Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e datës 14 Tetor 2015
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.953, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR.92/2014,  “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË””, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 56 e 159, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në nenin 8 bëhen shtesat e mëposhtme:
a) Në fund të pikave 4.1, 4.2 dhe 4.3 shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) Deklaratë e personit të tatueshëm që makineria apo pajisja, për të cilën kërkohet përjashtimi, nuk është importuar për qëllime shitjeje.”.
b) Pas shkronjës “ç”, të pikës 4.4, shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:
“d) Deklaratë e personit të tatueshëm që makineria apo pajisja, për të cilën kërkohet përjashtimi, nuk është importuar për qëllime shitjeje.”.
2. Në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, hiqen kodet e mëposhtme:
8421 23 00 – – Filtrat e vajit ose naftës për motorët me djegie të brendshme;
8421 29 00 – – Të tjera;
8421 31 00 – – Filtrat e marrjes së ajrit për motorët me djegie të brendshme;
8414 20 80 – – Pompa dore për mjete të llojit biçikleta, motoçikleta, triçikla;
8414 20 80 – – Të tjera;
8438 80 10 – – Për përgatijen e çajit apo të kafesë.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E TRANSPORTIT DHE INFRASTRUKTURËS, DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME DHE BASHKËPUNIMIT NDËRKOMBËTAR,  PËR REALIZIMIN E PROGRAMIT PËR PËRGATITJEN E STUDIMEVE TË FIZIBILITETIT DHE PROJEKTIMIT NË NIVEL PËRFUNDIMTAR SI DHE STUDIMIT TË IMPAKTIT MJEDISOR NË SEKTORIN E INFRASTRUKTURAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, dhe qeverisë së Republikës Italiane, të përfaqësuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, për realizimin e programit për përgatitjen e studimeve të fizibilitetit dhe projektimit në nivel përfundimtar si dhe studimit të impaktit mjedisor në sektorin e infrastrukturave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
MBYLLJEN E NDËRMARRJES SË FURNIZIMIT INDUSTRI-MINIERA DHE KRIJIMIN E QENDRËS SË GRUMBULLIMIT DHE TRAJTIMIT TË KIMIKATEVE TË RREZIKSHME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbylljen e Ndërmarrjes së Furnizimit Industri-Miniera (NFIM), me seli në Balëz, Elbasan.
2. Krijimin e Qendrës së Grumbullimit dhe Trajtimit të Kimikateve të Rrezikshme, me seli në Balëz, Elbasan, si institucion qendror publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për industrinë.
3. Asetet, personeli, dokumentacionet, buxheti dhe llogaritë e NFIM-së i kalojnë Qendrës së Grumbullimit dhe Trajtimit të Kimikateve të Rrezikshme.
4. Misioni i Qendrës së Grumbullimit dhe Trajtimit të Kimikateve të Rrezikshme është reduktimi i rrezikut të ndotjes së mjedisit dhe dëmtimit të shëndetit të njerëzve nga keqpërdorimi apo trafikimi për përfitime të paligjshme i kimikateve të rrezikshme, të mbetura në kushte të pasigurta depozitimi dhe ruajtjeje në magazinat apo ambientet e ish-ndërmarrjeve dhe subjekteve publike të fushës së veprimtarisë së Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.
5. Funksionet administrative të Qendrës së Grumbullimit dhe Trajtimit të Kimikateve të Rrezikshme janë ofrimi i shërbimeve për identifikimin dhe evidentimin, grumbullimin, përgatitjen për eliminimin, depozitimin dhe ruajtjen e kimikateve të rrezikshme.
6. Qendra e Grumbullimit dhe Trajtimit të Kimikateve të Rrezikshme organizohet në nivel drejtorie, me qendër në Balëz, Elbasan.
7. Qendra e Grumbullimit dhe Trajtimit të Kimikateve të Rrezikshme identifikohet me stemën dhe vulën zyrtare. Stema e qendrës përbëhet nga stema e Republikës dhe shënimet:
    “Republika e Shqipërisë, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Qendra e Grumbullimit dhe Trajtimit të Kimikateve të Rrezikshme”.
8. Struktura administrative përgjegjëse për mbikëqyrjen e aktivitetit të Qendrës së Grumbullimit dhe Trajtimit të Kimikateve të Rrezikshme është drejtoria e ngarkuar me politikat dhe zhvillimin e industrisë dhe standardeve teknike në ministrinë përgjegjëse për industrinë.
9. Organizimi i brendshëm i Qendrës së Grumbullimit dhe Trajtimit të Kimikateve të Rrezikshme miratohet me urdhër të Kryeministrit.
10. Metodat e brendshme të punës dhe sjellja e personelit në Qendrën e Grumbullimit dhe Trajtimit të Kimikateve të Rrezikshme miratohen nga ministri përgjegjës për industrinë.
11. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të qendrës rregullohen sipas legjislacionit të nëpunësit civil. Titullari dhe ish-punonjësit e NFIM-së konsiderohen të emëruar sipas legjislacionit në fuqi.
12. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Ministria e Financave për të bërë rregullimet e nevojshme në planin e buxhetit të vitit 2015, miratuar për NFIM-në.
        Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË BERATIT
Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të  ligjit nr.8927, datë 25.7.2002, “Për prefektin”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Fadil Nasufi emërohet prefekt i Qarkut të Beratit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË GJIROKASTRËS
Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.8927, datë 25.7.2002, “Për prefektin”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Flamur Bime emërohet prefekt i Qarkut të Gjirokastrës.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
 V E N D I M
PËR 
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.250, DATË 24.4.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË RENDIT PUBLIK”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8, pikat 3 e 10, dhe 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:  
1. Miratimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.250, datë 24.4.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Punëve të Brendshme, për Drejtorinë e Policisë së Shtetit, sipas formularëve bashkëlidhur këtij vendimi.
Lista që i bashkëlidhet këtij vendimi përbëhet nga 95 (nëntëdhjetë e pesë) fletë.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Policisë së Shtetit dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen e procedurave të nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.