VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, MIRATUAR NË DATËN 15 JANAR 2014
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.840 DATË 21.10.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR VENDOSJEN E KABLLIT NËNDETAR NDËRKOMBËTAR ME FIBËR OPTIKE BARI (ITALI) – GJIRI I LALZIT (SHQIPËRI) (PROJEKTI BALKANS-ITALY NETWORK)”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 5, të ligjit nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 32, të ligjit nr.9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 3, e vendimit nr.840, datë 21.10.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Afati i lejes, sipas pikës 2, të vendimit nr.840, datë 21.10.2010, të Këshillit të Ministrave, është deri në datën 28 shkurt 2017.”.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË GJEORGJISË, PËR UDHËTIMIN PA VIZA PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE DIPLOMATIKE DHE TË SHËRBIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Gjeorgjisë, për udhëtimin pa viza për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE MANDATIMIN E DISA ANËTARËVE TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË KONTABILITETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 20, të ligjit nr.9228, datë 29.4.2004, “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lirimin nga detyra e anëtarit të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit të znj. Arjana Dyrmishi dhe z. Frederik Çuçllari për shkak të përfundimit të mandatit.
2. Mandatimin si anëtarë të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit të:
– znj. Diana Lamani, propozuar nga fakulteti Ekonomik, Universiteti i Tiranës;
– znj. Kesjana Halili, propozuar nga ministri i Financave.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.500, DATË 6.7.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR EMËRIMIN E KRYETARIT DHE TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.10233, datë 11.2.2010, “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 1, të vendimit nr.500, datë 6.7.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, në numrin rendor 5 fjalët “Z. Gazmend Dibra anëtar” zëvendësohen me “Z. Ilir Hebovija anëtar”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.849, DATË 19.12.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FUNKSIONIMIN E FOTOTEKËS KOMBËTARE “MARUBI” DHE PËR KALIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT NGA BASHKIA E SHKODRËS MINISTRISË SË KULTURËS, RINISË DHE SPORTEVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “c”, të nenit 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të pikës 3, të nenit 53, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në të gjithë përmbajtjen e vendimit nr.849, datë 19.12.2003, të Këshillit të Ministrave, emërtimet “Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve” dhe “Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve” ndryshohen dhe zëvendësohen, përkatësisht, me “Ministria e Kulturës” dhe “Ministri i Kulturës”.
2. Ngarkohet Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.718, DATË 29.10.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR LISTËN E PERSONAVE TË SHPALLUR SI FINANCUES TË TERRORIZMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 14, pika 1, 18, pika 1, 25, pika 1, e 28, pika 1, të ligjit nr.157/2013, datë 10.10.2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e personave të shpallur sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit (“Lista e OKB-së”), që i bashkëlidhet vendimit nr.718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në fund të shkronjës “C”, “Lista e individëve, anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën AI-Qaida”, shtohen personat e renditur në listën “a”, “Lista e individëve, anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Qaida”, si anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Qaida, sipas shtesave në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për personat që janë anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues, për organizatën Al-Qaida.
b) Nga lista e shkronjës “C”, “Lista e individëve, anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën AI-Qaida”, çregjistrohen individët e renditur në shkronjën “b” të listës, “Lista e individëve të çregjistruar nga lista e individëve, anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Qaida”, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si persona të çregjistruar nga anëtarë bashkëpunëtorë apo financues për organizatën Al-Qaida me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
c) Nga lista e shkronjës “D”, “Lista e kompanive që i takojnë ose bashkëpunojnë me organizatën Al-Qaida”, shtohen kompanitë e renditura në shkronjën “c” të listës, “Lista e kompanive të shtuara nga lista e kompanive që i takojnë ose bashkëpunojnë me organizatën Al-Qaida”, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si kompani të shtuara me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
ç) Nga lista e shkronjës “D”, “Lista e kompanive që i takojnë ose bashkëpunojnë me organizatën Al-Qaida”, çregjistrohen kompanitë e renditura në shkronjën “ç” të listës, “Lista e kompanive të çregjistruara nga lista e kompanive që i takojnë ose bashkëpunojnë me organizatën Al-Qaida”, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si kompani të çregjistruara me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
2. Personat e përfshirë në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, janë persona të shpallur si financues të terrorizmit, sipas pikës 1, të nenit 5, të ligjit nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RREGULLIMIN E DISA ÇËSHTJEVE NË ZBATIM TË LIGJIT NR.170/2013, DATË 14.11 2013,“PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË ASISTENCËS SË SHËRBIMIT DOGANOR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjave “a”, ‘b”, “c”, “ç”, “d’, “dh”, “e”, “g” dhe “gj”, të pikës 1, të nenit 12, të ligjit nr.170/2013, datë 14.11.2013, “Për miratimin e marrëveshjes së asistencës së shërbimit doganor”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Rregullimin e disa çështjeve në zbatim të ligjit nr.170/2013, datë 14.11.2013, “Për miratimin e marrëveshjes së asistencës së shërbimit doganor”, sipas shtojcave “A”, “B”, “C”, “D”, “I”, “E”, “F”, “K” dhe “L”, që bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij, përkatësisht:
a) Shërbimet dhe pajisjet që do të furnizohen nga kontraktuesi, përcaktuar në shtojcën “A”;
b) Zyrat, pajisjet teknike dhe infrastruktura që i nevojitet kontraktuesit, përcaktuar në shtojcën “B”;
c) Plani i pagesave dhe mbajtjeve nga pagesat, si dhe formati dhe rregullat e rishikimeve tremujore të treguesve kryesorë të performancës, përcaktuar në shtojcat “C” dhe “I”;
ç) Modeli i letrës së konfirmuar e të transferueshme të gatshme të kredisë në favor të kontraktuesit, përcaktuar në shtojcën “D”;
d) Përshkrimi i punës së kontraktuesit, përcaktuar në shtojcën “E”;
dh) Modeli i garancisë së paradhënies në favor të autoritetit kontraktues, përcaktuar në shtojcën “F”;
e) Miratimi i njoftimit për zgjatjen e afatit të kontratës për vitin e tretë, përcaktuar në shtojcën “K”;
ë) Miratimi i modelit të letrës së konfirmuar e të transferueshme të gatshme të kredisë në favor të kontraktuesit për automjetet, përcaktuar në shtojcën “L”.
2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shtojcat e përcaktuara në shkronjat “a”-“ë”, të pikës 1, të këtij vendimi, bëhen pjesë përbërëse e marrëveshjes së miratuar me ligjin nr.170/2013, datë 14.11.2013.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN NË DETYRË TË NJË ANËTARI TË BORDIT MBIKËQYRËS TË AGJENCISË PËR MBËSHTETJEN E SHOQËRISË CIVILE (AMSHC)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 8, të ligjit nr.10093, datë 9.3.2009, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Adrian Thano emërohet në detyrën e anëtarit të bordit mbikëqyrës të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10352, DATË 18.11.2010, “PËR ARTIN DHE KULTURËN””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.