Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e kremtimit të 95 vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare:
Shkrimtari britanik Bernard Newman thoshte se “Asnjë libër sado i përsosur të jetë nuk mund ta paraqesë në mënyrë të plotë dhe të kënaqshme panoramën e një vendi. Këtë mund ta bëjnë ndoshta dhjetëra libra, por me një kusht, të jenë shkruar nga njerëz që e kanë parë vendin nga këndvështrime të ndryshme dhe të vështira”.
Duke marrë ciceronin dhe duke sjellë përpara nesh imazhin e kopshtit të brendshëm, drejtorja e Bibliotekës e kornizoi më së miri këtë shprehje të shkrimtarit britanik, si një shprehje që mishërimin e vet më optimal e gjen në një Bibliotekë Kombëtare dhe posaçërisht në rastin tonë, në Bibliotekën tonë Kombëtare.
Unë dua ta përgëzoj Drejtoren e Bibliotekës Kombëtare, jo sepse kështu e do rasti, por sepse falë vizionit të saj të zhvillimit dhe ndërkohë të zgjerimit të interesit për Bibliotekën Kombëtare, duke shtrirë aktivitetin në të gjitha moshat, e po ashtu, falë këmbënguljes së saj për të çuar përpara në kushte shumë të papërshtatshme, – për shkak të shtrëngesës financiare, – një projekt kuptimplotë dhe afatgjatë për Bibliotekën Kombëtare, ne kemi gjetur këtu një partner të shkëlqyer për të kanalizuar mbështetjen tonë si qeveri, jo vetëm në kuptimin moral, por edhe në kuptimin financiar.
Ndryshimet e këtyre viteve dhe transformimi i shtetit shqiptar, natyrisht që u reflektuan me ndryshime të mëdha edhe për Bibliotekën Kombëtare. Por fatkeqësisht, ndryshimi më i ndjeshëm dhe më i prekshëm për Bibliotekën Kombëtare, ishte cungimi i saj, ishte këputja e trupit të saj më dysh dhe ndarja e godinës së Bibliotekës, një pjesë për vazhdimin e aktivitetit të saj dhe një pjesë tjetër për të zhvilluar aktivitete komerciale që s’kishin asnjë lidhje me Bibliotekën Kombëtare, e s’kanë asnjë lidhje me misionin dhe potencialin e madh të gjithë kësaj godine.
Natyrisht që, në ndërkohë nga modeli i bibliotekave europiano-lindore, mbi të cilat Biblioteka Kombëtare u zhvillua në vitet e komunizmit, në kufizime ekstreme të informacionit dhe shfrytëzimin e vetëm disa kategorive të literaturës, ajo mundi të përfitojë nga heqja e barrierave kufizuese dhe nga diversifikimi i lirisë së plotë informacionit për përdoruesit.
Por sot është imperative që kapacitetet fizike të Bibliotekës Kombëtare të bëhen të plota dhe dy pjesët e ndara të trupit të ribashkohen. Ne jemi plotësisht të angazhuar në këtë proces dhe do t’ia rikthejmë Bibliotekës Kombëtare pjesën e trupit të saj të amputuar nga barbaria e kulturës së tranzicionit. Por jo thjesht për të bërë një bashkim fizik hapësirash, por për të zhvilluar një projekt të ri dhe për ti transformuar më tej këto hapësira, duke jetësuar vizionin dhe programin ambicioz të Bibliotekës Kombëtare dhe të Ministrisë së Kulturës për Bibliotekën Kombëtare.
Duke qenë se kam nderin të jem përpara një audience të kualifikuar dhe përpara një grupi të heshtur interesi që jam i bindur e ka përjetuar me dhimbje të mëdha gjithë procesin e ndarjes së hapësirës së Bibliotekës Kombëtare dhe për këtë shkak, të ngushtimit të funksioneve vitale të saj, por njëkohësisht duke pasur parasysh që gjithë ju që jeni këtu jeni njerëz të lidhur për një arsye apo për një tjetër, me kulturën, – p.sh. shoh këtu kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, që nga pikëpamje funksionit, mund të duket larg kulturës, por kam që vënë re me kënaqësi se është gjithmonë i pranishëm në aktivitete të kësaj natyre, mbase dhe për faktin se ka qenë Ministër i Kulturës, por edhe të tjerë, njerëz që janë të lidhur me kulturën përmes kësaj bibliotekë, – dua të vë theksin tek fakti që ne i kemi dhënë një vëmendje dhe një mbështetje si asnjëherë më parë kulturës. Kjo, nga pikëpamja e institucioneve natyrisht, si dhe kemi rritur si asnjëherë më parë buxhetin që mbështet vizionin dhe programin tonë për zhvillim e institucioneve të kulturës.
Faktikisht, jam shumë i kënaqur që kemi arritur më në fund të adresojmë disa plagë të thella dhe shumë dekurajuese të hapura në gjithë këto vite, në organizmin e sistemit tonë të kulturës, duke ndërhyrë për të transformuar hapësira në funksion të kulturës, për të pasur më në fund një muze të denjë të standardeve më të larta bashkëkohore, për të ekspozuar një ndër pasuritë më të çmuara të trashëgimisë tonë kulturore pasurinë e dinastisë së Marubëve. Duke ndërhyrë për të rimarrë kontrollin estetik, por edhe për të rikthyer në identitet, në godinën e teatrit “Migjeni “, një godinë me vlera për trashëgiminë tonë kulturore. Duke ndërhyrë për të transformuar dhe për të kthyer në një institucion me standarde të plota bashkëkohore teatrin e Korçës. Në këto institucione ka filluar puna dhe transformimet do të jenë spektakolare, ashtu sikundër po shkohet drejt përfundimit të Muzeut të ikonave në Korçë, një muze i ri, i cili i jep më në fund një shtëpi, një trashëgimie të mbetur rrugëve për gjithë këto vite, të copëzuar në hapësira të ndryshme, pa asnjë lloj standardi, kriteri, karari.
E po ashtu duke bërë të mundur nisjen këtë vit të dy projekteve shumë të rëndësishme, për transformimin e Teatrit të Operas dhe Baletit në një mjedis të standardeve europiane dhe për ndërtimin e teatrit të ri, me një projekt shumë ambicioz dhe inovativ, tanimë të realizuar dhe që kërkon vetëm zbatim.
Për të gjitha këto, ne kemi siguruar të gjitha financimet sigurisht dhe po ashtu presim me padurim përfundimin e projektit të ri, të transformimit të hapësirave të kësaj biblioteke, që ka nisur me mbështetjen e delegacionit europian dhe jemi të gatshëm të mbështesim financiarisht projektin për të çuar deri në fund një proces të detyrueshëm për shtetin, jo vetëm të integrimit të hapësirave të bibliotekës kombëtare pas 25 vjet ndarje në mes, por edhe të transformimit të këtyre hapësirave në mjedise, ku të gjitha funksionet të vjetra dhe të reja që vinë nga procesi i transformimit teknologjik, të mund të kryhen në një mënyrë shumë më cilësore dhe mund t’ju japin shumë më tepër kënaqësi të gjithë atyre, që e vizitojnë apo qe shfrytëzojnë Bibliotekën Kombëtare.
Deri në vitin 2013, Biblioteka Kombëtare kishte vetëm një aparat të vogël të falur nga agjencia turke TIKA. Ndërkohë që në 2014-ën ne kemi investuar nga buxheti i shtetit plot 300 mijë euro për të bërë një investim për pajisje të specializuara për dixhitalizimin e librave të Bibliotekës Kombëtare dhe në një vit falë këtij investimi, është 10-fishuar sasia e faqeve të dixhitalizuara në këtë bibliotekë.
Nga ana tjetër, ministrja vuri gishtin në plagë, duke theksuar se Shqipëria e ka një rrjet të trashëguar relativisht të gjerë të bibliotekave publike, por fatkeqësisht është një rrjet i amortizuar, njësoj si rrjeti i energjisë elektrike, sepse në 25 vjet nuk është bërë asgjë për të mbajtur në këmbë, duke ripërtërirë dhe duke mobilizuar këtë rrjet bibliotekash, ku ne jemi shumë besimplotë se me reformën administrative-territoriale dhe me krijimin e bashkive të mëdha dhe shumë të fuqishme në potencialet e tyre, do të mund të bëjmë ndryshime të rëndësishme.
Megjithëse ndihet kudo mungesa e hapësirës, siç ndihet në Bibliotekën Kombëtare, ashtu edhe në bibliotekat e rrjetit të bibliotekave të Shqipërisë, – shumica e bibliotekave në Shqipëri po punon që t’i organizojë koleksionet mbi bazën e fondeve të hapura. Vendosja e institucioneve tona bibliotekare janë relativisht të reja, por ashtu siç e nënvizoi drejtorja e bibliotekës, tradita bibliotekare në Shqipëri nuk është dhe aq e re. Gjatë Mesjetës në oborret e princave dhe kontëve shqiptarë thuhet se funksiononin kancelari në të tria gjuhët kryesore të kontinentit, në latinisht, greqisht dhe sllavisht. E kur Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë u themelua në vitin 1920, ajo kishte 6 mijë vëllime. Bërthama ishte Fondi i Bibliotekës të “Komisisë Letrare Shqipe” që u krijua, siç e kujtoi drejtorja e Bibliotekës, në Shkodër në 1917-ën, dhe pastaj mbarimi i luftës e gjeti Shqipërinë me një koleksion prej 15.000 vëllimesh.
Sot, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë numëron disa qindra-mijëra vëllime dhe është në gjendje që të jetojë me ambicie të mëdha.
Veprimtaria aktuale e Bibliotekës Kombëtare, për hir të së vërtetës, është shprehje e një përgjegjësie institucionale, por duhet thënë shumë hapur, është më shumë sesa kaq, shprehje e pasionit, e vullnetit dhe këmbënguljes së drejtuesve që e kanë pasur barrën ta mbajnë gjallë këtë bibliotekë, pas viteve ’90 në kushte tmerrësisht të vështira.
Unë dua vetëm që t’ju siguroj të gjithëve se ne do të bëjmë për Bibliotekën Kombëtare sa nuk është bërë në 25 vjet të marra së bashku, me bindjen që ky është një investim me një rëndësi strategjike për vendin tonë, për shoqërinë tonë, dhe jo thjesht për komunitetin e njerëzve që e vizitojnë Bibliotekën Kombëtare apo që e shfrytëzojnë kapitalin e saj të madh, sepse procesi i rrezatimit bën që ajo çka jetohet në përditshmërinë e Bibliotekës Kombëtare të shkojë shumë më larg sesa rrethi i njerëzve që janë drejtpërdrejtë të lidhur me këtë veprimtari.
Në shekullin e 19-të Schopenhauer, gjatë kërkimeve të tij në psikologjinë e të jetuarit shkruante se, nëse dikush mendon se ka kapur në thellësi shpirtin që gëlon, në një gjuhë të huaj, kjo do të thotë se ka arritur në brendësi të kombit që e flet atë gjuhë, sepse ashtu siç lidhet stili në një individ, ashtu lidhet gjuha në mendësinë e një kombi.
Në këtë aspekt, besoj se lidhja e stilit tonë me individin e kulturuar dhe të qytetëruar, si dhe me pasurinë e gjuhës së nënkuptuar, si pasuri në dije, në vepra, në histori dhe në letërsi, në mendësinë e një kombi të vetëdijshëm për të shkuarën e tij dhe për tu emancipuar, për të përqafuar të ardhmen e tij, janë as më shumë e as më pak të lidhura, në radhë të parë, me misionin e Bibliotekës Kombëtare.
E ndërkohë nuk munda t’i rezistoj këmbënguljes së vazhdueshme të drejtorit tim të protokollit, i cili më tha se nuk mund të shkosh sot në Bibliotekën Kombëtare pa dhuruar diçka. Pasi rezistova, u dorëzova dhe dhurata ime është shumë modeste. Është albumi im më i fundit i “shkarravinave” të mia, dhe po ia dhuroj drejtores së Bibliotekës Kombëtare, pa pretenduar që të regjistrohet në arkivin e bibliotekës, por le të mbetet në tavolinën e drejtores. Pastaj drejtorja vendos në fund nëse e lë në arkiv apo e merr në shtëpi.
***
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë kremtoi sot 95 vjetorin e themelimit të saj, e renditur si një prej institucioneve të rëndësishme kulturore të shtetit shqiptar.
Kryeministri Rama ishte i pranishëm në këtë aktivitet, ku merrnin pjesë Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, drejtues të këtij institucioni, akademikë, intelektualë, studiues, si dhe dashamirës dhe kontribuues në vite të fondit të Bibliotekës.
Në vitin e 95 të themelimit të saj, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë vjen me një fond prej rreth 1.2 milion librash dhe njësish të tjera bibliotekare, me qarkullim prej rreth 200 mijë njësish në vit, me mbi 6 mijë anëtarë, nga të cilët, 57 % janë të rinj, me një website të vizituar nga 125 vende të botës, si dhe me një bazë kombëtare të dhënash që vazhdon e pasurohet në mënyrë të vazhdueshme.
Drejtorja e këtij institucioni Persida Asllani u shpreh se Biblioteka Kombëtare e konceptuar me një vizion të qartë dhe profesionalizëm të lartë, mbi një prej modeleve më prestigjoze të bibliotekonomisë botërore, atë franceze, vijon të jetë një institucion qendror, kulturor, informues dhe shkencor, i cili mbledh, përpunon dhe ruan trashëgimi kulturore të shkruar të popullit shqiptar.
Ndërsa, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, duke e vlerësuar Bibliotekën Kombëtare si një prej institucioneve më të hershme të shtetit shqiptar, u shpreh se me reformën e re të qeverisjes vendore, sfida e ditëve të sotme është rifreskimi dhe gjallërimi i rrjetit të bibliotekave në të gjithë Shqipërinë.