Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama drejtoi sot mbledhjen e Këshillit të Ministrave në të cilën u morën këto vendime:

 

VENDIME:

 

1. Për miratimin, në parim, të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin e projektit  të investimit në sektorin e ujit.

Projekti i Investimit në Sektorin e Ujit, që sipas kësaj marrëveshjeje do të financohet tërësisht nga Banka Botërore (IBRD), nëpërmjet një huaje në vlerën 62. 500.000 Euro, ka si objektiv përmirësimin e cilësisë së shërbimit në fushën e ujësjellësit dhe kanalizimeve të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizime Durrës (NUKD).

 

2. Për miratimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në lidhje me grantet e investimit nga llogaria EU/IPA 2011 dhe llogaria EU/IPA 2010, për projektin e rrugëve rajonale dhe lokale.

Projekti i rrugëve rajonale dhe lokale synon rindërtimin e rreth 500 km rrugë rajonale dhe lokale dhe është pjesë e një programi të gjerë që ka ndërmarë qeveria e Republikës së Shqipërisë me qëllim financimin e rehabilitimit të 1000 – 1500 km rrugë rajonale dhe lokale.

 

3. Për miratimin, në parim, të memorandumit të ri të mirëkuptimit për kuadrin institucional të iniciativës për gatishmërinë dhe parandalimin e katastrofave për Evropën Juglindore.

Memorandumi i mirëkuptimit, i nënshkruar nga 11 vende të Evropës Juglindore, synon të forcojë bashkëpunimin shumëdimensional, me qëllim parandalimin dhe përgatitjen ndaj fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të shkaktuara nga njeriu. 

 

4. Për emërim në detyrë  të z. Idlir Peçi, zëvendësministër i Drejtësisë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.