Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

V E N D I M

PËR

TRAJTIMIN E PËRKOHSHËM FINANCIAR MUJOR TË DISA FUNKSIONARËVE DHE NËPUNËSVE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE, GJATË PERIUDHËS SË GJENDJES SË EPIDEMISË SË SHKAKTUAR NGA COVID-19

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kryeministri, Zëvendëskryeministri dhe ministrat, gjatë periudhës së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19 deri në përfundim të saj, por jo më shumë se tre muaj, përfitojnë pagë mujore neto në masën 50% të pagës mujore neto aktuale.

2. Nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore, të cilët janë anëtarë të këshillave, të bordeve apo të komisioneve të institucioneve të administratës shtetërore, të institucioneve publike të arsimit të lartë, të njësive të fondeve speciale, të ndërmarrjeve shtetërore dhe të shoqërive tregtare me kapital mbi 50% shtetëror, për periudhën nga data 1 prill 2020 deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, por jo më shumë se tre muaj, nuk e përfitojnë shpërblimin mujor përkatës.

3. Përjashtohen nga zbatimi i pikës 2, të këtij vendimi, nëpunësit e institucioneve të administratës shtetërore të cilët janë anëtarë të këshillave, bordeve apo komisioneve të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

4. Në kuptim të këtij vendimi, institucione të administratës shtetërore janë ato të përcaktuara sipas ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”.
5. Institucionet përkatëse, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, të derdhin shumat e papaguara në buxhetin e shtetit, në fondin antiCOVID-19, të miratuar për vitin 2020, në bankën e nivelit të dytë Credins Bank, me numër llogarie në lekë nr.1348338, me IBAN: AL 152121 1016 0000 0000 0134 8338.

6. Ngarkohen Kryeministria, aparatet e ministrive, ndërmarrjet shtetërore dhe shoqëritë tregtare me kapital mbi 50% shtetëror si dhe institucionet e administratës shtetërore, të cilat, sipas legjislacionit të tyre specifik, kanë këshilla apo borde drejtuese me të drejtë pagese, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.