V E N D I M
PËR
VENDOSJEN NË DISPOZICION TË MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE TË OBJEKTIT TË ISH-UNIVERSITETIT “KRISTAL”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 16, të nenit 3, të aktit normativ nr.3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Vendosjen në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për përballimin e situatës së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, të objektit të ish-universitetit “Kristal”, me vendndodhje në Mëzez, Tiranë, zona kadastrale 2679, sipas kartelave të pasurive dhe planvendosjes bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të marrë të gjitha masat, në varësi të situatës, për përshtatjen e pasurisë së përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, në një strukturë karantine ose spitalore, si dhe të përllogarisë fondin për të kryer investimet e nevojshme.
3. Objekti i ish-universitetit “Kristal” mbetet në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.
4. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA