Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit për Zgjerimin të Bashkimit Europian, Olivér Várhelyi, pas takimit mes tyre:
Kryeministri Edi Rama: Mirëmbrëma të gjithëve!
Jo vetëm për formalitetin e kortezisë, por edhe për hir të së vërtetës, dua të shpreh një kënaqësi të veçantë për vizitën e sotme të Komisionerit Várhelyi, që besoj se të gjithë e kujtoni që ka qenë i pranishëm në vendin tonë edhe në ditë shumë të vështira. Ndër të parët që na u gjendën në krah, duke ardhur këtu për të shprehur solidaritet me të gjitha familjet e goditura rëndë, qoftë në jetë njerëzish, qoftë të goditura në trupin e të afërmve të tyre, qoftë dhe në pasurinë e tyre, nga tërmeti.
E nga ana tjetër, kënaqësia është e veçantë, sepse qysh në sekondën e parë të fillimit të punës, Komisioneri ka qenë një mbështetës i pakursyer i të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor e në këtë rast – më takon të flas për Shqipërinë, – i Shqipërisë, në procesin e përshpejtimit të rrugës së çeljes së dyerve për të negociuar anëtarësimin në Bashkimin Europian. Siç do ta thotë dhe vetë sot, nuk është mjaftuar aspak vetëm me këtë aspekt të marrëdhënies së Komisionit dhe Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, por është angazhuar në vetë të parë për një plan masiv ekonomik dhe financiar për të gjithë rajonin. Kështu që dua ta falënderoj edhe publikisht për praninë e tij, për mbështetjen e tij, për mënyrën e qasjes efikase ndaj çështjeve dhe për patjetër, ndershmërinë e tij në thënien e gjërave ashtu siç janë, qoftë kur duhet të na i thotë ne dhe qoftë kur duhet t’i thotë për ne në Bruksel.
Ne jemi shumë mirënjohës dhe do t’i jemi gjithmonë mirënjohës. Bashkëpunimi me Komisionin ka dhënë patjetër fryte të veçanta dhe patjetër që në të gjitha ato aspekte që lidhen me objektivat e përcaktuara nga Komisioni për çuarjen përpara të axhendës së integrimit, ne kemi vazhduar të shkojmë përpara me bindje të plotë që duhet t’i bëjmë të gjitha këto; Reforma në Drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përsosjen e mëtejshme të administratës publike e të tjera, jo sepse na i kërkon Brukseli, as Berlini, as Parisi, por sepse është obligimi ynë ndaj fëmijëve tanë që përkon plotësisht me objektivat e vetë anëtarësimit.
Plani i ri ekonomik, për të cilin mendoj që është më e udhës të flasi vetë Komisioneri, është një mundësi e jashtëzakonshme e re që krijohet nga ky Komision i ri Europian, i cili ka ardhur me një qasje të re dhe po implementon një politikë të re në raport me rajonin dhe në raport edhe me Shqipërinë si pjesë e këtij rajoni. Por ajo që dua të theksoj është që ky plan është një provë konkrete, e prekshme e shumë arsyeve të mira dhe një bindjeje të madhe që qëndron në vizionin e Shengenit Rajonal. Vizioni i një rajoni, ku zhvillimi përmes bashkëpunimit është e vetmja rrugë për të dalë në një tjetër hapësirë dhe për t’i lënë gjeneratave të tjera, një Shqipëri dhe një rajon shumë më të mirë.
Në plan ka shumë aspekte, por aspekti kryesor i përgjithshëm, mendoj unë, është që plani, ne do të na ndihmojë të integrohemi gradualisht si rajon, me tregun europian, paralelisht me proceset individuale të integrimit për të gjitha ato objektiva individuale që kanë të bëjnë me shtetin e të drejtës, me funksionimin e institucioneve dhe me gjithë ngrehinën shtetërore që shkon në procesin e monitorimit të vazhdueshëm nga BE-ja.
Së fundi, dua që të kujtoj se Komisioneri, Komisioni Europian nuk kanë qenë këtu thjesht për të na ngushëlluar dhe për t’u solidarizuar me ne në momentet e tragjedisë. Nuk kanë qenë me ne as thjeshtë në momentin kur falë tyre, nën drejtimin e Presidentes së Komisionit u thirr një Konferencë e paharrueshme solidariteti për të gjithë popullin shqiptar, nga ku morëm një mbështetje të madhe. Nuk kanë qenë këtu, as thjesht dhe vetëm përmes Komisionit, për të vazhduar implementimin e Programit të Rindërtimit në sektorin e rindërtimit të shkollave dhe të monumenteve të kulturës. Por megjithëse COVID-i goditi drejtpërdrejtë të gjithë, mëgjithëse COVID-i vuri në vështirësi Bashkimin Europian dhe çdo vend të Bashkimit Europian, Komisioneri ka qenë telefonata e parë nga jashtë, nga ajo zonë e kontinentit që quhet Bashkim Europian, për të më garantuar që Bashkimi Europian, Komisioni do të jetë pranë Shqipërisë, pranë rajonit edhe në këtë faze, pavarësisht vështirësive që ka patur.
E vërteta është që kështu ka ndodhur.
Pra, jemi në një moment kur marrëdhëniet me Komisionin Europian kanë një konkretësi shumë të madhe dhe kur shqiptarëve mund t’i themi me plot gojën që rruga jonë e përbashkët me Komisionin Europian dhe Bashkimin Europian në vitet e ardhshme nuk është thjeshtë rruga e hapave në reformë, por është dhe rruga e ndërtimit të një ekonomie të re për rajonin. Truga e ndërtimit të të gjithë rrjetit lidhës të rajonit me rrugët, me hekurudhat, me rrjetet digjitale dhe me të tjera, që do t’ja lë fjalën Komisionerit tani, duke e falënderuar dhe njëherë që ishte sot këtu me ne dhe që na dha mundësinë që t’i japim të gjithë atë shfaqjen e mikpritjes shqiptare, duke qëndruar edhe më tutje për një darkë miqësore.
Shumë faleminderit!
Komisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi: Faleminderit shumë Kryeministër! Faleminderit gjithashtu dhe për fjalët e ngrohta që sapo thatë. Në fakt nuk i meritoj, unë po bëj thjeshtë punën time.
Jam vërtet i kënaqur që jam sot, në Tiranë dhe në fakt, mikpritja që më është treguar ka qenë vërtetë e ngrohtë. Sapo erdha nga Kuvendi dhe pata mundësinë që të flisja përpara deputetëve në atë sallë plenare dhe ishte nder. Tani pata mundësinë të flisja me Kryeministrin, – edhe ky është nder për mua – i cili më tregoi për përparësinë, sesa e rëndësishme është BE-ja për Shqipërinë. Ne e dimë këtë gjë dhe njëkohësisht është dhe përgjegjësi e madhe, nga ana jonë kjo gjë.
Unë kam sjellë lajme të mira dhe shpresoj që qytetarët e Shqipërisë do ta shohin këtë si lajm të mirë.
Ne kemi ardhur, ose po vijmë në fund të rinovimit të asaj që quhet politika jonë e zgjerimit. Ashtu siç e tha dhe Kryeministri, ne, kur filluam punë si Komision, e bëmë të qartë që ditën e parë të detyrës, kur bëmë edhe telefonatën tonë, që e kemi me të vërtetë që do të vazhdojmë punën tonë me Ballkanin Perëndimor dhe dëshirojmë që ta përforcojmë marrëdhënien me Ballkanin Përëndimor dhe do ta bëjmë këtë gjë dhe me politikën e zgjerimit, pasi e kemi shumë seriozisht. E kemi bërë këtë, duke treguar edhe besueshmëri dhe parashikueshmërinë e këtij procesi me metodologjinë e re dhe është e vërtetë që kemi mundur që të marrim dakordësinë për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Po ashtu është e vërtetë që unë jam përpara jush dhe me kënaqësi e them se kalojmë tek segmenti i tretë i kësaj pune të madhe dhe kjo ka të bëjë me zhvillimin ekonomik dhe me planin e investimeve. Plani, në vetvete duhet që të përshpejtojë punën që duhet të bëjnë vendet e rajonit për zhvillimin socio-ekonomik të tyre me atë të BE-së pra, për të kapur ritmin e BE-së. Por patëm krizën e COVID dhe ajo ishte dhe është sfidë e madhe dhe kështu që ajo që ne bëmë ishte të ndihmonim në rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale të vendeve të rajonit.
Më lejoni t’ju jap tashmë disa shifra dhe më lejoni t’ju shpjegoj se çfarë do të thotë ky plan. Ky është një plan, të cilin ne e kemi ndërtuar bashkë me vendet e rajonit. Pra, ne nuk jemi këtu për t’ju thënë që kjo është gjëja më e mirë për ju, por jemi këtu që t’ju dëgjojmë dhe ju kemi dëgjuar gjatë gjithë kohës.
Kemi biseduar me të gjitha vendet e rajonit, me kryeministrat e vendeve përkatëse, na kanë ardhur projektet, idetë, fushat e zhvillimit ekonomik, të cilat janë të rëndësishme dhe mund të ndihmojnë që rimëkëmbja të jetë sa më e shpejtë të jetë e mundur dhe të cilat mund të sjellin në mënyrën sa më të shpejtë dhe të kosiderueshme të rritjes ekonomike dhe të vendeve të punës. Kështu që ne kemi përpiluar dhe projektuar të gjithë këtë paketë, duke patur parasysh çfarë është thënë nga rajoni dhe duke patur parasysh gjithçka që na është thënë dhe duke patur parasysh edhe faktin që ne duam të kemi një ndikim madhor në rajon, pasi mendojmë që plani për të cilin jemi sot këtu, mund të ndryshojë panoramën e të gjithë rajonit, në mënyrë të konsiderueshme për 4-5 vitet e ardhshme. E them këtë gjë, sepse po përcaktojmë 9 miliardë euro me grante për këtë plan. Po bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë, me institucionet ndërkombëtare financiare, në mënyrë që të arrijmë të gjithë këto fonde edhe me 20 miliardë euro shtesë në garanci. Pra, pothuajse 30% e të gjithe PBB-së të të gjithë rajonit.
Po flasim për një projekt madhor të dukshëm, një plan, i cili do të mund të fokusohet tek ato lëme të ekonomisë, të cilat sjellin vende pune dhe rritje ekonomike dhe kemi parë që pjesët më të dobëta kanë të bëjnë me mungesën në infrastrukturë, në transport, në infrastrukturën e energjisë, por dhe infrastrukturën digjitale. Po ashtu, edhe sa i përket infrastrukturës së kapitalit njerëzor.
Kur flasim për transportin, këtu e kemi fjalën dhe në fakt kjo është miratuar edhe nga vetë udhëheqësit e rajonit, problemin më të madh për rajonin dhe për tregtinë që është në fakt pengesa që ka të bëjë me rrugët që të mund të lidhin rajonin dhe vendet me njëra-tjetrën.
Ne po përpiqemi të punojmë pikërisht për këto projekte si gjë e parë. Kështu që pas 4 apo 5 vitesh, panorama në rajon do të jetë tërësisht ndryshe.
Ne e shohim që ka një hendek të madh ndërmjet disponueshmërisë së internetit me valë të gjera (broadband) dhe nevojave të biznesit. Kështu që jemi këtu për t’ju ofruar ndihmën tonë në mënyrë që ne të ndërtojmë të gjitha këto aspekte të teknologjisë së lartë të mundshme për broadband për të gjithë rajonin. Kjo për arsye se në rast se ju doni që të keni ekonomi dixhitale, do t’ju duhet patjetër broadband dhe këtë e shikojmë jo aq shumë në Shqipëri, por e shikojmë si sfidë madhore.
Kemi mungesë energjie në rajon dhe jo vetëm kjo mungesë energjie, por edhe një varësi e madhe tek qymyrguri dhe tek linjiti. Pikërisht, në rast se do t’i zëvendësojmë ato me gazin, atëherë do të ulim emetimet në rajon me më shumë se 60% e në mënyrë të menjëhershme. Pra, kemi një potencial shumë të madh këtu në Shqipëri. Shqipëria do të mund t’i japë në fakt furnizimin me gaz për të gjithë rajonin dhe unë me kënaqësi dëgjova ato që tha Kryeministri, që është i gatshëm që të bashkëpunojë me ne për këtë çështje. Kjo ka për të ndryshuar gjërat tërësisht.
Ndërkohë që në Shqipëri, ne jemi të gatshëm që të sjellim në pararojë ato projekte, të cilat janë të rëndësishme në aspektin vendor, por që do të ndihmojnë dhe zhvillimin e rajonit. Kështu që ne jemi të gatshëm për shembull që të flasim për korridoret blu në të gjithë pjesën e bregdetit. Po ashtu të punojmë edhe për gazsjellësin. Po ashtu jemi të gatshëm që të kontribuojmë dhe për dy nga projektet për hidrocentrale në vend e këto të gjitha janë në fakt, projekte madhore investimi dhe logjistike, infrastrukturore, që do të sjellin një ndryshim shumë të madh, por do të ndryshojnë dhe klimën e investimeve në vend.
Klima e investimeve është shumë kyçe, është decizive, vendimtare për vendin. Por po ashtu dhe sundimi i ligjit luan një pjesë tejet të rëndësishme në këtë aspekt, ku ne na duhet që klima e biznesit të jetë e garantuar, ku ne të kemi një gjyqësor të pavarur, ku të kemi parashikueshmëri. Parashikueshmërinë e të gjithë mjediseve që kanë të bëjnë me aktivitetet e biznesit.
Po ashtu duhet investuar edhe në kapitalin njerëzor. Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë gjë. Arsimimi, edukimi është kyç e për këtë arsye jemi të gatshëm që të krijojmë një program, së bashku me autoritetet shqiptare, por kjo është e njëjta gjë dhe për pjesën tjetër të rajonit, që të kemi aftësitë e duhura për brezin e të rinjve të Ballkanit Perëndimor. Pra, aftësi, kapacitete për të cilat ka nevojë ekonomia, aftësi, kapacitete me të cilat ata do të mund të jetojnë këtu, në rajon e me të gjitha këto gjëra, ne do duhet që të tejkalojmë sfidën e vetme madhore të këtij rajoni, që është largimi i trurit. Prandaj besoj që pas 4-5 vitesh, ne do të mund të shikojmë edhe rikthimin e të rinjve në rajon.
Megjithatë, kemi folur me Kryeministrin edhe për raportin vjetor që kemi lancuar dje. Ne e përgëzuam Kryeministrin për të gjitha arritjet dhe për punën e parreshtur që ka bërë Shqipëria dhe që po vazhdon të bëjë për të treguar rezultate në të gjitha aspektet e zgjerimit e në veçanti në lidhje me ato që kanë të bëjnë me përfundimet e Këshillit për të hapur rrugën, për të ecur përpara me negociatat. E shikojmë që ka ende sfida përpara, natyrisht që ka punë që duhen përforcuar e që duhet të vazhdohen, lufta kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar dhe kohët e fundit po shikojmë dhe një historik, për shembull, për ato operacione shumë të rëndësishme dhe madhore të zbatimit të ligjit dhe të suksesshme në fakt dhe ndërkombëtare, operacione të tilla dhe këtë bilanc e shikojmë. E shikojmë që ka lëvizje dhe në Gjykatën Kushtetuese. Na duhen gjyqtarët atje, na duhet që të jetë funksionale Gjykata Kushtuese, pra, na duhet që të shikojmë që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të jenë në punë e të bëjnë punën. E siç mund ta keni parë dhe më përpara, unë shkova që të vizitoja edhe anëtarët e ndryshëm të organeve të vetting-ut. E gjithë kjo punë, vetting-u, rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është kyçe në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara dhe të organizohet konferenca e parë ndërqeveritare e të angazhohemi më tej në negociatat e anëtarësimit, duhet që këto organe të bëjnë punën e tyre. Po bëjnë një unë tejet të rëndësishme. Në fakt nuk mendoj se e dinë se sa të famshëm janë jashtë Tiranës, pasi ne i përdorim gjithmonë si standard për t’i krahasuar me të tjerët.
Ndërkohë që folëm dhe për kriteret e tjera, duke përfshirë këtu raportin për platformën zgjedhore e mund të përsëris edhe një herë atë që thashë në Kuvendin e Shqipërisë, që ne na duhet një reformë e besueshme zgjedhore në bazë të së cilës të kemi zgjedhje të lira e të ndershme. Ky do të jetë testi. Këto lloj zgjedhjesh do të jenë testi dhe në fakt, edhe kjo punë që do të bëhet për këtë gjë do të jetë puna e testit për konferencën e parë ndërqeveritare që besoj do të ndodhë sivjet. Faleminderit!
– Pyetja e parë për Komisionerin. Ju thatë se do të vinit në terren që të shikonit nëse Marrëveshja e 5 qershorit është shkelur me amendimet e reja që ju bënë Kodit Zgjedhor dhe u miratuan në fillim të kësaj jave nga Parlamenti. Tani jeni në terren, jeni në Tiranë, edhe pse pritet të keni takime të tjera me Presidentin dhe kreun e opozitës. Paraprakisht, a keni një mendim, nëse është shkelur kjo Marrëveshje me këto ndryshime? Sepse ka opinione të ndryshme nga europarlamentarë, kryesisht deputetë gjermanë dhe një këndvështrim tjetër ka ambasada amerikane në Tiranë. Ju personalisht mendoni se është shkelur apo jo? Dhe siç e pohuat sërish, është një kusht reforma zgjedhore për tryezën ndërqeveritare. A mendoni se është përmbushur ky kusht nga Shqipëria? Faleminderit!
Për kryeministrin Rama; Gjykata Kushtetuese është gjithsesi një kusht tjetër për tryezën ndërqeveritare. Edhe pse ju jeni kreu i qeverisë dhe nuk është se keni shumë në dorë në këtë çështje, a keni një parashikim, a mund të përmbushet ajo që ka thënë Zoti Ruçi në 1 janar, Gjykata kushtetuese do të jetë funksionale? Faleminderit!
Komisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi: Sa i përket reformës zgjedhore, ne për momentin po analizojmë votimin, për çfarë ka votuar Kuvendi, por ajo çka mund t’ju them, duke u bazuar tek debati politik që ka qenë, që është bërë përpara ose gjatë gjithë procesit të votimit në Kuvend, ditën e hënë, duket që ka të bëjë me një çështje në thelb dhe në lidhje me këtë, unë thjesht do të përsëris atë që thashë dje, në Bruksel, që për aq kohë sa koalicionet paszgjedhore nuk parandalohen dhe nuk bëhen më të vështira, do të lejohet pra, që të bëhen me anën e këtyre reformave, atëherë ne mund ta shikojmë atë ligj, atë që ishte projektligj ose projektamendamente, me një mendje të hapur, por nuk mund të kufizojmë të drejtat e të zgjedhurve për të formuar koalicione, qoftë më parë, apo qoftë pas zgjedhjeve. Për ne, kjo është çështje kyçe.
Dhe për reformën e datës 5 qershor, unë mendoj që ato ishin tejet të rëndësishme dhe shpresoj shumë që në bazë të asaj marrëveshje, ne t’i kemi të gjitha partitë politike që të marrin pjesë në zgjedhje e kjo do të jetë një çështje vërtetë kyçe dhe vendimtare dhe po, konfirmoj që do të takohem dhe me udhëheqësin e opozitës jashtëparlamentare pas këtij takimi. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Nuk jam në gjendje të bëj parashikime pikërisht sepse siç thatë dhe ju, nuk është një proces që varet nga qeveria apo lidhet me Kryeministrinë, procesi i plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Reforma në Drejtësi ka bërë që i gjithë procesi i krijimit të institucioneve të reja të jetë krejtësisht i pavarur dhe unë shpresoj që kjo të ndodhë, por bindja ime, që e ndava dhe me Komisionerin, e kam ndarë gjithmonë dhe me të tjerët, është që Shqipëria nuk mund të penalizohet sepse ka bërë spastrimin shumë të madh.
Faktikisht, pse nuk kemi ne sot ende një Gjykatë Kushtetuese funksionale? Mos vallë e kemi pezulluar, apo e kemi eleminuar nga Kushtetuta? Jo! Nuk kemi ende një Gjykatë Kushtetuese funksionale, sepse kemi bërë një spastrim që nuk e ka bërë e as në imagjinatë nuk e ka parë jo vetëm asnjë qeveri paraardhëse këtu, apo shumicë parlamentare paraardhëse, por asnjë vend i rajonit. Ne kemi bërë detyrën, spastrimi është kryer, plotësimi kërkon kohën e vet, ka proceset e veta. Komisioneri e nënvizoi me shumë të drejtë rolin e madh të Bashkimit Europian dhe konkretisht, përmes operacionit ndërkombëtar të monitorimit të procesit të vetting-ut.
Vetting-u është një proces e siç e kanë parë të gjithë shqiptarët po ecën përpara, ka vështirësitë e veta, ka ritmet e veta, monitorohet drejtpërdrejtë nga Bashkimi Europian, nuk monitorohet nga qeveria, nuk varet nga qeveria a shtyhet, apo a nuk shtyhet. Në fund të ditës, unë e di shumë mirë që vlerësohet gjithë Shqipëria si shtet, nuk vlerësohet vetëm qeveria, kur vjen puna tek Raporti i Progresit, apo tek hapat, pra funksionimi i Gjyqësorit dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese është në këtë rast një nga pikat kyçe. Kështu që nga ana ime, unë mendoj që Shqipëria do e kishte bërë konferencë vite përpara, por nga ana tjetër, unë e di që konferencën e vendos Bashkimi Europian, nuk e vendosim ne. Në rast se Bashkimi Europian do të shohë plotësimin e kësaj pike konkretisht, do jetë një pikë ku nuk do mund të kapet njeri. Në rast se dikush do dojë të kapet, pastaj do kapet e ne do vazhdojmë punën.
Ne nuk e lidhim punën tonë me data e me afate, sepse nuk e kemi ne në dorë. Ne kemi punën tonë me progresin dhe në Raportin e Pogresit, progresi është aty dhe është i qartë. Ne vazhdojmë punën.
– Edhe unë dua ta nis me pyetjen për Komisionerin. Duke ju referuar fondeve për Ballkanin Perëndimor, ju thatë se në pak vite pritet të ndryshojë krejtësisht panorama në këtë rajon. Si është parashikuar që të implementohen këto financime?
Ndërsa për ju Zoti Kryeministër, prisni që Raporti i Progresit i këtij viti që në termat e përdorur është më i miri i këtyre viteve, të ndikojë edhe në vendet skeptike? Ju faleminderit!
Komisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi: Po, ashtu është. Unë e thashë që panorama mund të ndryshojë, që do të thotë që unë e kam sjellë këtë plan e jam përpjekur që ta shpjegoj atë plan sa më mirë të jetë e mundur, por tani është në dorën e autoriteteve shqiptare për ta vënë atë në zbatim. Natyrisht që ne do të bashkëpunojmë me autoritetet shqiptare, kemi filluar këtë bashkëpunim duke menduar se cila do të jetë mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për ta vënë atë në zbatim. Kjo do të jetë sfidë për arsye të faktit që si plan është masiv, por dhe qasja që është rajonale, por është e arritshme. Megjithatë, të gjithë duhet të punojnë fort për këtë gjë. Po të shihni planin, mendoj që do të ketë një ndikimi rajonal, do të ketë pjesëmarrje rajonale dhe është në të mirë të të gjithë rajonit. Pra, mendoj që të gjithë duhet të bashkëpunojnë në Ballkanin Perëndimor. Kohët e fundit, përshembull, kemi parë me mini shengenin dhe po ashtu me krizën e COVID-it, një bashkëpunim që nuk ishte parë dhe ne dëshirojmë ta vazhdojmë këtë punë, të vijojë kjo gjë dhe prandaj është thelbësore që në mënyrën më të mirë të duhur të projektohet plani, në mënyrë që të fillohet puna e duhet të fillojë puna që nga dita e nesërme.
Kryeministri Edi Rama: Nuk kam ndonjë gjë të re për të thënë në këtë aspekt. Unë nuk besoj që Finlanda, Suedia apo shumë vende të tjera të Bashkimit Europian janë më pak të ndjeshme sesa Holanda kur vjen puna tek krimi, korrupsioni, drejtësia e kështu me radhë. Por ka një dinamikë të brendshme të ndryshme, në vende të ndryshme dhe është ajo dinamikë që pastaj i bën vendet ta shohin me sy tjetër Raportin e Progresit, sipas interesave të tyre. Kështu që është legjitime, janë interesat e tyre. Unë nuk bëj parashikime, shpresoj që ne të vazhdojmë duke u ulur në tryezë me konferencën ndërqeveritare, sepse hapja e negociatave është dakordësuar mes të gjithëve. Por, nga ana tjetër, ne kaq shumë u mësuam duke u përgatitur për dasma dhe krushqit nuk na erdhën, saqë tani i kemi lënë përgatitjet për dasma. Nëse do na thërrasin, ne gati jemi, të veshur dhe ulemi dhe vazhdojmë punën. Nuk kemi asnjë shqetësim.
Shumë faleminderit!