Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, MIRATUAR NË DATËN 08 JANAR 2014

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROTOKOLLIN E PRIVILEGJEVE DHE IMUNITETEVE TË AUTORITETIT NDËRKOMBËTAR TË SHTRATIT TË DETIT”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin e privilegjeve dhe imuniteteve të Autoritetit Ndërkombëtar të Shtratit të Detit”, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

***

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT SHTESË 3 TË MARRËVESHJES PËR AMENDIMIN DHE ADERIMIN NË MARRËVESHJEN E TREGTISË SË LIRË TË EVROPËS QENDRORE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e  ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit shtesë 3 të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropës Qendrore”, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË SHTESËS NR.2 TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN KOMBËTAR PËR SHQIPËRINË, NË KUADËR TË KOMPONENTIT INSTRUMENTI PËR ASISTENCËN E PARAZGJERIMIT, “ASISTENCA E TRANZICIONIT DHE MBËSHTETJA INSTITUCIONALE PËR VITIN 2011”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”,  me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të shtesës nr.2 të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për Programin Kombëtar për Shqipërinë, në kuadër të komponentit Instrumenti për Asistencën e Parazgjerimit, “Asistenca e tranzicionit dhe mbështetja institucionale për vitin 2011”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E PROTOKOLLIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KROACISË, PËR NDRYSHIMET NË MARRËVESHJEN, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KROACISË, PËR BASHKËPUNIMIN DHE NDIHMËN E NDËRSJELLË NË ÇËSHTJET DOGANORE  

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kroacisë, për ndryshimet në marrëveshjen, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kroacisë, për bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjellë në çështjet doganore.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

***

V E N D I M

PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.997, DATË 10.12.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRAJTIMIN FINANCIAR TË PUNONJËSVE QË DËRGOHEN ME SHËRBIM JASHTË QENDRËS SË PUNËS, BRENDA VENDIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 16, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Pas pikës 2/2, të kreut III, të vendimit nr.997, datë 10.12.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 2/3, me këtë përmbajtje:

“2/3. Përjashtohet nga pika III-1 edhe personeli ushtarak i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që angazhohet në procesin e eliminimit të kimikateve stoqe në strukturat e këtyre forcave. Në këto raste personeli ushtarak trajtohet sipas pikës III-3, të këtij vendimi”.

2.    Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes.

3.    Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR  

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.185/2013, datë 28.12.2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Financimin nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore të paketës së shërbimeve të ofruara në spitalet publike, sipas listës së shërbimeve në shtojcën l, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2.    Spitali është person juridik, publik, me buxhet të pavarur, me cilësinë e autoritetit kontraktor, i cili organizohet, administrohet dhe vepron sipas ligjit nr.9106, datë 17.7.2003, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”.

3.    Spitali e ushtron veprimtarinë, në përputhje me standardet, treguesit e cilësisë e të performancës, protokollet e diagnozës dhe të trajtimit, të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë.

4.    Pagesa e paketës së shërbimeve spitalore që ofron çdo spital bëhet sipas shtojcës nr. 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Një fond jo më i madh se 10 për qind e buxhetit vjetor, të planifikuar për shërbimet spitalore, mbahet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për t’ua rishpërndarë spitaleve gjatë vitit, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për:

a) pagesat e paketave të shërbimeve të veçanta, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
b) nevoja të spitaleve gjatë vitit.

5.    Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratat me spitalet për financimin e paketave të shërbimeve shëndetësore, të ofruara prej tyre.

Në kontratën dypalëshe, ndër të tjera, përcaktohen:

a) shërbimet e parashikuara për çdo spital;
b) mënyrat e mbajtjes të të dhënave dhe të raportimit;
c) mënyrat e pagesës së spitalit;
ç) treguesit e cilësisë dhe të performancës;
d) mënyrat e ushtrimit të kontrollit nga Fondi;
dh) sistemi i referimit dhe mënyra e identifikimit të të siguruarve;
e) mënyrat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

6.    Shpenzimet kapitale për investimet në spitale mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë. Spitalet mund të kryejnë investime edhe nga burime të tjera.

7.    Burime të tjera financimi për spitalet janë fondet e krijuara nga të ardhurat e realizuara gjatë veprimtarisë së tyre dhe nga dhurimet. Përdorimi i tyre bëhet totalisht nga vetë spitali, si pjesë e kostos së shërbimit, sipas udhëzimit të miratuar nga këshilli administrativ i Fondit. Këto të ardhura vlerësohen si të ardhura jashtë limitit.

8.    Mënyra e pagesës dhe e shpërblimit të punës së punonjësve të spitaleve, që kanë lidhur kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, sipas këtij vendimi, përcaktohet me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

9.    Spitali zbaton sistemin e referimit dhe tarifat për shërbimet me pagesë, të miratuara nga ministri i Shëndetësisë.

10.    Ministria e Shëndetësisë ushtron kontroll në spital për zbatimin e standardeve të miratuara prej saj, si dhe për buxhetin që financon.

11.    Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ushtron kontroll në spitale, sipas mënyrës së përcaktuar në kontratë.

12.    Marrëdhëniet juridike të punës në spitale rregullohen në përputhje me Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, miratuar me ligjin nr.7961, datë 12.7.1995, të ndryshuar.

13.    Spitalet janë të detyruara të llogaritin shpenzimet faktike të çdo shërbimi, në përputhje me standardet e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Shpenzimet mujore dhe progresive raportohen nga spitalet në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili bën monitorimin e tyre.

14.    Deri në hartimin e kostove të shërbimeve, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të financojë paketën e shërbimeve spitalore të kontraktuara me metodën e buxhetimit.

Buxheti i kontraktuar i spitalit ka këto zëra shpenzimesh:

a) Paga dhe shpenzime të tjera lidhur me pagën e personelit;
b) Kontribute për sigurime shëndetësore e shoqërore të personelit;
c) Mallra e shërbime të tjera.

Spitali mban përgjegjësi të plotë për zbatimin e buxhetit të kontraktuar, sipas zërave të përcaktuar nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

15.Spitali mund të rishpërndajë buxhetin, duke zbatuar kufizimet e mëposhtme:

a)  Rishpërndarja nga “Shpenzime për mallra e shërbime” te “Pagat dhe sigurime” mund të bëhet vetëm brenda një kufiri prej 2%;

b)  Rishpërndarja nga “Paga e sigurime” te “Shpenzimet për mallra e shërbime” është e mundur vetëm brenda një kufiri prej 5 %.

Të dy kufijtë llogariten, në bazë të buxhetit të kontraktuar. Rishpërndarja e burimeve bëhet me autorizimin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

16.    Rishpërndarja e buxhetit midis spitaleve mund të bëhet vetëm brenda një kufiri prej 3% të buxhetit të spitaleve, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

17.    Numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve është sipas shtojcës 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

18.    Numri i punonjësve me kontratë shërbimi për spitalet universitare miratohet nga Këshilli Administrativ i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

19.     Financimi i institucioneve dhe i shërbimeve, të përcaktuara në shtojcën 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të bëhet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, vetëm kundrejt shtesave përkatëse të buxhetit, nga Ministria e Shëndetësisë.

20.    Vendimi nr.140, datë 17.2.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor”, i ndryshuar, shfuqizohet.

21.    Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.