Vendim i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Mars 2020:
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT DHE TË NDËRTIMIT TË INFRASTRUKTURËS PUBLIKE, NË FUNKSION TË RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE DHE CAKTIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT SI NJËSI ZBATUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nënndarjes “i”, të shkronjës “b”, të nenit 13, të nenit 16, dhe të nenit 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit në masën 5 000 398 852 (pesë miliard e treqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e dy) lekë pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit dhe ndërtimit të infrastrukturës publike në funksion të rindërtimit të banesave individuale, në bashkitë: Durrës, Kamzë, Kavajë, Rrogozhinë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak e Vorë dhe caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese për rikonstruksionin dhe ndërtimin e kësaj infrastrukture.
2. Përdorimi i fondit, miratuar në buxhetin e vitit 2020, do të jetë 1 088 094 042 (një miliardë e tetëdhjetë e tetë milion e nëntëdhjetë e katër mijë e dyzetë e dy) lekë pa TVSH.
3. Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm” të programit 06210 “Programe zhvillimi“, i shtohet fondi prej 1 088 094 042 (një miliardë e tetëdhjetë e tetë milion e nëntëdhjetë e katër mijë e dyzetë e dy) lekë pa TVSH.
4. Fondet e mbetura të papërdorura, pas përfundimit të procedurave të prokurimit në zbatim të këtij vendimi, kthehen në zërin “Fondi për rindërtim” të buxhetit të shtetit, sipas parashikimeve ligjore në fuqi.
5. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA