Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendim i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Mars 2020:

 

V E N D I M

PËR

 

CAKTIMIN E DATAVE 10 DERI 23 MARS 2020 DITË PUSHIMI PËR PRINDIN KUJDESTAR TË FËMIJËVE TË MITUR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Caktimin e datave 10 deri 23 mars 2020 ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që frekuentojnë/ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin bazë, që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore.

2. Nëpunësit civilë dhe punonjësit e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, gjatë kësaj periudhe, ngarkohen të kryejnë çdo detyrë funksionale që ju ngarkohet nga eprori i drejtpërdrejtë ose titullari i institucionit, e cila mund të përmbushet në kushtet e banesës, nëpërmjet komunikimit telefonik apo të mënyrave të tjera të komunikimit elektronik.

3. Përjashtohen nga zbatimi i pikës 1, të këtij vendimi, prindërit që janë personel shëndetësor.
4. Për shkak të mbylljes së çerdheve dhe të institucioneve arsimore, në funksion të marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit nga COVID-19, iu bëjmë thirrje të gjithë punëdhënësve privatë që të gjejnë mundësitë për trajtimin me pushim të punëmarrësve të tyre, sipas pikës 1, të këtij vendimi.

5. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.