Vendime të miratuara në mbledhjen e datës 26 mars 2014
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.707, DATË 25.8.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I LINJËS 400 KV, TIRANË – PODGORICË, QARKU TIRANË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pikat 3 dhe 4, të vendimit nr.707, datë 25.8.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në lekë, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqe totale prej 9374.45 (nëntë mijë e treqind e shtatëdhjetë e katër pikë dyzet e pesë) m², tokë bujqësore, shtëpi, arë dhe ullishte, vlerësuar në shumën e përgjithshme prej 139 117 832 (njëqind e tridhjetë e nëntë milionë e njëqind e shtatëmbëdhjetë mijë e tetëqind e tridhjetë e dy) lekësh.
4. Fondi prej 139 117 832 (njëqind e tridhjetë e nëntë milionë e njëqind e shtatëmbëdhjetë mijë e tetëqind e tridhjetë e dy) lekësh të përballohet nga fondet e OST, sh.a.-së.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, PËRBËRJEN, FUNKSIONIMIN, PËRGJEGJËSITË DHE DETYRAT E KOMISIONIT TË POSAÇËM PËR ADMINISTRIMIN E UJËRAVE NDËRKUFITARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 22, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e Komisionit të Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare.
2. Komisioni kryesohet nga zëvendësministri i Mjedisit, përgjegjës për fushën e ujërave, dhe ka në përbërje anëtarë, përfaqësues nga:
· Ministria e Punëve të Jashtme;
· Ministria e Drejtësisë;
· Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave;
· Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes;
· Ministria e Energjisë dhe Industrisë;
· Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës;
· Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit;
· Ministria e Punëve të Brendshme;
· Ministria e Financave;
· Ministria e Mbrojtjes;
· Ministria e Shëndetësisë;
· Ministria e Arsimit dhe Sportit;
· Ministria e Kulturës;
· Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë.
3. Sekretariati teknik i Këshillit Kombëtar të Ujit asiston në çdo mbledhje të komisionit dhe ka për detyrë:
a) hartimin e programit të mbledhjes;
b) hartimin e drafteve sipas tematikave përkatëse;
c) njoftimin e anëtarëve;
ç) realizimin e detyrave të tjera që i ngarkon kryetari i komisionit.
4. Ngarkohen titullarët e institucioneve të përmendura në pikën 2 për të caktuar përfaqësuesit e tyre në këtë komision, të cilët duhet të jenë të niveleve të larta drejtuese.
5. Komisioni harton, shqyrton dhe i propozon ministrit të Mjedisit marrëveshje bashkëpunimi me secilin vend fqinj, duke trajtuar të gjitha çështjet që lidhen me menaxhimin e integruar të burimeve ujore ndërmjet vendeve respektive.
6. Për probleme dhe çështje specifike Komisioni ka të drejtën të krijojë nënkomisione me ekspertë të fushave përkatëse.
7. Veprimtaria e Komisionit mbështetet në legjislacionin shqiptar, si dhe në marrëveshjet e konventat ndërkombëtare, në të cilat Republika e Shqipërisë është palë.
8. Vendimi nr.337, datë 15.7.1999, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Komisionit Qeveritar për Problemet Ujore me Vendet Fqinje”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 15.1.2013, PËR ÇËSHTJEN NR.49109/06, “DELVINA KUNDËR SHQIPЁRISЁ”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 15.1.2013, për çështjen nr.49109/06, “Delvina kundër Shqipёrisё”, në shumën 2 022 900 (dy milionë e njëzet e dy mijë e nëntëqind) euro, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin.
2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
3. Shuma e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesve, z. Sherif Delvina, z. Ahmet Delvina dhe znj. Fatime Delvina, në vlerë proporcionale me detyrimin që ka shteti shqiptar ndaj ankuesve, sipas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 15.1.2013, për ankimin nr.49109/06, “Delvina kundër Shqipёrisё”.
4. Pagimi i shumës së depozituar, sipas pikës 3, të këtij vendimi, në favor të ankuesve, z. Sherif Delvina, z. Ahmet Delvina dhe znj. Fatime Delvina, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit. Afati i zbatimit të këtij vendimi është pagesa në transhin e parë të pagesës së detyrimeve të prapambetura, mbështetur në strategjinë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.
5. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga buxheti i shtetit, zëri “Detyrimet e prapambetura”.
6. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 15.1.2013, PËR ÇËSHTJEN NR.63756/09, “THEMELI KUNDËR SHQIPЁRISЁ”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
7. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 15.1.2013, për çështjen nr.63756/09, “Themeli kundër Shqipёrisё”, në shumën 3 900 (tre mijë e nëntëqind) euro, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin.
8. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku është depozituar shuma në datën e kryerjes së pagesës.
9. Shuma e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesit, z. Jorgji Themeli, në vlerën që shteti shqiptar i detyrohet ankuesit, sipas vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, datë 15.1.2013, për çështjen nr.63756/09, “Themeli kundër Shqipёrisё”.
10. Pagimi i shumës së depozituar, sipas pikës 3, të këtij vendimi, në favor të ankuesit, z. Jorgji Themeli, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes të të gjithë dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit. Afati i zbatimit të këtij vendimi është pagesa në transhin e parë të pagesës së detyrimeve të prapambetura, mbështetur në strategjinë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.
11. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga buxheti i shtetit, zëri “Detyrimet e prapambetura”.
12. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 15.1.2013, PËR ÇËSHTJEN NR.13620/10, “TUSHAJ KUNDËR SHQIPЁRISЁ”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
13. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 15.1.2013, për çështjen nr.13620/10, “Tushaj kundër Shqipёrisё”, në shumën 1 300 (një mijë e treqind) euro, plus edhe çdo taksë që mund të jetë e tatueshme në lidhje me dëmin moral, shumën prej 500 (pesëqind) eurosh si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për kostot dhe shpenzimet. Vlera në total e detyrimit është 1 800 (një mijë e tetëqind) euro.
14. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
15. Shuma e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesit, z. Lekë Tushaj, në vlerën që shteti shqiptar i detyrohet atij, sipas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 15.1.2013, për ankimin nr.13620/10, “Tushaj kundër Shqipёrisё”.
16. Pagimi i shumës së depozituar, sipas pikës 3, të këtij vendimi, në favor të ankuesit, z. Lekë Tushaj, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së të gjithë dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit. Afati i zbatimit të këtij vendimi është pagesa në transhin e parë të pagesës së detyrimeve të prapambetura, mbështetur në strategjinë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.
17. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga buxheti i shtetit, zëri “Detyrimet e prapambetura”.
18. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PAGESËN E VLERËS SË MBETUR TË DETYRIMIT PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 31.7.2012, PËR ANKIMET NR.604/07, NR.43628/07 DHE NR.46684/07, “MANUSHAQE PUTO DHE TË TJERË KUNDËR SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
19. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 31.7.2012, për ankimet nr.604/07, nr.43628/07 dhe nr.46684/07, “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, për pjesën e mbetur të detyrimit.
20. Vlera e mbetur e detyrimit, e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku është depozituar shuma në datën e kryerjes së pagesës.
21. Pjesa e mbetur e detyrimit sipas pikës 1, të këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesve, në vlerë proporcionale me detyrimin që ka shteti shqiptar për secilin prej tyre, sipas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 31.7.2012, për ankimin nr.604/07, nr.43628/07 dhe nr.46684/07 “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”.
22. Pagimi i shumës së depozituar, për pjesën e mbetur të detyrimit sipas pikës 1, të këtij vendimi, në favor të ankuesve, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes të të gjithë dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit. Afati i zbatimit të këtij vendimi është pagesa në transhin e parë të pagesës së detyrimeve të prapambetura, mbështetur në strategjinë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.
23. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga buxheti i shtetit, zëri “Detyrimet e prapambetura”.
24. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROTOKOLLIT TË 16-TË TË KONVENTËS PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE TË NJERIUT DHE LIRIVE THEMELORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të protokollit të 16-të të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN E PËRHERSHËM DHE TË PËRKOHSHËM TË NËPUNËSVE CIVILË, PEZULLIMIN DHE LIRIMIN NGA SHËRBIMI CIVIL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 48, pika 7, 50, pika 6, 51, pika 3, 52, pika 4, 56, pika 5, 66, pika 5, e 69, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim rregullon procedurat për transferimin e përhershëm dhe të përkohshëm të nëpunësve civilë, pezullimin nga shërbimi civil të nëpunësve civilë, lirimin nga shërbimi civil për nivelin ekzekutiv, të ulët dhe të mesëm drejtues.
Kreu I
TRANSFERIMI I PËRKOHSHËM
2. Nëpunësi civil mund të transferohet përkohësisht në një pozicion tjetër të shërbimit civil të së njëjtës kategori, sipas rastit, përkatësisht brenda administratës shtetërore, brenda njësisë përkatëse të qeverisjes vendore dhe brenda institucionit përkatës të pavarur:
a) në interes të institucionit, deri në 6 (gjashtë) muaj me/ose pa ndërprerje, gjatë 2 viteve;
b) për përmirësimin e rezultateve të tij, deri në 3 (tre) muaj pa ndërprerje gjatë 2 viteve;
c) për arsye të përkohshme shëndetësore apo gjatë shtatzanisë, në bazë të ligjeve në fuqi të përcaktuara nga komisioni përkatës, për aq sa është e nevojshme sipas vendimit të komisionit përkatës.
3. Transferimi i përkohshëm nuk bëhet për nëpunësit civilë në periudhë prove dhe në kuptim të pikës 2, të këtij vendimi, në periudhën 2-vjeçare të viteve të punës nuk përfshihet koha e periudhës së provës.
4. Nëpunësi civil mund të transferohet në interes të institucionit me kërkesë të institucionit, drejtorisë së interesuar apo njësisë së burimeve njerëzore.
5. Transferimi i përkohshëm në bazë të shkronjës “a”, të pikës 2, të këtij vendimi, miratohet nga njësia përgjegjëse, e cila njofton me shkrim nëpunësin civil që do të transferohet.
6. Nëpunësi civil mund të transferohet përkohësisht, për nevojat e institucionit apo shtetit, në një organizatë ndërkombëtare, në të cilën Republika e Shqipërisë është anëtare, apo në një institucion ndërkombëtar. Kërkesa bëhet nga organi i emërtesës në këtë institucion apo organizatë dhe miratohet nga njësia përgjegjëse.
7. Nëpunësi civil mund të transferohet për përmirësimin e rezultateve të tij në bazë të planeve vjetore të mobilitetit brenda institucionit dhe në bazë të planeve vjetore të mobilitetit të përgjithshëm për administratën shtetërore. Transferimi bëhet me kërkësë të tij dhe të eprorit direkt ose me kërkesë të secilit prej tyre dhe miratohet nga njësia përgjegjëse. Plani vjetor i mobilitetit, në kuptim të kësaj pike, është plani i transferimeve të përkohshme në rast të nevojës së institucionit ose përmirësimit të rezultateve në punë.
8. Transferimi për arsye të përkohshme shëndetësore apo gjatë shtatzanisë bëhet me kërkesë të nëpunësit civil apo njësisë së menaxhimit të burimeve njerëzore të institucionit, me qëllim sigurimin e kushteve të përshtatshme të punës për këta nëpunës dhe miratohet nga njësia përgjegjëse.
9. Nëpunësi civil ka të drejtë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit, të refuzojë me shkrim transferimin e përkohshëm pranë njësisë përgjegjëse dhe të dëgjohet prej saj, nëse:
a) gjendja e tij shëndetësore, provuar me vërtetim mjekësor, e bën transferimin të pamundur;
b) vendi ku transferohet gjendet më shumë së 30 km nga vendbanimi i nëpunësit civil.
10. Njësia përgjegjëse merr vendim brenda 10 (dhjetë) ditëve pas afatit të përcaktuar në pikën 9, të këtij vendimi. Transferimi i përkohshëm bëhet me afat të përcaktuar në vendimin përkatës dhe përveç rasteve të parashikuara në pikën 9, të këtij vendimi, është i detyrueshëm.
11. Institucionet ku bëhet transferimi, mënyra e pagesës dhe rikthimi në vendin e punës bëhen sipas përcaktimeve të nenit 48, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”.
12. Kthimi në vendin e punës bëhet nga njësia përgjegjëse pas mbarimit të afateve të parashikuara në vendimin e njësisë përgjegjëse dhe jo më vonë se afatet e parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi.
Kreu II
TRANSFERIMI I PËRHERSHËM
13. Transferimi i përhershëm është caktimi i detyrueshëm i nëpunësit civil në një pozicion tjetër të shërbimit civil, në rastet e:
a) gjendjes së paaftësisë shëndetësore për të kryer detyrat e pozicionit të mëparshëm;
b) shmangies së një konflikti të vazhdueshëm interesi;
c) përfundimit të pezullimit, kur pozicioni i mëparshëm është i plotësuar përfundimisht.
14. Për institucionet e administratës shtetërore, DAP-i merr vendim brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës nga eprori direkt ose nëpunësi civil dhe vendos për transferimin në një nga këto institucione:
a) në një pozicion tjetër të të njëjtit institucion, ku nëpunësi civil është i emëruar;
b) në institucionet e varësisë së institucionit ku nëpunësi është emëruar;
c) në një institucion tjetër të shërbimit civil.
15. Për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore, njësia përgjegjëse merr vendim brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës nga eprori direkt dhe vendos për transferimin e nëpunësit brenda institucionit.
Kreu III
TRANSFERIMI PËR SHKAK TË MBYLLJES DHE RISTRUKTURIMIT TË INSTITUCIONIT
16. Në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit, do të konsiderohen ndryshime të vendit të punës rastet në të cilat, për efekt të ristrukturimit të ndodhur në institucion, janë shkurtuar, ristrukturuar vende pune apo ndryshuar kriteret e vendeve të punës, nëpunësit e të cilave mund të sistemohen në vendet e reja të krijuara, të ristrukturuara apo të mbetura si pasojë e ristrukturimit.
17. Në rastet e mbylljes apo ristrukturimit, njësia përgjegjëse krijon një komision ristrukturimi, i cili shqyrton mundësitë e sistemimit të çdo nëpunësi civil në vendet e lira ekzistuese dhe propozon transferimin e nëpunësit në një pozicion të lirë të së njëjtës kategori.
18. Komisioni përbëhet nga tre anëtarë dhe krijohet nga njësia përgjegjëse sipas rastit. Komisioni i ristrukturimit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga ristrukturimi, i propozon me shkrim njësisë përgjegjëse transferimin e nëpunësit civil sipas precedencës së përcaktuar në pikën 2, të nenit 50, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”.
19. Komisioni i ristrukturimit në propozimin e tij mbështetet mbi kriteret specifike të vendeve të lira apo të krijuara të reja si pasojë e ristrukturimit dhe të dhënat e nëpunësve civilë, vendet e të cilëve preken si pasojë e ristrukturimit. Vendimi është individual për çdo nëpunës civil.
20. Njësia përgjegjëse brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së propozimit nga komsioni i ristrukturimit, vendos për transferimin e nëpunësit civil, njofton nëpunësin civil për vendimin dhe merr mendimin e tij me shkrim. Nëpunësi civil duhet të japë mendimin e tij me shkrim brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit.
21. Nëpunësi ka të drejtë të refuzojë vendimin dhe të dëgjohet nga njësia përgjegjëse, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit për vendimin, vetëm në rast se:
a) gjendja e tij shëndetësore, provuar me vërtetim mjekësor, e bën transferimin të pamundur;
b) vendi ku transferohet gjendet më shumë së 30 km nga vendbanimi i nëpunësit civil.
22. Njësia përgjegjëse verifikon shkaqet e refuzimit dhe mund të revokojë vendimin nëse plotësohen kushtet e pikës 21, të vendimit.
23. Refuzimi i transferimit për arsye të tjera përveç pikës 21, të këtij vendimi, përbën shkak për lirimin nga shërbimi civil.
Kreu IV
TRANSFERIMI PËR ARSYE TË PAAFTËSISË SHËNDETËSORE
24. Eprori direkt ose vetë nëpunësi civil mund të kërkojnë transferimin në një pozicion tjetër të së njëjtës kategori ku është i aftë të kryejë detyrat.
25. Nëpunësi civil që kërkon të transferohet, i paraqet njësisë përgjegjëse një kërkesë me shkrim dhe vërtetim të gjendjes shëndetësore, të siguruar sipas legjislacionit në fuqi. Njësia përgjegjëse njofton eprorin direkt për kërkesën e nëpunësit.
26. Eprori direkt ka të drejtë të kërkojë nga njësia përgjegjëse transferimin e nëpunësit civil nëpërmjet një kërkese të arsyetuar. Nëpunësi civil dëgjohet nga njësia përgjegjëse përpara se të marrë vendim dhe i paraqet asaj vërtetimin e gjendjes shëndetësore.
Kreu V
TRANSFERIMI PËR SHKAK TË SHMANGIES SË KONFLIKTIT TË INTERESIT
27. Në institucionet qendrore, eprori direkt, vetë nëpunësi civil ose njësia e burimeve njërëzore mund të kërkojnë transferimin në një pozicion tjetër të së njëjtës kategori ose, me miratimin e nëpunësit, në një kategori më të ulët, me qëllim shmangien e konfliktit të vazhdueshëm të interesit a të konflikteve të tjera të parashikuara në legjislacionin për konfliktin e interesit.
28. Në institucionet e qeverisjes vendore dhe institucionet e pavarura kërkesa mund të bëhet nga eprori direkt ose vetë nëpunësi civil.
29. Nëpunësi civil që kërkon të transferohet, i paraqet njësisë përgjegjëse një kërkesë me shkrim dhe deklaron konfliktin e interesit. Njësia përgjegjëse njofton eprorin direkt për kërkesën e nëpunësit.
30. Eprori direkt ka të drejtë të kërkojë nga njësia përgjegjëse transferimin e nëpunësit civil nëpërmjet një kërkese të arsyetuar. Nëpunësi civil dëgjohet nga njësia përgjegjëse përpara se të marrë vendim.
Kreu VI
PEZULLIMI
31. Pezullimi i marrëdhënies në shërbimin civil bëhet në këto raste:
a) Për shkak të njërës prej arsyeve të pezullimit, sipas nenit 54, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”;
b) Me kërkesë të vetë nëpunësit;
c) Në rastin e procedimit disiplinor sipas pikës 6, të nenit 59, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”.
32. Pezullimi i marrëdhënies në shërbimin civil për shkaqet e parashikuara në nenin 54, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, bëhet me konstatimin e shkakut të ligjshëm të pezullimit nga njësia e burimeve njerëzore. Për TND-në, konstatimi i pezullimit bëhet nga DAP-i me marrjen dijeni për shkakun e pezullimit.
33. Eprori direkt dhe çdo nëpunës civil, kur kanë dijeni për shkaqet e ligjshme të pezullimit të parashikuara në nenin 54, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, kanë detyrimin të njoftojnë njësinë e burimeve njerëzore të institucionit ku është i punësuar nëpunësi.
34. Njësia e burimeve njerëzore nis procedurën e verifikimit me marrjen dijeni të shkakut të pezullimit. Njësia e burimeve njerëzore njofton nëpunësin civil brenda 2 (dy) ditëve nga data e konstatimit të shkakut të ligjshëm të pezullimit.
35. Nëpunësi civil dëgjohet nga njësia e burimeve njerëzore brenda 3 (tri) ditësh nga data e marrjes së njoftimit.
36. Konstatimi i pezullimit bëhet nga njësia e burimeve njerëzore brenda 2 (dy) ditëve, pas ndjekjes së procedurës në pikat 33, 34 dhe 35, të këtij vendimi.
37. Në rastin e TND-së, DAP-i njofton anëtarin e TND-së brenda 2 (dy) ditëve nga data e konstatimit të shkakut të ligjshëm të pezullimit.
38. Anëtari i TND-së dëgjohet nga DAP-i brenda 3 (tri) ditëve nga data e marrjes së njoftimit. DAP-i pasi dëgjon nëpunësin civil vendos për pezullimin brenda 2 (dy) ditëve.
39. Nëpunësi civil me kërkesën e tij mund të kërkojë pezullimin e marrëdhënies në shërbimin civil. Kërkesa për pezullim bëhet me shkrim 15 (pesëmbëdhjetë) ditë përpara datës së kërkuar për pezullim. Kërkesa i drejtohet njësisë së burimeve njerëzore, ndërsa në rastin e anëtarëve të TND-së kërkesa i drejtohet DAP-it.
40. Pas kërkesës së nëpunësit civil, njësia e burimeve njerëzore dhe DAP-i, sipas rastit, konstatojnë me shkrim pezullimin brenda 10 (dhjetë) ditëve.
41. Për institucionet e administratës shtetërore, njësia e burimeve njerëzore njofton njësinë përgjegjëse për pezullimin e nëpunësit civil të kategorisë ekzekutive, të ulët apo të mesme drejtuese, brenda 3 (tri) ditëve pune nga data e konstatimit të pezullimit.
Kreu VII
LIRIMI NGA SHËRBIMI CIVIL
42. Nëpunësi civil lirohet nga shërbimi civil për shkaqet e parashikuara nga neni 66, i ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, me deklarimin e njësisë së burimeve njerëzore të institucionit, ku nëpunësi ushtron detyrën. Në rastin e institucioneve të administratës shtetërore, njësia e burimeve njerëzore njofton DAP-in për vendimin e lirimit nga shërbimi civil të nëpunësve të kategorisë ekzekutive, të ulët apo të mesme drejtuese, brenda 3 (tri) ditëve pune nga data e marrjes së vendimit.
43.Lirimi nga shërbimi civil bëhet automatikisht menjëherë pas dy vlerësimeve negative radhazi nga njësia e burimeve njërëzore dhe i njoftohet menjëherë nëpunësit. Vlerësim negativ konsiderohet vlerësimi jokënaqshëm.
44. Nëpunësi civil lirohet nga shërbimi civil kur bëhet i paaftë përgjithmonë për të kryer detyrat për shkak të gjendjes shëndetësore. Paaftësia shëndetësore përcaktohet nga njësia e burimeve njerëzore, në bazë të certifikatës së kontrollit shëndetësor dhe sipas kritereve të paaftësisë shëndetësore. Nëpunësi civil është i detyruar të paraqesë deri më 10 janar të çdo viti pranë njësisë së burimeve njerëzore të institucionit certifikatën e kontrollit shëndetësor.
45. Njësia e burimeve njerëzore deklaron vendimin për lirimin nga shërbimi civil të nëpunësit civil për të gjitha rastet e parashikuara në nenin 66, të ligjit nr.152/2013, menjëherë me konstatimin e tyre. Të drejtën për të propozuar pranë njësisë për burimet njerëzore lirimin nga shërbimi civil të nëpunësit civil e ka edhe eprori direkt. Në këtë rast, njësia e burimeve njerëzore deklaron vendimin për lirimin nga shëbimi civil të arsyetuar 3 (tri) ditë pas propozimit të eprorit direkt.
46.Nëpunësi civil, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes dijeni për vendimin e lirimit, ka të drejtë të dëgjohet nga DAP-i apo njësia përgjegjëse për institucionet e pavaruara dhe qeverisjen vendore lidhur me procedurën e lirimit.
47. Departamenti i Administratës Publike apo njësia përgjegjëse ka të drejtë të vendosë pranimin e ankesës nga nëpunësi dhe ta kthejë procedurën për rishqyrtim pranë njësisë për burimet njerëzore të institucionit përkatës, pasi dëgjon nëpunësin civil dhe eprorin direkt.
48. Lirimi nga shërbimi civil i anëtarëve të TND-së rregullohet nga vendimi përkatës i Këshillit të Ministrave për TND-në.
49. Nëpunësi që largohet nga shërbimi civil duhet të bëjë të gjitha veprimet e duhura për dorëzimin e detyrës në mënyrë korrekte dhe në përputhje me etikën e nëpunësit civil.
50. Nëpunësi duhet të bëjë tek eprori direkt dorëzimin e plotë të
dokumentacionit që ka për shkak të detyrës, si dhe te njësia përgjegjëse për mbajtjen e inventarit fizik, dorëzimin e pajisjeve dhe të mjeteve të punës në inventar.
51. Dorëzimi i detyrës, i dokumentacionit, i pajisjeve dhe i mjeteve të punës në inventar bëhet, si rregull, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së vendimit të lirimit. Në raste të veçanta, me urdhër të eprorit direkt, ky afat mund të zgjatet edhe me 5 (pesë) ditë të tjera.
52. Mosdorëzimi i detyrës, i dokumentacionit, i pajisjeve dhe i mjeteve të punës në inventar brenda afateve të përcaktuara në pikën 51, të këtij vendimi, konsiderohet shkelje e rëndë e detyrës dhe shkelje e rëndë disiplinore.
Kreu VIII
DISPOZITA TË FUNDIT
53. Nëpunësi civil ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative dhe gjyqësore sipas rregullave të parashikuara nga Kodi i Procedurave Administrative dhe legjislacioni në fuqi për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RIALOKIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE DHE TË FONDEVE BUXHETORE NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE PËR VITIN 2014
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 11 e 17, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i punonjësve të Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit bëhet 23 veta, duke e çuar numrin total të punonjësve të institucioneve të tjera qeveritare në 269 veta.
2. Numri i punonjësve përballohet nga rezerva e parashikuar në ligjin vjetor të buxhetit, numri total i së cilës bëhet 9 veta.
3. Në programin “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme, pakësohet fondi prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”.
4. Në programin “Shërbime të tjera”, në buxhetin e miratuar të vitit 2014, për Sekretariatin Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit, shtohet fondi prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”.
5. Ngarkohen institucionet e përmendura më sipër dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE BAZË TË SEKTORËVE QË DO TË MBËSHTETEN DHE TË MASËS SË PËRFITIMIT NGA FONDI I PROGRAMIT PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL, PËR VITIN 2014
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, pika 3, e 7, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, dhe të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Nga fondet e miratuara në buxhetin e vitit 2014 për Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, zëri “Transfertë në buxhetet familjare” të përdoret për mbështetjen e prodhimit bujqësor, blegtoral dhe të agropërpunimit.
2. Fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural do të mbështetë:
a) grumbullimin e frutave dhe perimeve;
b) prodhimin e produkteve organike;
c) prodhimin e rrushit dhe bimëve medicinale;
ç) prodhimin e perimeve në mjedise të mbrojtura;
d) mbrojtjen e ullishteve nga dëmtimi prej mizës së ullirit;
dh) mbarështimin e gjedhit dhe bagëtive të imta;
e) prodhimin e produkteve blegtorale;
ë) prodhimin e mjaltit;
f) prodhimin e sektorit të akuakulturës;
g) nxitjen e kreditimit bankar dhe investimeve në sektorin e bujqësisë.
3. Masat e mbështetjes dhe masa e përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, në shkallë vendi, të jenë, si më poshtë vijon:
a) Mbështetjen për dorëzimin e prodhimit të frutave dhe perimeve në pikat e grumbullimit ose përpunimit, në masën 15% të vlerës së mallit të shitur dhe të vërtetuar me faturë tatimore, për jo më pak se 30 (tridhjetë) kv dhe jo më shumë se 300 (treqind) kv, për frutat, dhe për jo më pak se 50 (pesëdhjetë) kv dhe jo më shumë se 400 (katërqind) kv, për perimet;
b) Mbështetjen e fermave organike, në vlerën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë/fermë të certifikuar;
c) Përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes dhe kultivimit të vreshtave me fidanë të kultivarëve autoktonë, në vlerën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë/ha dhe me fidanë të kultivarëve të tjerë, në vlerën 500 000 (pesëqind mijë) lekë/ha për sipërfaqe jo më të vogël se 0.2 ha dhe jo më të madhe se 10 ha;
ç) Përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes dhe kultivimit të bimëve medicinale të kultivuara si: sherebelë, lavanda, timus, rigon, rozmarinë, mullagë e bardhë, tërfili i kuq dhe kokoçeli (lule ciani), në vlerën 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha për sipërfaqe jo më të vogël se 0.2 ha dhe jo më të madhe se 10 ha;
d) Mbështetja e prodhimit në serra me ngrohje qendrore përmes financimit, në masën 50 % të kostos së lëndës djegëse, të vërtetuar me faturë tatimore të shoqëruar me kuponin e kasës fiskale ose me urdhër xhirimi të bankës;
dh) Ujitja me pika në ullishte, vreshta, pemëtore, agrume, (vetëm për format intensive të kultivimit të tyre), në vlerën 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha, por financimi të bëhet për jo më pak se 0,5 ha dhe jo më shumë se 10 ha;
e) Rehabilitimi i blloqeve të ullishteve ekzistuese të vjetra dhe/ose të degraduara, në masën 450 000 (katërqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha, por jo më shumë se 300 (treqind) ha në shkallë vendi;
ë) Mbrojtja e ullishteve nga dëmtimi prej mizës së ullirit, në bllok dhe sipas zonave prioritare të prodhimit, në vlerën jo më shumë se 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë/ha;
f) Mbështetja e prodhimit të qumështit me 10 (dhjetë) lekë/litër për fermat blegtorale që dorëzojnë minimalisht 1 500 litra qumësht në muaj, por jo më shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë për fermë në muaj. Pagesa të bëhet kundrejt sasive të qumështit të shitura me faturë tatimore;
g) Mbështetja e fermave blegtorale që mbarështojnë në mënyrë ekstensive (regjim gjysëmstallor) lopë të matrikulluara në vlerën 10 000 (dhjetë mijë) lekë/krerë, por financimi të bëhet për jo më pak se 10 (dhjetë) krerë dhe jo më shumë se 50 (pesëdhjetë) krerë;
gj) Mbështetja e fermave blegtorale që mbarështojnë jo më pak se 100 (njëqind) krerë dele ose dhi të matrikulluara, në vlerën 1 200 (një mijë e dyqind) lekë/krerë, por financimi të bëhet për jo më shumë se 300 (treqind) krerë;
h) Mbështetja e mishit të të imtave, në vlerën 500 (pesëqind) lekë/krerë të matrikulluar, për çdo therje në thertore, dhe 100 (njëqind) lekë, për lëkurën e dorëzuar në fabrikën e përpunimit në vend;
i) Mbështetja e mishit të derrit, në vlerën 500 (pesëqind) lekë/krerë të matrikulluar, për çdo therje në thertore, dhe 100 (njëqind) lekë, për lëkurën e dorëzuar në fabrikën e përpunimit në vend;
j) Mbështetja e mishit të gjedhit, në vlerën 2 000 (dy mijë) lekë/krerë të matrikulluar, për çdo therje në thertore, dhe 200 (dyqind) lekë, për lëkurën e dorëzuar në fabrikën e përpunimit në vend;
k) Mbështetja për bletërritësit me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) koshere bletë, në vlerën 1 000 (një mijë) lekë/koshere;
l) Mbarështimi intensiv i kërmillit, në masën 50% të vlerës së rasatit deri 500 (pesëqind) kg/ha, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë/ha. Kjo mbështetje të jetë për ata që fillojnë investimin për mbarështimin e kërmillit për herë të parë. Për mbarështuesit, që e kanë bërë investimin fillestar më parë, të mbështeten fermat që bëjnë mbarështimin intensiv të kërmillit, me një vlerë 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha;
ll) Mbështetjea e sektorit të akuakulturës, në masën 25% të vlerës së rasatit, por jo më shumë se 600 (gjashtëqind) mijë lekë/fermë dhe 25% të vlerës së ushqimeve për peshkun nën kultivim, por jo më shumë se 500 (pesëqind) mijë lekë/fermë, vërtetuar me faturë tatimore të shoqëruar me kuponin e kasës fiskale ose me urdhër xhirimi të bankës;
m) Mbështetja për dorëzimin e prodhimit të midhjeve në qendrat e grumbullimit dhe/përpunimit, në vlerën 10 (dhjetë) lekë/kg të dorëzuar (të shitur) e të vërtetuar me faturë tatimore, por financimi të bëhet për jo më pak se 200 (dyqind) kv dhe jo më shumë se 1 000 (një mijë) kv në vit;
n) Mbështetja, përmes subvencionit, në masën 70% të normës së interesit, për 7 (shtatë) vite radhazi, për kreditë deri në 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë, që do të merren për aktivitetet e mëposhtme:
i) Ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës dhe bimëve medicinale;
ii) Mekanizimin e bujqësisë, blegtorisë dhe akuakulturës.
nj) Mbështetja e investimeve deri në 50% të vlerës së projektit, por jo më shumë se 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë për një subjekt, për:
i) ngritje ambientesh për grumbullim dhe ruajtje të prodhimit;
ii) linja për standardizim dhe/ose përpunim prodhimi;
iii) mekanikë bujqësore;
iv) hapje pusesh, rezervuarësh për vaditje dhe lerash.
4. Vlera prej 154 000 000 (njëqind e pesëdhjetë e katër milionë) lekësh do të përdoret për bashkëfinancim me projektin IPA, 2011, “Mbështetje për bujqësinë dhe zhvillimin rural”.
5. Këto fonde do të zbatohen sipas marrëveshjes operacionale të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, AZHBR-së dhe projektit GIZ.
6. Për informacionin mediatik të publikut lidhur me masat e mbështetjes nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2014, të përdoret nga ky fond vlera prej 13 000 000 (trembëdhjetë milionë) lekësh.
7. Financimi i masës mbështetëse për prodhimin në serra me ngrohje qendrore, sipas rastit, të bëhet edhe në tremujorin e parë të vitit pasardhës, me fondet e caktuara për vitin përkatës buxhetor, por gjithnjë sipas masës së përfitimit të përcaktuar për vitin 2014.
8. Procedura dhe mënyra e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural përcaktohen në udhëzimin e përbashkët të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
9. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.88, DATË 30.1.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRDORIM, PA SHPËRBLIM, MINISTRISË SË TURIZMIT, KULTURËS, RINISË DHE SPORTEVE, PËR TEATRIN KOMBËTAR TË OPERËS, BALETIT DHE ANSAMBLIT POPULLOR, TË OBJEKTIT NR.2, PJESË E PRONËS NR.90, ME EMËRTIM “SHTABI I KML-SË”, DHE TË OBJEKTEVE NR.21 E NR.35, PJESË E PRONËS NR.84, ME EMËRTIM “ISH-REGJIMENTI I KIMISË”, ME VENDNDODHJE NË TUFINË, TIRANË, NË ADMINISTRIM TË MINISTRISË SË MBROJTJES”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.88, datë 30.1.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Në titullin e projektvendimit fjalët “… dhe të objekteve nr.21 e nr.35, pjesë e pronës nr.84, me emërtim “Ish-Regjimenti i Kimisë …”, shfuqizohen.
2. Në pikën 1, të vendimit, fjalët “…dhe të objekteve nr.21 e nr.35, me sipërfaqe 1187 (një mijë e njëqind e tetëdhjetë e shtatë) m2, pjesë e pronës nr.84, me emërtim “Ish-Regjimenti i Kimisë”, shfuqizohen.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E SHËNDETËSISË, TË SIPËRFAQES 12 600 M², PJESË E PRONËS NR.84, ME EMËRTIMIN “ISH-REGJIMENTI I KIMISË”, ME VENDNDODHJE NË SHTISH – TUFINË, TIRANË, DHE PER NJE NDRYSHIM NE VENDIMIN NR.515, DATE 18.7.2003, TE KESHILLIT TE MINISTRAVE, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
3. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Shëndetësisë, të sipërfaqes prej 12 600 (dymbëdhjetë mijë e gjashtëqind) m², pjesë e pronës nr.84, me emërtimin “Ish-Regjimenti i Kimisë”, me vendndodhje në Shtish – Tufinë, Tiranë, sipas planvendosjes, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për ndërtimin e një spitali të psikiatrisë ligjore dhe të një qendre kurative për të sëmurët me probleme të kolonës vertebrale.
4. Sipërfaqja prej 12 600 (dymbëdhjetë mijë e gjashtëqind) m², pjesë e pronës nr.84, me emërtimin “Ish-Regjimenti i Kimisë”, me vendndodhje në Shtish – Tufinë, Tiranë, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, e cila i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.
5. Ministrisë së Shëndetësisë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
6. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, ministri i Shëndetësisë dhe kryeregjistruesi i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.