmi. Por, që nga ata, të cilët kanë pasur dëme të lehta, deri tek ata, të cilët e humbën plotësisht shtëpinë, falë kësaj përpjekje të madhe, janë sot ose në kushte shumë më të mira se sa ato që kishin sepse, për shembull pallatet ku ka pasur dëme të lehta janë bërë ndërhyrje, të cilat kanë prekur, jo vetëm muret e apartamenteve, por kanë prekur dhe mjediset e përbashkëta, kanë prekur dhe fasadën, madje në një pjesë të konsiderueshme të këtyre ndërhyrjeve, prekja e fasadave nuk ka qenë thjesht riparim, por ka qenë një riveshje e plotë, duke i dhënë këtyre godinave një parametër eficencë energjetike, që do të thotë, duke i bërë ato më të freskëta në verë dhe më të ngrohta në dimër, gjë që sigurisht ul dhe konsumin e energjisë.

Nga ana tjetër, nëse shohim sot listën e të gjithë atyre që tanimë kanë hyrë në shtëpi, janë mijëra e mijëra që banojnë në shtëpi të rindërtuara individuale. Janë mbi 500 familje vetëm në bashkinë e Tiranës, ashtu sikundër janë dhe mijëra të tjerë që banojnë në apartamente plotësisht të rikonstruktuar. Ndërkohë, jemi në fazën që, sic thashë, fillojmë me blloqet.

Së shpejti, do hyjnë në shtëpi, jo vetëm ata, të cilët janë në pritje në Ndroq apo Zallherr apo pika të tjera këtu në Tiranë. Tek 5 Maji do jenë familjet e para që do hyjnë në lagjen e re të zonës së 5 Majit, e cila do jetë faktikisht, lagja, urbanistikisht, më shembullore e Tiranës, pasi aty gjithçka po ndërtohet nga e para dhe kjo do t’u japë mundësi të gjithë atyre banorëve që të jenë banorë të një hapësire urbane, e cila ndryshe nga hapësirat e tjera urbane të Tiranës që kanë qenë të ndërtuara më parë, kanë pasur ndërhyrje nga më të ndryshmet gjatë kohës të kenë një hapësirë kushtesh optimale.

Po kështu edhe me Kombinatin që është bërë një punë goxha e mundimshme përsa i përket, jo vetëm projektimit, por edhe qartësimit të të gjithë elementëve që kanë të bëjnë me titujt e pronësisë e me radhë, por edhe më tej.

Në ditët e ardhshme do hyjnë në shtëpi banorët e Bubqit. Në Bubq është ndërtuar një lagje dhjetëfish më e madhe sa kjo, ekzaktësisht, dhe ku në vend të një situate urbane realisht të degraduar, gjithë ato familje do kenë një hapësirë urbane shembullore.

Në Fushë Krujë, më tutje në Thumanë. Në Laç është ndërtuar një lagje e madhe shembullore dhe vazhdon rindërtimi në pjesë të tjera të qytetit dhe faktikisht, Laçi sot, falë përpjekjesh për ta kthyer krizën në një mundësi për të gjithë, po bëhet një qytet nga e para.

Në Lezhë, ku ka një bllok të tërë banimi që është drejt përfundimit, apo në zonën e Kavajës, apo deri tutje në Mirditë, pranë Rrëshenit, ku ka një tjetër lagje që është drejt përfundimit apo lart në Krujë, ku sapo ka nisur më në fund puna për shkak edhe të gjitha vështirësive që paraqiste aty terreni apo në Durrës ku ka qenë dhe goditja më e madhe, ka mbaruar puna për riparimet e thella të një numri të konsiderueshëm pallatesh. Ka filluar puna për pallatet, të cilat janë me dëmet më të rënda. Ka filluar prej disa kohësh, por aty bëhet fjalë për projekte, të cilat kanë kërkuar një kohë më të gjatë, ndërkohë që ka filluar edhe aty puna për lagjen e re krejt në zonën e Spitallës, e cila do jetë një tjetër shembull i një transformimi të jashtëzakonshëm të jetës për ato familje që do banojnë aty dhe njëkohësisht do jetë mundësi që një zonë periferike të kthehet në një pol të rëndësishëm të jetës së qytetit.

Të gjitha këto janë momente kurorëzimi të një përpjekjeje, e cila ka zgjatur dy vjet. Ndërkohë, është mirë ta mbajmë parasysh se në këto dy vjet, jeta e vendit nuk ka qenë e lehtë dhe as kjo përpjekje nuk ka qenë e patrazuar nga ndërhyrja befasuese e pandemisë, e cila na i ka shtyrë në kohë disa prej objektivave tona, pasi ne i kishim të gjitha mundësitë që shtëpitë individuale t’i kishim mbaruar më pare, por pati një ndërhyrje që bllokoi punët dhe shtyu kalendarët për një periudhë relativisht të gjatë. Ashtu sikundër, është e rëndësishme të mos harrohet se asnjë familje, nga të gjithë ato familje që kanë qenë të detyruar të lëvizin nga shtëpitë, se disa familje kanë qëndruar në apartamente, pavarësisht nevojës për riparime sepse dëmet nuk kanë qenë të atilla që të vinin në rrezik strukturën e pallatit. Asnjë familje që ka qenë e detyruar të dali nga shtëpia ose që ka humbur shtëpinë nuk është lënë vetëm, por të gjitha janë mbështetur me bonuset e qerasë të paguara nga qeveria.

Në ndërkohë, procesi ka pasur vështirësi të jashtëzakonshme me titujt e pronësisë për të garantuar që në çdo hap të jetë një proces i drejtë për të gjithë dhe për të garantuar që të gjithë ata që spostohen nga vendbanimet e mëparshme, të marrim tituj pronësie të padiskutueshëm dhe të pakontestueshëm.

Ashtu sikundër, paralelisht janë rindërtuar një pjesë e konsiderueshme e shkollave dhe sot të gjithë fëmijët e zonave më të goditura kanë shkolla që janë më të mira sesa shkollat e mira në qendrat e zonave urbane.

E gjithë kjo ka qenë e mundur dhe vazhdon të jetë e mundur falë një angazhimi të madh të qeverisë dhe buxhetit të shtetit.

Shumëkush, në përpjekje për të kontestuar dhe pa qenë nevoja fare sepse mund të gjenden plot gjëra për të kritikuar, po në këtë rast mendoj se procesi ka qenë shembullor, përmend “paratë e botës”.

Së pari, shtëpitë, apartamentet, lagjet, këto që deri tani janë ndërtuar dhe të cilat deri tani kanë qenë në sytë tuaj, së bashku dhe me shkollat, me një pjesë të madhe të shkollave, janë ndërtuar 100% me të ardhurat e buxhetit dhe përfshirë edhe disa kontribute, si kontributi i Arbrit dhe i “Fundjavës Ndryshe” këtu, apo kontributi i fondacionit tjetër “Shqiptarët për shqiptarët” në Thumanë apo kontributi i Behxhet Pacollit për një nga godinat atje dhe nuk ka këtu “para të botës”.

Ndërkohë që, pjesa tjetër e projektit të shkollave është me fondet e Bashkimit Europian dhe është me fonde të miqve të vendit tonë dhe partnerëve tanë. Blloku i parë i Laçit, i cili është ndërtuar me financimin e qeverisë së Republikës së Turqisë dhe blloku që sapo ka filluar të ndërtohet në zonën e Spitallës, më financimin e Princit të Kurorës së Emirateve të Bashkuara.

E dyta që dua ta theksoj për të gjithë dhe duke marrë parasysh ata që të cilët thonë “ku janë paret, ku i çuat paret”, e të tjera e të tjera. Duhet të jetë shumë e qartë një gjë, që të gjitha fondet e vëna në dispozicion nga të tretë, pra qoftë fondet për dy lagjet e mëdha që përmenda, qoftë fondet për shkollat e ndërtuara apo në ndërtim e sipër nga Bashkimi Europian, qoftë fondet për shkollat për të cilat kanë kontribuar shtete të ndryshme, nuk kalojnë përmes qeverisë shqiptare. Asnjë qindarkë.

Paratë e botës, bota i shpenzon vetë, që të jetë shumë e qartë për të gjithë. Janë fonde, të cilat ata i administrojnë vetë, me projekte ku ne kemi kontributin tonë dhe ku ne kemi fjalën e fundit, në miratimin e projekteve, por që i bëjnë vetë, me tendera që i bëjnë vetë, me kontrata që i lidhin vetë, e në fund dorëzojnë produktin.

Kështu që është shumë e rëndësishme që ne të ndihemi të gjithë sëbashku mirë për faktin që kemi arritur e po arrijmë të bëjmë diçka, që askush nuk e imagjinonte të nesërmen e asaj tragjedie, kur u gjendëm  me 15 mijë familje pa çati dhe me mijëra e mijëra familje të tjera të terrorizuara nga muret e krisura dhe sot, të 33 mijë familjet që u prekën nga tërmeti kanë një kapital më të rëndësishëm, kanë asete që vlejnë më shumë sesa kishin para se sa të goditeshin nga tërmeti.

Kjo është dhe arsyeja për t’u ndjerë ne mirë, sepse jo vetëm nuk u gjunjëzuam nga ajo goditje, por përkundrazi, bëmë dhe po bëjmë çdo ditë të mundur që ata, të cilët u goditën, të ngrihen më të fortë dhe këto shtëpi sot kanë një vlerë më të madhe. Pra, këta fëmijë që hyjnë sot në këto shtëpi, kanë një pasuri  të cilën do ta trashëgojnë që është më e madhe se sa ajo që do të trashëgonin në shtëpitë që fatkeqësisht u humbën nga tërmeti, por që ishte një humbje, e cila për sa kohë nuk goditi jetët, se është e vetmja gjë që nuk e rikthen dot askush, u kthye në një mirësi, siç po kthehen dita-ditës. Ashtu sikundër edhe vlera e zonave është komplet tjetër.

Kjo zonë këtu falë kësaj ndërhyrje ka një vlerë të re dhe pa diskutim, kur të mbarojë i gjithë projekti me qendrën e shërbimeve, me shkollën, me qendrën shëndetësore e me të gjitha, vlera e terreneve këtu do të jetë shumë më e lartë, siç është shumë më e lartë vlera e tokës sot në Laç, siç është shumë më e lartë vlera e tokës sot tek 5 Maji, siç do të jetë shumë më e lartë vlera e tokës në Kombinat, siç do të jetë shumë më e lartë vlera e tokës në Thumanë, në zonën e Lezhës, në Kavajë, në Vorë ku po ashtu do të ndërtohet një lagje, që as nuk mund të imagjinohej përpara kësaj goditje dhe është një vlerë, të cilën e ka krijuar kjo përpjekje dhe është një vlerë, e cila është kapital për familjet.

Unë jam shumë krenar që ne po u japim familjeve që për shkak të të ardhurave, sepse tërmeti ka goditur shtëpitë individuale të më të varfërve dhe ata që ishin më të varfër dhe që nuk do kishin kurrë mundësi të ndërtonin shtëpi të tilla, sot jo vetëm po hyjnë në shtëpi që nuk do kishin kurrë mundësi t’i ndërtonin vetë por po i marrin ato falas, gjë që nuk ndodh as në Itali, as në Turqi, as në Greqi, ku vërtetë bëhen ndërtimet pas tërmeteve, por ku familjeve u jepen shtëpitë me kredi. Kredi shumë të buta patjetër, por ama kredi. Këtu po i marrin falas e nga ana tjetër, po hyjnë falas në zona që janë zona rezidenciale njësoj si zonat rezidenciale që ndërtojnë ata që janë më të pasur. Nuk ka asnjë lloj ndryshimi nga pikëpamja e cilësisë së këtyre blloqeve, me cilësinë e blloqeve të ndërtimit të atyre që janë në gjendje që ti blejnë ato, sepse janë të kamur e kjo është një arsye tjetër për të qenë ne krenarë për faktin që i jemi gjendur pranë atyre që janë më të dobët e që dolën të dërrmuar nga tërmeti dhe duke i mbështetur, po ju japim sot mundësinë që të ndihen shumë më të fortë se sa ishin përpara se sa të goditeshin nga tërmeti.

E fundit që kam është për të gjithë ata që ende nuk kanë hyrë në shtëpi, që duhet të bëjnë edhe pak durim.  Deri ditën e fundit që nuk do të hyjnë në shtëpinë e re, ata do të mbështeten nga ne për të qëndruar me qera aty ku kanë zgjedhur të qëndrojnë dhe të mos harrojnë që këto procese janë procese që janë tejet të vështira edhe në vende shumë më të zhvilluara. Është e vërtetë ajo që tha Erjoni, sepse është fakt. Në Itali ka tërmete që kanë ndodhur edhe përpara 40 vitesh dhe akoma nuk ka mbaruar puna, për 1001 arsye. Ka tërmete që kanë ndodhur para 10 vitesh e njerëzit janë akoma nëpër rulota. Kjo nuk do të thotë asgjë tjetër përveç faktit që ne i kemi qëndruar mbi kokë çdo ditë, çdo ditë këtij procesi, kemi bërë të mundur që pavarësisht gjithë vështirësive të tjera sepse nuk jemi një vend i pasur, të vendosim në dispozicion të këtyre familjeve të gjitha fondet e nevojshme, qoftë për t’i mbajtur në kushte njerëzore normale. Nuk i kemi lënë nëpër çadra. Sot pashë statistikën e fundit, ,janë vetëm 177 familje në çadër, të cilat që nga dita e parë marrin bonusin e qerasë, pra nuk është se janë në çadër se i kemi harruar, por nuk kanë dashur e nuk duan të lëvizin nga aty për shkak se duan të qëndrojnë pranë tokës, pranë fermës, pranë gjësë së tyre të gjallë dhe fëmijët apo gratë ndërkohë, një pjesë e konsiderueshme e tyre i kanë sistemuar nëpër apartamente. Kështu që besoj se kemi të gjitha arsyet që ta shohim me shumë optimizëm të nesërmen, me sytë e gjithë këtyre familjeve dhe vitin e ardhshëm, ne do t’i pastrojmë përfundimisht të gjitha gjurmët e tërmetit për çdo familje.

Mbetet për t’u parë, siç po shihet sot, do të shihet edhe në javët në vijim, do të shihet edhe në pranverën e ardhshme dhe do të mbyllen të gjitha, duke pasur vetëm 3 super blloqet e mëdha, atë të 5 Majit, atë të Kombinatit dhe atë të Spitallës që natyrisht mund të kërkojnë edhe pak më shumë kohë, por aty bëhet fjalë realisht për lagje qytetesh të mëdha dhe është normale besoj unë që ata, të cilët do të banojnë në ato lagje, të bëjnë dhe pak më shumë durim sepse do të gjenden në kushtet e marrjes në zotërim të një pasurie që përndryshe vetë nuk do ta kishin vënë dot kurrë, për shkak të kushteve të tyre ekonomike.

Kështu që nga një tragjedi e madhe, ne do të kemi në fund të këtij procesi 33 mijë familje që pas tragjedisë, do të dalin financiarisht më të forta e patjetër nga pikëpamja e kushteve sociale, shumë më të lehtësuara dhe mbi të gjitha fëmijët e tyre do të rriten falë këtyre kushteve shumë më të lehtësuara, shumë herë më mirë se sa do të ishte sikur tragjedia të mos kishte ndodhur.

Shumë faleminderit të gjithëve!